M’u gajke që hala po merr frymë

Burri i Ajetes i bashkohet UÇK-së në kohë lufte. Ajo mbetet me katër fëmijë, më të voglin ende jo tre vjeç dhe vjehrrin plak. Kur forcat sërbe i afrohen fshatit, si gjetiu, banorët detyrohen të marrin arratinë për në malin e afërt.

Ajetja thotë se gjatë luftës nuk i ka pa vrasjet masive të civilëve, përdhunimet e grave, torturat çnjerëzore të burrave. Por, pak pa hy në mal me të birin njëmbëdhjetë-vjeçar në ditën e ikjes, Ajetja pa atë që do t’ia shenjojë gjithë jetën e mandejme – vrasjen me snajper të të birit që ia çan atij kokën në dysh.

Ajete Ahmeti

Unë quhem Ajete Ahmeti, jom nga fshati Selac, e lindun me 20 janar 1967. Jena kanë katër vllazën e gjashtë motra. Baba s’ka punu kurrkun, veç me bagëti e bujqësi o marrë.

Jena kanë ni familje jo edhe aq e pasun, po si shumë tjerë. Edhe jena kanë t’lumtun me prindë, me vllazën, me motra. Prej fëmive unë jom kanë ma e madhja. Aq shumë s’kena pasë, po me qata që e kena pasë, jena knaqë.

Çka ka thanë baba, o bo n’atë familje, çka ka thanë nana o bo n’atë familje. Ia kanë caktu gjithsecilit, “Qet punë ki me kry ti, ti, ti”. Krejt i kena kry qysh na kanë thanë ata. Se e kena pasë grunin, kollomoqin, pasulin, me kositë, me mledhë sanë, krejt o dashtë me i kry. S’kena guxu me thanë, “Le t’del ky, s’po dal unë”.

            T’shkollum nuk jena edhe aq. Unë veç filloren e kom kry, për shkak t’kushteve s’kom vazhdu, se shkolla shumë m’ka shku mirë. Po ishin rrethanat, largësia, transporti, e nuk i kom pasë mundësitë me u shkollu. Ma ka dashtë shkollën, po kena pasë lopë, dhen, u duhke me i mjelë, me i rahatu. U çojsha herët edhe gatujsha në 8 ora. Sot dëftesën e kom, prej klasës s’parë, dej e kom kry klasën e tetë, krejt me pesëshe.

Shoqni kom pasë shumë. Se na veç t’qatij fshati jena kanë, në Selac. Kena pasë 20 dej 25 nxanës. O kanë fshat i madh, po tash nuk osht metë kërrkush atje. Pesë shpi, gjashtë, ma shumë s’jonë metë. Po edhe msojsat jonë kanë t’mirë edhe na kanë mësu shumë mirë. Na mësojshim edhe serbisht, frengjisht. O kanë nifarë Mursaik Ajvazi, drejtor i krejt shkollave. E krejt që vishin aty, mu ma s’pari m’shtishin me folë. Mitingu që u majke n’oborr t’shkollës, mu m’kanë thirrë, se e kom dashtë tepër shkollën. Mësimin e kom dashtë tepër.

            Do mësime n’gjuhë shqipe i majsha ma shumë n’men, po mas lufte koxha i kom harru. Ra qiky rast, i kom harru. Po kur kthehna, kur mëson njeri me mendje edhe e ka menjen gjithë te mësimi, nuk e harron. Nuk i harroj as mësuset prej klasës t’parë deri n’klasën e pestë. Arsimtarët tani prej klasës t’pestë deri n’tetën, asnjo nuk i harroj. Ama me i takue, pos e kom taku Murat Jusufin, që punon n’komunën e Mitrovicës.

            Në kontakt me nja dy shoqe jom kanë mas lufte. E qitash jom veç me çikën e mixhës, se e kom pasë n’klasë. Edhe njo që e kena pasë t’katunit. Tash nuk di a jonë martu, a jonë dalë jashtë. Veç tepër mirë kena kalu. Se si shoqe s’kom pasë qef, as sot s’kom qef, me lëndu kërkon. Ni fletë n’e paça marrë, e kom da me shoqe. Ni laps e kena da n’gjysë me shoqe, se kena kalu shumë mirë.

            Mandej të mesmen nuk e vazhdova. Vllau i madh e ka kry shkollën e mesme, edhe i treti e ka kry, po na çikat jo, asnjona. Veç dej n’klasë t’tetë jena shku. Unë kisha qef me vazhdu edhe të mesmen. Bile, kur kesh n’klasë t’shtatë, erdh ni Ferdane, prej Prishtinës, mbiemri s’po m’kutjohet. Erdh i mledhi krejt prindërit n’shkollë. Kur erdhëm, po thotë njani, “Vallahin po, unë po e çoj çikën”. Prej krejt prindëve veç njoni tha që po e çon çikën n’shkollë. Sot ajo osht motër medicinale.

