Memorializimi i së tashmes

Photos by: Adela Jusić

Përshkrimi i fashizmit nga Benedeto Kroçe si “sëmundje morale bashkëkohore” mund të shërbejë si pikënisja për të reflektuar rreth dukurisë së ngritjes masive të monumenteve revizioniste, negacioniste dhe kleriko-fashiste kudo nëpër Bosnje e Hercegovinë. Këto monumente duket se memorializojnë të tashmen në vend se të kaluarën. Qëllimi i tyre është t’i impresionojë ose frikësojë vizitorët. Në terma edukativo-patriarkalë, qëllimi i tyre është të shërbejnë si paralajmërim për të kontrolluar dhe parandaluar krijimin e narrativave të reja progresiste. Kështu, ata i “largojnë” njerëzit dhe brezat e rinj nga rruga drejt pajtimit, pranimit të fajit, konstatimit të paanshëm dhe shkencor të fakteve dhe historia e konfliktit, që si e tillë mund të jetë vetëm një: histori gjithëpërfshirëse.

Prandaj, revizionistët dhe negacionistët qëndrojnë pranë metodës tradicionale të memorializimit. Ata parapëlqejnë të ndërtojnë monumente me materiale që nuk prishen, të ngurta, si betoni, mermeri, çeliku dhe bronzi. Këta monumente mbështesin idenë ushtarake të pushtimit dhe ndarjes territoriale. Nga ana tjetër, trendet e reja globale të memorializimit shkojnë drejt zgjidhjeve konceptuale dhe qasjeve të vetëdijësuara dhe të qëndrueshme ekologjike. Qëllimi i këtyre të fundit është krijimi i hapësirës dinamike që inkurajon gjithëpërfshirjen dhe t’u përgjigjet nevojave gjithnjë në ndryshim të shoqërisë.

Për fat të keq, një shembull i palakmueshëm i memorializimit shovinist u shfaq rishtazi në qytezën Stari Brod, rreth pesëmbëdhjetë kilometra përgjatë Kanionit të Drinës, pranë Vishegradit. Në mes të natyrës së bukur dhe të paprekur, arkitekti Novica Motika projektoi dhe skulptori Bojan Mikuliq krijoi një vepër arti tërësisht kiç, duke vendosur 27 statuja bronzi mbi Drina. Ky krijim mbështetet tek fuqia e frikës. Ai vepron si nxitës shumë efikas i vizioneve të frikshme për një të ardhme të pasigurtë për një popull të shtypur (në këtë rast, serbët) nëse ata joshen nga sharmi i jetës shumëetnike. Një kishëz e krishterë ortodokse dhe një qendër memoriale prej betoni mbajnë emrat e 6,000 viktimave të krimeve të “ustashëve, myslimanëve dhe partizanëve”. Këta emra janë gdhendur mbi të gjithë murin e ndërtuar pranë skulpturave.

Motika dhe Novakoviqi janë frymëzuar posaçërisht nga një ngjarje e aluduar në vitin 1942. Fjala është për vetëvrasjen e paregjistruar të 320 virgjëreshave, gra pa mbrojtje nga burrat, që vendosën bashkërisht të hidhen në Drina për të “shpëtuar nderin e tyre” dhe të mos përdhunoheshin nga ushtarët e një etnie, kombi apo feje tjetër. Për këtë vepër, Motika ka marrë Medaljen e Popullit nga Presidenti i Republika Srpskas, Zeljka Cvijanoviq[1] në shenjë mirënjohjeje për dizajnin vërtet kreativ dhe të përshtatshëm.

Duke qenë se ky ‘gjenocid’ në Stari Brod nuk është regjistruar kurrë ndonjëherë në asnjë prej dokumentave të shumtë historikë që mbështeten nga dëshmi në territorin e ish-Jugosllavisë dhe përtej, made as që ka patur ndonjë hetim serioz për vërtetësinë e tij, ngrihen tri pyetje kyçe:

Kush përfiton sot nga ky monument në Stari Brod?

