Më 28 qershor 2018, me propozim të Qeverisë, Kuvendi Kombëtar i Serbisë në mënyrë simbolike nxori Ligjin për Memorializimin e Luftës. Ligji parasheh dispozita ligjore që rregullojnë memorializimin e historisë së luftës në Republikën e Serbisë, nga Lufta e Parë Ballkanike deri në konfliktin më të fundit në Kosovë (1912-1999). Në 40 vitet e fundit, narrativa shtetërore ka standardizuar tre ligje se si të memorializohen luftërat, me theks të posaçëm tek tradita e çlirimit nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore.
Pas një procedure publike jotransparente, draft-ligji fillestar për Memorialet e Luftës nxiti reagime pozitive dhe negative nga publiku i interesuar dhe në vitin 2015 u tërhoq pa asnjë shpjegim. Tre vite më vonë, me kërkesë të Qeverisë dhe pas procedurës urgjente, “Ligji për Memorialet e Luftës” kaloi.
Ministria për Punë, Çështje Sociale dhe të Veteranëve, konsultuar nga Këshilli për Ruajtjen e Traditës së Luftrave Çlirimtare në Serbi dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve mori vendimin final për ndërtimin ose largimin e monumenteve. Vetëqeverisja lokale, si komunat dhe qytetet, mund të bëjnë propozime, por nuk e thonë fjalën e fundit.
Sipas Ligjit, qeverisja lokale zbaton vendimet e Ministrisë për të ngritur, larguar ose regjistruar monumentet në zonën e tyre. Monopoli absolut shtetëror mbi memorializimin e luftës shihet edhe në Këshill që përbëhet vetëm nga shërbyes civilë, pa përfaqësues të shoqatave të qytetarëve (kryesisht për familje të viktimave).
Ligji u lejon qytetarëve, entiteteve ligjore dhe organeve shtetërore të propozojnë nisma për monumente të reja, por ka disa dispozita kufizuese për lirinë e shprehjes dhe mendimit brenda kulturës së memorialeve.
Ai thotë se memorialet përfaqësojnë kulturën e kujtesës që ekskluzivisht ndërlidhet me “traditën e luftërave çlirimtare në Serbi”; ndalohet ngritja apo largimi i monumenteve nëse kjo rezulton me humbjen e sovranitetit, integritetit territorial, totalitetit, pavarësisë dhe lirisë së Republikës së Serbisë. Ligji ndalon monumente për persona që përfaqësojnë ide ose ideologji fashiste, naziste, shoviniste, separatiste, ose që kanë bashkëpunuar me agresorin, pushtuesin, aleatët apo përkrahësit e tyre. Ligji rregullon sipërfaqësisht kritere të tjera për largimin e monumenteve që krijojnë hapësirë për vendimmarrje arbitrare, kryesisht nga Ministria, që thotë fjalën e fundit. Sidoqoftë, kjo dispozitë nuk përfshin personat e rehabilituar nga Ligji për Rehabilitim apo procesi i rehabilitimit të të cilëve është në vijim e sipër (2006-2011).
Ligji kërkon nga qeverisja lokale të mbledhë të dhëna për memorialet e luftës dhe nga Ministria të krijojë evidencë unike për secilin brenda 6 muajsh nga zbatimi i Ligjit. Së bashku, ato mbledhin evidenca për viktimat që nga Lufta e Parë Botërore deri më sot (1912-1999).
Ky vendim ligjor ngre pyetjen e fatit të monumenteve të ngritur për vuajtjet e boshnjakëve në Sanxhak (rrëmbimet dhe vrasjet në Sjeverin dhe Shtërpci) dhe mundësinë e shenjimit të vendeve në Serbi ku në 1991 janë burgosur civilë dhe ushtarë kroatë. Po seria e krimeve të kryera në Srem nga anëtarë të Partisë Radikale Serbe, për të cilat u dënua Vojisllav Shesheli?
Pas nxjerrjes së Ligjit, gazeta “Večernje novosti” raportoi se “me gjasë, deri në vjeshtë 2018, të gjithë monumentet e ngritur për pushtuesit, kriminelët e luftës dhe terroristët do të largohen”, duke iu referuar p.sh., largimit të dedikuar të ashtuquajturve “armiq”, si busti i Aqif Efendiut në Novi Pazar dhe monumentet për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në Preshevë (UÇPMB).
Për disa boshnjakë, Aqif Efendiu është hero kombëtar që pengoi njësitë çetnike të hynin në Novi Pazar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të tjerë, është kriminel lufte pasi bashkëpunoi me pushtuesit dhe në janar 1945 u ekzekutua në lagjen Haxhet në Novi Pazar se kishte përndjekur dhe vrarë serbë, boshnjakë dhe hebrenj nga ky qytet.
Me nismën e Këshillit Kombëtar Boshnjak, në gusht 2012 në qendër të Novi Pazarit u vendos busti i Aqif Efendiut. Më vonë, qeverisja lokale mori urdhërin ta largonte. Deri më sot, busti ka mbetur dhe herë pas herë shndërrohet në poligonin e përkryer për të testuar nacionalizmin boshnjak dhe serb dhe çdo vit, vetëm aktorët ndryshojnë.
