Qasja e lirë në informacion është e drejtë e njeriut. Kjo e drejtë është me rëndësi kyçe për zhvillimin e shoqërive të hapura dhe demokratike dhe për të siguruar se qeveritë janë llogaridhënëse para qytetarëve të vet. Me këtë instrument të fuqishëm, që është shtyllë kryesore e shoqërive të zhvilluara demokratike, qytetarët mund të shohin se si shpenzohet paraja publike, a e respektojnë ligjin institucionet publike dhe a kanë abuzuar zyrtarët publikë dhe shërbyesit civilë me pozitat apo autoritetin e tyre.
Në të drejtën ndërkombëtare, liria e informacionit njihet si e drejtë themelore e njeriut. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo e drejtë garantohet nga Kushtetuta dhe rregullohet me Ligjin për Qasjen e Lirë në Informacionin Publik. Ky ligj rregullon kushtet, mënyrën dhe procedurat për ushtrimin e së drejtës për qasje të lirë në informacionin publik dhe ka të bëjë me informacionin, të cilin e kanë autoritetet shtetërore, organet komunale, institucionet e shërbimit publik dhe organe, organizata të tjera, si dhe persona juridikë dhe fizikë që ushtrojnë autoritet publik, ashtu si e përcakton ligji.
E drejta për qasje të lirë në informacion publik është në dispozicion të të gjithë personave juridikë dhe fizikë. Ligji parasheh tre kanale përmes, të cilëve personat mund të kërkojnë qasje në informacionin publik: gojarisht, me shkrim (me letër) dhe elektronikisht. Ligji deklaron qartë se personi që kërkon informacion nuk është i detyruar të shpjegojë pse ka nevojë për informacionin e kërkuar dhe askush nuk duhet t’i kërkojë personit që ta shpjegojë kërkesën.
Në trembëdhjetë vitet që nga miratimi i Ligjit për Qasje të Lirë në Informacionin Publik ka patur përmirësim të dukshën në reagimin e institucioneve dhe zyrtarëve publikë për të ndarë informacionin e kërkuar, si dhe rritje të ushtrimit të së drejtës për qasje në informacion publik. Megjithatë, qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, entitetet ligjore dhe gazetarët përballen me pengesa kur kërkojnë dhe i qasen informacionit publik dhe ka sfida që i pengojnë personat dhe institucionet ta ushtrojnë këtë të drejtë plotësisht.
Ka patur rritje të dukshme në të qenurit të hapur dhe të kuptuarit të detyrimit për të dhënë qasje në informacion publik nga një përqindje në rritje e institucioneve publike, sikurse dëshmohet nga emërimi i personave kontaktues. Sidoqoftë, ligji ende nuk zbatohet në mënyrë të konsistente dhe institucionet ende nuk janë tërësisht transparente, gjë që kufizon dhe pengon rrjedhën e informacionit.
Procedurat për t’iu qasur informacionit publik ende janë tejet të ndërlikuara dhe institucionet publike e dinë si të shfrtëzojnë ambiguitetet ligjore për të shmangur përmbushjen e detyrës së tyre që t’u përgjigjen me efikasitet kërkesave për të dhëna të hollësishme dhe të sakta dhe për informacion. Institucionet dhe zyrtarët publikë shpesh ende i konsiderojnë kërkesat për qasje në informacion publik si “përzierje” në punën e tyre të përditshme ose si mënurë për të “humbur dhe tretur” kohën e tyre dhe jo si kërkesë ligjore dhe si detyrim ligjor. Shpesh ndodh që zyrtarët apo institucionet publike nuk e shpalosin informacionin mbi bazën se nuk e kanë atë informacion, kur në fakt ata i detyron ligji që ta kenë atë informacion dhe ta shpalosin sipas kërkesës. Këto raste demonstrojnë shpërfillje të detyrës së tyre për të mbledhur, sistematizuar dhe azhurnuar informacion dhe të dhëna që ligjërisht duhet të jenë në dispozicion të publikut. Po ashtu, disa të dhëna dhe dokumente klasifikohen si konfidenciale pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm, gjë që mund të perceptohet si keqpërdorim i përjashtimeve dhe zbrazëtirave ligjore.