            Sot qe, 53 vjet, kom qef n’shkollë, edhe gjithë kom thanë që andrra jeme osht shkolla. Po masi vetë s’kom mujtë, Perenia ma plotësoi me fëmijë dëshirën që e kom pasë për veti. Andrra jeme osht gjithmonë shkollimi. Fëmive iu kom thanë, “A hin n’punë a s’hin, shkollën duhet me pasë, duhet me u munu, me mësu”.

            Kur e kryva klasën e tetë, as pesë-gjashtë muej s’ka jetu baba, e vdiq. I kom pasë 15 vjet. Baba pat shku me marrë kallamoqin me çu me blu n’mulli. Sa o ardhë prej mullinit, n’shpi ka vdekë. Infrakt ka pasë.

            Vetëm nana na ka rritë me mundin e vet, me sakrifica t’mëdhaja, besa edhe me varfni. Po Allahi s’ia ka hupë munimin, tanë jena mirë, tanë kena fëmijë. Me vdekjen e babës jena trishtu shumë, se vëllaun e vogël ma ka lanë veç pesë vjeç. N’punë kërkush nuk ishim, vëllau i madh o kanë ushtar kur ka dekë baba. Po me ndihmën e krejtve, edhe erdh vëllau prej ushtrie, në krye të dy vjetve shkoi n’Gjermani, metëm na gjashtë motrat me tre vllazën. Po ai na ka nimue.

            Ma së shumti ka kajtë nana. “M’la me fëmijë, çka iu boj, dhetë fëmijë, pa rrogë, pa send”. U dashke dikon me çu çoban, me dele, me lopë. Çikat nisën m’u rritë, djemtë kushedi çfarë udhe shkojnë; nana ma së shumti u mërzit. I thojke vëllau i madh kur erdh, “Besën po ta jap, krejt ka me shku mirë, pos ti mos u mërzit”. I thojsha edhe unë, “Nanë, krejt kena me i ba qysh t’na drejtosh ti”. Na ka drejtu shumë mirë, edhe për fat t’mirë tanë kena ecë, jena martu tanë mirë.

            Atëherë s’kishim kerr me shku e me u kthy në Selac, po veç me kuaj. S’ke pasë qysh me shku me marrë harxh, po ktynehere s’kena marrë harxh shumë, se i kishim tamlin, djathin, krejt këto tonat. Në Bare, në Shalë të Bajgorës, osht ngat, o kanë ni dugojë. Qaty jena shku me kuaj, kena marrë edhe jena kthy, se s’ke mujtë me ecë, osht terren i keq. Veç, fshati mrena osht shumë i mirë.

            Mas lufte jena dalë te Kroni i Vitakut – aty osht vllau. Nuk osht mo, jeton tash në Suedi, veç e ka shpinë aty. Edhe ata nja dy vjet jetuen qashtu, nana me dy vllazën, edhe me katër motrat e mia, se unë edhe e dyta u martuem. Aty ia kallën shpinë, erdhën apet në Tunel, n’banesë. Po nana shumë u mërzitke për vëllaun, se duel shumë i ri.

            Unë jom e martume n’Kutllovc. Në vitin ‘87 jom martu, 20 vjet i kom pasë. Kur u martova unë, ma e madhja, shumë i ka ardhë vshtirë nanës, se jom kanë krah i saj gjithë. Kur u martova tha, “Allahile Ajete, mos e le dy-tre muej ditë pa ardhë ni herë te nana”. Vallahin, falë Zotit, boll larg e kena pasë, veç boll jom shku. Veç n’hak t’sajna. Tani u rritën edhe tjerat çika, edhe djemtë. Po mërzia e babës nuk na u hek kurrë.

            Baba gjithë e ka dashtë punën e fushës. Te sana, te gruni, te kallamoqi, na ka pasë neve krejtve. Po baba i ka dashtë ma shumë çikat se djemtë. E nana i ka dashtë ma shumë djemtë se çikat. Baba shumë na ka kqyrë, respekt kena pasë ndaj tina, marre na vike me folë diçka, e ma shumë e kom dashtë nanën. Nuk e di pse. Nashta pse unë për veti jom kanë ma e madhja edhe e pajsha nanën tu hekë. Se punët e grave nuk kryhen kurrë, e për qata nanën e kom dashtë shumë.

            Sot nana m’dhimët, e kom gjallë hala, osht vetë n’banesë. Katër djem i ka, t’katërtit jashtë me familje. Pos me nji djalë t’vëllaut osht ktu. Ai djali i ka 19 vjet, osht n’banesë në Mitrovicë, mirë shyqyr Zotit. E marrin, shkojnë rrinë pesë-gjashtë muej, nji vjet. Kthehet apet, shkon. Po atje s’i rrihet. Mirëpo, e qiti Zoti n’dritë, se ka hekë boll. Jeta shumë e vshtirë o kanë.

            Unë 20 vjeçare u martova. Bashkëshorti nantë vjet osht para meje. M’kujtohet dita e martesës. O kanë 23 shtatori, ditë shumë e mirë, me diell. O kanë larg, prej Kutllovcit me ardhë në Selac, tri orë me ecë n’kamë, ni orë e gjysë me kerre. Po ktyneherë s’ka pasë kerre shumë. Jonë kanë kerre me kual. Mue me katër kerre jonë ardhë m’kanë marrë. Me burra, me krushqi. Kallabllak kanë pasë boll.

