Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, që nisi në shkurt 2022, e ndryshoi klimën politike në Evropë dhe në botë duke lajmëruar një epokë të re të marrëdhënieve globale, që ende duhet të formësohen në procesin e paskonfliktit dhe që do të mbështeten në kompleksitetin i cili do të rrjedhë nga realiteti i ri i botës shumëpolare. Fuqitë globale sigurisht që do të detyrohen të ulen rreth tryezës së paqes dhe të përkufizojnë marrëdhëniet e tyre në afat të gjatë, që të pajtohen për çështjet bazë gjeopolitike, por mbi të gjitha, gjeoekonomike, në përpjekje për të krijuar paqe afatgjatë, por edhe rregullat e lojës që do të parandalonin zhvillimin e konflikteve në të ardhmen e që sigurisht, nuk mund të përjashtohen tërësisht si mundësi. Atmosfera e besimit të turbulluar ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër sigurisht që nuk ndihmon në arritjen e këtyre qëllimeve dhe vetë periudha kohore e konfliktit ruso-ukrainas është ende e vështirë të parashikohet nga kjo perspektivë.
Fillimi i operacionit ushtarak nga Federata Ruse solli një valë të turbullirave politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Anëtari më i ri i NATO-s dhe vendi kandidat i përjetshëm për anëtarësim në BE është përballur me atë që janë përballur edhe shumica e vendeve në Evropë – pasiguri politike, vështirësi ekonomike dhe opinion publik të polarizuar rreth asaj që po ndodhte në largësi të vogël nga kufijtë e vendit. Edhe para fillimit të konfliktit në Ukrainë, ashtu si shumica e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, edhe Maqedonia e Veriut i ishte nënshtruar ndikimit politik dhe ekonomik nga qendra të shumta të fuqisë. Pandemia e COVID-19 tregoi se BE-ja dhe SHBA-të nuk janë të vetmet lojtare të interesuara për të shtrirë ndikimin e tyre ekonomik dhe politik në rajon dhe se kanë konkurrencë serioze nga lojtarë globalë sikuse Rusia, Kina dhe Turqia, por edhe nga disa vende të botës arabe.
Fillimi i konfliktit ruso-ukrainas menjëherë e polarizoi opinionin publik në Maqedoninë e Veriut rreth shkaqeve të konfliktit dhe fajtorit kryesor. Mirëpo, mjaft kohë para fillimit të konfliktit, anketat me opinionin publik tregonin se Maqedonia e Veriut i përkiste grupit të dytë të vendeve (nga tre grupe) ku kishte simpati për Federatën Ruse, mirëpo jo në nivelin e Bullgarisë dhe Serbisë fqinje, por siqodoftë më të forta dhe më të shprehura se sa tek “skeptikët për Rusinë”, Polonia dhe Rumania. Edhe qendrat vendore për analiza tregonin për fuqizimin e ndikimit rus dhe rritjen e simpatisë për Federatën Ruse, sidomos në një kohë kur BE-ja ia doli t’i zhgënjejë qytetarët e vendit me veton e re nga shtetet e saj anëtare për fillimin e negociatave të paraanëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Konflikti i gjatë prej tri dekadash ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth emërtimit të vendit u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës në vitin 2018, pas së cilës Republika e Maqedonisë fitoi edhe atributin e Veriut dhe bëri koncesione të tjera sa i përket çështjeve historike dhe të identitetit, për të marrë në këmbim zhbllokimin e negociatave me NATO-n dhe BE-në. Në vitin 2020, anëtarësimi në NATO u bë realitet dhe dukej se dhe fillimi i negociatave me BE-në ishte një hap larg. Mirëpo, së pari Franca dhe më pas Bullgaria paraqitën veto të reja ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, secila për arsyet e veta. Vetoja e Francës kishte të bënte me kërkesën e Francës për të ripërkufizuar metodologjinë e negociatave për paraanëtarësim, që u realizua, ndaj vetoja franceze u hoq me kohë. Por menjëherë pas vetos franceze pasoi ajo nga Republika e Bullgarisë, që në nëntor 2020 nuk u pajtua që Maqedonia e Veriut të fillonte negociatat për paraanëtarësim. Vetoja është ende në fuqi dhe besueshmëria e BE-së si partner dhe faktor me ndikim në jetën politike të Maqedonisë së Veriut është dëmtuar dukshëm për shkak të mospërmbushjes së përhershme të detyrimit për të filluar më në fund negociatat dhe për shkak të lënies së Maqedonisë së Veriut në dhomën e pritjes së BE-së pavarësisht koncesioneve të shumta që vendi ka bërë në kuadër të Marrëveshjes së Prespës.
