Familja Mazrekaj nga Drenoci detyrohet ta lëshojë shtëpinë kur forcat serbe vijnë për ta zbrazur fshatin nga popullsia shqiptare. I detyrojnë të ecin një kohë, dikur i ndajnë burrat nga gratë. Kumrija me tri vajzat përfundojnë në kamp në Elbasan, kurse burri i saj Arifi dhe djali Jetmiri mbeten robë në fshatin Beleg, vendi në të cilin për të fundit herë e gjithë familja është bashkë.
Jetmiri, siç mëson Kumrija, arrin të arratiset i plagosur dhe strehohet në fshatin Isniq. Disa vjet pas luftës, mbetjet i tij gjenden në një pus. Për Arifin Kumrija nuk di asgjë të saktë as sot, njëzet vjet pas zhdukjes.
Kumrije Mazrekaj: Rrëfimi në vetën e parë
Unë jom e Maznikut, kom lindë në prill të vitit 1956. Baba m’ka dekë 50 vjeç, nona 60. I kom dy vllazën e tri motra. Fëmininë e kom pasë të mirë, nuk o konë keq. Baba o konë çoban, me gja të gjalla ka punu, veç mirë e kem’ pasë. Në shkollë kom shku veç katër vjet, se e kisha shumë larg. Me dalë nëpër mal e masanej në tjetër katun, e me mbërri në shkollë.
Burri e ka pasë emnin Arif. O konë i vitit 1960. Çfarë viti jena martu nuk më kujtohet. Po, e di që i kom pasë 18 vjet. I kemi bo pesë fëmijë, tri çika, dy djem. Djali i parë m’ka dekë, emnin e ka pasë Haki. Mas tij o le Jetmiri, tani Mirjeta, Agoneta edhe Shemsia, ma e vogla.
Fëmijët më kanë shku në shkollë të tanë. Jetmiri deri në qatë ditë si o dashtë me e lonë, ka shku n’shkollë. Edhe pak ditë i kanë pasë metë me e krye t’mesmen. Në Drenoc e kanë shkollën, po ai o konë dalë në Deçan. Shkollën e bojshin nëpër shpija në qatë kohë.
Kur pata ardhë nuse, n’krye të ni motmoti e gjysë na pat le djali i parë. Atëherë burri duel me punue qitu afër, për ni kafshatë bukë. Po mas dy dite e shtinën me punu në sharrë, e ai e preu dorën. Masi meti n’sharrë – se ai pa dije, dy ditë punë ma – atëherë s’o marrë mo me kurrgjo. Shkojke kaniherë në mal e merrke naj magar me na pru ndoj dru. Motrat e veta e majshin. Dy motra i ka.
E Jetmiri, përveçqë ka shku n’shkollë, ka punu n’mal me dru. Me motrat e veta e punojshin edhe tokën. Edhe me babën e vet shkojshin të tanë. Po ma së shumti veç sanë korshin.
Çikat i kom të tana të martume. E madhja s’më ka fëmijë. E dyta e ka nji djalë e nji çikë, e Shemsija e ka veç nji djalë.
Kur nisën me e shprazë katunin, na erdhën këtu në shpi, veç na thanë m’u çue. Sininë e kena pasë të shtrume, ishim tu hongër bukë. Me djalë, me burrë, me çika, të tanë qetu jena konë. Qashtu qysh e patëm lonë, qashtu e kemi gjetë sininë. Atëherë u çue këtu krejt katuni. U çuem edhe na e duelëm. Ma të madhën çikë e kisha 12 vjeçe.
Shkuem në Jerzniq. Ushtria nuk na përcjellshin, veç neve çka na qitën me hecë. Po veç na gjujshin herë anej e herë knej. Na ecshim në kolonë, e ata na gjuejshin. Në Jerzniq kur mbrrimë, na morën, na shtinë nëpër shpia. Nejtëm çka nejtëm, tani të dytën ditë shkuem n’Beleg. Aty në Beleg na thanë: “Jo, s’bon me dalë për Isniq”. Flejtëm atë natë, t’nesërmit kah pesë sahati veç kur na rrethuen, na muerën tanëve, djem e krejt kush kenë. Dikon e rrehshin, dikon e merrshin. Atë natë na ndalën qaty. Të nesërmit na ndanë. Na hypën nëpër kamiona, nëpër traktora, na çuen për Shqipni. Burrat i nalën. Qatë ditë i kanë da edhe Jetmirin edhe Arifin.