            Kur erdha këtu te burri, jena kanë 30 robë, familje e madhe. U martuem qysh osht bo përpara. Ni djalë i mixhës tem osht këtu, edhe vëllau i burrit o kanë korir n’shkollë. Ai ka bo llaf për vëllaun e vet, ky djali i mixhës i ka folë për mu. Edhe vjen djali i mixhës, i thotë vëllaut,  “Po e lypin Ajetën në Kutllovc”. I thom nanës, “Moj nanë mos ma boni ktahën, hala e re jom. Po du me nejtë me ju, jom ma e madhja”. Vetë krejt, u duhke me i nimu nanës. Tha nana, “Çika jeme, plakën nuk e merr kërkush”. Tha, “20 vjet je kah i bon”. Thashë, “Qysh t’jau merr menja pra”.

            Ke kysmet, mas tri jave erdh apet, u fejova. Gjashtë muej nejta e fejume edhe u martuem. U martova me 23 shtator, e me 20 janar i bojsha 20 vjet.

            Kur shkova te burri, nja dy-tre muej nuk kom mujtë me u pajtu, veç për shkak t’nanës. Kurrë s’kom besu qe dikush ia zavendëson punën që e kom bo unë për nanën. Po, po valla, motrat më zavendësuen, tonat me rend. Se tona qishtu si une jonë feju, me pëlqim t’prindëve, t’nanës, t’vllaznive.

            Këtu kur erdha, burri pa punë, ni vëlla e kish korir n’shkollë, veç ai në punë. Vëllau tjetër që ish me ta, u kanë mësues në Rahovë, po shkijet e kishin qitë prej pune. Unë u martova, e krye t’ni vjeti u ndajtën këta vllaznia secili n’shpi t’vet. Masi lindi Jetoni këta vëllzania jonë nda nëpër shpija t’veta.

            Jetoni o lindë me 6 gusht 1988, n’spital në Mitrovicë. Qatë ditë që shkova me lindë, këta e morën me shi grunin. Po as atëherë nuk o kanë situata e mirë. Për së pari nanë që bahesh, je shumë e lumtur. O kanë fëmijë i mirë, intelegjent. Prej që i ka bo shtatë vjet, Jetoni ka hjekë mas babës t’vet. Aty me shku me marrë dru, me shku me mbjellë grunin, me shku me mledhë sanën, me nga mas lopëve, mas dhenve. Plus n’shkollë o shku e kurrë s’o nalë. Ma s’pari që ia filloi klasën e parë, tha, “Kom me mësu mirë edhe ushtar i Kosovës kom m’u bo”. Se e nijke babën e vet. Si u bojshim familje ia nisshim me folë për Kosovën, thojshim mirë osht kush e jep jetën për atdhe, e i hini n’kry djalit. Edhe kurrë nuk o shku n’shkollë pa e përqafë babën e nanën e vet.

            Klasën e parë edhe t’dytën e kryjti në nifarë si shpie; e bonën prej klasës së parë dej t’pestën bajagi, për mos me ardhë fëmija kha në Tunel. Po atij nuk ia mrrijti ymri me e kry, edhe pse shumë mirë ka mësu.

            Dy vjet mas Jetonit na ka lindë Fitorja. Atëherë me vllaznit e Shefqetit ishim da, po ni oborr ishim qaty. Shumë mirë kalojshin me fëmijë t’tyne. Fitoren e kena shti gjashtë vjeç në shkollë për me shku bashkë me Jetonin. Ai o kanë n’klasë t’dytë, kjo në t’parën. Po, kjo o kanë pak ma e shpërdhitë, veç i kanë pasë raportet shumë mirë. Taneshi Liridoni o lindë dy vjet mas Fitorës. Liridoni nuk o kanë n’shkollë atje, veç në Tunel ktu o ardhë, se tanaj ma u mshel ajo shkolla në Kutllovc.

            Mas katër-pesë vjete, a po i bjen qashtu, lindi Dafina, në ‘97-ën. Dafina n’luftë o kanë dy vjeç e gjysë, tri hala s’i ka pasë. Pesë vjet mas Liridonit u kanë Dafina. Kur lindi, o kanë shumë keq situata. Në Mitrovicë ka lindë, n’atë anën veriore, në spital të Mitrovicës. Tanaj mas lufte jonë le Valentina edhe Jetoni. Me ni vjet e gjysë ndërmjet.

            Fëmija kanë raporte shumë t’mira nërmjet veti, i nimojnë njani-tjetrit. Po edhe na jena familje e qetë, gjithmonë ja u kena kallxu rrugën qysh duhet mirë, qysh osht keq. Edhe ata, falë Zotit, e kanë marrë mësimin tonë.

