Krijimi i muzeut virtual të shtëpisë-shkollë: hulumtimi bashkëkrijues dhe pjesëmarrës dhe përvoja me realitetin virtual 

Në maj 2018, Komuna e Prishtinës shpalli se shtëpia e cila kishte parë diplomimin e dhjetëra brezave të nxënësve të shkollës së mesme ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 do të bëhej muze. Kjo shtëpi është një nga 3000 lokacionet e tjera kudo nëpër Kosovë, përfshirë bodrume, garazha, dhoma dhe shtëpi të tëra, që u transformuan në shkolla gjatë asaj kohe.  E njohur si Shtëpia-Shkollë e Herticëve, ky objekt tashmë muze në ndërtim ishte dhe ish-shkolla jonë. Ka qenë një vend me të cilin identifikohemi thellësisht, si personalisht, ashtu edhe intelektualisht dhe, tashmë për më shumë se dhjetë vite, një vend ku rregullisht kemi zhvilluar vizita studimore me nxënësit. Në zemër të këtyre vizitave ka qenë përpjekja e përbashkët për t’u angazhuar me këtë të kaluar, komuniteti dhe njohuritë rreth hapësirave dhe përvojave të ngjashme, kryesisht të harruara dhe të lëna në heshtje në Kosovë. Ndonjëherë, kemi theksuar dimensionet urbane të lokacionit dhe kemi ngritur pikëpyetje rreth historisë dhe kujtimit të tij. Të tjera herë kemi eksploruar marrëdhëniet sociale ndërmjet reziliencës dhe dhunës, por më së shpeshti kemi imagjinuar mënyrat se si mund të transformohej në muze.

Kur në vitin 1989 autonomia e Kosovës si një nga tetë njësitë konstituive të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë u revokua me dhunë dhe në mënyrë të paligjshme, shteti vendosi masa speciale dhe ndërhyrje me dhunë dhe krijoi një sistem apartejdi. Ato masa, bashkë me ligjin e luftës, përfshinin ndarjen e shkollave përgjatë vijave etnike, largimin e drejtorëve shqiptarë të shkollave fillore dhe të mesme, rishikimin e kurrikulës dhe eliminimin e mësimit në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Me ndihmën e policisë, u ndalua edhe qasja në objektet shkollore. Mësimdhënësit, prindërit dhe udhëheqësit e komunitetit nisën të kërkojnë opsione pasi u bë e qartë se regjimi i ri në Serbi synonte që të ndërpriste përgjithnjë, në mos të çrrënjoste, arsimin në gjuhën shqipe. Pas nismës fillestare dhe organike të mësimdhënësve të shkollave fillore, shumica prej të cilëve ishin gra, që të mbanin mësim në shtëpitë e tyre, u mor vendimi për të krijuar sistemin e shtëpive-shkolla. Gjatë viteve 1990-të, ky sistem do të shndërrohej në atë që shumica e konsiderojnë si shtylla e lëvizjes së rezistencës qytetare dhe paqësore në Kosovë. 

