Burimi: Independent
Maqedonia është një vend i varfër me institucione të dobëta, pa traditë të demokracisë dhe me një trashëgimi të pakënaqësive etnike – dhe tani, është lënë vetëm që t’ia dalë mbanë në një botë të rrezikshme.
Një vend i vogël i Ballkanit është në gjendje krize. Ne Maqedoni, gjërat po bëhen serioze. Nëse vendi zhytet në kaos të mëtejshëm dhe ngjarjet po ecin në atë drejtim me shpejtësi, atëherë jo vetëm e ardhmja e tij si demokraci që funksionon është në rrezik, por edhe vetë integriteti i shtetit rrrezikohet.
Në një anë, kriza është normale në Maqedoni. Që nga dalja e saj prej rrënojave të Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, vendi është munduar të shndërrohet në një shtet funksional brenda një rajoni të vështirë në botë. Greqia fqinje e ka hedhur poshtë të drejtën e Maqedonisë që të përdorë emërtimin e saj kushtetues; Bullgaria ka kundërshtuar pretendimet e saj për një identitet kombëtar të ndarë dhe Serbia ka mohuar të drejtën e Maqedonisë për një kishë autoqefale.
Edhe më keq, Maqedonia është e ndarë si me thikë ndërmjet popullatës së saj shumicë sllave, që njihen si maqedonas, dhe një minoriteti të madh shqiptar, që përbën një të tretën e popullsisë. Në vitin 2001, dy vjet pasi shqiptarët në Kosovën fqinje arritën me sukses të shkëputen nga Serbia, shqiptarët e Maqedonisë filluan revoltën e tyre. Të alarmuar nga pasojat për stabilitetin në rajon, Perëndimi ndërhyri menjëherë dhe imponoi në marrëveshje ku shqiptarët hoqën dorë nga planet për ndarje në këmbim të më shumë të drejtave politike.
Që atëherë, Maqedonia pothuajse është harruar nga Perëndimi. Formalisht, vendi është kandidat për anëtar në BE, mirëpo rrugën ia ka zënë Greqia, ndërsa Bullgaria ndryshon qëndrimet herë pas here. E njëjta vlen edhe për anëtarësinë e saj në NATO. Për rrjedhojë, një vend i varfër me institucione të dobëta, pa traditë të demokracisë apo tregje dhe me një trashëgimi të pakënaqësive etnike është lënë t’ia dalë mbanë vetë në një botë gjithnjë e më të rrezikshme.
Pavarësisht sfidave të shumta, u duk se Maqedonia po bënte përparime për pjesën më të madhe të dekadës së fundit. Organizata e Brendshme e Revolucionit Maqedonas (VMRO), e udhëhequr nga një reformator i ri, Nikola Gruevski, fitoi pushtetin nga ish-komunistët dhe nisi rindërtimin kapital të mjedisit të investimeve, duke gjeneruar nivele impresionuese të rritjes ekonomike. Ndërkohë, ish-udhëheqësit e rebelëve shqiptarë, që më vonë u shndërruan në një parti politike të quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), morën pozita në koalicion me VMRO-në, duke siguruar stabilitet të gjerë politik.
Mirëpo pas kësaj fasade pozitive, sistemi tradicional i Maqedonisë i bazuar në patronazh, që ia nënshtron sundimin e ligjit pushtetit politik, nuk ndryshoi. Kjo u bë haptazi e qartë në shkurt të vitit të kaluar kur udhëheqësi i opozitës politike Zoran Zaev njoftoi se posedonte me mijëra biseda telefonike të regjistruara që shpalosnin korrupsionin, mashtrimet zgjedhore dhe kriminalitet të pastër në nivelet më të larta të qeverisë.
Provat sugjerojnë se regjistrimet e bisedave janë bërë nga shërbimet lokale të inteligjencës në kuadër të një operacioni masiv të spiunazhit të udhëhequr nga Gruevski, i cili donte të dinte me saktësi se çfarë po ndodhte në vend: me opozitën, në qarqet e biznesit dhe në vetë kabinetin e tij. Kjo jo vetëm që e ndihmoi të mbajë pushtetin, por i dha dhe avantazh konkurrues në shumëllojshmërinë e punëve të tij. Eventualisht, një paralajmërues nga brenda shërbimit të inteligjencës vendosi se ishte bërë mjaft dhe regjistrimet ia kaloi opozitës politike.
Në javët që pasuan, Zaev filloi me lëshimin e regjistrimeve përmes një sërë konfeencash për shtyp të profilit të lartë, duke kërkuar gjatë të gjithë kohës që qeveria ta lëshonte pushtetin. Reagimi fillestar i Gruevskit ishte që të pretendonte se regjistrimet ishin fabrikuar dhe, disi në mënyrë kundërthënëse, të akuzonte Zaevin për tradhëti dhe bashkëpunim me një shërbim të huaj të inteligjencës që po komplotonte rrëzimin e qeverisë dhe destablizimin e Maqedonisë.
