Në Bosnje e Hercegovinë, hapi i parë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë është ai që na çon drejt së kaluarës. Është e domosdoshme që secili të kthehet dhe të ballafaqohet me ngjarjet e së kaluarës që i kanë karakterizuar, edhe si individë, edhe si pjesë e kolektivit. Në veçanti, gazetarët duhet të kërkojnë dhe përcaktojnë të vërtetën prapa ngjarjeve të së kaluarës në mënyrë që t’i paraqesin botës narrativat e së kaluarës.
Tema e ballafaqimit me të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe më gjerë në rajon, është guri proverbial që ngjitet përpjetë malit me mundin e Sizifit për të arritur majën. Pavarësisht përpjekjeve tona më të mira, ai shumë lehtë mund të na rrëshqasë nga duart, të rrokulliset teposhtë në humnerë dhe të zhduket. Nuk ka mjaftueshëm përpjekje të ndershme nga të gjithë, përfshirë gazetarët e rinj, që të kuptojnë se kjo temë u përket edhe atyre. Barra që bartim lehtësohet kur ballafaqohemi me të kaluarën.
Hapi i parë është gjithnjë më i vështiri, por është edhe hapi kryesor, sidomos brenda komuniteteve lokale, në të ashtuquajturat zonat tona të rehatisë. Është e vështirë ta thuash në qytetin tënd se grupet e tjera kanë patur viktima, e aq më pak të thuash se ti vetë i përket apo identifikohesh me ata. Nëse komunitetet lokale do ta kishin marrë përsipër punën e vështirë të ballafaqimit me të kaluarën ndërmjet grupeve në konflikt, ndryshimet do të ishin të dukshme edhe në nivel shtetëror.
Dita-ditës rritet nevoja për t’i pranuar të gjitha viktimat njësoj dhe në fund fare, si të pafajshëm që humbën jetët në luftërat ballkanike, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike ose fetare. Në një shoqëri me narrativa të ndara, nacionalizëm dhe retorikë luftënxitëse, si në media, ashtu edhe në politikë, është e domosdoshme që profesioni i quajtur gazetari të ruajë integritetin e vet.
Një shoqëri e shëndetshme dhe funksionale duhet t’i ketë themelet tek politika gjithëpërfshirëse e kujtesës dhe tek rindërtimi i së kaluarës së bazuar në fakte dhe jo në interpretimet e njëanshme të historisë. Anida Sokol, gazetare dhe hulumtuese pranë Mediacenter, na paralajmëron për këtë:
“Për fat të keq, shoqëria jonë është ndërtuar mbi politika kontradiktore dhe të njëanshme të kujtesës etno-kombëtare, ku çdo grup etno-kombëtar përkujton vetëm viktimat e veta dhe heronjtë e vet të luftës, gjë që partitë politike aktuale etno-kombëtare e shfrytëzojnë për të legjitimizuar pushtetin e vet”.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e ballafaqimit me faktet historike dhe të përkujtimit të të gjitha viktimave, ajo shton se mediat kanë rol shumë domethënës në formësimin e narrativave.
“Mediat mund të ofrojnë hapësirë për politika gjithëpërfshirëse të kujtesës qytetare. Për fat të keq, mediat në Bosnje e Hercegovinë janë në shërbim të elitave sunduese që, gjithashtu, po e rindërtojnë të kaluarën mbi bazën e diskursit kontradiktor dhe të njëanshëm etno-kombëtar. Megjithatë, përmes gazetarisë konstruktive dhe programeve edukative, mediat mund të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe pajtimit”, thotë Anida.
Ajo shton se nuk është përballur me ndonjë kritikë lidhur me punën e saj apo me temat që trajton, por për një arsye zhgënjyese.
“Artikujt që trajtojnë në mënyrë kritike mbulimin që mediat i kanë bërë të kaluarës së afërme nuk janë me interes për publikun dhe janë shpërfillur në hapësirën publike”, thotë Anida me sinqeritet.
Ajo arrin në konkluzionin se është vërtet e rëndësishme që historia të vihet në pikëpyetje në nivel lokal, por, për fat të keq, mediat lokale janë të njëanshme në mbulimin që u bëjnë temave të tilla.
“Sipas hulumtimit të bërë deri tani, mediat lokale i qasen të kaluarës së kohës së luftës në mënyrë selektive dhe botojnë kryesisht lajme që përkujtojnë vetëm viktimat e tyre. Kjo thellon edhe më tej ndasinë mes qytetarëve dhe cenon sidomos të kthyerit në këto komunitete. Mediat lokale u shërbejnë partive në pushtet dhe raportojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme”, përfundon Anida.
Sidoqoftë, kjo deklaratë nuk duhet të na dekurajojë ne gazetarëve që të vijojmë me përpjekjet tona për të hedhur dritë mbi tema që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë afërt, që, pavarësisht se janë shumë të ndjeshme, janë shumë të rëndësishme për zhvillimin paqësor të shoqërisë sonë.
Mediat duhet të luajnë rolin e ziles së alarmit për shoqërinë. Ato duhet të vënë në dukje rreziqet, problemet dhe sfidat që rrjedhin nga rrëfimet e pasakta apo të njëanshme nga e kaluara. Në komunitetet e tyre lokale, gazetarët duhet të jenë njerëzit që nuk mbajnë anë, të gatshëm për të dëgjuar narrativa të ndryshme dhe të cilët e pranojnë faktin se të pafajshmit nga të gjitha anët kanë vuajtur shumë. Ata janë arsyeja përse ne duhet të këmbëngulim në shpalosjen e së vërtetës në mënyrë që diçka e ngjashme të mos ndodhë më kurrë.
Sara Velaga ka lindur më 28 prill 1994 në Banja Lluka dhe është rritur në Jajce. Ajo ka diplomë bachelor në Komunikim dhe Marrëdhënie Publike nga Kolegji i Komunikimit “Kappa Phi”. Velaga është shkrimtare dhe gazetare, e cila ka fituar çmime për tregimet e saj “Fëmijët e askujt”, “Thesari nën çati” dhe “Dhimbjet e mëdha kërkojnë shpirtra të mëdhenj”. Velaga është aktiviste, feministe dhe aktualisht punon me revistën “Buka”, me revistën për të rinj “Karike” dhe po punon për një përmbledhje tregimesh “Ata që mbeten”, si projekt individual i mbështetur nga IMEP. Aktualisht jeton dhe punon në Banja Lluka.
Photo: Mirjana Ribić