Paun Zhivkoviq në qershor të vitit 1999 tërheq familjen e tij nga Ferizaji në zonën e Shtërpcës, ku serbët ndihen më të sigurt duke qenë më homogjenë. Familja i lë lamtumirën gjithë jetës dhe punës së deriatëhershme në këtë qytet, duke braktisur shtëpinë me të gjitha posedimet.
Me organizimin e vitit të ri shkollor atë shtator në vendngulimin e ri, lypsen dosjet dhe i gjithë dokumentacioni prej shkollave që shumë nga serbët deri para pak muajsh i kishin vijuar në Ferizaj. Gjashtë nga drejtorët dhe mësimdhënësit kërkojnë nga KFOR-i polak t’u sigurojë shoqërim për t’i marrë dokumentacionet nga shkollat që kishin braktisur në Ferizaj. Në mesin e tyre, zoti Paun Zhivkoviq, drejtor i shkollës së mesme teknike, njëri nga dy drejtorët që atë ditë shkuan në Ferizaj, por nuk u kthyen më kurrë.
E bija, Jasmina, thotë se familjarët, edhe pse të vetëdijshëm se ka njëzet vjet që nuk dinë gjë për të, edhe pse në EULEX e UNMIK u thonë që asnjëri prej serbëve të rrëmbyer nuk ka shpëtuar i gjallë, megjithatë nuk e pandehin babanë për të vdekur, duke e çuar jetën me një lloj ndjenje të çuditshme, gjithmonë të pranishme, por vështirë të përshkrueshme.
Jasmina Zhivkoviq: Rrëfimi në vetën e parë
Quhem Jasmina Zhivkoviq, e lindur më 26 tetor 1977 në Prishtinë, por kam jetuar në Ferizaj me familjen. Jam më e vjetra motër, kam edhe dy më të reja. Babai më quhej Paun Zhivkoviq, ndërsa nëna quhet Bozhidarka Zhivkoviq. Kemi jetuar në Ferizaj ku e kam përfunduar shkollën fillore dhe shkollën e mesme, degën e matematikës. Në vitin 1996 e kam regjistruar fakultetin juridik në Prishtinë dhe deri në vitin 1999 i kam dhënë të gjitha provimet me rregull. Kam qenë duke e përfunduar fakultetin dhe në Prishtinë i kam kaluar tre vjet si studente, po kur filluan bombardimet më është dashur t’i ndërprisja studimet. Deri në prill 1999 kemi qenë në Ferizaj, por kur filluan bombardimet dhe të gjitha ngjarjet që i sjell lufta, nuk ishim të sigurt më në Ferizaj dhe erdhëm në në fshatin Gotovusha të komunës së Shtërpces, sepse prindërit e mi e kanë prejardhjen nga këtu, d.m.th. nga Zhupa.
Në atë kohë, pasi këtu jeton një shumicë e popullatës serbe, babai mendonte se sado-kudo do të jemi më të sigurt se në Ferizaj. Në Ferizaj na ka mbetur shtëpia me të gjitha gjësendet në të. Që kur u larguam nga qyteti më nuk kemi mundur të kthehemi dhe të gjitha kujtimet e jetës na kanë mbetur atje. Të them të drejtën, askush nga ne nuk pati fuqi të kthehej në Ferizaj dhe unë vetë i shmangem Ferizajit, sepse m’i kujton disa momente të mira por edhe të hidhura, mbasi pas një kohe babi m’u kidnapua në atë qytet dhe pastaj u zhduk. Që atëherë nuk di gjë për të.
Kjo ka ndodhur më 28 shtator 1999. Babai ka qenë drejtor i shkollës së mesme teknike në Ferizaj. Mbaruan bombardimet dhe fatkeqësisht të gjithë serbët u desh ta lëshonin qytetin më 15 qershor 1999, sepse i kërcënonin, i sulmonin, i vranin. Thjesht, qyteti duhej të pastrohej nga serbët. Të gjithë të zhvendosurit e thirrën babanë për ta pyetur rreth dokumenteve të nxënësve dhe profesorëve që punonin në shkollën teknike, në mënyrë që të regjistroheshin dhe ta vazhdonin shkollimin dhe punën në vendet ku ishin zhvendosur.
