Ndryshimet intensive gjeopolitike, sociale dhe kulturore që kanë shenjuar dy dekadat e fundit të shekullit të trazuar 20-të dhe fillimi po aq dinanik dhe dramatik i shekullit 21-të janë përcjellë nga afër nga zhvillimi i shpejtë i teknologjive të informacionit dhe komunikimit dhe nga procesi i globalizimit. Teoricienë të shumtë në sferat e shkencave shoqërore dhe humane vënë në dukje rëndësinë e disa ngjarjeve që kanë shenjuar fundin e shekullit të 20-të, që gjithashtu kanë paralajmëruar ndryshime në nivel global. Historiani francez Pjer Nora (Pierre Nora) e quan këtë “epoka e përkujtimeve”. Nga ana tjetër, anglicistja dhe antropologia kulturore gjermane Aleida Asman (Assmann) e quan “transformim i regjimit të kohërave moderne”. Sipas Noras, “epoka e përkujtimeve” apo ndryshimi në marrëdhënien me të kaluarën ka nisur në Francë në vitet 1970-të dhe është pasuar nga: rënia e Murit të Berlinit; kolapsi i Bashkimit Sovjetik; “rilindja e kujtesës” në Evropën Lindore, rënia e diktaturave ushtarake në Amerikën Latine; fundi i aparteidit në Afrikën e Jugut dhe puna e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.[1] Po ashtu, ashtu si në Gjermani (A. Asman), këto ndryshime u bënë të dukshme në vitet 1980-të edhe në kontekstin tonë. Gjatë asaj periudhe kriza ekonomike dhe politike që tronditi Republikën Federale Socialiste të Jugosllavisë u pasua nga një intensifikim i diskutimeve antagoniste dhe (etno)nacionalizmit, që arritën kulmin me “luftën mediatike” që i parapriu luftërave në Slloveni (1991), Kroaci (1991–1995) dhe Bosnje e Hercegovinë (1992–1996). Një banor i Sarajevës së rrethuar, i cili në vitet 1990-të, si duket gjatë një bisede me një gazetar, e ka vlerësuar rënien e Murit të Berlinit si diçka të mirë, por ka arritur në përfundimin se Muri i Berlinit “për fat të keq ‘ra mbi kokat tona’” duke përmbledhur kështu në mënyrë interesante ndryshimet që pasuan rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe efektet e tij në nivel lokal dhe global.[2]
Duke reflektuar për ndryshimet radikale në qëndrimin ndaj së kaluarës, që gjatë kësaj periudhe ka ndodhur në të gjitha segmentet e të gjitha shoqërive kudo në botë, Pjer Nora rendit disa nga format e ndryshme se si është manifestuar ky ndryshim: kritika për versionin zyrtar të historisë dhe rikthimi i atyre pjesëve të historisë që më parë ishin shtypur; kërkesa për shenja të së kaluarës që më parë janë shtypur dhe konfiskuar; rritje e interesimit në hulumtime gjeneaologjike dhe në kërkimin për ‘rrënjët’; të gjitha llojet e ngjarjeve përkujtimore, si dhe muzetë e rinj; ndjeshmëri dhe vetëdije e përtërirë për rëndësinë e mbajtjes dhe hapjes së arkivave për konsultime publike; fuqizim i lidhjes me trashëgiminë.[3] Pavarësisht se si ishin kombinuar, arrin Nora në përfundim, këto forma të prirjeve mbarëbotërore krijojnë lidhje të afërta ndërmjet respektit për të kaluarën – reale apo të imgjinuar – dhe ndjesisë së përkatësisë, ndërgjegjes kolektive dhe vetëdijes, kujtesës dhe identitetit individual.[4]
Ngjashëm, egjiptologu gjerman Jan Asman (Assmann) vë në dukje lidhjen ndërmjet kohës, identitetit dhe kujtesës brenda tre dimensioneve të tyre: personale, sociale dhe kulturore, të cilat ai i bën bashkë nën termin kujtesa kulturore.[5] Jan Asmani i thjeshton marrëdhëniet komplekse ndërmjet këtyre aspekteve duke shpjeguar se kujtesa jonë na mundëson të jetojmë në grupe dhe komunitete dhe jetesa në grupe dhe komunitete na mundëson që të kemi kujtesë.[6] Kujtesa jonë, që e kemi si qenie njerëzore, thekson Asmani, ekziston vetëm në ndërveprim të vazhdueshëm, jo vetëm me kujtesën tjetër njerëzore, por edhe me sendet, simbolet e jashtme, artefaktet e ndryshme, objektet, përvjetorët dhe peizazhet.