Njohja e zhanrit “muzikë vendase” në shërbimet muzikore në internet si YouTube dhe Spotify
Miks ballkanik. Muzikë vendase. Rok vendas. Domaćica. Hitet e ish-Jugos. Gjejmë mijëra lista këngësh me emërtime të ngjashme në shërbimet muzikore si YouTube ose Spotify. Këto janë koleksione të këngëve të popullarizuara, të krijuara nga përdorues nga zona të ndryshme të ish-Jugosllavisë apo nga diaspora, të mbledhur nën emëruesin e përbashkët “vendas”, që i referohet muzikës të cilën ata e perceptojnë si të tyren.
Afiniteti muzikor është mjet i fuqishëm identifikimi dhe lidhjeje me një kolektiv. Shpeshherë, produktet kulturore përdoren për të vërtetuar përkatësinë në një komb, si masa kolektive që promovohet fuqishëm në vendet të cilat kanë dalë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Shumë teoricienë, si Vahtel (Wachtel), pajtohen se “tullat thebësisht të rëndësishme në murin e identitetit kombëtar padyshim se vijnë nga sfera e kulturës”.[i]
Mirëpo, trendet e dukshme të pranishme brenda shërbimeve muzikore në internet japin saktësisht të njëjtën provë që muzika, si mjet identifikimi, tejkalon kornizat kombëtare. Kjo shkon përtej zgjedhjeve individuale të vullnetshme dhe të ndërgjegjshme dhe mund të vëzhgohet edhe në veprimet e algoritmeve që përcjellin dhe parashikojnë sjelljen e përdoruesve. Në praktikë, funksionon kështu: shërbimet sugjerojnë lloje të ngjashme të muzikës për përdoruesit të cilët dëgjojnë një zhanër të caktuar. Kështu, veprimet e përdoruesve të vërtetë dhe inteligjencës artificiale ndikojnë mbi popullarizimin dhe shpërndarjen e zhanreve specifike.
Për të kuptuar se si ky perceptim dhe përdorim i “muzikës vendase” thyen kufijtë fizikë në Ballkan dhe bashkon breza të përdoruesve, madje edhe të lindur pas shpërbërjes së Jugosllavisë, le të kthehemi pas disa dekada.
Industria e muzikës në ish-Jugosllavi
Dëgjuesi mesatar i muzikës pop nga ish-Jugosllavia fillimisht do t’i referohej një zhanri brenda gamës së gjerë të muzikës së popullarizuar për identitetin e tyre muzikor dhe pastaj së dyti një vendndodhjeje gjeografike. Ndarja legjendare në “narodnjaci” dhe “zabavnjaci” (“popullore” dhe “pop”) njihet mirë nga të gjithë.
Para shpërbërjes së RSFJ-së në fillimin e viteve 1990-të, tregu muzikor shtrihej mbi të gjithë territorin e saj: nga Sllovenia në perëndim deri në Maqedoni në juglindje, duke arritur një audiencë mbi 22 milionë. Gjatë viteve 1970-të dhe 1980-të, industria e regjistrimeve lulëzoi, ku spikasnin kompanitë më të njohura, si Jugoton nga Zagrebi, produksioni i disqeve për gramafonë i RTV Beogradit, Diskotoni nga Sarajeva dhe të tjerë. Zhanret më të respektuara në industrinë e regjistrimit klasifikoheshin në dy kategori kryesore – muzikë “narodna” (popullore) dhe “zabavna” (pop-argëtuese), brenda të cilave kishte nënkategori të shumta – nga muzika tradicionale apo e kompozuar rishtazi popullore, balada sentimentale (muzika Schlager), muzikë për festivale dhe e ashtuquajtura muzika argëtuese familjare, si dhe një produksion të pasur të bendeve të rokut nga një zonë më e gjerë.
Studiot e regjistrimit nuk përfaqësonin patjetër vetëm artistët nga zona e tyre gjeografike, kjo në bazë të parimit të tregut të hapur dhe hapësirës së unifikuar kulturore. Në fakt, ata nënshkruanin kontrata me autorë dhe performues nga të gjitha pjesët e vendit. Për shembull, Jugotoni me bazë në Zagreb ishte publikuesi i disa prej përfaqësuesve më të spikatur të skenës sarajevase, si Plavi orkestar, Bijelo dugme, Zdravko Čolić apo Crvena Jabuka. Ndër redaktorët e kësaj studioje të regjistrimit ishte dhe i mirënjohuri Sinisha Shkarica, i cili kishte “nuhatje” për të identifikuar hitet e mundshme të muzikës pop.