Memoriali për Luftëtarët e UÇPMB-së u ngrit në Preshevë në nëntor 2012, me rastin e njëqind vjetorit të pavarësisë së shtetit të Shqipërisë. Pavarësisht reagimeve ashpra nga politikanët shqiptarë, në janar 2013 policia e hoqi monumentin fshehurazi. Në atë kohë, negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel po intensifikoheshin dhe largimi i monumentit shërbeu si provë se qeveria e re ende kishte agjendë nacionaliste të legjitimizuar nga lufta kundër “separatizmit”.
Në jug të Serbisë ka me dhjetëra monumente kushtuar pjesëtarëve të UÇPMB-së, por asnjëri prej tyre nuk ka shkaktuar reagime si ai në Preshevë. Në Tërnovë të Madhe, një fshat aty pranë, gjendet monumenti i Ridvan Qazimit, i njohur edhe si Komandant Lleshi, mbi të cilin valëvitet flamuri shqiptar.
Pak qytetarë serbë janë në dijeni të monumentit të ngritur për 12 policë të vrarë në fshatin Luçan, pranë Bujanovcit. Xhandarmëria e ruante monumentin çdo ditë, por kjo nuk ishte mjaft për familjarët që e vizitonin. Në korrik 2015, monumenti u largua gjatë një vizite të Kryeministrit Aleksandar Vuçiq në Luginën e Preshevës. Në fund, monumenti u zhvendos në Bujanovaçka Banja, pranë kishës.
Këta shembuj tregojnë se shteti serb po përdor largimin e monumenteve si mjet nacionalist dhe autoriteti ekzekutiv shpalos fuqinë. Miratimi i Ligjit për Memorialet e Luftës krijon një narrativë koherente brenda së cilës monumentet duhen respektuar dhe kjo është një maskeradë e traditës së “çlirimit”, banalitete të interesit të përgjithshëm të shtetit, emocione kombëtare dhe fetare dhe ato që nuk përbëjnë fakte reale historike.
Dy shembuj të tjerë tregojnë se një tjetër ideologji fshihet pas “çlirimit”. Një është monumenti i Dragoljub Mihailloviqit, udhëheqësi i lëvizjes çetnike në Ravna Gora, që mori njohje shtesë në maj 2018 pas vizitës së oficerëve dhe ushtarëve Ushtrisë Serbe. Ministria e Mbrojtjes e mohoi vizitën. Tjetri është monumenti i Jasha Tomiqit ngritur në qendër të Novi Sadit në 2006, kur kryetare e komunës ishte Maja Gojkoviq, asokohe zyrtare e Partisë Radikale Serbe. Jasha Tomiq është një figurë historike, që ndër të tjera njihet se ka marrë pjesë në aleancën e Vojvodinës me Serbinë, përkatësisht Mbretërinë e SKS. Ai ishte një anti-semit i njohur..
Në betejën ndërmjet “çlirimtarëve” dhe të “mundurve”, produkt i “Ligjit për Memoriale të Luftës”, kujtesa e viktimave të civile të luftës zhduket. Prandaj, memoriali për civilët e rrëmbyer dhe të vrarë në Prijepolje dhe Sjeverin, krijuar për të përkujtuar vuajtjet e tyre dhe për të shërbyer si paralajmërim për qytetarët e Serbisë që e kryen këtë krim, është në listë për t’u shkatërruar. Edhe shenjimi i skenave të krimit (Hrtkovci, Kukujevci), vendeve të burgimit (Stajiqevo, Begejci), varrezat masive (Rudnica, Petrovo Sello, Peruqac, Batajnica), vendeve të torturave (Shljivovica, Mitrovo polje) dhe vrasjeve brenda territorit të Serbisë janë të paligjshme sipas ligjit të ri, sepse kërcënojnë “sovranitetin, integritetin territorial, totalitetin dhe pavarësinë dhe lirinë e Republikës së Serbisë”.
Me një ligj të tillë në fuqi, kush do të guxonte të kërkonte apo të niste ndërtimin e një monumenti për më shumë se 700 kufomat e shqiptarëve të Kosovës që u fshehën për dy vjet në Batajnicë nga shteti? Nëse nuk ka monument, nuk ka krim, po të shprehemi si Obrad Stevanoviqi, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë i përfshirë në operacionin sekret nga Kosova.
Nëntë muaj pasi Ligji hyri në fuqi, ende nuk ka informacion për shkatërrimin e monumenteve të lartpërmendura apo ndalimin e nismave ekzistuese për të reja. Ende nuk ka në dispozicion dëshmi publike edhe pse Ministria kompetente është dashur ta përfundojë këtë deri në fund të 2018 duke përdorur të dhënat nga qeveritë lokale: për numrin dhe statusin e memorialeve të luftës, nuk ka progres as për planin ambicioz për të mbledhur të dhëna për viktimat e “luftërave çlirimtare” (1912-1999). Ligji është joaktiv, por si të gjithë mekanizmat e tjerë ligjorë në këtë vend të ngrirë, aktivizohen vetëm me urdhër dhe për përdorim nga të fuqishmit.
Marko (Milosavljević) Milosavljeviq është politolog dhe asistent në organizatën Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Beograd. Ai është anëtar i kësaj iniciative që nga viti 2016 dhe punon në programet për edukim dhe avokim me fokus tek ballafaqimi me të kaluarën. Ai është një nga autorët dhe redaktorët e botimit “Kosovska hronologija (1974-2017)” si edhe një nga autorët e podkastit “Dva i po analitičara”.