[7] Duke qenë se grupet në vetvete nuk kanë kujtesë, ata përpiqen të imagjinojnë veten nëpërmjet sendeve, pikave të fiksuara në të kaluarën, që funksionojnë si përkujtime – monumente, muze, biblioteka, arkiva dhe institucione të tjera të kujtesës. Aleida dhe Jan Asmani bëjnë dallimin ndërmjet konceptit të kujtesës kulturore, që ata e përkufizojnë si institucionale, të jashtme dhe që ndërlidhet me një lloj relativisht të qëndrueshëm të kujtesës, të mbështetur nga institucionet për arsim, transmetim dhe interpretim; dhe kujtesës komunikuese, që nuk simbolizohet në kuptimin material, por jeton në komunikim dhe ndërveprim të përditshëm ndërmjet bashkëkohësve, në traditat orale dhe përfshin më së shumti tre breza. Po ashtu, Aleida Asman thekson se kujtesa kulturore nuk mund të barazohet me kujtesën kombëtare, duke patur parasysh se kujtesa kulturore është një koncept shumë më i gjerë, që shtrihet ndër mijëvjeçarë dhe nuk mund të vendoset nën kontrollin e qeverisë, ndërsa kujtesa kombëtare është koncept modern i shekullit 19, nga koha kur kombet evropiane ndërtuan një lloj të ri të identitetit kolektiv.[8]
Ndryshimet në praktikat e muzeve në mbarë botën, bashkë me ndryshimet ndaj muzeve që gjithnjë e më shumë po përballen me sfida të ndryshme janë shembull i mirë i pasojave të ndryshimeve rrënjësore në marrëdhënien me të kaluarën që kanë rezultuar në aktualizimin e konceptit të kujtesës – që gjithnjë e më shumë po shërben si zëvendësues i konceptit të historisë.[9] Në nivel global, këto sfida janë të dukshme nëpërmjet kronologjisë së punës së Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM).[10] Në punën e shoqatave profesionale të ekspertëve të muzeve, përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të ruajtur aktivisht marrëdhëniet me komunitetin e gjerë dhe për t’iu përgjigjur nevojave të së tashmes, janë të dukshme. Kjo konfirmohet nga konferenca e 26-të e ICOM e mbajtur rishtazi[11] me temë qendrore “Fuqia e muzeve”[12], ku komitetet ndërkombëtare të mbledhura rreth ICOM miratuan një përkufizim të ri të muzeut: “muzeu është institucion jofitimprurës, i përhershëm në shërbim të shoqërisë që hulumton, mbledh, ruan, interpreton dhe ekspozon trashëgiminë materiale dhe jomateriale. Të hapur për publikun, në dispozicion dhe gjithëpërfshirës, muzetë inkurajojnë dallimet dhe qëndrueshmërinë. Ata veprojnë dhe komunikojnë në mënyrë etike, profesionale dhe në bashkëpunim me komunitetet ata ofrojnë mundësi të ndryshme për edukim, shijim, reflektim dhe shkëmbim të njohurive”.[13] Se si muzetë e përkufizuar në këtë mënyrë funksionojnë në komunitete të ndryshme, kjo varet kryesisht nga konteksti kulturor, politik dhe historik brenda të cilit ekzistojnë këta muze. Duke mbajtur parasysh organizimin kompleks të vendit dhe politikat antagoniste të kujtesës që përkufizojnë shoqërinë e ndarë nga lufta të Bosnje e Hercegovinës, pyetja është: deri në ç’shkallë munden muzetë në Bosnje e Hercegovinë të ndjekin drejtimin e sugjeruar të veprimit të vënë në dukje në këtë përkufizim, si dhe parullën aktuale të ICOM-it: “Muzeutë nuk kanë kufinj, por kanë rrjet”[14]? Këto pyetje janë shumë të rëndësishme, sidomos për shkak të faktit se lufta në Bosnje e Hercegovinë ka qenë edhe luftë kundër kulturës së Bosnjes e Hercegovinës, që dëshmohet nga shkatërrimi sistematik i trashëgimisë kulturore dhe ‘rojtarëve’ të kujtesës kulturore: muzeuve dhe bibliotekave, që edhe në kuptimin e mirëfilltë, edhe simbolik, kanë qenë në vijën e parë të frontit gjatë luftërave të viteve 1990-të, si dhe nga (etno)politika e (pas)luftës e kulturës dhe e edukimit. Nga ana tjetër, gjatë rrethimit të Sarajevës, banorët e qytetit rrezikuan jetët e tyre e shumë madje edhe i dhanë jetët e tyre për të ruajtur koleksionet e vlefshme muzeale dhe librat nga ndërtesat e shkatërruara të muzeve ose librat nga bibliotekat që digjeshin. Gjatë luftës, disa entuziastë imagjinuan dhe konceptuan muze të rinj dhe nisën procese për të krijuar koleksione për muze të rinj, të imagjinuar. Me këto ide dhe praktika origjinale ata të gjithë reaguan ndaj brutalitetit të luftës me empati dhe solidaritet dhe ravijëzuan horizontet e një bote më njerëzore në netët e gjata dhe të errëta të Qytetit të rrethuar.