KFOR-i tashmë kishte hyrë në Kosovë. Këtu në komunën e Shterpcës ishin KFOR-i nga Ukraina dhe Polonia nën komandën e KFOR-it amerikan në Bondstill. Atëherë babi, së bashku me disa kolegë që ishin drejtorë të shkollave fillore në Ferizaj, si dhe drejtoresha e shkollës ekonomike në Ferizaj, shkuan në KFOR për të kërkuar që t’i shoqëronin për te shkollat e qytetit për t’i marrë dokumentet e nxënësve dhe të profesorëve me gjithë dosjet, që të mund ta vazhdonin jetën në vendet ku kishin ikur. Për një kohë të gjatë nuk donin t’i shoqëronin. Një mëngjes, më 28 shtator, rreth orës 7:30-8:00 – e di që unë dhe motrat kemi qenë ende në gjumë – nga dritarja dëgjuam që një njeri erdhi dhe i ka tha babait: “Paun, tani duan të na shoqërojnë dhe po shkojmë në Ferizaj për dokumente”.
Ky që erdhi ishte mik i babait, quhej Milan. Atë ditë shkuan në Ferizaj, të shoqëruar nga KFOR-i polak: dy automjete dhe ushtarakët që i shoqëruan, po që kurrë nuk kemi arritur t’ua mësojmë emrat ushtarakëve në ato automjete. Natyrisht, KFOR-i amerikan e ka dhënë lejen që dy automjetet e KFOR-it polak me civilët serbë të shkonin në Ferizaj, sepse ashtu ka funksionuar komanda, këtë të gjithë e dinë. Së bashku me babanë kanë qenë edhe pesë njerëz të tjerë serbë: Millan Nikollçeviq, Snezhana Zhivkoviq, e cila kishte ardhur nga Serbia si drejtoreshë e shkollës së mesme ekonomike, Marko Stojanoviq, burri i tetës Ollga, drejtor i shkollës së parë fillore… Tani nuk më kujtohen emrat e tjerë, por më duket kanë qenë Brankica dhe Zorica. Mendoj se këta kanë qenë, gjashtë persona në dy automjete. Ata kanë shkuar rreth orës 8:00 ose 8:30 në mëngjes në Ferizaj. Ne kemi qenë në shtëpi me nënën dhe nuk kemi dyshuar që asgjë, sepse kishin shkuar me KFOR-in për të marrë dokumente. Atëherë nuk kishte telefona mobilë për të komunikuar dhe nuk kemi dyshuar se ka ndodhur diçka e keqe, derisa ra terri dhe babai nuk u kthye në shtëpi.
Atë natë kanë ardhur të dyja automjetet. Ora do të ketë qenë ndoshta 7:30 ose 8:00. Thanë që Pauni dhe Markoja mungonin. Fillimisht ne dhe nëna nuk e dinim çfarë po na thoshin, sepse ata kishin shkuar nën shoqërimin e tyre. Unë isha 19-vjeçare, motra tjerër 17-vjeçare dhe më e vogla 10-vjeçare. Pra, nuk kuptonim ç’do të thoshin me “nuk janë”. Ata na i thanë këto për vetëm dhjetë minuta, i kthyen automjetet dhe shkuan në bazën e tyre në Brezovicë. Më vonë ne kemi shkuar te ata por askush prej tyre nuk donte të fliste me ne e as të na i tregonin emrat e shoferëve që i kishin shoqëruar për Ferizaj, pra asgjë.
Më pas Millan Nikollçeviq, që ka qenë me babanë dhe axhën Marko në automjet, na ka treguar për gjithë ngjarjen. Ai na tha, se ata të dy së pari kishin shkuar te shkolla teknike ku ka punuar babai, i kanë marrë disa dokumente që i kanë gjetur, pastaj kanë vazhduar te shkolla ekonomike dhe atje i kanë marrë dokumentet që i kanë gjetur, pastaj kanë shkuar tek shkolla e parë fillore që është në drejtim të tregut.
