Na ishte një herë që kurrë mos qoftë

Na ishte njëherë është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës.. Më shumë se sa ekspozitë, është një memorial që i kushtohet të gjithë fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë. Nëpërmjet sendeve të tyre personale, ne hedhim vështrimin në jetët e tyre të reja dhe hasim rrethanat e vdekjeve të tyre të parakohshme. Ndërmjet plumbave dhe rrëfenjave, ekspozita shpalos një botë të ngjashme me atë të përrallave që nuk është dashur kurrë të jetë pjesë e realitetit tonë. 

Pak është bërë për memorializimin e së kaluarës në Kosovë, pasi shteti nuk i ka kushtuar shumë vëmendje përkujtimit të viktimave civile. Është një grup i ndjeshëm – fëmijët – që për dy dekada nuk është përmendur. Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), si pasojë e luftës në Kosovë janë vrarë ose zhdukur 1133 fëmijë. Kjo shifër përbën 10% të numrit total të viktimave civile. 

Duke e njohur rëndësisë e përkujtimit të fëmijëve, FDHK nisi t’i kontaktojë familjet e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur dhe së bashku krijuan konceptin që sot është ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë ”.  

FDHK veçse i kishte informatat personale të të gjithë fëmijëve (emrat, mbiemrat, datat e lindjes dhe vdekjes, në shumë raste edhe fotografi) si dhe informacionin faktik se si ata ishin vrarë, si rezultat i Librit të Kujtimit të Kosovës, një projekt ky i përbashkët me Fondin për të Drejtën Humanitare. Ndërsa familjarët kishin kujtimet e një jete të përbashkët me ta dhe në disa raste, disa sende personale, të cilat i ruajnë me dashuri që nga ajo kohë. 

Për t’i bërë bashkë aspektin faktik dhe atë emocional në mënyrë simbolike dhe artistike, ne bashkëpunuam me kuratoren Blerta Hocia. Teksa ekspozita merrte formë, u shfaqën katër elementë: Lista e emrave, audio e Gramoz Berishës, Dhoma e Xhamit dhe Muri i Portreteve. 

Ekspozita “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”

Gjëja e parë që hasim kur hyjmë në ekspozitë është lista e emrave. Të përballur me një mur 16-metra, masa e numrave dhe germave fillon të marrë më shumë kuptim kur afrohemi dhe nisim të lexojmë emrat e 1133 fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.

Edhe pse ende përpiqemi të procesojmë atë që po shikojmë, vëmendjen ta tërheq ajo që mund të dëgjohet nga largësia. Është zëri i Gramoz Berishës, njërit prej pak të mbijetuarve të masakrës në picerinë “Kalabria”, që rrëfen historinë e tij të mbijetesës dhe humbjes. Teksa Gramozi, atëherë një fëmijë, tregon se si u hoq sikur ishte i vdekur që të mos e vërenin forcat serbe që po transportonin trupat e sapo vrarë të pjesëtarëve të familjes së tij, Kjo dhomë e mbush qenien me errësirën e nevojshme për të imagjinuar terrin e atij udhëtimi. Teksa historia e tij përsëritet dhe fjalët nisin të turbullohen, ndërkohë që dalim nga salla e errët, kalojmë sërish nëpër mur. Mirëpo këtë herë, të 1133 emrat na bëjnë të mendojmë për rrethanat individuale të secilës vdekje. 

Nga errësira e dhomës hyjmë në një hapësirë të ndritshme, paqësore, ku shohim objekte të mbuluara me xham, disa prej të cilëve qëndrojnë pezull sikur të ishin brenda një përralle, për të na rikujtuar se kemi hyrë në botën e fëmijëve. Objektet dhe veshjet brenda xhamit pushojnë së qeni thjesht objekte dhe veshje. Ato shndërrohen në histori personale që përcjellin vetë praninë e fëmijëve. Ndërmjet sendeve, muri i portreteve të tërheq vëmendjen dhe papritmas vështrimi has në fytyrat e buzëqeshura të më shumë se 500 fotografive të fëmijëve që varen pezull. Në këtë skenë si në ëndrra, secila foto projektohet në mur, duke na dhënë ndjesinë sikur ato bartin  hijet e portreteve që mungojnë. Me anë të kësaj ekspozite, FDHK-ja ka krijuar një hapësirë fizike për të mbajtur gjallë kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur si rezultat i luftës në Kosovës dhe shërben si përkujtim i pasojave të luftës. 

Informata për ekspozitën 

Që nga hapja e saj në vitin 2019, me kërkesë të familjeve të interesuara, sende dhe storie të reja i janë shtuar ekspozitës. FDHK-ja është në kërkim të mundësive për ta institucionalizuar ekspozitën duke gjetur një hapësirë publike të përhershme ku të mund të paraqesë më shumë histori të fëmijëve dhe kështu, të bëhet i vetmi muzeum i luftës në Kosovë.

Katalogu i ekspozitës është publikuar në vitin 2020 me përkrahje nga forumZFD. Lexojeni katalogun këtu. Për të gjithë lexuesit që nuk kanë mundësi ta vizitojnë ekspozitën personalisht, këtu mund të gjejnë linkun për shëtitjen virtuale


Dea Dedi ka studiuar të drejtën penale në Universitetin e Prishtinës dhe është student e MA në Filozofi. Ajo ka punuar në tema të lidhura me luftën për rreth 10 vjet. Dea ka mbajtur pozicione të ndryshme në FDHK dhe ka punuar në EULEX,  aktualisht është menaxhere e Qendrës së Dokumentimit të Kosovës (QDK), e cila është hapësira publike e FDHK.