Kujtimet gënjejnë, gratë jo. Nuk është e vërtetë që historinë e shkruajnë vetëm fitimtarët. Historinë e shkruajnë burrat në pushtet.
Gjatë luftës, gratë shndërrohen në qytetare të dorës së dytë dhe roli i tyre ndahet ndërmjet detyrave të mërzitshme për të ruajtur përditshmërinë dhe pozicionit të tyre shoqëror dhe politik: një vijë e prerë ndan heronjtë nga joheronjtë, të ashtuquajturit patriotë nga tradhëtarët.
Tri fjalë e përshkruajnë këtë model të grave në luftë, sidomos në luftëra nacionaliste: instrumentalizimi, tradicionalizimi dhe natyralizimi. Sa hap e mbyll sytë, shoqëria bëhet totemike. Maskuliniteti i burrave dhe nënshtrimi i grave radikalizohen. Gratë shndërrohen në engjëjt e shtëpive që duhet të mbështesin burrat e tyre dhe gratë marrin përsipër të gjitha detyrat civile, në shtëpi dhe në publik, ndërsa burrat janë në front duke mbrojtur atdheun. Pasi burrat kthehen në shtëpi, të traumatizuar, pavarësisht a janë fitimtarë apo humbës, trupat e grave bëhen territori i tyre, mëmëdheu i shërimit. Trupat e grave janë fushëbetejë, ku përdhunimi shndërrohet në vegël për ta lënduar armikun. Tribunali i Hagës e ka shpallur përdhunimin krim lufte, pasi feministet nga e gjithë bota luftuan për atë ligj.
Gratë të cilat nuk i nënshtrohen rregullave të reja të luftës demonizohen dhe quhen tradhëtare dhe/ose shtriga. Për rrjedhojë, kryesisht gratë janë pacifiste aktive. Gratë fshehin dezertorët, bëjnë punën e “pisët” për të siguruar bukën e përditshme dhe bashkëpunojnë me gratë “armike”, që gjithashtu ngrenë zërin kundër luftërave dhe regjimeve nacionaliste, ndërkohë që pastrojnë mbeturinat nga oborret e tyre dhe vendi i tyre.
Që nga vala e dytë e feminizmit në shekullin e njëzetë, gratë kanë vlerësuar dhe mbledhur narrativat e tyre të ndryshme, jozyrtare të ngjarjeve historike, sidomos rrëfimet e krimeve, dhunës dhe drejtësisë… pavarësisht në luftë apo paqe. Si shkrimtare dhe si feministe, gjithnjë kam dashur t’ia shtoj pikëpamjen time dështimeve të dukshme të shkrimeve të përgjithshme. Ana Tjetër e një ngjarjeje të padrejtë: aty do të ishte frymëzimi im. Unë nuk besoj në frymëzim të llojit “tjetër”: nëse nuk ke asgjë për të thënë, atëherë mos shkruaj, kjo është motoja ime.
Do t’ju tregoj një histori të vërtetë që e kam ndjekur drejtpërsëdrejti gjatë luftës në ish-Jugosllavi, për një vajzë që e kisha takuar në vitet 1990-të.
Ajo ishte një vazë e re: jetonte në Bosnje me prindërit dhe vëllezërit e saj. Kur nisi lufta, vëllezërit e saj shkuan të luftojnë, pa diskutim. Vëllezërit u bënë pjesë e trupave të tjera të grupit të tyre etnik dhe bombarduan qytezën e tyre, madje edhe lagjen ku ende jetonte familja e tyre.
Kjo vajzë kaloi shumë muaj në bodrum gjatë atyre bombardimeve, bashkë me familjen e saj dhe të tjerë. Pastaj, një tjetër ushtri etnike e pushtoi lagjen dhe ushtarët e përdhunuan në grup. Ata ishin djem të lagjes, burra që ajo i njihte.
Për fat të keq, ajo mbeti shtatzënë dhe në ato kushte, nuk kishte se çfarë të bënte. Kur babai i saj vuri re barkun që po i rritej, vendosi se turpi i saj ishte i padurueshëm. Ndaj ajo nuk pati zgjidhje tjetër pos të ikte larg për hir të fytyrës, në mes të breshërive të artilerisë. Ajo thjesht vrapoi nëpër zonën e zjarrit, kapërceu vijën ndarëse mes grupeve etnike dhe gjeti të tjerë nga grupi i saj etnik që nuk ia njihnin familjen.
Ajo ia doli të mbijetonte dhe ta lindte foshnjen. Para se foshnja të lindte, mori një mesazh nga babai: nëse është djalë, mund të kthehesh në shtëpi, por nëse është vajzë, as mos e mendo. Vajza ishte shumë e lidhur emocionalisht me familjen e saj, sidomos me nënën, ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç. Ajo përsëriste vazhdimisht: nuk dua të jem nënë, dua nënën time.
Ajo lindi vajzë. Menjëherë vajzën e dha për adoptim në mënyrë që të kthehej në shtëpi. As që ia hodhi sytë foshnjes dhe u kthye sërish nëpër zjarr, tek nëna e saj që ende ishte në zonën e luftës.