Atje kanë arritur rreth orës 12:30–01:00. Shkolla ka qenë e mbushur me nxënës e mësues, kanë hyrë në zyrën ku kanë qenë Agim Rexhepi, Halim Salihu dhe Fadil Sejdiu, mendoj që me pozita do të kenë qenë drejtori, arkëtari dhe sekretari i shkollës. Babai dhe axha Marko kanë hyrë, janë përshëndetur me ta, sepse janë njohur si kolegë nga më parë, kanë kërkuar dokumentet dhe ata u kanë thënë që do t’u jepnin çkado që të gjenin. Por, atëherë ajo Svetllana që ka qenë me ta, ka dashur t’i vizitojë varrezat familjare në Doganoviq më duket, dhe ata kanë thënë se babai dhe axha Markoja mund t’i prisnin në zyrë derisa ish-kolegët shqiptarë t’u sillin dokumentet, ndërsa të dyja automjetet e KFOR-it i kanë lënë ata aty dhe kanë shkuar për t’i vizituar varrezate familjes së Svetllanës.
Më pas, njerëzit që kanë qenë në zyrë kanë thënë se paskan hyrë njerëz me uniforma të zeza dhe paskan pyetur pse ndodhen babi dhe axha Marko aty. I kanë nxjerrë jashtë dhe ata të zyrës thonë se nuk dinë asgjë më shumë. Më pas ne nuk dimë asgjë të sigurt; kemi dëgjuar vetëm thashethëme. KFOR-i pohon se e kanë kontrolluar shkollën dhe qytetin, por thjesht askush asgjë nuk ka parë. Si i bëhet që, në mes të ditës, kur shkolla ka qenë e mbushur me nxënës e mësues, pra në ditë pune, askush nuk ka parë asgjë dhe dy njerëz thjesht janë zhdukur?
Kur janë kthyer xhipat e KFOR-it, ata të tre që kanë qenë në zyrë, pra Agimi, Halimi dhe Fadili, së pari u kanë thënë se këta kishin shkuar për të pirë çaj, pastaj se u kishin ardhur disa miq dhe kishin shkuar për kafe, pra këto janë ato që na i kanë thënë. Ne nuk kemi qenë atje, por këto na i kanë thënë. KFOR-i pati shtuar se dy automjetet e KFOR-it polak gjoja i kishin kërkuar, kishin tentuar t’i gjenin, por dyshoj se as nuk i kanë kërkuar si duhet, sepse është e pamundshme, meqë ata atje as nuk kanë qëndruar, e nuk mund t’i fusësh dy njerëz në xhep dhe t’i çosh diku e askush të mos shohë gjë; ata nuk kanë mundur të largohen aq shumë e askush mos të dijë asgjë.
Kemi folur edhe me Svetllanën, po ajo thjesht nuk na ka thënë asgjë. Ata janë kthyer këtu atë ditë dhe ajo menjëherë ka shkuar në Serbi. Më pas është kthyer këtu dhe ka thënë se ata nuk kanë qenë më në xhip me të, kështu që nuk dinte asgjë konkrete.
Kur u zhduk babai, menjëherë shkuam te Breza, sepse atje ishte i vendosur KFOR-i polak dhe deshëm t’i pyesnim që të mësojmë diçka më shumë, por askush nuk donte të fliste me ne. Të nesërmen shkuam në policinë e UNMIK-ut dhe u thamë të gjitha ato që i kemi dëgjuar dhe që i kemi ditur. Shumica prej tyre na siguronin se do t’i gjenin, se do ta bënin maksimumin, etj.
