Kanë kaluar më shumë se tre vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës që i dha fund mosmarrëveshjes 25-vjeçare ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe që kishte prishur për dekada të tëra marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet këtyre dy fqinjëve. Maqedonia u bë zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia e hoqi bllokadën për anëtarësinë e Maqedonisë në NATO, ratifikoi protokollin dhe si rezultat, vendi tani është anëtar i Aleancës së Veriut Atlantik prej dy vjetësh.
Periudha fillestare e entuziazmit për vënien në zbatim të Marrëveshjes së Prespës u karakterizua nga miratimi dhe përkrahja e fuqishme ndërkombëtare dhe mbulimi i gjerë i kësaj çështjeje nga media ndërkombëtare. Një pjesë e publikut ndërkombëtar dhe vendor menjëherë e vlerësuan këtë marrëveshje si: “Marrëveshje historike, një fitore e arsyes mbi nacionalizmin, një shembull i kurajos dhe vizionit politik”. Gjatë kësaj periudhe, të dy qeveritë organizuan një sërë takimesh dypalëshe. Ata nënshkruan memorandume dhe marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme brenda më pak se dy muajsh pas ratifikimit të Marrëveshjes.
Kjo periudhë fillestare e zbatimit me entuziazëm të marrëveshjes dypalëshe u pasua nga dështimi në vitin 2019 i Këshillit Evropian për të filluar negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, gjë që rastisi me zgjedhjet parlamentare në Greqi në korrik 2019, dy çaste këto që ndryshuan kontekstin e përgjithshëm, duke ndikuar tek ritmi i zbatimit.
Në Maqedoninë e Veriut, Qeveria e Zoran Zaevit mbeti e përkushtuar ndaj zbatimit të asaj që konsiderohej si suksesi më i madh i politikës së jashtme që zhbllokoi hyrjen në NATO dhe në BE. Mirëpo pashmangshmërisht, ajo u bë më pak entuziaste pas zhgënjimit në qershor dhe sidomos në tetor, kur shtetet anëtare të BE-së nuk e arritën unanimitetin për të hapur bisedimet me Maqedoninë e Veriut për hyrje, ndërkohë që vetoja e Francës nxiti frustrime të tjera me zbatimin e marrëveshjes. Ky zhvillim shkaktoi zhgënjim në radhët e publikut, që ndërkohë kishte shprehur kritika për ritmin e ngadaltë të zbatimit të Marrëveshjes nga ana greke si dhe për përkushtimin e tepruar nga ana e qeverisë për t’ia bërë qejfin palës greke dhe komunitetit ndërkombëtar, që po tregohej konsiderueshëm selektiv se cilat pjesë të marrëveshjes zbatonte. Publiku e qortoi Qeverinë se në “ekstazën” e marrëveshjes, harroi të zgjidhte problemet e vendit.
Riemërtimi dhe përshtatja e Qeverisë në Greqi me kushtet e politikës dhe zotimeve të reja në lidhje me Maqedoninë e Verut nuk ishin mjaftueshëm të shtruara. Përkundrazi, qeveria e udhëhequr nga Demokracia e Re ishte mjaft nervoze dhe aspak rehat në shumë raste, përfshirë edhe gjatë takimeve dypalëshe të nivelit të lartë, sidomos sa i përkiste zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Pati shumë zvarritje me zbatimin e detyrimeve të palës greke në shumë sfera, si miratimi i marrëveshjeve dypalëshe, caktimi i anëtarëve të rinj në Komitetin Ndërdisiplinor për Librat Shkollorë, riaktivizimi i Grupit të Ekspertëve për Markën Tregtare etj. Qeveria e udhëhequr nga Demokracia e Re në Greqi, që gradualisht mori një qëndrim më pozitiv ndaj Marrëveshjes se sa kur kishte qenë në opozitë, ende ishte e kujdesshme sa i përkiste zbatimit në krahasim me paraardhësit e saj.