Një tjetër çështje me rëndësi është roli i muzeve në Bosnje e Hercegovinën e pas-Dejtonit, të përballur me tranzicione të shumta, ku pasojat e ndryshimeve të thella në nivel global ishin të dukshme edhe nga përkrahja e pamjaftueshme që iu dha edukimit në fushën e muzeologjisë dhe zhvillimit të praktikës muzeale në Bosnje e Hercegovinë;[15] zhdukja dhe/ose konvertimi i muzeve nga periudha socialiste; procesi i gjatë i rindërtimit të një numri të madh të koleksioneve të shkatërruar nga lufta dhe mungesa e vazhdueshme e përkrahjes për punën e muzeve dhe institucioneve të tjera kulturore me rëndësi kombëtare.[16] Këto dhe probleme të tjera të ndërlidhura janë në kontrast me hapjen e muzeve të rinj në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë muzetë privatë. Meqë nuk ka regjistra të institucioneve muzeale në Bosnje e Hercegovinë, për të mos përmendur pengesa të shumta politike dhe ligjore lidhur me krijimin e një regjistri të vetëm të institucioneve muzeale, është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i muzeve në Bosnje e Hercegovinë, apo numri i saktë i muzeve privatë. Sidoqoftë, ajo çka është e dukshme edhe pa njohuri më të detajuara sa i përket ndryshimeve në numrin dhe llojet e muzeve në periudhën e pasluftës janë rolet e ndryshme të muzeve të ndryshëm në shoqërinë e pasluftës. Po ashtu, ka edhe muze që i koordinojnë aktivitetet me programet e institucionalizuara të përkujtimeve të luftës nga vitet e nëntëdhjeta.
Me interesimin në rritje për përkujtime dhe me fokusin tek luftërat e viteve 90-të, vala e mëparshme e kujtimeve që përmbyti botën në vitet 1980-të dhe 1990-të e goditi gjithashtu zonën më të zgjeruar të pas – Jugosllavisë përfshirë edhe në kontekst të Bosnje e Hercegovinës. Aleancat e reja të kujtesës që janë krijuar në këtë proces dhe janë fuqizuar vazhdimisht nga krijimi i komiteteve të kujtesës, janë mbështetur edhe nga puna e disa muzeve në Bosnje e Hercegovinë dhe në zonën më të zgjeruar të pas-Jugosllavisë, aktiviteti i të cilave i ka kontribuuar thellimit të ndasive të imponuara nga lufta, revizionimit të historisë dhe falsifikimit të saj, në vend se të kontribuonin në mënyrë të përgjegjshme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Është pikërisht marrëdhënia ndaj procesit të ndërtimit të paqes dhe besimit pas luftës në Bosnje e Hercegovinë ku mund të flasim për role të shumëfishta të muzeve të ndryshëm në Bosnje e Hercegovinë, në mesin e të cilëve mund të dallojmë edhe muzetë, puna e të cilëve tejkalon kornizat e ngushta, antagoniste, (etno)politike të kujtesës dhe puna e të cilëve në kontekstin boshnjak të pasluftës krijon hapësirë për dialog dhe i kontribuon procesit të ballafaqimit të përgjegjshëm me të kaluarën.
Është interesante të përmenden këtu edhe raste të tjera që mund t’i bashkojmë nën titullin “muze në pritje”, që kanë të bëjnë me Muzeun e Rrethimit të Sarajevës (koleksioni FAMA)[17] dhe Muzeun e Arteve Bashkëkohore Ars Aevi.[18] Që të dy muzetë e imagjinuar me koleksione të vlefshme janë konceptuar në fillimet e hershme të rrethimit të Sarajevës dhe sot, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve që punojnë për promovimin e këtyre koleksioneve dhe planeve të detajuara për ngritjen e ndërtesave, asnjëri prej këtyre muzeve nuk është ndërtuar. Një pjesë e koleksionit Ars Aevi është e hapur për publikun në ndërtesën e ish-Bibliotekës Universitare Kombëtare të Bosnje e Hercegovinës, tani, seli e Këshillit të Qytetit dhe zyrës së kryetarit të komunës së Sarajevës. Sfida të shumta dhe mungesa e përkrahjes së nevojshme për ndërtimin e këtyre dy muzeve nuk e kanë cenuar disponueshmërinë e koleksionit të Ars Aevi, që konsiderohet një nga koleksionet më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Evropën Juglindore, si dhe të koleksionit FAMA, që fokusohet tek puna edukative. Që të dy koleksionet janë digjitalizuar dhe janë në dispozicion të pubikut të gjerë.