Më pas, patëm organizuar barrikada në rrugën Trakovac-Gotovusha, e patëm bllokuar me miq e familjarë në mënyrë që të mos kalonin automjetet, me shpresë se do ta nxisnim dikë të bënte diçka, mbasi në atë kohë nuk kishim as rrymë nga tre muaj, sepse i kishin shkatërruar shtyllat, e nuk kishim as telefona, asnjë lidhje me botën e jashtme dhe nuk ishim të sigurt po të dilnim jashtë Trajkovcit në Zhupë. Thjesht ishim në geto dhe ende jemi në një lloj getoje, sepse nëse dikush nuk vjen te ti, ti nuk mund të shkosh tek askush. Askush nga ne nuk ka guxuar të shkonte në Ferizaj, sepse e njëjta do të mund të na ndodhte edhe neve.
Pastaj, në të ashtuquajturin kërkim u përfshi edhe KFOR-i amerikan. Në atë kohë aty ka qenë koloneli Michael Elerby, i cili na ka ardhë në shtëpi shumë shpesh duke na bindur që ishin afër për ta gjetur babanë dhe axhën Marko, se ishin në Viti, se ndodheshin në një ndërtesë në Ferizaj, se ishin shumë afër dhe kjo vazhdoi gjatë gjashtë muajve sa ka qenë ai këtu dhe pastaj i kaloi mandati, ai shkoi dhe më pas asgjë. Kohë pas kohe vinte dikush nga policia e UNMIK-ut për të na pyetur se çka ka pasur të veshur, na kërkonin fotografitë dhe kjo është fotografia e vetme që më ka mbetur, që është vetë kopje, sepse të gjitha fotografitë ua kemi dhënë. Kjo është foto nga letërnjoftimi. Të gjitha fotografitë kanë mbetur në Ferizaj, por ato kanë qenë vetëm disa që kanë mbetur rastësisht, të gjitha të tjerat i kemi dhënë dhe më nuk kishim të tjera për të dhënë.
Kemi tentuar të flasim edhe me disa shqiptarë që ma kanë njohur gjyshin, disa prej të moshuarve, për të na ndihmuar, e kemi ofruar shtëpinë tonë në Ferizaj për çfarëdo informate nëse dikush ka, kemi biseduar me gjithkënd. Më pas kemi shkuar në Prishtinë tek komandanti gjerman për gjithë KFOR-in, Reindhart, por ai na pati pritur shumë shkurt dhe pas kësaj bisede kolonelin Michael Elerby e ka larguar nga rasti. Pastaj Couchner-i ka ardhur në Shtërpce, kemi tentuar ta kontaktojmë dhe mezi kemi arritur t’ia dorëzojmë letrën që edhe ai të na ndihmojë si person përgjegjës për UNMIK-un, por kemi marrë vetëm fjalë, herë që janë në Shqipëri, që gjenden në ‘Zhitopromet’ në Ferizaj, që janë në Viti, por asgjë konkrete.
Me thënë të drejtën, ende e kam një ndjenjë që janë gjallë, pasi ende nuk kemi marrë ndonjë informatë të kundërt. Por, kjo është ndjenjë subjektive dhe është shumë vështirë ta pranosh të kundërtën edhe kur e din që kanë kaluar 20 vjet. Babai im ka lindur më 26 nëntor 1947, që do të thotë se sot pas 20 vjetësh, po të kishte qenë në shtëpi, ndoshta nuk do të ishte gjallë, por askush nga ne nuk e thotë këtë. Kur flas me nënën dhe motrat, askush nuk mund ta thotë që ai nuk është i gjallë.
Edhe gjatë vitit 2004, kur u bë ajo përndjekja, më së vështiri ishte kur mendonim si të largoheshim nga Kosova kur ende nuk dinim çka kish ndodhur me babanë. Si të largoheshim, kur ai ndoshta ndodhej diku këndej, ndoshta ndodhte ndonjë mrekulli edhe pse shumica në EULEX dhe UNMIK na thonë që asnjëri prej serbëve të kidnapuar nuk është i gjallë dhe se gjasat janë minimale, meqë nuk ka pasur asnjë rast kur ndonjë serb ka shpëtuar. Kushdo që është marrë, është i vdekur dhe ose është gjetur ose nuk është gjetur, por edhe këtë kur na e thonë, ne thjesht nuk e pranojmë plotësisht, sepse nuk ka asgjë të prekshme. Një muaj para kësaj, me 21 korrik, është zhdukur edhe vëllai i babait tim në rrugën Shtërpce–Ferizaj. Së bashku me dy të tjerë nga Gotovusha janë zhdukur nga vetura me 21 korrik, dhe as për të nuk dimë asgjë. Pra, kemi pasur rastin që axha më është zhdukur më 21 korrik, kurse babai kishte marrë guximin të shkonte në Ferizaj për dokumente, duke e menduar se nuk kishte nga se të frikohej a se mund t’i ndodhte diçka.