Skenari. Që nga viti 2008, disa njerëz të fuqishëm (shkencëtarë, priftërinj, politikanë dhe artistë) kanë pretenduar se nëpërmjet revizionimit të historisë dhe pa ndonjë publikim historik deri më sot, ata kanë zbuluar se në pranverën e vitit 1942, mbi 6,000 civilë të rajonit Sarajevë-Romanija dhe Podrinje u dëbuan drejt rajonit të Stari Brodit dhe Millosheviqit dhe më pas u vranë nga Legjionet e Zeza të Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH), myslimanët dhe partizanët. Ata gjithashtu pretendojnë se ky krim është regjistruar dhe se ‘memoriali-muzeum’ është përgjigja ndaj heshtjes që e ka pasur këtë gjenocid. Historia e di mirë se udhëheqësia e NDH-së ka patur një qasje shumë radikale ndaj popullsisë jokroate. Sipas të dhënave zyrtare, në pranverën e vitit 1942 në Bosnjen Lindore kanë ekzistuar 5 forca ushtarake operative: NDH, Gjermania, Italia, Serbia e Nediqit dhe partizanët. Në atë kohë, njësitet çetnike nënshkruan një sërë marrëveshjesh me NDH-në, italianët dhe gjermanët[2], që nuk do të kishte qenë e mundur nëse do të ishte kryer ky gjenocid. Edhe pse autorët e monumentit pretendojnë se njësitë italiane nuk i kanë lejuar serbët të hyjnë në Serbi, aleanca ndërmjet ekipit italian në Vishegrad me njësitet çetnike të serbëve është mbuluar në veçanti nga dokumentat historikë. Historia po ashtu është e njohur me krimet e kryera në Bosnjen Lindore. Për shembull, libri Bosnja Lindore në Luftën Popullore Çlirimtare (Eastern Bosnia in the People’s Liberation War), faqja 6, 1971, thotë: “Dukej se çetnikët dhe ustashët konkurronin se kush do të bënte më shumë krime, është e vështirë të përshkruhet, njerëzit ishin të pambrojtur dhe forcat partizane tepër të pakta për t’i ardhur dikujt në ndihmë”.

Sidoqoftë, ajo çka historia nuk e di është kjo skenografi e gjenocidit kundër 6,000 civilëve serbë në Stari Brod në pranverën e vitit 1942 të cilës i referohet monumenti. Është e vështirë të shpërfillet se kjo skenografi ka elemente të një plagjiarizmi skajshmërisht morbid të gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995, duke ringjallur teorinë sipas së cilës mohimi dhe shfajësimi janë dy anë të së njëjtës monedhë.

Kush përfiton sot nga skenografia e vetëvrasjes kolektive të 320 virgjëreshave?

Skenari. 320 virgjëresha kërcejnë në lumin Drina të tejbmushur në pranverën e vitit 1942, që të mos përdhunoheshin nga ushtarët joserbë dhe ‘të ruanin nderin e tyre’, apo më saktë, nderin e burrave të tyre. Nëse udhëheqësia e sotme shqetësohet kaq shumë për pozicionin e grave në shoqëri, me siguri do të kishin bërë diçka për femicidin e shpeshtë, për dhunën, ngacmimet seksuale dhe përdhunimet që ndodhin sot. Ndoshta ata do ta kishin zgjidhur statusin e të mbijetuarave të dhunës seksuale nga lufta e fundit dhe do t’u kishin siguruar atyre një jetë me dinjtetit, apo së paku, qasje të lehtë në kujdes shëndetësor. Kështu, do të kishin nisur t’i jepnin zgjidhje problemit në rritje të shtypjes së grave në Republika Srpska dhe Bosnje e Hercegovinë. Mirëpo, ata kanë vendosur t’i ‘zgjidhin’ këto çështje në mënyrë të ndryshme. Pasi statujat ulëritëse u ngulitën mirë në lumë, vitin vijues rituali pagan i ‘hedhjes në ujë për kryqin e shenjtë gjatë pagëzimit’[3] u zhvendos pikërisht në vendin ku virgjëreshat kanë bërë vetëvrasjen kolektive. Le ta imagjinojmë një skenë me të rinj muskulozë, me koka të rruara, që hidhen në ujë në mes të dimrit për të kapur kryqin e shenjtë, duke fantazuar për trupat e virgjëreshave të ndershme që i ka marrë lumi me vete, ndërkohë që shpresojnë të marrin bekimin, dhe sidomos ringjalljen e grave të shenjtëruara nga patriarkati dhe shovinizmi.

Kush përfiton sot nga ndërtimi i kompleksit ‘paralajmërues’ të humbur në mes të natyrës së mrekullueshme?

Skenari. Ndërtimi i kompleksit memorial u financua nga eminencat gri vendase dhe fqinje[4], nga manjatët e amnistuar, nga udhëheqësit e lëvizjeve radikale të djathta, të cilët zbatuan politikën e Karaxhiqit në luftën e fundit dhe morën pjesë në krijimin e autoriteteve parastrukturore, sikurse Rajoni Autonom Serb (RAS) i Hercegovinës. Sigurisht, ata kurrë nuk u lodhën ta studiojnë historinë e L2B-së, por morën pjesë në mënyrë aktive në arkitekturën e anës së errët të historisë së re.[5]

Nga qyteza e Borikës pranë Rogaticës, deri tek ‘monumenti paralajmërues’, është asfaltuar rishtazi një rrugë e re. Agjencitë turistike të Vishegadit ofrojnë vizitë me traget tek kompleksi. Ndoshta në të ardhmen e afërt do të jemi dëshmitarë të ndërtimit të komplekseve turistike shoqëruese apo të makinerive të ngjashme të pastrimit të parave, në dëm të burimeve të rëndësishme natyrore dhe mbi kurrizin e punëtorëve serbë të paguar pak, apo të të njëjtëve të rinj që e fuqizojnë besimin e tyre duke u gjuajtur në ujërat e akullt për kryqin e shentë, të cilët presin për vende pune si roje dhe portierë me ekipet tashmë të formuara të agjencive privatë të sigurimit.