Shembujt e koleksioneve FAMA dhe Ars Aevi, si dhe puna e vazhdueshme e një sërë muzesh të rëndësishëm në Bosnje e Hercegovinë, sikurse Muzeu i Historisë së Bosnje e Hercegovinës, pavarësisht mungesës së mbështetjes për punën e tyre, në bashkëpunim me komunitetin vazhdojnë të zhvillojnë programe interesante dhe frymëzuese, duke dhënë pjesërisht përgjigje ndaj disa prej pyetjeve të ngritura më herët rreth rolit të mundshëm të muzeve në shoqërinë boshnjake të (pas)luftës. Nëpërmjet këtyre shembujve mund të dallojmë praktika të ndryshme, afatgjate dhe imagjinative, disa prej të cilave fillimisht ishin reagim ndaj shkatërrimeve të luftës dhe që, edhe në vitet pas luftës, kanë treguar se muzetë mund të jenë hapësira të shpresës dhe hapësirave të çelura që nëpërmjet punës së tyre kanë tejkaluar kufijtë e imponuar dhe kanë lidhur njerëzit, kohën dhe idetë kreative – në kohëra lufte, si dhe në periudhat e rimëkëmbjes së shoqërive nga lufta.
Melina Sadikoviq është hulumtuese ndërdisiplinore nga Sarajeva. Sferat e saj të edukimit dhe hulumtimit ndërdisiplinor janë studimet kulturore, kujtesa kulturore dhe edukimi për paqe.
[1] Pierre Nora, ‘Reasons for the current upsurge in memory,’ 2002, URL: https://www.boell.de/sites/default/files/assets/boell.de/images/download_de/Nora_Synopse_b_1.pdf
[2] Igor Štiks, “The Berlin Wall Fell on Our Heads”, in Up&Underground, revista për oraktikat utopike-revolucionare-kritike dhe teorike artistike-politike, numri 17-18.
[3] Pierre Nora, “Reasons for the current upsurge in memory”
[4] Ibid.
[5] Kujtesa kulturore është teori, pra, fushë shkencore e themeluar në vitet 1990-të nga Aleida dhe Jan Assmann.
[6] Assmann, Jan, “Communicative and Cultural Memory“, u Astrid Erll, Angsar Nuenning (editor) Cultural Memory Studies. An International and Interdisciplinary Handbook, Berlin, Nju Jork, 2008. (f. 110)
[7] Assmann J., 2008.
[8] Aleida Assmann, ‘Cultural Memory’, Network in Transnational Memory Studies (YOUTUBE video)
[9] Nora, 2002.
[10]Themeluar në vitin 1946, pas Luftës së Dytë Botërore, ICOM është përballur me sfida të ndryshme në vitet 1970-të, që përshkruhen në uebfaqen zyrtare të ICOM-it si vitet e krizës dhe tranzicionit ku shfaqen llojet e reja të muzeve. Le të risjellim në kujtesë se kjo është periudha që Nora e përshkruan si fillimin e ndryshimit në qëndrimet ndaj së kaluarës.
[11] Konferenca e ICOM-it u mbajt nga 20-28 gusht 2022 në Pragë; https://icom.museum/en/news/icom-prague-2022-discover-the-social-program/
[12] ICOM, ‘Fuqia e Muzeve’; Dita Ndërkombëtare dhe Nata Evropiane e Muzeve në Bosnje e Hercegovinë nën këtë moto të ICOM-it u mbajt nga 14 deri 18 maj 2022; http://www.mcp.gov.ba/Publication/Read/medjunarodni-dan-i-evropska-noc-muzeja-u-bosni-i-hercegovini-14-18-maj-2022-godine?pageId=27&lang=hr
[13] Komiteti Kombëtar Kroat i ICOM-it: http://www.icom-croatia.hr/aktivnosti/icom-definicija-muzeja-2022/; ICOM, https://icom.museum/en/news/icom-approves-a-new-museum-definition/
[14] ICOM, ‘Muzetë nuk kanë kufinj, ata kanë rrjet’
[15] Më shumë rreth edukimit museal në kontekst ndërkombëtar, përfshirë dhe kontekstin e BeH, në : Asja Mandić, Challenges of museum education. Contemporary Art and Visual Thinking Strategies. 2014, Sarajevë, Dobra knjiga
[16] Le të sjellim ndër mend krizën ende aktuale të njohur si ‘Shtatë institucionet kulturore me rëndësi shtetërore për Bosnje e Hercegovinën’.
[17] Fama Collection, https://www.famacollection.org/eng/general-information/about-fama/index.html
[18] Muzeu i Artit Bashkëkohor Ars Aevi, https://www.facebook.com/ArsAeviMuseumSarajevo/