            Edhe baba i tyne gjithmonë iu ka folë ku o mirë e ma mirë. Iu ka folë për familje. Kur o nisë për ushtar, iu ka thanë, “Kqyrni, unë po shkoj ushtar…” As që kom mendu që ndodh, thojsha shkon, e kthehet naj ditë. E na ka lanë neve me babën e vet, vjehrin, edhe une me katër fëminë. Kunati i mori fëminë, shkoi në Gjermani, pat dalë para lufte. Na ishim pos vetun n’shpi, s’ka pasë aty kërkush, pos ni shpi o kanë ma poshtë. Plaku i ka pasë 80 e kusur vjet.

            Kena pasë gja shumë, po Jetoni ka hekë shumë. U bojke 11 ora, ai tu nga me mue me i lypë lopët me i pru mrena. Çka o kanë ni punë që e ka punu ni burrë n’shpi, ai e ka bo. Njimdhetë vjeç, se baba plak, s’mujke. Na mbet plaku me e kqyrë, knena fëmija të vogjël, knena burri ushtar, s’kishe prej kujna as me lypë ndihmë. Po, falë Zotit, apet mirë. I kishim tanat çka na vyjshin, çka me ba. Allahu, atij i kofshim falë, t’lumët na për tò, tonat s’t’i çon.

            Kur shkoi Shefqeti në UÇK, u çu herët tha, “Unë u nisa”. U nis me ni djalë t’mixhës, që jonë kanë bashkë. Dolëm n’dritare, unë e Jetoni. I tha, “Bab’, ku po shkon?” Tha, “Po shkoj me çliru atdheun. A din që t’kom kallxu ma herët?” Tha, “Po, e di”. Edhe ai, djali i mixhës, tha, “Ajete, qysh e ki çehrën?” Thashë, “Mirë.” Tha, “Shko pajtoma edhe gruen”. Ishin pak ma poshtë ata me shpi.

            Masi u nisën këta, menja jeme që po shkojnë e s’osht kurrgjo. Kur shkoj i thom grues të këtij kusherinit, “E çka ki ti që po kan?” “Tha, “Po kta shkuen, e s’dihet a kthehen shnosh a nuk kthehen gjallë!” Thashë, “Qysh e ka shkru Zoti. Nëse e ka shkru Zoti, desin, nëse s’e ka shkru, vijnë”.

            Mas nja dy-tre muej ditëve u kthye Shefqeti, po apet shkojke atje. Non-stop veç fëminë me i çu n’shkollë lypke. Kur erdhëm këtu në Tunel, aty n’shkollë i tha ni kojshi Jetonit, “Ku e ki babën?” Tha, “E kom në Gjermani”. “Po rren ti, babën e ki në Shqipni. Veç kena me t’vra ty edhe babën tand”. Nuk i kom njoftë unë ata, veç kunati i njifke, se kojshi qitu. Se kunati o ardhë para lufte në Tunel.

            Edhe nejtëm këtu ni muej ditë në Tunel, këtu shkojke n’shkollë, unë shumë u tutsha. Kur tha ni ditë, “Pashë Allahin mam’, nër ni therrë n’t’jetofshim, veç çu t’shkojna nalt, në Kutllovc”. Thashë, “E more djali jem, ku me shku na në Kutllovc, larg dugojtë, e larg gjithçka”. Tha, “Çu shkojna, i marrim kta dy fëminë e babëgjyshin edhe shkojna”. T’nesrit jena çu, i kom marrë fëminë, e kom marrë vjehrin edhe jena shku ni shpi të vjetër.

            Kur erdh Shefqeti prej atje ku ish ushtar, e bonëm pak meremet me djalin e mixhës edhe hinëm qaty. Une me katër fëmi, edhe ish djali i mixhës ma poshtë me shpi.

            Ni natë, borë, ftoftë, fryjke, krejt derën na e nxuni bora. Lopët menxi i mlodhëm. E kena pasë antenën e Kutllovcit nalt, na poshtë. U tutsha. Thashë, “O Zot, n’dorë tane”. Tha djali, “Hiç mos u tut, se babën ushtar e m’u tutë na, marre osht’”. I tha baba, “E hallall t’koftë djali jem!” Hala nimëdhetë vjet s’i kish djali.

            Lehi atë natë qeni, krisshin pushkë, na kurrë pa shti gjumë n’sy. E u sëmu taneshi vjehri, o Zot i gëzuem, po keq u sëmu. A i dhimke shpina, a i dhimke lukthi… T’e thërras kunatin t’nesrit e vjen e merr, e çon te mjeku plakun. Jetoni non-stop që o dashtë lopëve me iu qitë, me bajtë ushqim. Unë me tò.

            Edhe mas dy-tri dite a ni jave e marojmë nifarë shatori n’mal. Ishim dy familje, edhe t’mixhës t’Shefqetit, edhe na. E t’na hetuen, e gjuj granata, e gjuj, e gjuj. Ish edhe ni djalë, i djalit t’mixhës, veç qat djalë e ka, thashë, “O Isuf, merrma veç Jetonin”. E muer, dolën n’rekë, shkuen poshtë. Po ish konë pas sarihë kur u kthy, se shumë gjujtën granata, tepër.