Mirëpo disa muajsh kaosi dhe makthesh, ajo pati ndjenja të thella faji dhe vendosi që të kthehej dhe disi ta merrte foshnjen e saj sërish. Edhe njëherë, kapërceu vijën e zjarrit. Pastaj, me ndihmën e disa mikeve, ia doli ta merrte foshnjen dhe të jetonte pothuajse si një nënë normale, për disa muaj.
Një natë, shoqja e saj që kishte shkuar ta vizitonte, e gjeti mbi parvazin e dritares në katin e pestë të pallatit.
Pasi u bind të hiqte dorë nga vetëvrasja, vajza shpjegoi se çfarë kishte ndodhur: “Hëna ishte e plotë dhe e ndritshme, hidhte dritë mbi fytyrën e foshnjes sime në gjumë. Nuk ka asgjë më të bukur se sa një foshnje që fle paqësisht. E vështrova fytyrën e saj dhe papritmas, pashë fytyrën e fqinjit tim përdhunues. Më në fund, e kuptova cili pjesëtar i bandës ishte babai. Personi që doja më së shumti, foshnja ime, u bë personi që urreja më së shumti. Nuk arrija ta përballoja atë thyerje, që e kuptova se do të zgjaste përgjithnjë. Nuk mund ta vrisja foshnjen time, ndaj vendosa të vras veten”.
Një tjetër histori e vërtetë për ta kujtuar, kjo është e imja:
“Në dhjetor 2005, mora pjesë për herë të parë në gjykimin e Srebrenicës kundër paramilitarëve Skorpion. Shkova t’i ndihmoja shoqet tona nga Bosnja, të cilat kishin ardhur të dëshmonin në këtë gjykim të krimeve të luftës dhe të dëshmonin të dashurit e tyre të vrarë. Shkova si pjesëtare e Organizatës Joqeveritare ‘Gratë me të Zeza’.
Kur i dëgjova Skorpionët për herë të parë duke folur publikisht, ata burra që fshehurazi kishin marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës dhe në të tjera, vrasje masive më të vogla, vendosa të rri deri në fund të gjykimit. Jo vetëm për hir të viktimave, por edhe për shkak të kriminelëve.
Ata njerëz flisnin gjuhën time. Ata kishin gjestet dhe gjuhën trupore të fqinjëve të mi dhe arsyetimin e familjarëve të mi. Ata ishin ajo pjesë e historisë sime familjare dhe të historisë sime, pjesa që ishte prishur, që kishte shkuar keq. Ata kishin bërë krime, kishin vrarë dhe i kishin fshehur vrasjet. Detyra ime, që ishte dhe privilegji im, ishte t’i dëgjoja ata së pari, të merrja shënime dhe të përpiqesha të përcillja disi të vërtetën historike.
Çfarë lloj obskurantizmi dhe mohimi mund t’i bëjë tetë mijë viktima të zhduken nga historia? Të gjithë të ‘operuar’, të vrarë, në një masakër treditore? Çfarë plani mund të ekzekutonte një krim të tillë? Duke i parë dhe duke i dëgjuar Skorpionët, këta ‘heronj’ në mendjet e tyre, të cilët i kishin kaluar vitet e trazuara të luftës si milici etnike, si plaçkitës të rëndomte, vrasës të fshehtë të fqinjëve të tyre, që më pas ishin zhytur në vite të frustruara të paqes si një lloj vëllazërie gjakatare në plakje, si një mafia e vogël patriarkale… e shkrova një libër në përpjekje për t’i dhënë kuptim asaj përvoje, për të respektuar fjalët dhe mendimet e aktorëve në gjykatë dhe për t’ia paraqitur botës pamjen më të madhe.
Sa herë që lexojmë një tregim, është një tregim i ndryshëm. Sa herë që shkruajmë një tregim, na thotë një rrëfim të ndryshëm. Prandaj na duhet që kujtimet t’i shkruajmë menjëherë, të bëjmë një rrjetë ditarësh të historisë alternative përmes kujtimeve të përditshme të viteve që kalojnë…
Duke qenë se tregimet ndryshojnë bashkë me kujtimet teksa koha ecën, është e nevojshme që ato të shkruhen vazhdimisht, të shkruash librin e njejtë, por të ndryshëm, si libri i Prustit Në kujtim të kohërave të humbura, në kërkim të kohërave të humbura, duke jetuar të vërtetën.
Jasmina Teshanoviq (1954, Beograd) është feministe dhe aktiviste politike (Gratë në të Zeza, CodePink), shkrimtare, gazetare, muzikante, artiste, përkthyese dhe regjisore filmash. Ajo ka projektuar dhe krijuar shtëpinë e parë botuese feministe në Ballkan, Feminist 94. Ajo publikon punën e saj në blogje dhe media të tjera, gjithnjë e lidhur me internetin. Ajo shkruan në tri gjuhë dhe e ndaj jetën ndërmjet Torinos, Beogradit, Ostinit dhe Ibizas.