Kemi disa muaj që kemi hyrë në vitin 2023 dhe mund të themi me siguri të plotë se 2022 nuk ishte viti më i mirë për askë prej nesh. Jemi ende konfuzë nga kufizimet e COVID-19. Ishim dëshmitarë të fillimit të luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës dhe dëgjuam për mungesa të mundshme të ushqimeve, karburantit dhe energjisë elektrike. Ndërkohë, çmimet janë rritur deri në qiell, kudo. Prandaj, ishte e pritshme që autoritetet vendore dhe lokale të propozonin masa për të parandaluar ose së paku, për t’i zbutur këto kriza.
Një nga këto masa që u inicua për të parandaluar faturat e larta të energjisë elektrike që u prezantua në një nga komunat e Shkupit ishte që pas orës 01:00 të mëngjesit çdo ditë, dritat e rrugës të ndaleshin. Kjo menjëherë u pasua nga një furi reagimesh kundërshtuese nga qytetarët, që frikësoheshin për sigurinë e tyre. Sidomos të zëshme ishin gratë, të cilat thanë se nuk ndjeheshin të sigurta të ecnin vetëm dhe kishin frikë edhe më shumë nga ngacmimet dhe sulmet. Në vitin 2019, gratë dhe vajzat shfrytëzuan mediat sociale për të ngritur zërin kundër dhunës gjinore dhe ngacmimeve[1]. Doli që gratë dhe vajzat kishin përjetuar ngacmime dhe dhunë në shumë vende publike, sidomos parqe, transport publik dhe parkingje. Prandaj, ato kryesisht u shmangeshin rrugëve dhe vendeve të errëta. Ato thanë se që të ndjeheshin të sigurta, bënin sikur flisnin në celular, mbanin çelësat në duar në rast se i sulmonin, etj. Regjistri i policisë rregullisht tregon sulme dhe vjedhje kundër grave më të moshuara nëpër rrugë, madje edhe gjatë ditës, kur ato lëvizin rreth shtëpive të tyre. Kur në atë komunë zbatoheshin kufizimet, u regjistruan 50% më shumë krime se në të njëjtën periudhë një vit më parë.[2]
Duke patur këtë parasysh, ishte pothuajse sureale të dëgjoje që disa komuna kishin zgjedhur të kursenin energjinë elektrike para sigurisë së qytetarëve të tyre, sidomos të grave. Shpjegimi i njërit prej kryetarëve të komunave e keqësoi edhe më tej këtë veprim të pabesueshëm: meqë të gjitha baret mbyllen në orën 12:00, komuna kishte lejuar një orë më shumë derisa njerëzit të ktheheshin nëpër shtëpi.[3] Pikërisht ky shpjegim tregonte se komuna kishte dështuar t’i shtjellonte pasojat e masave të tilla për qytetarët e vet, duke i shndërruar ata në thjesht njerëz që punojnë me orarin 09:00-17:00 dhe ndonjëherë vizitojnë baret para se të kthehen në shtëpi. Komuna nuk ia doli të marrë parasysh njerëzit që punojnë në ndërrimin e natës, të rinjtë që shkojnë nëpër klube nate dhe kthehen më vonë se ora 01:00 e mëngjesit dhe në fakt, të gjithë ata që dëshirojnë të shëtisin edhe pas “orës policore” të energjisë elektrike.
Për fat, reagimet e shumta i bënë komunat ta rimendonin vendimin dhe të kuptonin se kishte dhe zgjidhje të tjera për të kursyer energjinë elektrike: një komunë vendosi që të ndalte çdo të dytën dritë në rrugë, ndërsa të tjera vendosën të ulin nivelin e ndriçimit ose të përdornin poça LED, që njihen si kursyes të energjisë elektrike.[4]
Në fakt, kjo është ajo që do të bënte gjithëpërfshirja gjinore për politikat tona lokale dhe vendore, edhe pa nevojën për të protestuar kundër zgjidhjeve që ofrohen të parat: do t’i vendoste vendimmarrësit në pozicion të tillë që të vlerësonin secilën masë kundrejt nevojave, frikërave, mundësive dhe sfidave të secilës kategori të qytetarëve, pra, të grave, burrave ose personave jobinarë, duke mbajtur parasysh edhe veçori të tjera, si mosha, aftësia e kufizuar, varfëria etj. Kjo do të thotë se para se të merret vendimi për të ndalur dritat, ata është dashur të përdorin veglat gjinore, së paku ta diskutonin vendimin me të gjitha grupet e ndryshme, të kuptonin kufizimet dhe pengesat e tyre, të konsultoheshin me statistikat, të zhvillonin analiza dhe të gjenin zgjidhjen që do të funksiononte për të gjithë.
