Korniza e drejtësisë tranzicionale të BE-së përballet me mohimin e së kaluarës në ish-Jugosllavi

Intervistë nga Serbeze Haxhiaj

Raporti i Progresit për Kosovën 2021 i Komisionit Evropian ka sugjeruar që vendi të zhvillojë një “strategji të përgjithshme” për drejtësinë tranzicionale, përfshirë qasjen tërësore për të adresuar të kaluarën. Dega ekzekutive e BE-së gjithashtu i ka rikujtuar autoriteteve të Beogradit që të tregojnë “përkushtim të mirëfilltë” për të hetuar dhe gjykuar krimet e luftës.

Aidan Hehir, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Uestminsterit në MB, thotë se plani i Bashkimit Evropian për drejtësinë tranzicionale ndaj vendeve aspiruese “është pak më shumë se fjalë mbi letër”. Në një intervistë për Balkan.Perspectives (BP) Hehir thekson se zotimi për të implementuar politika të BE-së për Drejtësinë Tranzicionale është ushtrim i BE-së sa për të vënë shenjën në kutizë.

BP: Në kuadër të Planit të Veprimit të BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci, BE-ja është zotuar të zhvillojë një Politikë të Drejtësisë Tranzicionale, por kjo nismë ka patur ndikim të padukshëm në Kosovë dhe në Serbi. Në këtë drejtim, si e parashtroni rolin e BE-së?

Hehir: Plani i BE-së është pak më shumë se fjalë në letër. Unë nuk besoj se njerëzit në terren janë në dijeni për të dhe nuk më vjen në mendje asnjë referencë për të nga ndonjë qeveri. Pra, nuk jam i bindur se është diçka më shumë se thjesht një ushtrim i BE-së për të vënë shenjën në kutizë. Si mundet dikush t’i marrë seriozisht deklaratat e tyre për drejtësinë tranzicionale? Po ashtu, qëndrimi i Bashkimit Evropian në raportin e ri ishte i heshtur dhe drejtësia tranzicionale nuk përmendej askund në raportin prej 134 faqesh. Është fakt se BE-ja nuk ka bërë pothuajse asgjë për t’i censuruar qeveritë. Kjo është më e rëndësishme se sa publikimi i ndonjë dokumenti të vlefshëm që pak vetë do ta lexojnë dhe mbi bazën e të cilit nuk do të veprojë askush.

BP: Si mundet BE-ja të angazhohet më shumë në vendet ku shkeljet dhe abuzimet e së kaluarës ndikojnë në procesin e tyre të integrimit?
Hehir: Duhet të jetë e qartë: faktet e konstatuara nga TPNJ-ja dhe gjykatat e tjera mund të përdoren si bazë për të krijuar një grup të provave dhe secila qeveri të udhëzohet për t’i trajtuar ato. Duhet të ketë zero tolerancë për të mohuar gjykimet e TPNJ-së dhe të mos ketë përfshirje në debate të reja për atë që ka “ndodhur me të vërtetë”. Provat duhet të konsiderohen të parefuzueshme. Nga secila qeveri duhet të kërkohet të parashtrojnë se si planifikojnë të sigurojnë dëmshpërblim për krimet e së kaluarës dhe t’i ndjekin të akuzuarit për krime që ende janë të lirë. Po ashtu, shtetet duhet të udhëzohen që të zotohen se do ta pranojnë që kufijtë aktualë janë të panegociueshëm dhe të punojnë bashkërisht për të krijuar mekanizma rajonalë të bashkëpunimit për t’i ndihmuar ballafaqimit me të kaluarën, një mekanizëm që do të mbikëqyrte reparacionet, krijimin e databazave për vdekjet, dhunimet, tmerret e kryera dhe të pagjeturit. Kjo duhet të jetë një sine qua non për anëtarësimin në BE. 

