Foto: Katerina Smileva
Dilema nëse ndikimi i medias online është më shumë pozitiv apo negativ do të na përcjellë për sa kohë të ekzistojnë këto platforma. Është fakt se Facebook-u, Twitter-i, Instagram-i dhe rrjetet e tjera sociale na kanë ndryshuar jetët. Ato kanë ndryshuar se si raportojmë dhe shpërndarjmë informacionin. Nga njëra anë, kjo është pozitive, sepse tani informacionin mund ta shpërndajmë më shpejt dhe të kemi më shumë hapësirë për të shprehur lirshëm opinione të ndryshme. Nga ana tjetër, ka pasoja negative, që nuk duhen nënvlerësuar.
Në Maqedoni, grupet e margjinalizuara, si romët, përjetojnë ndikimin negativ më të dukshëm të medias online. “Liria e shprehjes” totale është e hapur për abuzime. Jo të gjithë e kuptojnë se “liria e shprehjes” nuk nënkupton “liri për të përhapur gjuhë të urrejtjes”. Dhe vija ndarëse ndërmjet këtyre të dyjave duket të jetë e vështirë të kuptohet këtu.
Romët, si ndër grupet pakicë më të sigmatizuara në Maqedoni, shpesh janë shënjestër e kësaj “lirie të shprehjes”. Në këtë vend, paragjykimet ndaj romëve janë “të dashura” për shoqërinë mbizotëruese dhe kështu ka qenë për dhjetëvjeçarë të tërë, duke u trashëguar nga brezi në brez. Këto besime janë kaq thellë të rrënjosura në shoqëri saqë janë bërë pjesë e rritjes së fëmijëve, duke u përdorur për t’u ngulitur frikën si formë e disiplinës. Për të mos përforcuar stereotipe dhe paragjykime të tilla, unë nuk do të jap shembuj.
Natyrisht, stereotipet dhe paragjykimet që bartim në jetën tonë të përditshme transferohen edhe në jetët tona virtuale: përmes medias sociale. Ato shpërfaqen si komente abuzive dhe fyese, si deklarata diskriminuese dhe si gjuhë e urrejtjes.
Sikur gjuha e urrejtjes në media sociale nga individët të mos mjaftonte, ajo është normalizuar aq shumë saqë portalet e medias online i përforcojnë këto stereotipe. Duke qenë se në Maqedoni, media digjitale dhe sociale ende nuk janë të rregulluara, në hapësirën online ekziston kaos i vërtetë. Përmbajtja diskriminuese dhe gjuha e urrejtjes përhapen “legjitimisht” nga shumica e “medias” joprofesionale.
Po ju sjell një shembull “të lehtë” të diskriminimit që haset nëpër portale. Nëse ndonjë pjesëtar i komuniteteve më të mëdha etnike kryen një krim, kryetitulli lexon: Ngrihen akuza penale kundër hajdutit të stolive. Mirëpo, nëse këtë vepër penale e kryen ndonjë rom, atëherë kryetitulli lexon: Ngrihen akuza penale kundër hajdutit rom të stolive. Ky është shembull i qartë i stereotipizimit dhe diskriminimit: të theksosh etninë me konotacione negative. Komunitet rom veçse përballet me shumë diskriminim dhe media online sigurohen që paragjykimet të vazhdojnë.
Gazetarët që “raportojnë” në këtë mënyrë duket sikur nuk janë të vetëdijshëm për disinformacionin dhe stereotipet që përhapin me këtë lloj gjuhe. Prandaj, ata duhet të edukohen që të thyejnë paragjykimet e veta. Çështja kryesore është se pjesa më e madhe e platformave të medias online veprojnë në mënyrë tërësisht të parregulluar, me staf jokompetent dhe në mungesë të respektimit ndaj çdo standardi të gazetarisë profesionale.
Sidoqoftë, organet e medias online kanë potencialin të bëjnë mirë. Ata ofrojnë mundësinë për t’iu kundërvënë në kohë reale qëndrimeve diskriminuese dhe stereotipeve ndaj romëve.
Media online dhe tradicionale ndonjëherë përdoren për të paraqitur “shembuj pozitivë” të komunitetit rom, si artikuj për romë që kanë diplomuar nga universiteti dhe që janë të suksesshëm në profesionet e tyre. Këto raportime janë posaçërisht të popullarizuara në Ditën e Romëve më 8 prill. Mirëpo, ky lloj i raportimit “pozitiv” mund të ketë kahjen e gabuar. Qëllimi është i mirë, por lehtësisht mund të kthehet kundër. Në vend se të pakësojë paragjykimet, ai mund t’i theksojë. E përse duhet të jetë e çuditshme që një rom të jetë i suksesshëm në profesion, aq sa del nevoja të raportohet në lajme?
Një tjetër qasje më e nënkuptuar mund të kishte efekt më të fuqishëm, si për shembull përdorimi i qëllimshëm i deklaratave nga ekspertët romë gjatë raportimit dhe duke vepruar në këtë mënyrë, sfidohen paragjykimet dhe stereotipet. Për shembull, kur raportohet për ekonominë dhe rritjen mesatare të rrogave, një profesor ekonomie me prejardhje rome mund të japë deklarata apo opinion për këtë temë.
Në këtë mënyrë, ne nuk raportojmë se sa i suksesshëm është romi, apo se si romët mund të jenë dhe janë profesorë, por këtë e tregojmë duke marrë opinion e ekspertit nga dikush që ka qëlluar të jetë pjesëtar i komunitetit rom. Kjo e largon nevojën për të thënë “këtu po ju tregojmë se romët mund të jenë të arsimuar”, qasje kjo që i ka rrënjët tek paragjykimi.
Kjo qasje “të tregosh duke bërë” mund të jetë tërheqëse dhe të ketë ndikim më të madh në mënyrë të qetë mbi ata që vazhdimisht diskriminojnë, përqeshin dhe theksojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë stereotipet negative për romët. Është natyra njerëzore që të rezistojë kur i thuhet se “e ke gabim, po të tregoj unë se si duhet bërë”, prandaj paraqitja e shembujve mund të ketë rezultat më efektiv dhe më pozitiv.
Duke qenë se rrjetet sociale dhe platformat e medias online kanë potencialin të ndikojnë mbi shoqëritë tonë si në mënyrë pozitive, ashtu edhe negative, ose duke theksuar apo shkatërruar paragjykimet, individët dhe gazetarët duhet t’i përdorin me urtësi. Jo vetëm romët, por të gjitha komunitetet duhet të vlerësohen për cilësitë e tyre individuale dhe jo të përkufizohen nga paragjykimet e imponuara nga shoqëria që nga ana e vet ndikohet nga stereotipet. Interneti mund të shërbejë për t’u dhënë mundësinë të gjithëve. Ne duhet të vendosim se si do ta përdorim.
Katerina Smileva është Koordinatore për Marrëdhëniet Publike pranë CSI Hope dhe gazetare e kualifikuar.