Kur është fjala për gjendjen dhe mendimet e publikut nga të dyja vendet lidhur me Marrëveshjen e Prespës, është ende temë e ndjeshme dhe “e vështirë për t’u kapërdirë” për shumë qytetarë në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi. Publiku në të dyja vendet ende është i ndarë sa i përket perspektivës së Marrëveshjes së Prespës dhe të efekteve të saj mbi jetën politike dhe shoqërore në vendet e tyre. Edhe pse shumë qytetarë në të dyja vendet e pranojnë dhe i njohin të mirat që vijnë nga zgjidhja e kontestit për enrin, shumë ende kanë pikëpamje negative dhe refuzuese ndaj Marrëveshjes së Prespës.
Hulumtimi i kohëve të fundit[1] nga Programi i Evropës Juglindore të ELIAMEP-it në bashkëpunim me ‘Societas Civilis’ Demokraci nga Shkupi rreth opinionit publik në Maqedoninë e Veriut dhe në Greqi lidhur me perspektivat e Marrëveshjes së Prespës tregon se në shumicën e rasteve, të dy publikët kanë të njëjtat pikëpamje për disa çështje dhe të kuptuar të ngjashëm (në disa raste identik) se cila është rruga përpara dhe ç’duhet bërë më tutje. Në Greqi, 57% e të anketuarve janë pajtuar se Marrëveshja ishte kompromis që duhej bërë në krahasim me 47% të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut që kishin të njëjtën mendje. Pikëpamja mbizotëruese është se Maqedonia e Veriut ka bërë më shumë sakrifica në krahasim me Greqinë. Në të njëjtën kohë, përqindje pothuajse identike të publikut në të dyja vendet besojnë se marrëveshja minon interesat kombëtare të vendeve të tyre (48% kundrejt 47%).
Mirëpo, shumica e qytetarëve në të dyja vendet e pranojnë rëndësinë e dhënies fund të kontestit prej disa dekadash dhe e pranojnë se zgjidhja e tij ishte kompromis që duhej bërë. Shumica e publikut maqedonas dhe grek mbështesin idenë se Marrëveshja e Prespës e ka fuqizuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe, edhe pse ende ka ankesa dhe kundërshtime, nevoja për marrëveshje sërish kuptohet.
Çfarë është zbatuar?
Ishte më se e qartë se zbatimi i marrëveshjes nuk do të ishte një proces i shpejtë dhe “pa dhimbje”; dhe se do të duhen kohë dhe përpjekje, shumë vullnet politik, por edhe takt dhe urtësi që publikut t’i “paraqiten” ndryshime. Dinamikat e zbatimit, duke patur parasysh ndryshimet, rrethanat dhe prioritetet (çështje të brendshme dhe probleme, pandemia COVID-19) në të dyja vendet mund të vlerësohen si të kënaqshme, duke theksuar se zbatimi nuk ka nevojë të ketë të njëjtin intensitet në të dyja vendet dhe se Greqia ende është më inerte në plotësimin e detyrimeve që ka marrë përsipër, pavarësisht “zellit” të palës maqedonase për të kënaqur dhe përmbushur gjithçka që është përshkruar.
Greqia ka përmbushur pjesën më thelbësore të marrëveshjes: përkrahjen për anëtarësi në NATO dhe përkrahje për hyrje në BE. Përkatësisht, Maqedonia u bë zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia e hoqi bllokadën ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, ratifikoi protokollin dhe për më shumë se një vit e gjysëm, vendi është anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe memorandume të ndryshme. Zyrat ndërlidhëse në Shkup dhe Athinë, që ishin në atë nivel që nga pavarësia e vendit për shkak të kontestit rreth emrit, shumë shpejt u ngritën në nivel të ambasadave nga të dy vendet.
Pavarësisht ndryshimit të emrit, pala maqedonase i zëvendësoi të gjitha tabelat dhe shenjat ku shkruhej Republika e Maqedonisë. Tek monumentet që paraqisnin heronj, të cilët, sikurse thuhet në Traktat, “i referohen historisë dhe qytetërimit të lashtë helen” u vendosën pllaka me shpjegime dhe simboli i diellit të Vergjinës u largua, ashtu si thuhej në të njëjtin tekst. Vendi ndryshoi emërtimet e shumicës së institucioneve dhe organizatave shtetërore (muzeumëve, televizionit kombëtar, institucioneve të artit etj.), si dhe emërtimet e disa rrugëve. Ndryshimi i dokumentave personale me emrit kushtetues është në rrugë e sipër, një proces ky që sipas marrëveshjes duhet të përfundojë deri në vitin 2024.