Studiot e regjistrimit i shpërndanin regjistrimet e tyre nëpërmjet një rrjeti të shitjes së bartësve muzikorë (dyqane për disqe dhe kaseta) dhe një rrjeti të konsoliduar të kanaleve të radios dhe televizionit të ish-RTJ (Radio-Televizioni Jugosllav). Nëpërmjet këtyre kanaleve, muzika arrinte tek shtëpitë e dëgjuesve në të gjithë vendin. Barrierat gjuhësore pothuajse nuk ekzistonin, me përjashtim të sllovenishtes dhe maqedonishtes, përfaqësuesit më të spikatur të të cilave vende ishin po ashtu të pranishëm në tregun e unifikuar (p.sh., Pepel in kri, Lačni Franz, Leb i sol, muzika popullore maqedonase).
Në një treg të tillë muzikor të organizuar, identiteti kulturor i konsumatorit mesatar të mallrave muzikore kishte një gamë të gjerë prej nga të nxirrte afirmimet e veta.
Identitetet kulturore dhe fuqizimi i nacionalizmit
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë ndodhi në mënyrë shumë drastike, me luftë dhe gjakderdhje. Harta politike e krijuar rishtazi tani përbëhet nga shtatë shtete[ii] në vend të një shteti dhe tregu dikur i unifikuar tani është copëzuar në pjesë të ndryshme. Politikat nacionaliste të ndasive dhe traumat e freskëta nga luftërat e viteve 1990-të kanë çuar në rritje të tensioneve ndërmjet shteteve.
Çka ndodh me identitetet kulturore të banorëve të këtyre shteteve të sapokrijuara? Për shkak të ndryshimeve të ndërlikuara gjeopolitike dhe ideologjive dominuese, identitetet kulturore i nënshtrohen korigjimeve dhe përshtaten me nevojat e reja. Historia, mitet dhe format e harruara kulturore risillen në jetë për të ardhur në ndihmë.
Teoricienët theksojnë faktin se ndërgjegja identitare shpeshherë mbështetet tek dallimet ndërmjet “nesh” dhe “të tjerëve”, ku shpeshherë, kufiri është “arbitrar”, sikurse e thekson Eduard Said: “Për ‘ne’ mjafton që ato kufij të vendosen në mendjet tona; ‘e tyrja’ bëhen ‘ata’ përkatësisht dhe teoria e tyre si dhe mentaliteti i tyre shenjohen si të ndryshme nga ‘e jona'”.[iii]
Kështu, mallrat kulturore për konsum masiv, sikurse është muzika popullore, kufizohen brenda kufijve kulturorë të shteteve të sapoformuara. Skena lokalizohet dhe ngushtohet duke rezultuar në përmbajtje të pakësuar për përdoruesit.
Ndryshimet globale dhe demokratizimi i industrisë muzikore
Mirëpo, edhe pse shtetet e sapoformuara dhe institucionet e tyre nisën të ndërtojnë skenat e tyre kulturore, ndryshimet globale vazhduan të ndodhin në industrinë muzikore duke çuar në demokratizim.
Së pari, ishte transformimi rrënjësor i teknologjisë në industrinë muzikore: në vend të diqeve dhe kasetave të diskurshme, bartësit më të përhapur të tingujve në vitet 1990-të u bënë kompakt disqet (CD). Në shekullin njëzetenjë, filloi gradualisht pakësimi i përdorimit masiv të CD-ve në favor të shërbimeve digjitale.
Së dyti, me uljen e kostove të teknologjisë së transmetimeve, pati hiperprodhim të stacioneve të radiove dhe televizionëve. Ato nuk janë më përfaqësues ekskluzivë të një qendre specifike gjeopolitike, por janë gjithnjë e më shumë kanale komerciale në pronësi private.
Ekziston një moment me rëndësi ku ndodh transformimi kyç në praktikën e përdoruesve të muzikës: për shkak të përparimeve në teknologji dhe përhapjes së burimeve prej nga muzika mund të dëgjohet, përdoruesit bëhen më pak të varur nga roli i kuratorëve apo redaktorëve të muzikës. Në sistemin e mëparshëm, redaktorët e muzikës kishin mbështetjen e institucioneve të mëdha, mirëpo krahas me demokratizimin e përmbajtjes muzikore, përdoruesit nisën të bëhen edhe vetë kuratorë. Tani, zgjedhjet muzikore varen nga përdoruesit, preferencat e tyre, përmbajtja në dispozicion ose gjendja e tyre e humorit.
Nuk duhet të na humbë nga sytë fakti se hapësira kulturore në ish-Jugosllavi ende është e lidhur nga gjuha e përbashkët dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të ndërthurura në një rrjet të përmbajtjes kulturore. Në tentativat e tyre për të krijuar një përzgjedhje muzikore ideale, përdoruesit u kthehen elementëve që ata ndjejnë se janë të tyret, ku ata ndjehen si “në shtëpi”.
Si pjesë e hulumtimit të zhvilluar nga autorja për temën e saj të masterit në fillimin e viteve 2000, në mesin e pjesëtarëve të diasporës boshjake, të kuptuarit e muzikës “vendase” shkonte mjaft përtej muzikës që e kishte origjinën në Bosnje e Hercegovinë. Aty përfshiheshin shumë emra nga Kroacia dhe Serbia, si dhe performues individualë nga Maqedonia ose Sllovenia (p.sh., Toshe Proeski ose Robert Magnifico).