Ne serbët e kemi shprehi të ndezim qirinj, për të gjallët e për të vdekurit. Askush kurrë në familjen time nuk ka ndezur qiri për babanë si për të vdekur, por të gjallë, dhe nuk di as të tregoj se çfarë ndjenje është, thjesht nuk di si ta përshkruaj. Shumë shpesh shkojmë në kishë dhe askush nuk ka forcë të ndezë qiri, e që të mos jetë për të gjallët dhe çdo festë është shumë vështirë. Unë i kam dy fëmijë, motra e dytë po ashtu i ka dy, motra më e vogël ka një djalë dhe të gjitha këto na e përkujtojnë dhe është shumë e vështirë.
Babanë e kujtoj si njeri shumë të ndershëm, gjë që ka qenë gabim edhe në atë kohë edhe sot e kësaj dite. Ka qenë së tepërmi i ndershëm, i zellshëm dhe i nderuar, si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët. Nëse e njihni ndonjë moshatar të tij nga Ferizaji, posaçërisht nga arsimi, lirisht mund ta pyesni dhe do ta merrni përgjigjen e njëjtë. Njësoj edhe nga fqinjët tanë të dikurshëm në Ferizaj. Ka ndihmuar kurdo që ka mundur këdo që ka pasur nevojë dhe kurrë nuk është mburrur e as që ka folur për atë punë, por vetëm kur dikush e ka takuar dhe e ka falënderuar, atëherë e kemi marrë vesh se sa njerëz i ka ndihmuar.
Kujtoj shumë çaste me të. Kujtimet i kam shumë të gjalla edhe pse kanë kaluar 20 vjet. Më kujtohet, kur shkoja në shkollë, ndihma e tij rreth detyrave të shtëpisë, sepse babai im e ka mbaruar degën e biologjisë në Prishtinë dhe e ka ditur mirë biologjinë e fizikën, dhe kurdoherë që kemi ngecur me mësimet, na ka ndihmuar. Më pas ishte koha kur shkova në fakultet dhe erdhi babi të më vizitonte në konviktet e studentëve. Kur ndonjëherë mbetem vetëm në shtëpi, më duket që ia ndiej zërin. Ose, kur jam në rrugë, shumë shpesh ndalem dhe kthehem, pastaj e kuptoj se është e pamundshme. Ose ndonjëherë në turmë, kur dikush më ngjan me të, e ndjek nga pas me shpresën se mund të jetë ai.
Në ëndërr nuk më del, nuk e di pse. Por thjesht, ndalet koha dhe 20 vjet janë si me qenë dy ditë. Të trija motrat jemi të martuara dhe asnjëra nuk ka bërë dasëm, për shkak të tij asnjëra nuk i kemi veshur rrobat e nusërisë. Thjesht, nuk mund t’i nderosh mysafirët dhe të jesh e hareshme. Lirisht mund të them se ka dhjetë vjet që askush nuk flet më konkretisht për babanë tim, as për axhën, as për axha Markon, sepse normalisht që ne presim nga EULEX-i, UNMIK-u, KFOR-i, e dimë që nuk mund të bëjmë diçka vetë dhe kur EULEX-i dhe KFOR-i thonë se nuk kanë të dhëna, kjo tingëllon joserioze dhe si mungesë respekti ndaj familjeve. Dhe është e pamundshme, sepse në shekullin XXI me gjithë atë teknologji dhe të gjitha ato pajisje që ka bota në dispozicion, na thonë që nuk kanë të dhëna. Është e pamundshme. Unë, familja ime dhe shumica e familjeve të të zhdukurve jemi të bindur që ato institucione kanë njohuri, por fatkeqësisht mendoj që këtu është përfshirë politika dhe këto raste ende mbeten të pazgjidhura, sepse nuk janë të gatshëm të tregojnë përgjegjësi dhe t’i paraqesin faktet para botës. Së pari para familjeve e më pas edhe para botës.