Ndërsa presioni kundër Gruevskit rritej, ai si duket bashkëpunoi me partnerët shqiptarë të koalicionit për të shkaktuar një incident sigurie në qytezën kufitare të Kumanovës ku një grup i paramilitarëve shqiptarë etnik, shumë prej tyre nga Kosova, iu kundërvunë policisë maqedonase. Në të shtënat që pasuan, u vranë nëtëmbëdhjetë vetë.
Edhe pse synimi ishte që vëmendja e publikut të largohej nga skandali i thellë i korrpsionit, ndodhi e kundërta, pasi mijëra vetë dolën nëpër rrugë duke kërkuar që qeveria të jepte dorëheqjen – jo vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët etnikë që i sulmuan udhëheqësit e tyre për tradhëti të përpjekjeve kombëtare për dinjitet dhe të drejta.
Kur disa nga këto protesta u bënë të dhunshme, më në fund BE-ja e shqetësuar u riangazhua me Maqedoninë për të arritur një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Rezultati ishte Marrëveshja e Przhinos, që u nënshkrua në korrik të vitit të kaluar dhe që përcaktonte modelin për t’i dhënë fund krizës.
Çelësi ishin zgjedhjet e hershme, fillimisht të caktuara për prill këtë vit. Para këtyre, qeveria u pajtua të krijojë një administratë të përkohshme që do të përfshinte edhe opozitën politike dhe Gruevski të largohej nga posti i kryeministrit. Gjithashtu qeveria u pajtua që të spastronte listat zgjedhore të Maqedonisë, që përmbanin mijëra mbështetës fantazmë të VMRO-së dhe BDI-së dhe t’i jepte opozitës qasje të barabartë në median shtetërore.
Paralelisht, BE-ja kërkoi caktimin e një Prokurori Special që të hetonte provat në regjistrimet e publikuara.
Przhino bleu disa muaj qetësie, mirëpo pak progres të vërtetë. Së pari, qeveria nuk i ndryshoi listat zgjedhore apo hapjen e medias duke shtyrë zgjedhjet për në qershor. Pastaj i ndërpreu kontaktet me ndërmjetësuesin e paefektshëm në terren të BE-së. Si kundërpërgjigje, Zaev dhe pjesa tjetër e opozitës shpallën bojkotimin e zgjedhjeve, duke pretenduar se pengesat nga qeveria e bënin të padrejtë garimin.
Tani që topi ishte në fushën e qeverisë, Presidenti i Maqedonisë, që kryesisht shihej si palaço i qeverisë, muajin e kaluar përdori autoritetin e tij për të falur të gjithë ata që ishin nën hetime nga Prokurorja Speciale, duke ia penguar asaj përpjekjet për të zbatuar sundimin e ligjit. Edhe njëherë, popullata e zemëruar u rikthye nëpër rrugë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe të presidentit në atë që tani quhet Revolucioni Shumëngjyrësh. Ndërkohë, duke ndjerë rrjedhën e ngjarjeve, BDI shpalli se do t’i bashkhej opozitës me bojkotin e zgjedhjeve.
Ndërsa Maqedonia drejtohej nga zgjedhjet me vetëm një parti në garë, diplomatët evropianë intensifikuan presionin e tyre mbi vend. BE-ja paralajmëroi se nuk do ta njihte qeverinë e zgjedhur pas votimit me të meta. Ndërsa Gjermania, partneri kryesor i tregtisë për Maqedoninë, dërgoi ndërmjetësuesin e vet për të ushtruar presion tek vendorët, duke nisur me ndalimin e zgjedhjeve të rreme.
U duk se këto përpjekje patën rezultat. Pas diskutimeve më ndërmjetësuesin gjerman, BDI shfrytëzoi autoritetin e vet për t’i dërguar kërkesë Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë që të anulonte zgjedhjet. Javën e kaluar, Gjykata mori vendimin se zgjedhjet shumëpartiake me vetëm një parti vërtet do të ishin jokushtetuese dhe anuloi votimin.
Deri tani, mirë. Por ajo që do të ndodhë më pas është pyetje e hapur.
Në skenarin më të mirë, VMRO do t’i përkulet presionit të popullit dhe atij ndërkombëtar dhe t’ia japë kontrollin një administrate teknokratike që ka krijuar kushtet për zgjedhjet e lira dhe të drejta më vonë këtë vit. Nga ana e tij, edhe presidenti do të tërheqë faljen e tij dhe do të lejojë vazhdimin e proceseve të duhura gjyqësore. Pas tranzicionit drejt një qeverie pas-Gruesvski dhe ardhjes së figurave të reja politike, BE-ja dhe SHBA-të do të kërkojnë që Greqia që largojë bllokadën e saj 25-vjeçare dhe të vendosin Maqedoninë në rrugën drejt integrimit me perëndimin.