            T’nesrit jena nisë për Bare. N’kamë jena shkue, të tanë, me fëmijë, e vetë, sa kena mujtë me ecë. Kena nejtë ni muej në Bare. Edhe metëm pa bukë, pa miell. E çohna e marr djalin, i hypëm kalit e shkuem une me Jetonin në Selac. E t’e mushëm 100 killa kallamoq, mixha jem na i mushi, i ngarkuem. Prej Selaci jena ardhë në Bare n’kamë me Jetonin. Tamon e kena çu me blu, na kanë thanë, “Na kanë rrethu shkijet”. Edhe e kena lanë qashtu. Jena nisë prej Barës n’kamë apet në Kutllovc. Tanaj prej shpije s’jena dalë ma hiç.

            Atë ditë që o vra Jetoni jena çu, o kanë edhe kunata, kena gatu, kena piqë bukë. O kanë data 22 maj, ora 11. I kena pa shkijet që erdhën, po s’kena menu që jonë shkije, po menuem që erdh dikush me mledhë lakna.

            Ma ka lypë djali do sheqer me ia qitë n’tamël, se pike, thashë, “O djali jem, po s’ka”. Qajo m’ka metë pikë, sheqer që s’kom pasë me i qitë. Tamon jena dalë n’oborr, e kena pasë me thanë dy-tri metra malin ngat, kanë nga krejt, jonë hi nëpër male. Qetë çikën që e pata, Dafinën, e ka marrë kunata n’grykë, se dy vjeç e gjysë ish, hala tri s’i ka pasë. Djalit i kom thanë, “Ec Jeton, se veç po e marr ni kafshatë bukë”. Thashë me vete, më lypin fëmija bukë. M’thotë, “Jo, nuk dal pa ardhë edhe ti”.

            Vjehri shkoi në mal. Ata tanë jonë hi n’mal. Na dy, tamon e kena qitë kamën, ai o kanë përskaj, Perenia e rriti, u ba shumë ma i madh se unë. Tamon e kena qitë kamën me hi n’mal, veç kur u rrëzu ai. Veç kur pashë që i shkoi kapaku i kresë fluturim edhe trutë krejt ia qitën n’tokë.

            Kur e kom pa, “O Zot n’dore tane, Jetonin ma vrajtën”. Ma çoi Zoti forcën e t’e kapi n’grykë e t’e shti n’mal.

            Po dej e çova ma nalt, e kom hekë këmishën, ia kom pshtjellë krytë. Ma ka gjujtë kunata ni xhemper, ia kom pshtjellë, veç thojsha mos t’i bijnë krejt. Po dej shkova unë atij iu hoqën trutë krejt, në krye nuk i met kurrgjo.

            E shtreva unë aty. Shkijet vishin kah na. Kur erdhën aty përskej, u nijshin pushka. Për me dalë në fshatin Rashan, thotë kunati, “Ajete lëshoje!”. Po ma çoi Zoti forcën, as me lëshu s’mujsha. Thotë, “Lëshoje qitu”. I thom, “O agë, ku me lëshu, ky o gjallë hala”. M’u gajke që hala po merr frymë. Më thotë, “Jo vallahin, djali o dekë”. Tha, “Shkijet po vijnë”. Shtatë-tetë veta a ma shumë jonë kanë. Thotë, “E lojna qitu djalin e kthehemi apet, se tutna na nxojnë tanëve”. I thom, “S’e lo kurrë e për këtë dynja djalin. Le t’më nxojnë, le t’më vrasin”. I thashë, “Ecni ju”. Tha, “Vallahin nuk t’lo kurrë veç vetë”.

            Dafina, çika e vogël, pa hangër, pa pi prej 11 t’ditës deri në 2 t’natës. Edhe qaty nejti me ne, te xhenazja.

            Kur nja dy ushtarë, kah në 2, ia nisën po i kallin shpijat. Tash le ky që vdiq, e vrajtën, po hupi i dyti, dy ditë nuk e kom gjetë djalin, Liridonin. Prej krismave, prej tute, o shku malit, kah ka mujtë edhe o dalë në Zasellë. Thashë, “O Zot, lenai mentë n’kry, ky diq e shkoi, Allahi e ka shkru qishtu, po ku me gjetë tjetrin?”. Në krye t’dy dite m’thirr kunati, thotë, “Liridoni ish në Zasellë”.

            Erdhën burrat, e varrosën djalin qashtu qysh ke, po trutë masanej ia kom mledhë edhe iu kom thanë, “Qe, qeto jonë trutë e tina”. Skej mali qaty e kom varrosë pak a shumë. Sa herë shkoj me i vizitu vorret, edhe trutë e tina jonë t’varrosta qaty, se krejt gati i kanë dalë, krejt gjaku iu ka derdhë. E iu shterën sytë, e u shter krejt, që ia hekën komplet gjysën e kresë.

            Po s’ma ka ndi kush zanin, as s’më ka pa kush lot. Pse? Se na ka folë Shefqeti si fëmive, si mu, na ka thonë, “Lufta edhe me krisë, çka t’bohët duhet me përballu, duhet me konë t’fortë”. I menojsha fjalët e tina.