Nënën e kam pasë mësuese, pesëmbëdhejtë vjet ka punuar në Kaçanikun e vjetër, e viteve të fundit në Gërlicë, por në kuadër të shkollës së Ferizajit. Nëna thjesht është shembur, në çdo kuptim, fizik e psikik. Unë dhe motra e dytë kemi dashur ta mbronim nënën me motrën e vogël dhe kemi shkuar në barrikada, në polici, në KFOR dhe kemi dalë në rrugë, e kemi ndaluar KFOR-in për t’i pyetur për gjithçka. Unë e motra kemi shkuar ngado për të marrë më shumë informata. Kemi ardhur në përfundim se gjithçka dihet dhe nuk ka ndodhur asgjë aksidentalisht.
Në Ferizaj, menjëherë pas tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe dhe hyrjes së KFOR-it kanë hyrë luftëtarët e UÇK-së. Dihet që gjithkush e ka pasur zonën e vet të përgjegjësisë në Kosovë. Ata njerëz që kanë qenë në zyrë me babanë dhe axha Markon, thonë se aty kanë hyrë njerëz me uniforma të zeza, e dihet që uniformat e zeza i kanë veshur ushtarët e UÇK-së, dhe ai që ka qenë përgjegjës për zonën e Ferizajit nga UÇK-ja duhet të ketë njohuri. Unë nuk ia di emrin dhe në atë kohë kam qenë fëmijë, por ka dikush duhet t’ia dijë. Di se Ferizaji ka qenë zonë e përgjegjësisë së KFOR-it amerikan. Sipas meje, të vijnë amerikanët këtu e të mos jenë të pajisur me gjithë atë teknologjinë që e kanë në dispozicion jo vetëm për zonën e tyre të përgjegjësisë, por edhe për gjithë Kosovën, është e pamundshme. Kjo thjesht nuk është e pranueshme.
Dy qeveritë, Prishtina dhe Beogradi, nuk duhet ta përfshijnë politikën këtu. Fatkeqësisht, unë jetoj këtu në Kosovë dhe e kam vërejtur që kjo situatë më shumë po përdoret për qëllime politike sesa që i bëhet ndokujt vonë për të zhdukurit, dhe gjithmonë potencohet se dikush punon për këtë, megjithatë askush nuk bën asgjë konkrete. Kjo vlen për të gjithë, jo vetëm për babanë tim, por për të gjithë personat e zhdukur. Thjesht, politika është përfshirë shumë këtu dhe aty ku futet politika do të mbetemi duke u sjellë në të njëjtin vend.
Duke e pasur parasysh që dialogu në Bruksel është ngujuar dhe asnjë marrëveshje e arritur atje nuk po respektohet, dyshoj që kjo do të zgjidhet në Bruksel. Organizatat ndërkombëtare, ushtarake e civile, gjenden në gjithë Kosovën dhe që nga fillimi kanë bërë presion tek përgjegjësit që të bëjnë diçka. Ato duhet të bëjnë më shumë presion, sepse me zbulimin e të vërtetës për personat e zhdukur, dalin në shesh emrat e njerëzve përgjegjës. Të përgjegjshmit duhet të dënohen për ato që kanë bërë.