Mirëpo gjërat mund të mos shkojnë kaq mirë. Së pari, nuk ka gjasa që Gruevski të heqë dorë nga pushteti me vullnet të lirë, aq më tepër tani që ka fituar momentum. Ndërkohë që pezullimi i zgjedhjeve është një fitore sipërfaqësore për kushtetutën, kjo gjë në fakt lë VMRO-në në pushtet dhe të lirë nga çdo sfidë zgjedhore.
Edhe më mirë, pas votimit në parlament këtë javë, VMRO dhe BDI kanë shfrytëzuar shumicën e tyre për të përjashtuar ministrat e mbetur të opozitës nga qeveria, duke i dhënë fund në mënyrë efektive administratës së përkohshme dhe duke rikthyer koalicionin e vjetër. Më tutje, Gruevski mund të mbështetet vetëm një grup i mbështetësve që varen nga mbijetesa e partisë për punët dhe jetesën e tyre, që të dalin nëpër rrugë dhe të përballen me protestuesit e opozitës.
Me pak fjalë, ajo çka i duhet që të arrijë qëllimet e tij është të ruajë status quo-në.
Potencialisht, BE-ja do ta rrisë presionin ndaj Gruevskit. Në pak javët e fundit, disa evropianë kanë kërcënuar VMRO-në me sanksione në përpjekje për ta detyruar të respektojë kushtet e Przhinos. Mirëpo nuk është e qartë nëse do të ketë pajtim për këtë ndërmjet evropianëve qendrorë të cilët kanë nevojë për Maqedoninë në njërën anë që të sigurojnë mbylljen e rrugës ballkanike të migrimit.
Edhe nëse BE-ja e sanksionon qeverinë, efekti thjesht mund të jetë shtyrja drejt një marrëdhënieje më të afërt me Rusinë, që do të ngazëllehej nga mundësia për ta zgjeruar ndikimin në fushëbetejën strategjike të Ballkanit.
E gjitha kjo krijon mundësi të paprecedenta për BDI-në dhe shqiptarët. Ashtu si qëndrojnë punët, VMRO-ja mbetet në pushtet dhe koalicioni mbetet i paprekur, mirëpo vetëm falë kërkesës së BDI-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe pezullimit të zgjedhjeve që vijoi.
Tani, BDI-ja ka thënë se kërkon diçka në këmbim dhe ajo diçka ka shumë gjasa të jetë federalizimi i Maqedonisë. Kjo gjë jo vetëm është shfaqur si kërkesë kryesore e shqiptarëve etnikë që duan të sigurojnë të drejtat e tyre, por realizimi i këtij qëllimi do të ndihmonte me ripërtëritjen e popullaritetit në rënie të BDI-së.
Kjo rrezikon që të transferojë atë që deri tani ishte krizë e qeverisjes në një krizë të shtetit. Shqiptarët do të përpiqen të negociojnë federalizimin me VMRO-në me kërcënimin se do të tërhiqen nga qeveria, duke ia dëmtuar kështu shumicën parlamentare dhe duke përshpejtuar zgjedhjet e reja. Por nëse VMRO refuzon të pranojë këtë kërkesë për shkak të reagimit nga nacionalistët maqedonas, atëherë BDI mund të largohet nga qeveria gjithsesi duke sjellë kështu fundin e ndarjes së pushtetit etnik dhe duke krijuar një ndarje de facto në vend përgjatë vijave etnike.
Është për t’u shqetësuar se ngjarjet në Maqedoni po zhvillohen në të njëjtën kohë kur Kosova fqinje është në një gjendje të trazirave të thella politike pas marrëveshjes së arritur nga BE-ja vitin e kaluar që ngjashëm e ndan vendin sipas vijave etnike. Me shqiptarët në të dy anët e kufirit poroz që negociojnë çështje të territorit dhe të qeverisjes, vetëm një optimist do të mendonte se këto dy skenarë nuk do të bashkohen.
Mënyra për të dalë nga kriza nuk është aspak e qartë dhe çështjet do të përkeqësohen para se të përmirësohen. Shpresa duhet të jetë se nuk është shumë vonë për ta ndaluar daljen tërësisht jashtë kontrollit të Maqedonisë.
Timothi Les (Timothy Less) është Drejtor i Nova Europa, konsulencë për rreziqe politike dhe Hulumtues i Asociuar pranë Forumit për Gjeopolitikë të Universitetit të Kembrixhit.