Sot, procesi i bërjes së historisë së përshtatshme “të vërtetë” nuk është as i vështirë, as shumë i shtrenjtë. Madje kjo gjë nuk kërkon as hulumtime, sidomos jo të llojit shkencor, apo ndonjë përgatitje apo njohuri paraprake. Kushdo mund të bëhet revizionist dhe negacionist, sikurse mund ta shohim në shembullin e Stari Brodt dhe në shumë vende të tjera të të dyja entiteteve dhe në radhët e tri kombeve. Kjo është rruga e shkurtër për të arritur rrugën ku maskulinitetet e militarizuar përballen njëri me tjetrin, ku shpiken armiq edhe ku nuk ka të tillë dhe ku burra të fuqishëm luftojnë beteja të ashpra nga rehatia e kolltukëve kundër konspiracioneve ‘të liga’ dhe ‘ndërplanetare’.

Nermina Trbonja është sociologe dhe studente e doktoraturës pranë ISP, Universiteti Paris Nanterre dhe hulumtuese pranë NYU Abu Dabi. Ajo i përket valës së mendimtarëve të rinj të interesuar në sociologjinë kritike ushtarake dhe të sigurisë. Hulumtimi i saj fokusohet tek aspekte të ndryshme të kulturës mbi baza gjinore të strukturave ushtarake dhe paraushtarake. Ajo udhëheq njësinë e hulumtimit të OTI për lëvizjet esktreme djathtiste në BeH dhe për më shumë se 10 vjet ka qenë pjesë e familjes së OBK-së.

Si aktiviste, ajo është përfshirë në shumë nisma lokale, rajonale dhe  globale që merren me çështje që kanë të bëjnë me temat gjinore, të luftës dhe periudhën e pasluftës.


[1] https://lat.rtrs.tv/vijesti/vijest.php?id=350133

[2] Stepančić, Miroslav, Ofensiva e tretë e armikut në Bosnjen Lindore, Mal të Zi dhe Hercegovinë, parë sipas dokumetave të armikut, Vojnoistorijski glasnik, ed. 3., Beograd (1951); Leković, Mišo, Marrëveshja ndërmjet pushtuesve dhe kuislingëve për operacione të përbashkëta kundër NOVJ – Ofensiva e armikut të tretë), Vojnoistorijski glasnik 1, Beograd, (1988); Dr. Rasim Hurem: Kriza e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Bosnje e Hercegovinë në fund të vitit 1941 dhe fillm të vitit 1942. Sarajevë 1972. f.211; Hoare, Marko Attila, Gjenocidi dhe rezistenca në Bosnjen e Hitlerit, partizanët dhe çetnikët 1941-1943, Oxford University Press, Oksford, 2006; Antonić, Zdravko, Kryengritja në Bosnjen Lindore dhe Qendrore në 1941, Vojnoizdavački zavod, Beograd, (1973); Hurem, Rasim, Marrëveshje të bashkëpunimit ndërmjet organeve shtetërore të Shtetit të Pavarur të Kroacisë dhe disa detashmente çetnike në Bosnjen Lindore në vitin 1942. Kontributi: Instituti për Historinë e Lëvizjes së Punëtorëve Sarajevë 2, nr. 2 (1966): f. 285-325; koleksion i dokumentave dhe të të dhënave për luftën nacional-çlirimtare në popujve jugosllave, vëllimi XIV, libri 1, dokumenti nr. 65, f. 175; Shumanovic, Vladimir. Ngjarjet kyçe ushtarako-politike në Bosnjen Lindore në vitin 1942, disertacioni i doktoraturës së mbrojtur në vitin 2019. Gjendet në:

https://repozitorij.hrstud.unizg.hr/islandora/object/hrstud%3A1802/datastream/PDF/view

[3] https://www.drinapress.org/2021/01/18/bez-organizovanog-plivanja-na-bogojavljenje/

[4] https://radiosarajevo.ba/metromahala/teme/transkript-razgovora-karadzica-i-davidovica-iz-1991-mi-sve-redom-rusimo/388998

[5]Donia, Robert J. Radovan Karaxhiqi: Arkitekti i gjenocidit të Bosnjes, Cambridge University Press 2014. Shtyp.