Qasjet e reja muzeologjike në sistemin paralel të shtëpive-shkolla 

Pamë edhe mundësi në pritshmërinë që shkolla jonë të bëhej muze. Do të përpiqeshim të vinim në praktikë të nxënit inovativ, reflektues me etikë dhe të angazhuar që të bëheshin propozime edhe për muze në vende të tjera. Nisëm t’i hartojmë projektet tona që u strukturuan si ftesa. Specifikisht, ishin ftesa për të menduar me dhe rreth muzeve teksa ato shfaqen dhe për të eksploruar mundësitë e bashkëprodhimit me bazë në komunitet dhe ndërbreznorë. Mund të eksploronim edhe të kaluarën dhe mënyrat se si ajo të bëhej relevante për të tashmen. Në qendër të proceseve vendosëm të rinjtë, studentët tanë, të cilët përndryshe në Kosovë përbëjnë më shumë se 50% të popullsisë. I ftuam të bëjnë hulumtime, të dokumentojnë, mbledhin, ekspozojnë dhe të angazhoheshin në krijimin e muzeut. Biseda u zhvillua edhe rreth mjeteve dhe metodave që mund të gjeneronin angazhim kreativ dhe kritik, jo vetëm duke lejuar, por edhe duke u mbështetur mbi një shumëllojshmëri të zërave dhe këndvështrimeve. Në bazë të hulumtimit të bazuar dhe gjithëpërfshirës, mund të eksplorohet potenciali edukativ dhe transformues i muzeve për të krijuar publikë të informuar dhe të angazhuar. Mund të angazhoheshim edhe me zhvendosjen e vëmendjes nga dualiteti i vazhdueshëm hero/viktimë në rrëfimet e ngjarjeve traumatike të luftës së viteve 1998-1999, tek zbulimi i narrativave më heterogjene që bëjnë fjalë për veprim social dhe politik, solidaritet dhe komunitet. Gjatë këtij procesi, nisi të shfaqet një gramatikë popullore e përkujtimeve, specifike për Kosovën, por edhe që mund të udhëtonte dhe të takohej në biseda me kontekste të tjera të krahasueshme. 

Katër projekte në veçanti – Krijimi i Muzeut të Arsimit, RiHapësira, RiKontekstualizimi i Trashëgimisë dhe Ndërfaqe të Prekshme për Aplikacione RV të Trashëgimisë Kulturore[1] – në një periudhë përgjatë katër vitesh bashkëpunuan, nxorën mësime të ndërsjella dhe prodhuan atë që besojmë se janë rezultate të jashtëzakonshme. Dy të parat ishin pjesë të projektit Ndryshimi i tregimit[2] dhe të tjerat ndërtuan më tej dhe e zgjeruan këtë bashkëpunim fillestar. Gjatë një periudhe prej 39 muajsh, arkivat publike dhe private, fotografitë, dokumentarët televizivë, intervista të thelluara, artikuj të gazetave dhe më shumë u hulumtuan, u grumbulluan dhe më në fund u paraqitën në një platformë online ku kishin qasje të gjithë (https://shtepiteshkolla.net/). Me projektin RiKontekstualizimi i Trashëgimisë Kulturore ne zgjeruam përdorimin e arteve dhe hulumtimin në shkencat humane që të përfshihej edhe fotogrametria dhe vegla të tjera digjitale si dhe krijuam mjete për institucionet e kulturës dhe trashëgimisë, në këtë rast muzeun e shtëpisë-shkollë (https://www.reconheritage.co.uk/about). Më pas u mbajtën punëtori të shumta dhe vizita studimore për të vijuar më tej me metodologjitë e shumëllojshe dhe inovative, përfshirë dosje zanore, video-ditoarë dhe etnografi të shqisave që u gjetën, duke shfrytëzuar mjetet që më pas u projektuan dhe u bënë të qasshme në një tjetër platformë online (https://respace.bournemouth.ac.uk/).[3] Këto i kontribuan projektit të katërt që më pas e zhvilluam bashkë me Vedad Hulushiqin dhe Majkëll Smithin. Në fakt, ishte puna e tyre e mëparshme për një lojë RV për Urën Mostar në Bosnje e Hercegovinë që na frymëzoi me idenë për përvojën e realitetit virtual për muzeun e shtëpisë-shkollë. Me përkrahjen e një granti nga Universiteti i Bournemouth-it, ne filluam të krijojmë Muzeun Virtual të Shtëpisë-Shkollë si një përvojë të realitetit virtual. 

