Teksa Evropa themelonte organizata rajonale për zbatimin e standardeve të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit, pritshmëritë ishin që mizoritë masive si ato që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore të mos përsëriteshin më në kontinentin evropian. Megjithatë, 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa sërish u godit nga dhuna masive, këtë herë në ish-Jugosllavi. Evropa ishte e papërgatitur që të përballej pa vonuar me këtë dhunë. Në mesin e gjithë atij kaosi, komuniteti ndërkombëtar themeloi entitetin ad hoc – Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi (TPNJ). Ky hap ishte përpjekje për të penguar fuqishëm atë që po ndodhte, duke u dërguar lajmin kryerësve se ata nuk do të shpëtonin pa dënuar për krimet e tyre dhe se drejtësia do të vihej në vend për viktimat dhe komunitetet e viktimizuara. U krijuan korniza supranacionale normative dhe të politikave për t’i inkurajuar dhe detyruar autoritetet vendore në ish-Jugosllavi që të merrnin pjesë në zbatimin e mandateve prokuroriale dhe hetuese të TPNJ-së. Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim u krijua edhe si standard drejt integrimit të plotë evropian për këto vende.
Detyrimi i vendeve të ish-Jugosllavisë për të bashkëpunuar me TPNJ-në është posaçërisht relevant për tematikën e këtij numri të Balkan.Perspectives që ka të bëjë me riinterpretimin historik. Si literatura, ashtu edhe organizatat supranacionale e kanë pranuar gjerësisht se TPNJ-ja ka sjellë një shembull të fuqishëm të krijimit të historisë koherente rreth së kaluarës së dhunshme në Ballkan. Shqyrtimet transparente dhe gama e gjerë e informacionit në dispozicion nga arkivat e TPNJ-së u sigurojnë hulumtuesve, historianëve dhe publikut të gjerë material të paçmuar prej të cilit të mësojnë rreth të kaluarës së ish-Jugosllavisë. E megjithatë, kjo literaturë e mbulon në mënyrë të paqartë, për të mos thënë fare, çështjen e bashkëpunimit të Maqedonisë së Veriut me TPNJ-në. Ky artikull synon që me modesti ta përmbushë këtë mangësi.
Ndjekja e drejtësisë penale për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut është element jetik për tranzicionet pas konflikteve, për ndarjen e drejtësisë dhe menaxhimin e paqes. Institucionalizimi i drejtësisë penale në nivel edhe vendor, edhe supranacional, ka kapacitetin që të inkurajojë pajtimin përmes shpalosjes së të vërtetës faktike rreth shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, duke kërkuar përgjegjësi për ato shkelje dhe duke pranuar dëmet e pësuara nga dhuna. Gjithashtu, TPNJ-së i është mveshur kapaciteti për të kontribuar në ndarjen e drejtësisë pas konfliktit dhe për të krijuar të vërtetën legjitime rreth luftërave në ish-Jugosllavi. TPNJ-ja e ka bërë këtë duke përdorur qasje gjithëpërfshirëse për viktimat që të marrin pjesë në procedurat e veta dhe duke qenë transparent në punën e vet përmes lejimit të qasjes në gjykimet dhe arkivat e veta edhe për publikun. Shkallët e drejtësisë penale vendore po ashtu kanë mundur të përfitojnë nga puna dhe mandatet e TPNJ-së dhe të mësojnë nga modeli i tij i ndarjes institucionale të drejtësisë dhe gjetjes së të vërtetës. Ato kanë mundur të përdorin në gjykimet e tyre gjetjet faktike të arritura përmes hetimeve dhe proceseve gjyqësore të TPNJ-së.