Jetmiri o konë n’ushtri, po e nxunë atë ditë me ne kur na e morën. Shkojke roje, do ma t’moçëm e merrshin me veti, po mbasi ish djalë për hasret, shkojke veç roje kaniherë.
Krejt 16 veta i kanë marrë të Drenocit. Najnjonin prej tyne i di, po ma shumë nuk i di kush jonë konë. Po e di që 16 i kanë marrë. Kur i morën ata, meta veç unë me çikat. Na kanë qitë në kamion me çikat, na kanë nisë për Shqipni. Atje masandej na çuen n’Elbasan. Atje na morën në kampin turk. Patëm nejtë aty nja dy a tre muej masanej, nuk e di mirë. Po, më kujtohet, kur bike shi, na hijke uji nër çadër. Aty n’atë grumbull, unë e tri çikat te mixha i burrit. Ai e ka shpinë qitu afër, po jonë dekë të dy pleqtë tash.
Aty në kamp i kishin qitë do televizora të mëdhaj, u mbledhshin gjindja aty. Na pat ardhë Tony Blair-i, o konë aty te na, aty në kamp. Foli me plakën, gruen e mixhës t’burrit.
Atje sa ishim në kamp na erdhën fjalë që gjallë jonë burrat. I kanë çu thanë në Kishën e Deçanit. Atëherë çikat u gëzuen, më thojshin: “Çu mam’ të shkojmë, çu të shkojmë”. Tani jonë shku këta djelnia, se unë nuk shkova, po kur u kthejshin i vetsha, e ju kishin pasë thonë: “Nuk jonë këtu”. Aty në kishë ishin konë veç shkijet.
Mandej thanë që në Beleg atje i kanë djegë. Po trupin e burrit veç, të djalit jo. Kur e patëm lonë djalin në Beleg, masi na ndanë, ai prej ballkoni kish pa kcye për me u ikë, qysh kallxojnë. Po, kur o ra prej ballkoni, dy prej tyne e kishin pasë hetue, edhe e kishin gjujtë. E kish pasë rrokë plumi djalin n’krah.
Ai pi Belegut ka ikë qashtu i plagosun, tu mos mujtë me u majtë, deri o shku në Isniq. Ata t’Isniqit ishin konë kah çohen për veti. E kish pasë gjetë ni plak. Ai plaki ish konë nër gja atëherë, e nuk e ka lëshu atyhën. Edhe e kish pasë nie tuj gjëmu, e ka marrë, ia ka shnoshë. Thojke: “E kom shnoshë me djathë”, si ktyneherë. Qaty ka nejtë edhe dy javë djali. “E jonë ardhë – tha plaki – kanë hi mrena, ma kanë marrë. U kom thonë: ‘Ky as s’din shqip, as s’din sërbisht, as kurrgjo, po ma kanë marrë’”. E kishin marrë, masanej e kanë gjujtë në bunar. Në bunar e kanë gjetë.
E për burrin, nuk dihet mo kurrgjo përtej Belegit. Veç qeky djalë si o dalë pi atyhit, qi ka ikë. Prej atyne 16 personave që i kanë marrë, veç Jetmiri o gjetë. Aty jonë konë afër 600 vetë t’strehum, po astenjoni korrkon të vetin s’e ka gjetë mo.
Kur u kthyem prej Shqipnie, krejt dritaret ishin konë të bome blozhdë. As s’kom gjetë sen mi ketë tokë as hiç. Po, fal dikush nji diçka, fal dikush ni tjetër, i kom bo do sende që m’duhen qeshtu. Shpia o konë e lyme veç përmrena, jashtë s’o konë, po xhamat ia kishin pasë thye, sikur tanë dynjasë. Qashtu patëm flejtë. Jau vnojsha do paketa ku ishin thy dritaret, me na mbrojtë prej t’ftoftit natën. Mirë fort. Nja tri javë a nji muej kena nejtë qashtu, po atëherë fal dikush e fal dikush, e bonëm ni meremet.