E nisëm me idenë që një muze i ri përfaqëson një mundësi të re dhe kësnhtu, nisëm një përpjekje të përbashkët për të reflektuar konceptet ekzistuese të muzeve dhe për të menduar se si po shfaqeshin muzetë e rinj. Një nga përkufizimet më të reja të ICOMOS për muzetë thotë se muzeu është një ‘institucion jofitimprurës, i përhershëm në shërbim të shoqërisë, që hulumton, mbledh, ruan, interpreton dhe ekspozon trashëgiminë e prekshme dhe të paprekshme[4]’. Ky përkufizim bënte fjalë për atë që doli nga shumë biseda që zhvilluam me punonjës të kulturës dhe trashëgimisë, pra, relevanca në rritje e të konsideruarit të muzeve si hapësira të hapura, të gjalla dhe të rrjetëzuara. Po ashtu, të dhënat nga të rinjtë treguan specifikisht dëshirën që muzetë të shndërrohen në mjedise të të nxënit, ku ka bashkëkrijim gjithëpërfshirës dhe kritik, për të ofruar mundësinë që të bëhen pyetje rreth muzeve dhe drejtësisë sociale.[5] Gjithashtu u përfshimë edhe në kritikën solide të muzeve kombëtarë dhe tradicionalë, të karakterizuar nga narrativa lineare ku ka pak hapësirë për kompleksitetin e rrëfimeve dhe përvojave të gjenealogjive dhe përvojave të ndryshme. Po ashtu, ekspozitat e muzeve tradicionalë kryesisht janë statike dhe nuk janë projektuar për ndërveprim apo eksplorim fizik. Atje, vizitori më shpesh është shikues pasiv. Sidomos muzetë fizikë, edhe pse janë të pazëvendësueshëm, janë të kufizuar brenda një hapësire fizike, kërkojnë lëvizshmëri dhe prani fizike, si dhe fuqi kurtoriale dhe vendimmarrëse. Mirëpo kohëve të fundit ka ndodhur një transformim shumë i rëndësishëm. Vëmendja është larguar nga ekspozitat e muzeut tek përvojat e vizitorëve. Kjo është zhvilluar krah më krah me shfrytëzimin e teknologjive të reja dhe bashkëkrijimit për muze virtualë. Në veçanti, teknologjitë e reja njihen për relevancën e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Duke integruar realitetin virtual, për shembull, si dhe veglat e tjera të shumta digjitale, muzetë mund ta zgjerojnë shpërndarjen e punës së tyre kuratoriale, por edhe të angazhohen dhe të përfaqësojnë pluralitet të zërave dhe këndvështrimeve.

Realiteti virtual dhe ballafaqimi me të kaluarën 

Duke u mbështetur tek mësimet nga projektet e mëparshme dhe duke biseduar me këto debate dhe mundësitë emocionuese për të menduar marrëdhënien publike me muzetë, kemi projektuar dhe zhvilluar përvojën e realitetit virtual për Muzeun Virtual të Shtëpisë-Shkollë (MVSHSH). E kemi mbështetur në metoda pjesëmarrëse, ndërdisiplinore dhe bashkëkrijuese me studentët dhe me një komunitet më të gjerë të hulumtuesve, artistëve dhe profesionistëve që punojnë në fushën e trashëgimisë dhe kujtesës. Kryesisht ofron një koleksion të kuruar të paraqitur në tri linja rrëfimi: Kosova në ish-Jugosllavi, rezistenca civile, shtëpia-shkollë, që kryesisht ndërtojnë narrativa të mbështetura në ngjarje, por që nuk ka nevojë të eksplorohen kronologjikisht. Linja e parë e rrëfimit ofron një kontekst më të gjerë për të lehtësuar të kuptuarit e sistemit të shtëpive-shkolla, si dhe konturet e dinamikave politike dhe sociale dhe të strukturave të pushtetit që e mundësuan dhe e mbështetën atë. Linja e dytë e rrëfimit paraqet një përmbledhje dhe eksplorim të rezistencës civile të viteve 1990-të, të praktikave dhe shkallës së mobilizimit social dhe të solidaritet në veprim në kundërshtim me dhunën strukturore dhe shtetërore. Ajo krijon një rrëfim vizual që bazohet në imazhe me përshkrime/legjenda, një videomontazh të bazuar në filmime të marra nga kasetat VHS dhe copëza gazetash nga arkivët fizikë dhe digjitalë, si dhe një paraqitje kohore të ngjarjeve. Linja e tretë e rrëfimit, shtëpia-shkollë, është më e pasura. Ajo përfshin video-intervista me një grup të larmishëm njerëz (edukatorë, organizatorë, udhëheqës dhe nxënës të sistemit të shtëpive-shkolla), materiale të arkivëve personalë dhe publikë (media, dokumenta shkolle, letra, gazeta të shkollës, libra etj.). Është një rrugëtim në dhe nëpërmjet një përvoje shumë unike.