Në një atmosferë të tillë të zhgënjimit të përgjithshëm me politikat e BE-së dhe të disa shteteve anëtare, ishte më se e pritshme që opinioni publik të reagonte ndaj konfliktit ruso-ukrainas pjesërisht dhe nëpërmjet prizmit të këtyre ndjenjave, më emocionalisht se racionalisht, duke i lënë në sfond vlerësimet e hartës gjeopolitike dhe interesit të vet. Mirëpo, pavarësisht këtij zhvillimi, anketimet nga institutet vendore treguan se shumica e maqedonasve etnikë dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve etnikë (dy grupet më të mëdha etnike të vendit) po shfaqin solidaritet me popullin ukrainas dhe e dënojnë pushtimin e Ukrainës. Mirëpo, numri i atyre që e mbështesin pozicionin e Rusisë, kryesisht maqedonas, nuk është i vogël, gjë që është më shumë rezultat i dëshirës për “hakmarrje” për shkak të pritshmërive të papërmbushura nga partnerët perëndimore ndaj Maqedonisë së Veriut se sa pasqyrim i ndonjë ndjesie të mirëfilltë proruse të shoqërisë, që, për të thënë të vërtetën, kurrë nuk ka qenë aq e fortë sa në vendet fqinje Serbi ose Bullgari, për atë pjesë, dhe meqë ra fjala janë anëtarë edhe të NATO-s, edhe të BE-së. Shfaqja e ndjenjave proruse është më shumë instrumentale, kryesisht e bazuar në frustrimin me dështimin e procesit të integrimit evropian dhe popullariteti i Federatës Ruse rritet (edhe para konfliktit në Ukrainë) ekskluzivisht në situata krizash dhe pengesash politike ndërkombëtare, që janë shndërruar në strategji të rregullt në sjelljen e disa shteteve anëtare të BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut, që me siguri është një nga pikat më të dobëta të logjikës asimetrike të procesit të paraanëtarësimit.
Megjithatë, zhvillimi i ngjarjeve politike në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht të gjitha ngjarjeve negative ka përjetur edhe një episod pozitiv që u ka rikthyer qytetarëve maqedonas besimin në mundësinë e një zgjidhjeje të urtë dhe paqësore të konflikteve me fqinjët e vet. Përkatësisht, në maj 2022, së pari Patriarku Ekumenik Bartolemeu dhe më pas Kisha Ortodokse Serbe e njohën autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO), me të cilën KOM-KO iu dha një tomos (akt zyrtar i njohjes) nga kisha deri atëherë mëmë – Kisha Ortodokse Serbe. Kjo e përmbylli konfliktin e zgjatur ndërmjet KOS dhe KOM-KO dhe KOM-KO mori zyrtarisht statusin si kishë ortodokse e barabartë me kishat e tjera ortodokse të njohura në botë. Kjo shkaktoi një valë ngazëllimi në vend dhe e rriti dukshëm popullaritën e Serbisë fqinje, sidomos në radhët e maqedonasve etnikë, në kurriz të Bullgarisë fqinje e cila, pikërisht për shkak të vetos në BE, ra në listë si fqinji më i papëlqyer i Maqedonisë së Veriut. Sigurisht që kjo e ka rritur edhe më tej frustrimin në shoqërinë bullgare në lidhje me çështjen maqedonase dhe pritshmëria që në samitin e BE-së në qershor 2022 të ketë dhe një veto tjetër po bëhet gjithnjë e më e sigurtë. Në kohën kur u shkrua ky artikull, Presidenti francez Emanuel Makron po bënte përpjekjet e fundit për të hequr veton bullgare, edhe pse ka pak shpresa në shoqërinë maqedonase për suksesin e kësaj nisme. Fituesi i zhvillimeve të mundshme negative të ngjarjeve mund të merret me mend…
Nenad Markovikj është profesor asistent në departamentin e shkencave politike në Fakultetin Juridik në Sh. “Ciril and Metodius” në Shkup. Është themelues dhe studiues në Institutin për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup dhe anëtar i redaksisë së revistës tremujore “Mendimi politik”. Ai kryen kërkime në teorinë politike, kapitalin social, filozofinë politike, nacionalizmin, shoqërinë civile dhe kulturën/mitin politik.