Unë vetë s’disha as qysh me i lypë, as djalin e as burrin. Na thojshin: “osht djali, osht burri”, fjalë qashtu. Masanej dikur veç kur u gjet djali. E kishin gjetë dikush prej katunit. E mu s’më kallxuen hiç niherë. Veç e kanë pru, e kanë shti n’dhe, as analizat e gjakut as send. Kur nji ditë kjo çika e dytë po vjen prej shkolle e po më thotë: “Mam’ po thojnë Jetmiri o gjetë, po nuk jonë ka t’kallxojnë”. Ishin konë shku këta shoqnia te t’mitë n’gjini e i kanë thonë: “Nuk osht kah na pranon Kumrija, se djali o gjetë”.
Atëherë erdhën ata 10 a 15 veta, mixha jem me ta. M’i qiti duert rreth qafe, tha: ‘Mixhës, bonu e fortë!”. I thashë: “O mixha jem, unë kur i kom lonë atë ditë, e kom ditë që më shkuen. Veç kur i nxuer ato letra, thojke: “E kanë gjetë n’bunar lejen e tij”. Kur e kanë gjetë, lejen o konë dashtë me ma pru mue. I thashë: “A erdhe ti sot? Me ma pasë pru edhe lejen, ma mirë ish ditë”. As leje, as kurrgjo. Atëhere e kapi çika, kjo e dyta, e tha: “Unë nuk e pranoj qeshtu”. U çu i biri i tij, tha me i qitë letrat te çika. “Qiti letrat – tha – ta shohim nihere a osht gjaki jonë”.
Mixha tha: “Jaaa, unë aty nuk i qes letrat”. I tha djali: “Për ni minut letrat se unë nesër shkoj n’Prishtinë vetë”. I tha mixhës: “Ti babi, a je ardhë për qit punë me kthjellë hallën, a me e lonë të trubullume?” I tha: “Ani more babit, qysh të dush bonja”.
Ky djali i mixhës, e kish pasë marrë syretin, e vllaun tem, e ato letra, kur o shku, i kanë thonë ata n’Prishtinë: “Këtë djalë nuk e kem’ kqyrë na, nuk na ka ardhë dokument për tà. As gjak, as kurrgjo s’na ka ardhë”.
Erdhën masanej e nxorën pi dheut, e kanë çu atje ku bohen analiza.
Kur, erdh mas do ditësh ai vetë i treti, me dy si të zij, t’jashtit. Ata t’zijtë kajshin kur i shishin syretat, e kapshin kryet. Çikat ishin në shkollë. Atëhere këta m’thanë: “A po na e pranon qetash neve?” Thashë: “Po, qysh o konë, duhet me pranu igballin (fatin)”. Atëherë thashë: “Nja dy ditë mos ma bini, pa iu kallxu edhe motrave t’burrit”! Se m’kanë majtë gjallë, m’i kanë rritë evladët, burri dorën e këputme, ato na nimojshin, me thasë t’miellit e sende plot tu na i pru.
Kur erdhën me e shti n’dhe prapë, erdh djali me kunora me krejt, kishe o sahi, në qatë skamje u munojke me bo diçka për mu. O konë data 7 qershor 2007. Atëherë i bonëm adetet krjt qysh duhet. Jonë konë krejt katuni, erdhën të tanë. E vorrosën, ushtria na e pruni. U thashë atyne ushtarëve: “A bon me ma pru deri n’oborr?”. Erdhën e ma prunë n’oborr. As derë t’oborrit jo, muri i rrëzuem gjysa; e prunë, e majtën n’oborr nja 15 minuta, atëhere shkuen të tonë, sikur osht adeti.
Të tanë jena pasë mledhë, me motra, me vllazën, e tanë katuni e kemi çu, sikur osht adeti, te vorret masanej. Ushtria e kanë lëshu në vorr, ushtria e majtën deri atje, krejt vetë.