Fakti që vetë vendi – shtëpia – është shkatërruar mjaft gjatë luftës nënkupton se ajo nuk i përngjan ‘origjinales’ ku kanë qëndruar njerëzit dhe ngjarjet që i japin rëndësi. Prandaj, përvoja e projektuar nuk mbështetet vetëm tek rezultati teknologjik, por i ngjan edhe vetë procesit. Nëpërmjet hulumtimit arkivor, ajo shndërrohet edhe vetë në një arkiv digjital. Përmbajtja e bazuar në sintezën e videomaterialeve, fotografive dhe intervistave të përzgjedhua, si dhe kujdesi i posaçëm që është treguar për hapësirën zanore të përvojës ofrojnë pika hyrëse për pjesëmarrësin që të lidhet me ngjarjet e së kaluarës. Përveç kësaj, lidhja me hapësirën e shkollës dhe përfshirja e video-intervistave bëhet posaçërisht e rëndësishme, sepse fton pyetje për relevancën e ndjenjës, të dëshmive dhe përvojës personale në historibërje dhe ndërtimin e narrativës. Ajo evokon atë që shpesh cilësohet si aureola e kohës. Specifikisht, studimi ynë ka gjetur se përvoja virtuale i lidh pjesëmarrësit me atë materiale duke bërë një lidhje afektive dhe hapësinore nëpërmjet “ndjesisë sikur jam atje”, sikurse ka thënë një pjesëmarrës. Një tjetër na ka thënë “se u mbush me morrnica” dhe një tjetër pjesëmarrës qau. Në të njëjtën kohë, prania virtuale e pjesëmarrësve dhe përfshirja e tyre me kronologjitë e ngjeshura arkivore dhe historike dhe me materialet në video i kanë kontribuar dëshirës për të “kaluar më shumë kohë atje dhe për të mësuar më shumë” sikurse vuri në dukje një pjesëmarrës.

Një muze për brezin e ri 

Edhe pse të angazhuar specifikisht me brezin e post-kujtesës, pra me shumicën e të rinjve në Kosovë që nuk kanë asnjë kujtim personal të ngjarjeve në fjalë, si me edukatorët e tyre, MVSHSH-ja synon ta zgjerojë mësimdhënien nëpërmjet një angazhimi pragmatik, por kreativ me kontekstin historik. Prandaj dhe i kemi paraprirë të kuptuarit të muzeve dhe muzeve virtualë si mjedise të të nxënit. Ne gjithnjë e më shumë gjejmë muze që përdoren për edukimin joformal, qoftë përmes të të nxënit aktiv që mundëson angazhim më të shtuar me përmbajtjen dhe procesin e të nxënis, duke rezultuar kështu në të kuptuar dhe pjesëmarrje më të avancuar, apo përmes të të nxënit në bazë të situatave që zhvillohet në mjedise dhe kontekste specifike ku përdoren materialet e të nxënit dhe ato janë kuptimplote për nxënësin. Një shtresë tjetër, kryqëzuese për angazhimin dhe përfshirjen që vjen bashkë me RV është potenciali i parimeve të hulumtimit në bazë të veprimit pjesëmarrës për qëllime të gjenerimit të përmbajtjes, kurimit të koleksioneve dhe projektimit të veglave mësimore aktive për grupe të larmishme të përdoruesve (p.sh., vizitorë të muzeve, studentë, edukatorë, artistë, kuratorë etj.). Kjo është posaçërisht e vërtetë për nxënien dhe mësimdhënien që synon promovimin e vlerave të qytetarisë aktive, dialogut ndërkulturor dhe pjesëmarrjes qytetare. Prandaj dhe zhvilluam një studim me përdoruesit me gjashtëdhjetëedy pjesëmarrës për të mbledhur dhe pasqyruar informatat e tyre lidhur me përdorueshmërinë dhe përvojat e tyre. Përgjigjet nga edukatorët dhe studentët konfirmuan se aplikacioni ka potencial si vegël mësimnxënieje dhe edukatovie qoftë në muze, shkolla, apo kur përdoret më vete. 

