Instrumentalizimi i arsimit për të krijuar stereotipe të llojit se shqiptarët janë “të rrezikshëm” nuk është tërësisht i paqëllimshëm. Paranojakët kanë nevojë për alibi që të arsyetojnë politikat diskriminuese dhe të pastrojnë ndërgjegjen e tyre të ndotur nga propagandimi i ideve që në të vërtetë, e bëjnë vetë Maqedoninë të rrezikshme.
Instrumentalizimi i arsimit për krijimin e stereotipeve se shqiptarët janë “të rrezikshëm” nuk është krejt i paqëllimshëm. Paranojakëve u duhet alibi për të arsyetuar politikat diskriminuese dhe për të shpërlarë ndërgjegjen e vrarë nga propagandimi i ideve që në të vërtetë e bëjnë të rrezikshme vetë Maqedoninë
Kanë kaluar thuajse tre dhjetëvjeçarë nga pavarësimi i Maqedonisë si shtet pluralist me rend demokratik e megjithatë, koha nuk ka mjaftuar që shteti me dy milion banorë të ndahet nga mendësia komuniste e dominimit të “shumicës” mbi “pakicën” përmes ideologjive se “të gjithë duhet t’i binden partisë”. Shkollat janë rëndom instrument i shtetit për të përhapur ideologji dhe nuk është aspak e rastësishme që paranojat e një shteti ksenofob i gjejmë në forma të ndryshme në të gjithë vertikalen dhe horizontalen e sistemit arsimor. Fatkeqësisht, në Maqedoni ende kultivohet bindja se shqiptarët dhe jo-maqedonasit e tjerë paraqesin rrezik për shtetin, rrjedhimisht për popullin maqedonas. Prandaj, për të parandaluar “të keqen”, të drejtat e tyre duhet të jenë të rezervuara dhe të kontrolluara nga “nëna – parti”.
Mirëpo, sikurse është provuar shumë herë gjatë këtyre 28 viteve të pavarësimit të Maqedonisë, partitë që kanë drejtuar shtetin dhe që kanë krijuar politikat arsimore në vend, vetëm nënë nuk kanë mundur të jenë për shqiptarët – popullsinë e dytë më të madhe në vend. Kjo duhet të jetë arsyeja përse nuk hiqet dorë, sot e kësaj dite, nga tekstet shkollore të cilat i nxijnë shqiptarët si: “njerëz mali”, “barbarë”, “bashkëpunëtorë të pushtuesve”, “zaptues të shtëpive dhe pronave të maqedonasve”, “ardhacakë” e kështu me radhë. Instrumentalizimi i teksteve shkollore për shpërfytyrimin e shqiptarëve si “të rrezikshëm” nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën e tyre, por edhe me të ardhmen. Kësisoj, “Tomçja ëndërron të bëhet pilot”, kurse “Agimi çoban”, madje-madje, përderisa “nxënësit maqedonas diskutojnë nëse do të dëgjojnë muzikë apo të shohin një dokumentar shkencor”, “nxënësit shqiptarë bëjnë plane si të vjedhin nga shkolla ditarët e notave dhe t’i grisin ato”! Krijimi i stereotipeve të tilla nuk është krejt i paqëllimshëm. Paranojakëve u duhen alibi për të arsyetuar politikat e veta diskriminuese, për të shpëlarë ndërgjegjen e vrarë nga pengimi i hapjes së shkollave shqipe në Manastir, Prilep, Ohër, Prespë, Veles dhe Shkup. Sot e kësaj dite, në shollat e kryeqytetit nuk lejohet hapja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe (Karposh, Gjorçe, Aerodrom, Gazi Babë, Lisiçe, Idrizov) me arsyetime banale ose se mungon kuadër, ose se mungon hapësira në shkollë. Para dy viteve, zyrtarisht në Maqedoni ishin 1,401 fëmijë shqiptarë të cilët nuk e realizonin të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore për shkollim në gjuhën amtare. Prej tyre, 1,217 shkolloheshin maqedonisht kurse 184 turqisht, jo sepse ishte zgjedhja dhe vullneti i i lirë i prindërve të tyre, por sepse Ministra e Arsimit nuk u ka hapur shkolla dhe nuk ju ka dërguar ende mësues që flasin gjuhën e tyre.
Nuk mungojnë as mekanizmat e nënvlerësimit, respektivisht asimilimit në masë të “pakicës” nga ana e “shumicës”. Mund të riaktivizohet ideja për “mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë”, sepse ajo është gjuha e shtetit dhe nuk do të presim nxënësit të shkojnë në klasë të tretë apo të katërt. Sipas kësaj logjike do të zvogëlohen gjasat që shqiptarëve t’u pengojnë emrat e heronjve jugosllavë nëpër shkolla; do të reagojnë më pak kur paralelet maqedonase do të mbushen me nxënës shqiptarë; kur të kenë vetëm një profesor në vend të katërmbëdhjetëve për secilën lëndë apo kur shkollat e tyre të numërojnë nga 2,000 e më tepër nxënës, ndërsa të maqedonasve nga 1,000 e më pak. E në fakt këto politika çojnë diku tjetër: në konsumimin e padrejtësisë dhe akumulimin e urrejtjes ndëretnike, që domosdo se do të shpërthejë një ditë – kur të mbushet kupa e diskriminimit. Mes këtij rreziku do të sillet Maqedonia shumëetnike për të gjithë kohën sa nuk do t’i jepet fund instrumentalizimit të arsimit dhe përdorimit të tij si paranojë e politikave shoviniste.
Laura Papraniku, është njëra prej njohëseve më të mira të ngjarjeve arsimore në Maqedoni. Nga cilësia e gazetares, ajo mbulon këtë sferë që nga viti 2001. Aktualisht, punon në Radio Shkupi dhe është bashkëpunëtore në gazetën Koha. Ka gjithashtu dhe një master profesional në “Menaxhimi dhe politika arsimore”