Tani, sa janë të gjithë të gatshëm t’i pranojnë ato që kanë ndodhur nuk e di, sinqerisht dyshoj që ende ekziston gatishmëria, por ende shpresoj. Unë jam e sigurt që KFOR-i ka të dhëna, sepse ata kanë hyrë në qershor të vitit 1999 dhe kjo ka ndodhur në shtator. Në atë kohë ka qenë edhe UNMIK-u dhe për mua thjesht është e pabesueshme, sepse nëse nuk kanë të dhëna, atëherë ato për mua nuk janë organizata. Por, dyshimi im është që asnjëra nga organizatat ndërkombëtare nuk e ka atë ndikim, ndoshta është ndokush më me ndikim në Kosovë e më gjerë, e këta janë amerikanët dhe kjo ka qenë zonë e përgjegjësisë së KFOR-it amerikan. Ferizaji, Shtërpca dhe Gjilani ende janë, nuk ma merr mendja se kjo ka ndryshuar.
Është shumë e vështirë kur ke dikë të tillë në familje, është barrë e madhe, nuk mund të bësh asgjë. Kjo vlen për të gjithë, serbët, shqiptarët, romët. Për të gjithë. Kanë kaluar 20 vjet dhe është ndjenjë shumë e vështirë që kjo po përdoret për qëllime politike, për të fituar pikë politike dhe shpesh për përfitime materiale nga organizatat e ndryshme. E në të vërtetë, askush nuk kujdeset për këtë punë. Ndoshta kjo është në natyrën e njeriut, nuk e di, por askush nuk mund ta kuptojë përveç familjeve të tjera që kanë të zhdukur. Më me rëndësi është që të mos fajësojmë më njëri-tjetrin, mbasi nuk janë të gjithë serbët fajtorë pse dikujt i ka ndodhur diçka dhe nuk janë të gjithë shqiptarët fajtorë për atë që i ka ndodhur babait tim, por ai që është fajtor duhet të dihet me emër e mbiemër. E di që është e vështirë për t’u hapur ndaj njëri-tjetrit, por duhet të tentojmë që së bashku ta gjejmë të vërtetën.
Përsëri po them – jam e vetëdijshme që ky është rreth i mbyllur, thjesht nuk ka informata, sepse ata njerëz nuk kanë mundur të zhduken, por thjesht nuk ka informata ku janë dërguar, a janë mbajtur kund, apo janë vrarë menjëherë, nëse po, ku janë vrarë. Ata duhet të jenë këtu sepse Kosova nuk është e madhe, por thjesht njerëzit janë ende të mbyllur. Kur do të jenë të gatshëm të hapen, nuk e di. Kam frikë që ndoshta nuk do të hapen kurrë, por atëherë do të jetë edhe më vështirë. Nuk besoj në përralla dhe nuk besoj se mund të ndryshojnë gjërat brenda natës. E di që nuk është e lehtë, por babai im dhe axha Marko janë zhdukur në qendër të qytetit, në mes të ditës. Nxënësit, mësimdhënësit dhe ata të tre që kanë qenë me ta, është e pamundshme të mos kenë parë asgjë, thjesht është e pamundshme.
Ne si familje të gjithë gjendemi këtu në Shtërpcë. Të trija motrat jemi të martuara. Nëna jeton me motrën e vogël. Ia dalim disi. Unë jam delegate në Kuvendin e Kosovës, motra e dytë nuk punon, i punon vetëm burri, ndërsa e vogla punon në një kompani private ku përkthen nga gjuha angleze në gjuhën serbe. Jemi gjallë e shëndosh dhe nga ky aspekt nuk ankohemi, por kujtimi për babanë në çdo vit të ri, në çdo festë, në çdo ditëlindje… nuk e përmendim, posaçërisht për këto festa nuk e përmendim, sepse nuk duam ta qajmë a të bëhemi barrë për të tjerët. Atë barrë e bartim brenda vetes dhe unë nuk dua kurrë askënd ta ngarkoj me ato që gjatë gjithë kohës i mendoj për të, sepse vetëm ai që është provuar mësohet të jetojë me këtë dhe nuk harron, as nuk e kalon, por mëson të jetojë pa e ngarkuar askënd.