E Arifi kurrë nuk o gjetë. As s’e ka përmendë kush punën e tij masi osht marrë bile. Kurrgjo kurrë s’kena nie për tà. As s’din kush për tà, as hiç kurgjo. Bile t’kishin me na i gjetë dikun me na thonë: “I gjetëm!”. Ja me na thonë: “Jonë djegë, e hjekne ymytin!” a diçka, po jo kurrkush kurrgjo hiç.
Atë ditë që na danë, fjala e fundit e Arifit: “Amanet qeto çika – më tha – se na e patëm!”. E Jetmiri veç ma ka lëshu ni stilograf n’dorë, që e kish pasë n’xhep, edhe ni zinxhir e hoqi pi qafe e ma vnoi mu. Atë stilograf e ruj, s’e nxjerri kurrë pi shpie. Veç kur t’hjeki, e çeli. E këtë zinxhirin e dorës ma ka pasë ble Arifi. Qe, këta dy kurrë s’i hjeki pi trupit.
E tesha të tyne më kanë pasë metë, po i kom pasë falë, herë dikujt, herë dikujt. Gati si t’reja jonë konë plot. Naj veshë të tynen e kom nalë, po tjerat i kom falë. Se kur jena kthy këtu, kish pasë marrë shumë dikush, unë s’kom gjetë as kauça, as televizor. Krejt m’i kishin plaçkitë, me jorgana, me shtrojë. Kur jena kthy, u mlojshim me do jorgana të zi si i kem marrë prej Shqipnie.
T’mirë i kom pasë valla të dy. Jo pse i kom pasë t’mitë, veç kurrë asni trubullim n’këtë katun, as me bo fjalë me kon, a ni sen kurrë prekë s’ia kanë kujt. Burri qaq ngusht o konë, po ni mollë n’bashçe t’huej s’ka lonë me marrë. Dy vjet mas meje me moshë o konë ai. Veç i kish pasë dekë nona, e ish metë veç me babën, atëherë m’ka marrë mu. Mixha jem m’ka dhonë për ta edhe unë jom ardhë. Jo sikur tashti qi p’i marrin e p’i njohin e po ndërrojnë unaza. Veç për dy javë m’ka pru mixha jem këtu, kishe me jau çelë shpinë. Patëm bo darsëm, me defa. Mirë o konë. Shumë mirë.
Jetmiri ka pasë shumë shoqni. Qe qetu kojshi e kom, dhetë ditë përpara Jetmirit osht ni djalë. Jonë konë masanej edhe ni familje këtu, babë e dy djem, që i kanë marrë atëherë në Beleg. Njonin 14 vjeç e tjetrin 19 vjeç. Te ata tash jonë metë ni djalë e ni çikë.
Tash jetoj krejt vetëm qetu. Po i kanë kerret e, o vjen më merr vllavi, ose më marrin çikat, kunatat, ka dy tri net e ka ni javë, po s’muj me nejtë ma shumë. Ni pension e marr, për Jetmirin ma japin. Çika shkon e merr e i lan për rrymë, e lan ujët e bërllogun besa. Bukën e harxhin m’i merr çka duhet për shpi. E për Arifin nuk më japin kurrgjo. As nuk vjen kush me u interesu për tà. Veç qata gjak kur jonë ardhë qi ma kanë marrë, se kush s’o ardhë me thonë.
Çikat janë mërzitë shumë, si për babë të tynin, si për vëlla. Përpara kur vijsha në shpi pi tyne, sa mujsha kajsha. E me to nuk kam qef hiç me i folë këto punë. As ato nuk folin. Qetash për përvjetor dhondri e kish pasë qitë nji kangë. E çika e madhe u habit, tha: “Nonë, a e ke nie qetë kangë?” Thashë: “Jo”. Ia kish çu kunati, e ma lëshuen. Berat Ozdauti e ka emnin. Edhe ai punon qeshtu n’shoqata për kullat.
N’andërr nuk më dalin. Ma mirë noshta. Se tani isha mërzitë si shumë. Ka net rri qeshtu ungjë, e s’më merr gjumi. Mramë bile gjithë natën kom nejtë ungjun. Bi, po s’më merr gjumi, çohna, ungjna qeshtu, thom: “Qysh Zoti kish pasë ditë kështu?”.
(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)