BP: BE-ja thotë se ekziston nevoja që të mësojë se si shtetet anëtare i kanë trajtuar trashëgimitë e së kaluarës. Por a po nxjerrin ndonjë mësim Kosova dhe Serbia?
Hehir: Nëse ka ndonjë hetim se sa ka mësuar secili shtet, atëherë padyshim që Serbia do të jetë e fundit në mesin e shteteve që pasuan Jugosllavinë. Nuk ka asnjë dëshmi që qeveria e Serbisë e ka pranuar tërësisht natyrën e krimeve të veta në të kaluarën dhe kjo thekson dështimin e mekanizmave të ndryshëm të drejtësisë tranzicionale që janë shfrytëzuar deri më sot, qofshin këta gjykata apo komisione të së vërtetës.Ka shumë njerëz brenda Serbisë dhe Kosovës që kanë punuar për të mbledhur informacion të hollësishëm për krimet në të kaluarën, ndaj është e mundur që të përcaktohen faktet që kanë të bëjnë me konfliktet, mirëpo qeveritë dhe aktorët ndërkombëtarë në thelb e kanë shpërfillur punën e tyre dhe këtë çështje në tërësi. Mirëpo qeveria aktuale në Kosovë duket të jetë më e përkushtuar për t’u marrë me drejtësinë tranzicionale sikurse dëshmojnë nismat e reja që kanë lansuar këtë vit.


BP: Ekziston një dëshirë e shprehur qartë për përkrahje politike nga BE-ja në lidhje me nismën për themelimin e komisionit rajonal në Ballkanin Perëndimor për të adresuar trashëgimitë e së kaluarës. Si do të dukej ky komision rajonal?
Hehir: Shoqëria civile mbetet më e angazhuara aktivisht në nisma të pajtimit në krahasim me institucionet. Nisma RECOM ka qenë një nga përpjekjet për ta bërë këtë. Ka qenë ide e mirë, por i mungonte fuqia. Qeveritë në rajon thjesht e shpërfillën, sidomos Kroacia dhe Serbia. Që një komision rajonal të ketë ndikim të vërtetë në këtë çështje, ai duhet të lidhet me anëtarësimin në BE dhe të përfshijë edhe sanksione për mosrespektim.

BP: Në një mjedis si vendet e ish-Jugosllavisë, një mekanizëm si ky, a mund të jetë më efektiv se sa mekanizmat ekzistues, si bashkëpunimi rajonal, sundimi i ligjit dhe pajtimi?
Hehir: Në mungesë të dënimeve për mosrespektim, këta mekanizma do të dështojnë. Në rastin më të mirë, qeveritë thjesht do thonë fjalët e duhura, në rastin më të keq thjesht do t’i shpërfillin ata. Mekanizmat e suksesshëm të drejtësisë tranzicionale janë gjithnjë proces nga poshtë-lart dhe si të tilla, këto nisma duhet t’i udhëheqin njerëzit që janë në terren dhe ata të përcaktojnë fushëveprimin dhe qëllimin e tyre. Mirëpo aktorët e jashtëm mund t’i fasilitojnë duke deklaruar se respektimi është thelbësor për qasjen në BE dhe ndihmën për zhvillim.

BP: Në terrenin aktual ku po vijon kërkimi për procese të drejtësisë që janë më shumë reparative se sa restorative, a mundet të jetë produktiv fokusi tek mekanizmat rajonalë?
Hehir: Po, nëse mekanizmat rajonalë kanë aftësinë t’i censurojnë shtetet për mosrespektim. Ligjet pa mjete mbeten thjesht fjalë në letër.


BP: Si i shikoni zhvillimet aktuale lidhur me dokumentin jozyrtar dhe informacionin e “rrjedhur” nga diplomatët francezë, danezë dhe holandezë?
Hehir: Disa shtete anëtare kryesore, sidomos Franca dhe Holanda, kanë shumë pak dëshirë për zgjerim të BE-së. Ky është funksion i faktorëve të ndryshëm dhe jo thjesht pikëpamje që kanë elitat politike. Publiku i gjerë në BE i druhet zgjerimit të mëtejshëm. Ndaj, ka shumë pak gjasa të realizohen së shpejti premtimet e bëra në samitin e Selanikut në vitin 2003. Është shumë e qartë se BE-ja është e vendosur që anëtarësimit të Serbisë t’i japë prioritet para të të tjerëve. Kjo është për turp, duke patur parasysh sjelljen e qeverisë aktuale në Beograd dhe përllogaritjet krejtësisht gjeopolitike që kanë potencialin të sjellin dy pasoja të rënda. Së pari, do të zemërojnë shtetet e tjera në rajon që në mënyrë të natyrshme janë kundër që Serbia t’ia hedhë pa lagur me sjelljen e saj agresive dhe sërish BE-ja ta afrojë. Së dyti, përfshirja e regjimit autoritarian si ai i Serbisë në BE do ta degradojë edhe më tej kohezionin e brendshëm të tij dhe do të minojë parimet themelore të demokracisë, pavarësisë gjyqësore dhe të lirisë së shtypit.