Kur nisi pandemia dhe tubimet publike u ndaluan, ne, aktivistët, bënim shaka se në fakt COVID-19 ishte virus i Antifës, pasi ngjarjet përkujtimore për ustashët e vrarë në Blajburg dhe tubimet e çetnikëve në Republika Srpska dhe Serbi u ndaluan. Për fat të keq, këto tubime nuk u ndaluan për shkak të ideologjisë së tyre naziste dhe klero-fashiste, por për shkak të arsyeve shëndetësore, sikurse çdo ngjarje tjetër. Dhe ky është problemi i shoqërisë tonë. Teksa koha kalonte dhe gjendja lidhur me pandeminë rëndohej, ne nisëm të mendojmë rreth mënyrave për përkujtime alternative në data të caktuara si IDAHOT. Një tjetër datë për t’u përkujtuar është edhe 31 maji – Dita Ndërkombëtare e Shiritit të Bardhë. Përkujtimi i Ditës së Shiritit të Bardhë ishte reagim i ndalimit të detyruar nga policia i përkujtimit të 266 grave dhe vajzave të vrara në Prijedor dhe ndaj njoftimit nga autoritetet vendore se do t’i ndalonin shoqatat boshnjake dhe kroate t’i përkujtonin viktimat civile. Ky qëndrim i autoriteteve në Prijedor të sillte ndër mend shenjimin dhe dallimin e qytetarëve në vitin 1992.
Dita Ndërkombëtare e Shiritit të Bardhë u përkujtua për herë të parë në Prijedor në vitin 2012. Në atë kohë në vitin 2012, shumë persona dëgjuan për herë të parë për persekutimin dhe vrasjen e civilëve në Prijedor gjatë luftës, për kampet e përqendrimit në Tërnopolje, Keraterm dhe Omarska. Të tjerët përpiqeshin ta varrosnin thellë të vërtetën, me shpresën se ajo kurrë nuk do të dilte në dritë. Dhe ata që heshtën gjatë tërë kohës për krimet e bëra ndaj fqinjëve dhe është dashur të përballen me të kaluarën e luftës në Prijedor.
Ballafaqimi me të kaluarën është proces afatgjatë dhe aspak i lehtë. Sot, shumë njerëz nuk janë në gjendje ose nuk duan ta pranojnë faktin se në komunitetin e tyre lokal kanë ndodhur krime lufte të caktuara, se ka patur kampe përqendrimi, se fqinjët e tyre u persekutuan dhe u vranë për shkak të emrit të papërshtatshëm. Një nga arsyet për të mohuar krimet dhe vetëviktimizimin është politika e establishmentit politik, që mbështetet mbi nacionalizëm si mënyrë ideale për të qëndruar në pushtet dhe për të ruajtur statukuonë. Nga përfaqësuesit qeveritarë na vijnë shembuj të përditshëm, të cilët na tregojnë se ata nuk do ta përqendrojnë pushtetin e tyre politik tek normalizimi i marrëdhënieve ndërpersonale dhe ballafaqimi i paanshëm me të kaluarën, por do të vazhdojnë të përhapin politikën e tyre nacionaliste që kështu, do të vazhdojë të rezultojë në mosbesim dhe urrejtje. Elitat politike përdorin gjuhë posaçërisht luftënxitëse për të imponuar tek qytetarët ndjesinë e fajit kolektiv për krimet e luftës. Ata përdorin të njëjtin model të propagandës së luftës në media publike dhe në disa media private sikurse kanë bërë edhe gjatë luftës, duke i mbajtur qytetarët peng, në mënyrë që manjatët të mund të vazhdojnë me plaçkitje, njëherë nëpërmjet privatizimeve dhe më pas nëpërmjet reformave të ndryshme.
Deri më tani, rolin kyç në procesin e ballafaqimit me të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë e kanë luajtur OJQ-të, aktivistët dhe disa individë të caktuar që po ndërtojnë ura me entuziazmin e tyre dhe punën me përkushtim dhe po rindërtojnë besimin që trupat zyrtare nacionaliste po e minojnë me veprimet e tyre të përditshme. Ata nisën të krijojnë rrjete ndërmjet personave të ndryshëm përmes aktiviteteve të ndryshme dhe të ndërtojnë mikrokomunitete në nivel lokal, duke treguar kështu se dialogu dhe besimin ekzistojnë me të vërtetë ndërmjet qytetarëve të zakonshëm.
Një nga këto nisma që u fillua nga qytetarët dhe aktivistët e mbledhur rreth nisës ”Jer me se tiče” (“Sepse më shqetëson”) është përkujtimi i Ditës së Shiritit të Bardhë. Gjithçka nisi kur aktivistët nga Prijedori dhe shoqatat lokale të të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave nisën një fushatë online të titulluar ”Dita e Shiritit të Bardhë” si rezultat i ndalimit të përkujtimit të përvjetorit të njëzetë të krimeve të luftës të bëra në Prijedor. Më 22 maj 2012, aktivisti Emir Hoxhiq qëndronte i vetëm me një shirit të bardhë në krah në sheshin kryesor të Prijedorit për të rritur me performancën e tij vetëdijësimin për diskriminimin dhe ndarjen e viktimave civile. Më 31 maj të të njëjtit vit, ai vizitoi dhe qëndroi përballë kampeve të përqendrimit në Haxhiq, Silos, Çelebiq dhe Dretelj në përpjekje për të dërguar mesazhin se mund të mos ketë dallime ndërmjet viktimave civile, pavarësisht identitetit të tyre etnik ose fetar.