MVSHSH synon të japë kontribut modes për temat që kemi theksuar këtu. Nëpërmjet paradigmës ndërdisiplinore dhe pjesëmarrëse, është vegël që mund të shpërndajë, arkivojë dhe angazhojë teknologjitë digjitale në shndërrimin e trashëgimisë kulturore në diçka relevante për interesat e publikut. Si e tillë, i flet relevancës së angazhimit të komuniteteve të larmishme për modele të trashëgimisë së qëndrueshme. Si bashkëpunim ndërmjet shkencave sociale dhe teknologjike, si ish-studentë të Shkollës së Mesme ‘Sami Frashëri’ dhe me përvoja në projekte të ngjashme në rajon, konsiderojmë se projekti është ftesë për të eksploruar sinergjitë ndër sektorë dhe sfera akademike. 


Linda Gusia është sociologe dhe studiese feministe, Udhëheqëse e Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës. Hulumtimet e saj fokusohen në tema të gjinisë, feminizmit, aktivizmit, hapësirës, kujtesës dhe dhunës. Ajo është bashkëthemeluese e Programit Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP dhe bashkëorganiztore e Shkollës Vjetore për Gjini dhe Seksualitet.

Ass. Prof. Nita Luci është studiese feministe dhe antropologe. Ajo ka marrë pushim nga Universiteti i Prishtinës ku deri së voni ka udhëhequr Departamentin e Antropologjisë. Në vitin 2014 gjithashtu bashkëthemeloi Programin Universitar për Studime dhe Hulumtime Gjinore, UP. Mësimdhënia dhe studimet e saj janë fokusuar në kryqëzimin e politikave kulturore nacionaliste, burrëria, kujtesa dhe dhuna dhe lëvizjet politike. Aktualisht është Ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë. 


[1] Përkrahur nga Universiteti i Bournemouth-it. 

[2] Universiteti i Leeds-it. (2021). Ndryshimi i tregimit. https://changingthestory.leeds.ac.uk

(Fondi Global për Sfida të Hulumtimeve në Artë dhe Humanitete i MB-së). 

[3] Duam gjithashtu të falenderojmë Paula Callus (CoI on Respace) and Stephanie Schwandner Sievers (Co-I on CtS) at Bournemouth University, Gehan Selim and Andrew Holland (PIs on ReCon Heritage) at University of Leeds, Dritëro Nikqi pë SHVM music, Sam Guilmard për ndihmën me zhvillimin e RV dhe sidomos Jeta Rexhën për punën e saj dhe mbështetjen gjatë të gjithë procesit të hulumtimit. Falenderime të posaçme për Dafina Zherkën, Shkumbim Brestovcin, Lekë Krasniqin, Hazir Rekën, Zijadin Gashin, Avdyl Gashin dhe Alban Kasumin/Lapsi360.

[4] https://icom.museum/en/news/the-museum-definition-the-backbone-of-icom/

[5] Johnston, R., & Marwood, K. (2017). Action heritage: Research, communities, social justice. International Journal of Heritage Studies, 23(9), 816–831.