Sigurisht, pjesa më e vështirë gjithnjë ka qenë (dhe për fat të keq, ende është) ekzistenca e stereotipeve gjinore që duken të pamundura të ndryshojnë. Çfarë të mire sjell parimi i barazisë gjinore në vendin e punës nëse ende mendojmë që gratë duhet të rrinë në shtëpi me fëmijët dhe të moshuarit e sëmurë dhe se burrat duhet të përparojnë në pozitat e tyre meqë nuk ka pse të shqetësohen për gjërat në shtëpi, me përjashtim të fitimit të jetesës? Apo, më tutje, çfarë të mire sjell Ligji për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Dhunës kundër Grave dhe Dhunën në Familje nëse zyrtarët vazhdimisht i pyesin viktimat se çfarë bënë për ta merituar dhunën apo, sikurse ndodhi në rastin e fundit të qëmtuar nga media sociale, çfarë po bënte një vajze e re jashtë në orën 04:00 të mëngjesit dhe përse pati nevojë të merrte taksi?
Pasi të miratohet, Ligji për Barazi Gjinore do të imponojë detyrimet për përdorimin e veglave gjinore dhe gjithëpërfshirjes gjinore gjatë hartimit të politikave në nivel vendor dhe lokal. Ashtu si ligjet e përmendura më lart, edhe ky Ligj nuk do të ketë ndonjë kuptim nëse ne si shoqëri nuk e kuptojmë rolin tonë në arritjen e barazisë gjinore.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka sjellë një shembull të mirë të mendimeve të ndryshuara: draft-Ligji për Marrëdhëniet e Punësimit propozon pushim prindëror të patransferueshëm si për nënën, ashtu edhe për babain dhe një pushim të tretë që ata të dy të mund ta ndajnë. Kjo masë pritet ta ndryshojë perceptimin për gratë e reja si “investime të pavlefshme” për shkak të mundësisë për pushim prindëror dhe perceptimin për burrat si të vetmit që fitojnë jetesën.
Është me rëndësi thelbësore të kuptohet se gjithëpërfshirja gjinore nuk ka të bëjë vetëm me shtimin e fjalës “gjinore” tek politikat dhe masat. Ajo ka të bëjë me pranimin e nevojave, frikërave dhe sfidave të ndryshme të grupeve të ndryshme dhe me pranimin e ndikimit që stereotipet gjinore kanë tek politikëbërja. Si shoqëri, duhet të punojmë për thyerjen e këtyre stereotipeve dhe për ndërtimin e zyrtarëve që i dallojnë dhe adresojnë pengesat e tilla. Vetëm atëherë mund të arrijmë me të vërtetë një shoqëri që është e sigurtë dhe e barabartë për të gjithë, pavarësisht gjinisë së tyre. Të vazhdojmë të kërkojmë politika që i marrin parasysh perspektivat gjinore dhe punojnë drejt një të ardhmeje ku barazia gjinore nuk është thjesht parim në letër, por realitet për të gjithë.
Maja Atanasova është juriste me përvojë e specializuar në ofrimin e ndihmës juridike falas për individët në nevojë, përfshirë viktimat e diskriminimit, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Ajo ka kontribuar për grupe pune me fokus tek hartimi dhe ndryshimi i ligjeve dhe ka ofruar këshilla ligjore për organizata të shoqërisë civile për çështje si punësimi, pronësia dhe menaxhimi. Maja është edhe trajnere dhe fasilitatore e aftë me ekspertizë në të drejtat e njeriut, ndihmën juridike falas, çështjet gjinore dhe diskriminimin. Ajo ka udhëhequr sesione trajnimi për një grup të larmishëm pjesëmarrësish, përfshirë punëtorë socialë, profesionistë ligjorë, nxënës të shkollave të mesme dhe përfaqësues të sindikatave.
[1] https://okno.mk/node/80506
[2] https://pina.mk/6134-ulichnoto-osvetluvane-delumno-nastrada-pri-shtedeneto-struja-vo-del-od-opshtinite/
[3] https://sdk.mk/index.php/dopisna-mrezha/od-1-do-5-chasot-nema-svetlo-vo-karposh-jakimovski-veli-mora-da-se-shtedi-ili-zhitelite-ke-plakaat-pogolemi-smetki/
[4] Disa komuna zgjodhën ta zbatojnë këtë metodë të kursimit: https://pina.mk/6134-ulichnoto-osvetluvane-delumno-nastrada-pri-shtedeneto-struja-vo-del-od-opshtinite/