Nga ana tjetër, Greqia ende nuk i ka ndryshuar shenjat e trafikut dhe tabelat dhe ende duhet t’i ratifikojë memorandumet e vitit 2019, që i referohen bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dy vendeve, përshpejtimit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të kontrollit të trafikut ajror. Çështjet që kanë të bëjnë me markat tregtare dhe emrat tregtarë ende janë të hapura, sikurse dhe çështjet që duhet të adresohen nga Komisioni për Arsim.
E ardhmja e Marrëveshjes së Prespës?
Palët janë pajtuar solemnisht që Marrëveshja e Prespës të “qëndrojë në fuqi pambarimisht” dhe të jetë e parevokueshme, në pritje në amendamentit të Nenit 1 (3) në lidhje me emërtimin e ri (Neni 20 (9) të Marrëveshjes së Prespës), gjuhë kjo e guximshme, por që ende bart më shumë kontekst politik dhe kontekst të vullnetit dhe interesit politik dhe më pak efekt juridik. E vërteta është se ligjërisht, kjo marrëveshje, ashtu si çdo marrëveshje tjetër, mund të ndërpritet në çdo kohë. Mirëpo, ngrihet pyetja nëse është në interes të cilësdo palë që të vendosë të ndërmarrë një hap të tillë pas kaq vitesh të kaluar në kontest, negociata dhe pas aq përpjekjeve për ta zgjidhur këtë çështje. Këtu mund të shtohen përpjekjet dhe ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe bashkësia ndërkombëtare gjithnjë do të ushtrojë presion kur është fjala për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja shpeshherë vihet në pikëpyetje në kontekst të pajtueshmërisë së saj me të drejtën ndërkombëtare. Tre parimet bazë që janë shkelur gjatë përfundimit të Marrëveshjes së Prespës janë vënë në pah, përkatësisht: parimi i të drejtave të barabarta dhe vetëvendosjes së popujve, parimi i barazisë sovrane të shteteve dhe parimi i ndalimit të ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve. Këto janë parime themelore me karakter Jus cogens. Ka edhe mendime që kjo marrëveshje bie ndesh me Nenin 53 të Konventës së Vienës për Ligjin e Traktateve të vitit 1969, sipas të cilës marrëveshjet që bien ndesh me normat e Jus cogens janë të pavlefshme që nga fillimi.
Përgjatë viteve, është dëshmuar se ligji është në njërën anë dhe politika e diplomacia janë në anën e kundërt. Shpeshherë, mbizotëron ana e politikës dhe e diplomacisë, në dëm të ligjit. Në disa raste, mund të jetë zgjidhje e arsyeshme dhe e vetmja mënyrë për të arritur të mirën e përgjithshme dhe kuptimin në të ardhmen është të braktiset forma dhe fokusi për të arritur thelbin. Mbetet për të parë nëse edhe ky rast është i tillë.
Se cila do të jetë e ardhmja e Marrëveshjes së Prespës mbetet për t’u parë. Marrëveshjet, ashtu si edhe marrëdhëniet ndërmjet dy palëve, janë procese të gjalla; ato kanë uljet dhe ngritjet e tyre, variacione në intensitetin e tyre dhe i nënshtrohen ndikimeve dhe varen nga rrethanat e krijuara. Është me rëndësi të ketë arsye, mirëkuptim dhe kuptim kur është fjala për të gjitha problemet dhe sfidat dhe rrethanat e reja me të cilat mund të përballet kjo marrëveshje, dhe urtësi për t’i zgjidhur ato, sigurisht nëse mund të zgjidhen dhe natyrisht, jo me çdo kusht.
Dushica Nofitoska është juriste, e cila e ka kaluar provimin e jurisprudencës dhe ka përfunduar studimet e masterit për të Drejtë Ndërkombëtare dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Aktualisht punon pranë Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë
[1] https://idscs.org.mk/wp-content/uploads/2021/06/The-Prospects-of-the-Prespa-Agreement-Public-perceptions-in-North-Macedonia-and-Greece-FINAL.pdf