            E burri s’e ka ditë hiç, dej u kry lufta, që i ka dekë djali. Ata krejt kanë marrë vesh, ky veç kur o ardhë, e ka pa vorrin. I ka thanë djalit t’grues t’mixhës, “Qai vorr i ri, i kujna o?” I ka thanë, “Vallahin, djalin ta kanë vra”.

            Na, si e vrajtën djalin, shkuem atë natë në Reshan nejtëm. Djalin tjetër s’e gjojsha. Kur, mas dy dite, masi kallxuen që osht në Zasellë, shkuem nejtëm nja tri net, bujtëm te miqtë e kunatit. Tani na çuen për Mal të Zi. E boll kom bërtitë, “Nuk po shkoj, djalin ma vrajtën, ma s’ka kurrgjo!” Veç vjehri, “Veç ki me dalë, veç ki me shku”. U çuem e shkuem.

            Na e zhdrypën policia kunatin prej autobusi edhe babën e Shefqetit. Une pa kurrfarë dokumenti, as letërnjofim, as kurrgjo. Hinën na vetën. Sa mujke kajke vjehri, thojke, “O na apet, po Ajetja pa dokument”. Thojsha, “Mos e ki gajle babë, se sen nuk bohët. Masi shkoi Jetoni s’po jom ma për kurrgja”. “Jo, kujt po ia len këta tre tjerët?”. Thashë, “Edhe këta tretë evladë i kom, veç…” Deshti Zoti, nuk na nalën kërrkun, mu nuk m’vetën për dokumenta. Ata i khyen n’autobus, veç dokumentat jau lypshin.

            Në Mal të Zi kena nejtë tri javë n’Ulqin. Na i maruen do shatora, plazha e vogël o kanë shumë ngat. Po kujna s’iu ka vra dikush, e ka kajtë mallin, kujna iu ka vra dikush, nuk i ka interesu për mall. Mu besa nuk m’ka interesu malli as hiç, se shkoi djali. E shumëkushi, kur ishim në Mal të Zi, kajshin, “Na u ka sosë shpia, i kom pasë qikaq, i kom pasë këto, ato…” As qe kisha qef me i ngu bile. Se une e pata zemrën teme t’dame që djalin ma vrajtën. Po falë Zotit – venin e tij se nxen kërkush – po qe edhe ky tjetri tash, e fali Zoti.

            Kur jena kthy prej Malit të Zi, jena ardhë drejt këtu. Se këtë shpi kunati e pat ble para lufte. Edhe hin Shefqeti këtu, s’ka pasë ku tjetër, atje e kishin sosë, edhe nejti, na tri javë nejtëm atje edhe erdhëm këtu. Shefqetin e gjetëm këtu. Pesë vjet nejtëm qashtu pa e ble, mas pesë vjete tani e blejtëm. Na e blemë këtë banesë, tanaj edhe ai e blejti n’atë anë anena e u bonën të dyjat tonat. U bashku familja.

            Erdh Bajrami i parë, gja ma t’vshtirë s’kish, se gjithë kena pasë qef për Bajram me u bashku, jena kanë familje e lumtur. S’kena mujtë me përballu qat ditën e Bajramit t’parë pa Jetonin. Po erdh nana, tha, “Nuk bon kështu, i keni tjerët”. Tha, “Po mu, që m’kanë lanë me dhetë fëmi edhe kryetare të shpisë?”. Tha, “Jom ballafaqu me ta, s’ma ka hupë Zoti munimin. Edhe ju duhet m’u pajtu”. Fjala e nanës na ka nalë pak edhe jena qetësu. Po edhe Zoti, atij i kofshim falë, ta çon gajretin.

            Po kur e nisi darsmën kunati për dy djemtë, mejherë mas lufte –  s’kanë dashtë me nisë darsëm, me bo gjymysh – une e para jom shku. E kom lëshu muzikën. Edhe për t’dytin qashtu. S’po du kërkush me metë e mos me ditë kënaqësinë e evladit t’vet, n’hak temin. I dekni me t’deknin, i gjalli me t’gjallin. Gjithë kom thanë, edhe sot thom. Tanëve iu ka dhimtë, se tanë ata çka jonë dekë, jonë kanë t’nanave. Po gjithkujna iu ka dhimtë ma s’shumti i veti.

            Edhe sot më thojnë, “Qysh po munësh me përballu, qysh ke bo muzikë e para?”. Kom bo, se jo për hak temin me thanë, “Haku i Ajetës nuk mujta as me lëshu muzikë, as s’ia dita knaqësinë…” djalit, a resë.

            Masi jom e knaqtë me këta tjerët fëmijë, ishalla gjithkush knaqët, kush i ka. Se m’vjen shumë herë e mërzitna. Po iu kom mbështetë Zotit, atij i kofshim falë, çka u bo me me krejt thuja se, u bo edhe me mu.

            Luftë o kanë, shyqyr Zotit për marre nuk o shku, veç luftë, se fëmijë, as s’ka pasë sherr as kurrgjo. Zoti e ka shkru.