Qytetarët ende kanë njohuri të pamjaftueshme sa i përket të drejtave të tyre me ligj dhe të procedurave për të marrë informacion publik. Një problem i posaçëm lidhur me zbatimin në praktikë të ligjit është se procedurat e kërkuara për të siguruar informacion nga institucionet publike mbeten tejet të ndërlikuara dhe që kërkojnë mjaft kohë. Qytetarët pretendojnë se ata e dinë që nuk do ta marrin informacionin e kërkuar pa vështirësi dhe se nuk duan të humbasin kohë me procedura administrative që mund të mos sjellin rezultat me kohë. Për ta, të presësh deri në 30 ditë për një përgjigje të parë nga zyrtarët, ndoshta e pasuar nga një periudhë pritjeje për vlerësimin e parashtresës apo ankesës, është kohë e humbur. Procesi i sigurimit të qasjes së duhur në informacion publik kërkon komunikim të shpejtë dhe efektiv.
Edhe pse Ligji për Qasje të Lirë në Informacionin Publik parasheh transparencën reaktive (dhënie të informacionit si përgjigje ndaj kërkesave), institucionet duhet gjithashtu të demonstrojnë transparencë proaktive, duke publikuar rregullisht online informacion dhe të dhëna. Vetëm një përqindje e vogël e institucioneve publikojnë rregullisht online informacion për programet dhe buxhetet e tyre. Për më tepër, informacioni në dispozicion të publikut shpesh paraqitet në mënyrë jo të kuptueshme.
Një hap pozitiv drejt rritjes së transparencës nga ana e qeverisë është që ministrive u kërkohet të publikojnë online buxhetet e tyre bazë dhe dokumentat e programeve, si dhe të përgatisin dhe miratojnë strategji për transparencë të veprimtarisë. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë qasje të unifikuar nga ana e ministrive dhe dokumentet e lartpërmendur, mund të gjenden në seksione të ndryshme të uebfaqeve të tyre.
Të dhënat tregojnë se OJQ-të paraqesin numrin më të lartë të kërkesave për informacion publik, pasuar nga qytetarët si persona fizikë dhe më pas gazetarët. Sipas një raporti të vitit 2018 nga Komisioni për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, institucionet shtetërore (sidomos kuvendi parlamentar) marrin numrin më të madh të kërkesave për Liri të Informacionit, pasuar nga komunat, gjykatat, ndërmarrjet dhe institucionet publike dhe institucionet shëndetësore. Në vitin 2018, numri i qytetarëve që kanë bërë parashtresa zyrtare pranë Komisionit është rritur. Mospërgjigjja ndaj kërkesave ishte arsyeja numër një për parashtresat zyrtare dhe një përqindje e lartë e parashtresave rezultoi në konkludime pozitive për ata që kishin kërkuar informacion.
Edhe pse ka patur ndryshime pozitive sa i përket transparencës institucionale dhe qasjes në informacionin publik, ka ende hapësirë për përmirësim sa i përket zbatimit në praktikë të ligjit, thjeshtimit të procedurave për të kërkuar informacion dhe transparencës proaktive.
Shpalosja me kohë e informacionit është esenciale për të rritur transparencën e institucioneve. Vënia në zbatim e dënimeve më të rrepta për zyrtarë publikë që nuk reagojnë ndaj kërkesave për informacion në përputhje me afatet ligjore do të ishte mënyrë efektive për të përmirësuar respektimin e ligjit dhe transparencën reaktive. Nëse institucionet publike zotohen që ta publikojnë online informacionin, ku jepet qasje, qytetarët, shoqëria civile dhe gazetarët mund të jenë të informuar pa qenë nevoja të përfshihen në procedura të ndërlikuara ose të stërzgjatura administrative për t’iu qasur informacionit.
Për fund, hapja dhe transparenca më e madhe i fuqizon institucionet, gjë që në fund të fundit rezulton me qytetarë më të kënaqur.
Dushica Nofitoska është juriste, e cila e ka kaluar provimin e jurisprudencës dhe ka përfunduar studimet e masterit për të Drejtë Ndërkombëtare dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Aktualisht punon pranë Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë.
Foto: Shoqata eJuristëve të Rinj Maqedonas