Programet televizive satelitore, stacionet e shumta të radios dhe zhvillimi i internetit e kanë bërë muzikën shumë më të qasshme se sa ka qenë në shekullin e mëparshëm. Çuditërisht, gjatë kësaj periudhe tranzicioni, muzika dhe zhanret e popullarizuara janë konsoliduar, duke rezultuar në dallime më të pakta ndërmjet kategorive të përcaktuara më parë, si muzika “popullore” ose “argëtuese“.
Algoritmet si kuratorë të muzikës
Në shekullin 21, me zhvillimin e shërbimeve të internetit dhe platformave të medieve sociale, përdoruesi mesatar ka qasje në librari muzikore nga mbarë bota dhe krejtësisht falas. Përdoruesi ka liri të plotë për të vendosur për listat e muzikës, nën ndikimikn subtil të algoritmeve. Në vend të kuratorëve të muzikës të mëparshëm, të cilët kanë formësuar përmbajtjen muzikore dhe mediatike në varësi të konvencioneve, sugjerimet muzikore tani vijnë nga inteligjenca artificiale.
Gjatë krijimit të sugjerimeve, algoritmet në YouTube mbështeten tek elementë të matshëm që kanë të bëjnë me përdorues individualë dhe me praktika të përdoruesve të tjerë që ndajnë interesa të përbashkët për ndonjë video të caktuar. Këta algoritme vlerësojnë aftësinë matëse gjuhësore, shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e përfshirjes si dhe përvoja të ngjashme të përdoruesve. Ngjashëm, algoritmi i popullarizuar “Spotify radio” krijon dhe ofron për secilin përdorues listë të personalizuar prej 50 këngësh të ngjashme të lidhura me një këngë të vetme që ka zgjedhur përdoruesi.
“Identifikimi ndërtohet në bazë të elementëve të dallueshëm të origjinës së përbashkët ose karakteristikave të përbashkëta që një individ ka me të tjerë, me një grup apo me një ideal, me praninë e afërsisë, solidaritetit apo besnikërisë ndaj kësaj marrëdhënieje”, paralajmëron Stuart Hall. [iv]
Duke patur parasysh se identitetet nuk janë kategori të fiksuara, por proces i vijueshëm, është e qartë se konsumi masiv i produkteve kulturore nën konceptin e “muzikës vendase” ka ndikim të fuqishëm mbi identitetet kulturore të audiencave të reja.
Kështu, muzika vendase bëhet mjet i identifikimit dhe njohjes, gjuhë komunikimi dhe emërues i përbashkët i brezave të milenialëve dhe Gen Z, hapësira kulturore e të cilëve nuk kufizohet nga kufijtë fizikë, por shtrihet në të gjithë internetin.
Vesna Andree Zaimoviq, maj 2023
[i] Wachtel, Andrew. (2001). Creating a Nation, Destroying a Nation: Literature and Cultural Politics in Yugoslavia.
[ii] Përfshirë Kosovën si vend që ekziston në hartën politike, por nuk është anëtare e OKB-së.
[iii] Said, Eward W. (2000) Orientalism.
[iv] Hall, Stuart. (1996). Questions of Cultural Identity.
Vesna Andree Zaimović është eksperte e medias dhe muzikologe nga Sarajeva me mbi 30 vjet përvojë pune dhe arritje në median tradicionale dhe të re: TV, radio, shtyp, film dokumentar, ueb dhe rrjete sociale. Ajo njihet sidomos për punën e saj në gazetari në sferën e kulturës, artit dhe të drejtave të njeriut, për të cilën ka marrë çmime. Ajo ka master në muzikologji në sferën e sociologjisë së muzikës dhe ka përfunduar një sërë kursesh arsimi dhe trajnimi në media. Ajo ka drejtuar shumë projekte dhe fushata madhore, duke u mbështetur tek përvoja e gjerë në media, tek shkathtësitë dhe njohuritë për komunikimin, gazetarinë, median digjitale, marrëdhëniet publike dhe avokimin. Ajo ka qenë pjesë e ekipit që themeloi BH Radio 1, shërbimi i parë radiofonik publik në Bosnje e Hercegovinën pas luftës. Ajo ka shërbyer si udhëheqëse e projektit dhe dy herë kryesuese e delegacionit në festivalin e këngës Eurovision në vitin 2004 dhe 2005. Ajo është një nga themelueset e Radiosarajevo.ba, një portal që aktualisht është ndër organet mediatike të pavarura më të vizituara në Bosnje e Hercegovinë, ku është angazhuar si menaxhere projekti dhe redaktore prej 15 vjetësh. Ajo boton artikuj profesionale në publikime muzikologjie ndërkombëtare dhe vendore.