Për këtë arsye, është me rëndësi të theksohet se përkujtimi i Ditës së Shiritit të Bardhë në Prijedor është përkujtim civil dhe jo etnik apo fetar dhe se pikërisht kjo e dallon nga përkujtimet e tjera dhe ditët e tjera përkujtimore për viktimat civile/ushtarake në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon. Përkujtimi civil përqendrohet tek vetë viktimat, tek njerëzit dhe jo shifrat.
Po flasim për fqinjët, miqtë, shokët e shkollës, të cilët u vranë për shkak të një ideologjie, për shkak se emrat dhe mbiemrat e tyre ishin të papërshtatshëm, jo të duhurit! Gjatë këtyre përkujtimeve, fjalimet i mbajnë qytetarët, do të thoja njerëzit që kanë humbur të dashurit e tyre, njerëz që nuk po kërkojnë hakmarrje dhe nuk bëjnë thirrje për krime të reja, por për të vërtetën dhe drejtësinë, që gjithashtu janë në kërkim të mbetjeve mortore të të dashurve të tyre për të patur mundësinë t’i varrosin, që më në fund të prehen në paqe, t’i bëjnë kryesit e krimeve t’i pranojnë dhe të japin llogari për to.
Kur dëgjoni rrëfimin e një nëne e cila e lindi foshnjen me të gjitha kockat dhe tani kërkon së paku një kockë për ta varrosur, që të ketë një vend ku të shkojë për ta kujtuar fëmijën e saj, ose kur dëgjoni rrëfimin e burrit që kërkon mbetjet mortore të vëllait dhe babait, apo historinë e një burri që ka humbur të gjithë pjesëtarët e familjes… Në fjalët e tyre nuk do të dëgjoni urrejtje, por thirrje për të vërtetën. Këta njerëz qëndrojnë së bashku dhe kërkojnë drejtësi për civilët e vrarë të grupeve të tjera etnike, duke e treguar me gisht shkaqet dhe ideologjinë fashiste që çoi në këto krime. Ne i rishqyrtojmë krimet, shkaqet dhe rastet nëpërmjet përkujtimeve civile, përpiqemi ta analizojmë situatën në mënyrë të paanshme dhe të japim informacion që nuk përmendet në narrativën mbizotëruese politike dhe kjo është pikërisht qasja që duhet të zbatojmë për kulturën e kujtesës.
Përkujtimi i Ditës së Shiritit të Bardhë këtë vit do të dallojë nga përkujtimet e mbajtura viteve të kaluara për shkak të pandemisë së COVID-19. Këtë vit, 50 nga ne do të ecim nëpër zonën e këmbësorëve në sheshin e qytetit të Prijedorit me shiritat e bardhë rreth krahëve dhe duke mbajtur pankarta, sepse tubimet e mëdha janë të ndaluara. Do të vendosim në shesh 102 trëndafila me emrat e fëmijëve tanë të vrarë. Ata që nuk mund të na bashkëngjiten dhe të kontribuojnë për përkujtimin e Ditës së Shiritit të Bardhë mund të mbështesin fushatën tonë online. Më shumë informacion mund të gjeni në faqen e Facebook-ut Jer me se tiče.
Duke patur parasysh faktin se këtë vit nuk do të jemi aq të dukshëm si zakonisht në hapësirën publike, nuk do të ketë dhe aq shumë persona në përkujtimin në Prijedor sikurse viteve të kaluara, por kjo nuk do të na pengojë që të mos jemi edhe më të zëshëm dhe të rikujtojmë krimet që janë bërë në Prijedor, pasi kjo është detyra jonë qytetare dhe njerëzore!
Nëse dëshirojmë të krijojmë një shoqëri ku të gjithë të jemi të barabartë, atëherë na duhet të jemi gjithnjë e më të zëshëm që të dëgjohemi nga të gjithë ata që nuk e duan këtë. Duhet ta dimë se nuk mund të ndërtojmë bazë të mirë për një shoqëri tolerante, për bashkëekzistencë dhe pajtim mbi kockat e civilëve të pafajshëm që u vranë dhe nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen duke heshtur! Nëse heshtim, një ditë, gjithçka do të shembet dhe do të na tërheqë në humnerë, ashtu si ata në Jadovno apo Kazani dhe mund të mos ketë rrugëdalje. Për të shpëtuar veten, duhet të flasim për temat që po i heshtim, sepse heshtja nuk do të na mbrojë!
Milica Pralica është aktiviste dhe feministe. Ajo ka lindur në Bosanska Dubica në vitin 1991. Ajo ka diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Politike në Banja Lluka në vitin 2015 dhe ka BA në Gazetari dhe Shkenca të Komunikimit. Ajo është anëtare aktive e shoqatës së qytetarëve Oštra Nula që nga viti 2012 dhe kryetare e shoqatës që nga viti 2017.