            Masanej, 35 vjet i kom pasë, meta shtatzanë. Lindi Valentina, çika. Edhe besa s’kom ditë me thanë, “Pse Zot ma fale çikë?” Çikat shumë i du, Allahi e kish shkru. Vajzë shumë e bukur, shumë e mirë. Edhe meniherë meta shtatzanë prap. Kur lindi djalë, isha n’dilemë: a me ia përtri a jo emnin? Dikush, “Jo, s’osht mirë me ia përtri”. Valla jo, e vendosa. Unë vendosa. Besa edhe me bashkëshortin, se nuk osht puna veç emnin me ia përtri, po me thirrë emnin Jeton, me kanë ni Jeton apet n’shpinë tonë. Edhe falë Zotit, krejt i ka ngja. E sa herë shkojna te vorret që e ka përvjetorin, shkojmë të tanë, krejt kajmë, ai s’kan. “E ka shkru Zoti, qe ku e keni Jetonin”. Po e kemi Jetonin, po venin e tij s’e nxen kërkush.

            Mas luftës, Shefqeti ni vjet punoi pa pagesë në TMK. Po, e kishim lopën, krejt me tamël, me djathë, i bojshim. Krejt fëminë i kena shkollu. Edhe bletë kena pasë, me mjaltë. Kena henëz sot. Krejt këta fëmijë e kanë marrë fakultetin me pare t’tina. Ma s’shumti ka shitë tamël, djathë. Ma s’shumti kanë marrë mësusat, se shkolla qitu ngat.

            E përpara, kur o kanë Shefqeti në Kutllovc para lufte, ka pru tamël kha poshtë, veç mos me iu bo myhtiaxh kërkujt. Punu s’ka, veç ka shitë tamël, djathë, sa ka mujtë qitu në Tunel; n’krah i ka pru. Tanshi edhe fëmijët, këtu masi erdhëm, e merrshin, e çojshin tamlin, veç me jau bo naj dinar me i shkollu. Po edhe keqpërdorë s’ia kanë, edhe ata kanë mësu mirë boll.

            Po si familje s’kena pasë kurrë qaq që me thanë. Kurrë s’kanë thanë këta fëmijë, “Pse s’po na jepni 50 cent, 20 cent, me ble diçka”. Kurrë. Se e kanë ditë që s’ka. Sot e bojnë dinarin e vet, çika tash u martu, i ka dy fëmijë. Liridoni e ka kry shkollën e fakultetin. Ka studiu jashtë, e ka ble kerrin, e ka maru garazhën. Edhe e ka bo këtë shpi meremet. Kjo shpi o kanë llom, s’ke pasë qysh me hi këtu. As shkallët s’i ka pasë sigurt.

            Liridoni, falë edhe babës t’vet me mjaltë që shitke, veç ma s’shumti Liridoni i ka pasë paret e bursës edhe ka çu sa ka mujtë pare, plus e ka ble kerrin. S’kem qaq kapital, po s’jena keq, mirë jena. Kur je e lumtur me fëmijë, pasuria e madhe osht fëmija. Edhe ni idare e kena. Une e marr pensionin e djalit, Shefqeti t’vetin, jo pak me mjaltë, sivjet s’kena pasë, se po, mirë. Veç që me na i dhanë krahët, Liridoni.

            Fitorja osht vajza e madhe. Ajo fakultetin juridik e ka kry. Fitorja o kanë shumë e sjellshme, shumë e mençme. Sot na çka t’kena diçka, i drejtohemi Fitorës ma s’shumti. Si vlleznit, si motrat, si prindët të dytë, na me Fitorën duhet nihere me kuvendue, para se me marrë iniciativë. Fitorja osht tepër intelegjente, edhe osht edhe prej goje.

            E kryjti masterin, edhe shoqja e vet e qiti për vëlla t’hasretit. Edhe Fitorja e çeli zyrën, n’fakt ia çeli Liridoni. Zyrë të avokatit. E fejume o kanë, kur ia kena çelë zyrën. Po tani i lindi djali, u desht me lanë ni kohë zyrën, po e çeli apet. Tani i lindi çika, hale n’zyre nuk osht.

            Dafina osht tu e përfundu fakultetin e edukimit. Temën e diplomës e ka përgaditë, veç ka me mbrojtë n’shtator, e me diplomu kismet. Edhe Dafina ka marrë bursë. Dafina krejt me 10-she ka kalu. Liridoni krejt me 10-she, qashtu Fitorja. Valentina osht për gjuhë shqipe, edhe ajo n’fakultet në Prishtinë, edhe ajo falë Zotit osht tu shku qysh jonë shku këta t’parët. Jetoni osht n’gjimnaz, edhe ky gjithë i shkëlqyshëm. Po, andrra jeme u ba realitet, masi s’kom mujtë vetë m’u shkollu. Se une edhe sot e kom andërr, edhe nuk m’hekët maraku i shkollës.

            Te ky Jetoni që ia kom përtri emnin, shumë e shoh Jetonin e madh kah sytë e kah trupi. Veç me më thanë, “Po m’dhem dikun” ose me i bërtitë dikush, ose me pa veç lotë që po qet, unë s’muj me përballu hiç. Mejherë m’dhem zemra. Tanë evladë i kom, veç këtà s’muj e nij tuj kajtë. As s’muj hiç me pa nervoz. Veç ky shpirtin ma këput.