Përsëris që familjet janë të harruara nga institucionet dhe t’ju them të vërtetën, kur ma dërguat kërkesën për intervistë më befasuat, sepse askush më nuk don të flasë për këtë, përveç kur ka ndonjë dobi politike ose materiale. Thjesht kështu është, dhe kur familjet takohen, me sa kam dëgjuar, si tek serbët ashtu edhe te shqiptarët, të gjitha e kanë të njëjtin tregim dhe ky është fakt që nuk e di nëse do të mund ta ndryshojmë. Ndoshta mund të tentojmë por nuk mendoj që mund ta ndryshojmë.
Këtu në komunën e Shtërpcës janë 13 familje me njerez të humbur dhe të gjithë njihemi, janë tregime të njëjta, por kur dëgjoj tregimet e familjeve nga anët e tjera të Kosovës duket sikur flet vetëm një familje pa marrë parasysh a është serbe apo shqiptare. Kur i dëgjoj tregimet e të tjerëve, të gjitha përmblidhen në të njëjtën gjë, kam përshtypjen se kjo duket sikur të ishte planifikuar, sikur të gjithëve na është shërbyer i njëjti tregim. Më duhet ta përsëris se nuk kemi mundur të shkojmë askund. Vetëm një numër i vogël njerëzish kanë dashur të vijnë tek ne, sepse në atë kohë nuk guxoje të dilje jashtë enklavës, mbasi menjëherë do të zhdukeshe ose do të vriteshe. E pas 20 vjetësh, mendohesh a thua e kanë pasur për qëllim që të gjithë neve të na e thonë të njëjtin tregim dhe në fund tregimi i secilës familje është i njëjtë. Kanë kaluar 20 vjet, kjo është periudhë shumë e gjatë dhe tani pasi që ju keni ardhur, kjo ma jap një shpresë që ndoshta diçka do të lëvizë dhe dikush do të reagojë. Jam e bindur që organizatat më të mëdha e dinë, por a janë të gatshme të dalin para nesh dhe para botës? Gjithmonë e kam një fije shprese, pasi që ju erdhët dhe pas asaj që do ta përgatitni, besoj që dikush do të jetë i gatshëm të dalë për ta thënë të vërtetën.
Kur dikush pas 10-15 vjetësh ju vjen dhe ju pyet: “A ju kujtohen rrobat që kishte të veshura babai juaj atë ditë, si dukej?”. Pas gjithë asaj kohe ju pritni që ai t’ju thotë diçka, e jo që atëherë t’ia jepni të dhënat. Mendoj që kjo është ofenduese, nuk e di si ta përshkruaj, është një lloj poshtërimi dhe të bën të ndjehesh i zbrazët kur të vjen dikush, nga i cili ti pret përgjigje por ai të pyet: “Çka ka pasur të veshur atë ditë, si është dukur dhe a e keni ndonjë fotografi”, ndërsa ti i ke dhënë sa e sa herë të gjitha këto të dhëna dhe pret që dikush ta zgjidhë çështjen. Dikush është duke luajtur me ne. Më besoni, herën e fundit kur EULEX-i e ka thirrë një familje në Graçanicë ishte para 6 ose 7 vjetësh, dhe na thanë që është me rëndësi dhe urgjent, e ne shkojmë me shpresën që ndoshta do të na thonë diçka, kur ata pyesin “mos e keni ndonjë fotografi?”, “çka ka pasur të veshur”, pastaj një “ju faleminderit” dhe “ditën e mirë”.
Tani është koha që ata që dinë të dalin me të vërtetën, sepse familjet më nuk mund të presin. Tani ekziston ligji në Kuvend dhe natyrisht që duhet të punohet me të, sepse familjet ndihen të humbura, të lëna pas dore dhe ka shumë çështje të cilat duhen zgjidhur, por nuk mund t’i zgjidhim, sepse nuk është e paraparë me ligj. Mendoj që ende jemi duke bredhur, nuk i kemi të gjitha për t’u ndihmuar familjarëve. Flitet që të gjithë janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë, por shumë pak zbatohet në terren. Na duhen veprime konkrete.
(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)