Detyra e shoqërive të ish-Jugosllavisë për të bashkëpunuar me TPNJ-në kërkonte nga autoritetet vendore që të arrestonin dhe deportonin personat me aktakuzë, të mbronin dëshmitarët e përcaktuar të dëshmonin para TPNJ-së, t’iu ndihmonin hetimeve të TPNJ-së në terren, të hapnin arkivat vendorë dhe t’ia siguronin TPNJ-së dokumentat e kërkuar, të parandalonin ndjenjat negacioniste ndaj TPNJ-së dhe gjithashtu, të miratonin reformat legjislative dhe institucionale që siguronin ndjekjen penale efikase dhe të pavarur në vend të kryerësve. Fushëveprimi i saktë i detyrës për të bashkëpunuar me TPNJ-në dallonte ndërmjet vendeve dhe me kalimin e kohës, ndryshoi kahje. Për shembull, ndërkohë që detyra e Serbisë dhe Kroacisë për të bashkëpunuar me TPNJ-në kryesisht përqendrohej tek arrestimi dhe ekstradimi në TPNJ i personave me aktakuzë, Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u nxitën fuqishëm që t’i përgatisnin instancat gjyqësore vendore të bënin ndjekjen penale në mënyrë të pavarur dhe të paanshme të kryerësve të krimeve të ndërlidhura me krime lufte.
Nuk ka ndonjë përgjigje të prerë me ‘po’ ose ‘jo’ për pyetjen nëse Maqedonia e Veriut e ka përmbushur në mënyrë efikase detyrimin e vet për të bashkëpunuar me TPNJ-në. Maqedonia e Veriut po i përmbahet, edhe pse në mënyrë të kufizuar, detyrimit të vet për të reformuar sistemin gjyqësor, prokurorial dhe instancat hetimore si mënyra për të siguruar gjykim efektiv, të pavarur dhe objektiv të krimeve. Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Evropës (KE) i kanë pranuar përmirësimet që janë bërë në përgatitjen e gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut për të funksionuar në mënyrë të pavarur, profesionale dhe transparente. Mbetet ende për t’u parë nëse reformat e ndërmarra në gjyqësor do të zbatohen në mënyrë konsistente edhe më tej.
Ky standard për të vlerësuar bashkëpunimin e Maqedonisë së Veriut me TPNJ-në mund të mos zbatohet nëse nuk ka krime për t’u ndjekur penalisht. Situata mund të jetë pikërisht kështu, pasi Ligji për Amistinë i vitit 2002 shfajëson nga ndjekja penale personat që morën pjesë në vepra penale të ndërlidhura me konfliktin e vitit 2001. Sidoqoftë, zgjatimi i zbatimit të këtij ligji në katër rastet e transferuara nga TPNJ-ja për ndjekje penale në vend mund të jetë tregues i barazimit të zbatimit të Rregullit 11bis me vendimin për lirim nga fajësia, prandaj sjell zhvlerësim të qëllimit të këtij rregulli dhe të strategjisë së TPNJ-së për përmbyllje. Një zbatim i tillë i zgjeruar i Ligjit për Amnisti mund të jetë edhe më tej në kundërshtim me detyrimet e Maqedonisë së Veriut ndaj Këshillit të Evropës, sikur është përmendur në mënyrë të qartë në Asamblenë Parlamentare të KE-së se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të shpallë amnisti për rebelët që mund të kenë kryer krime lufte në vitin 2001. Mosndjekja penale e kryerësve të supozuar të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare gjithashtu cenon vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është treguese e detyrimit për palët e Kartës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të hetojnë shkelje të tilla me efektivitet dhe t’i ndjekin penalisht e dënojnë kryerësit. Mosveprimi në këtë rast shpalos ndarje selektive të drejtësisë dhe dëmshpërblimit për viktimat dhe mund të turbullojë marrëdhëniet tashmë të brishta ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Natasha Stamenkovikj ka gradën Ph.D. nga Universiteti i Tilburgut, gradën LL.M nga Universiteti i Edinburgut dhe gradën M.Sc. nga Universiteti i Oksfordit. Ajo ka punuar me Fondin për të Drejtën Humanitare dhe Shoqatën e Juristëve të Rinj Maqedonas. Hulumtimet e Natashës fokusohen tek ndërveprimi mes ligjit dhe shoqërisë dhe zbatimin socio-ligjor të ligjit në proceset e demokratizimit. Ajo shkruan për rolin e normave ligjore, institucioneve dhe sistemeve për avancimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndarjes së drejtësisë dhe qeverisjes së mirë.