            Para tri vjete, o kanë qitu, o kanë shumë ftoftë, dimën. Ka marrë ky ni sajë, asfaltit teposhtë, o kanë ni kerr i prishtë, i ndaltë qetu. E i ka ra aty kamës. E po thotë ni djalë i kojshive, “O hajde merrne Jetonin se o metë”. Qaty e di, e kom marrë, i kom bërtitë. Me ia pa kamën, gati e kish këputë n’asht. Vec kom bo, “O Zot, n’dorë tane çka koka bo me to”. E kena çu qashtu te mjeku. Plot 17 kamca ia kanë ngjitë. Po falë Zotit mirë; shejën normal e ka, veç mirë osht tash. E po du me thanë, këta s’muj me ni hiç tuj kajtë. As s’muj hiç me pa nervoz, se mejherë ligna. Se nonstop kur e kqyri atà, bile sidomos kur ma kthen shpinën, krejt si ai m’doket.

            N’fillim, mbasi vdiq Jetoni, e pajsha n’andërr, po tash ma rrallë. Tash ma nuk e shoh. N’fillim, erdh e m’tha, “Allahile, merrne Liridonin, se veç mrena po e mani, e qitne në Kutllovc najherë, se o Zot sa mirë po bohët mëngjesit”. Edhe e majshim mrena, nuk e lejshim me dalë. Krejt shkojshin, osht ni bazen atje, na nuk e lejshim. Sot kurrnihere s’del, as s’del natën, as s’del që me thanë. Veç i grah punës t’vet edhe hiç s’lakmon me dalë. Ky i vogli ma del.

            Kur e pashë t’dytën herë, ish rritë, ish bo shumë i madh. Edhe flokët krejt qel. Thashë, “E djali jem, pse i heke?” Tha, “Me ardhë atje ku jom unë, nuk t’lajnë me flokë t’gata”. E i thashë, “Rri veç edhe pak”. “Jo”, tha, “boll, shkova, se atje osht shumë ma mirë”.

            I maj n’men qeto dy andrra që i kom pa. Tash ma rrallë e shoh, jo fort shpesh. U bonën 21 vjet. Bash për ditëlindje t’tina kom shkru n’telefon, jau kom çu krejt familjës teme çka kom te nana, motra, vllazën. Jau kom shkru rrafsh ni faqe në viber edhe jau kom çu secilit. Une e maj n’men, prindi nuk e harron. Po noshta as vlleznit e motrat nuk e harrojnë.

            E kur kthehesh me mendu, luftë o kanë, shumëkush o metë pa asnji të vet, shumëkujt ia ka fikë derën. Na s’kena pa shumë çka kanë bo, na e kena pa që u vra djali prej plumi. Po s’kena përjetu dhunime, as t’rrehne. S’kena pa. Veç, për mu o kanë boll.

            Krejt shkijet çka jonë kanë qitu, ma merr menja, me siguri qata e kanë vra dikush. Qat ditë e kanë vra djalin, qat ditë jonë zhdjergjë teposhtë, e kanë nxanë renë e mixhës me familje, e kanë rrehë, e kanë bo haj medet haj. Edhe ajo e ka pasë djalin e mixhës t’Shefqetit. N’prezencë t’fëmive, e kanë rrehë e kanë bo qyqe. Edhe ajo e ka pasë vjehrën, e ni kunat edhe fëminë.

            Me ditë kush e ka vra, nuk po di çka i kisha thanë. Nashta n’atë moment nuk kisha mujtë me bo, s’po thom si ata, se veç Allahu e dënoftë. Atà që e ka bo këtà n’sabi t’Zotit, se ai sabi i Zotit o kanë, nimdhetë vjeç, i kisha thanë, “Allahu t’dënoftë. E çka e meritofsh prej Allahut, t’ardhtë. Se send sabia i Zotit nuk t’ka bo”. Po ai o kanë shka, nuk i ka interesu a o kanë gru, a fëmijë, a çka.

            Shumë e ka dashtë shkollën, shumë e ka dashtë librin, shumë e ka dashtë mësimin. Ni vjet kur i boni që e vrajtën, jom shku, e kanë përkujtu n’shkollë. O dalë ni vajzë, e ka thanë ni prezantim për tò. S’ka mujtë kërkush me i nalë lotët. Edhe lulen ia kishin qitë n’venin e tina n’bankë.

            Për mu o kanë vështirë boll, po dikuj krejt familjën ia kanë vra. E apet, njo me metë, po duhet me jetu. Po masi jom e knaqne edhe me këta tjerët, po besoj që Perenia, atij i kofshin falë, gjithkuj ia jep t’marën. Edhe ishalla na bashkon Zoti n’atë dynje me tanë dashamirët tonë, veçanërisht me djalë tonin. Ishalla gjithkush knaqët me t’vetët.


Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Nndërkombëtare të Zzhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet  forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022