Kur familjes së Hanumshahes i vijnë paramilitrët sërbë herën e parë më 1998, ata ikin dhe strehohen në mal, ku paraprakisht kishin çuar sende për mbijetesë. Pas një jave lëshohen në fshat dhe e gjejnë shtëpinë të djegur prej sërbëve. Jetojnë gjashtë muaj në bodrumin e shtëpisë, pa ujë a rrymë, derisa nisin bombardimet prej NATO-s, kur detyrohen t’i ngjiten malit prapë.
Hanumshahja në atë kohë kishte dy djem e dy vajza; më të voglin ende tetëmuajsh në djep. Një ditë, gjatë kohës që strehohen në mal, forcat sërbe i gjuajnë me minahedhës. Granata bie krejt afër vendit ku po luanin fëmijët e Hanumshahes.
Hanumshahe Gaxhiqi
Quhem Hanumshahe Gaxhiqi, jom nga Klina, e lindun në vitin 1973 në Dollovë. Në Murg jom e martume, po mas luftës jena ardhë këtu në Klinë. Jetoj me vjehër e me dy djem. Çikën e kom t’martume, quhet Ardiana. Djemtë më quhen Armend e Ardian, e vjehra Zade Gaxhiqi.
Fëmininë e kom pasë të mirë. N’atë kohë e kom pasë nanën, fort mirë na ka majtë, na ka mësu. Baba m’ka dekë kur jom kanë në klasën e tretë. Edhe baba na ka pasë kqyrë shumë, më kujtohet edhe sot. Raportet i kemi pasë shumë t’mira, se ma shumë na ka deshtë neve çikat se djemtë. Jemi kanë katër vëllazën e tri motra: Bajram, Ahmet, Arif e Mehmer Hoti edhe Zojë, Mane edhe une, Hanumshahe. Mirë ia kemi çu shumë mes veti. S’kena pasë kurrë probleme. E kena pasë mbikqyrjen e nanës shumë t’kujdesshme. Nana shumë m’ka avytë, m’ka mësu për mirë gjithmonë. E kom pasë përkrajhen e saj, ma shumë se prej krejtve.
Sot tre vëllazën më jetojnë në Gjermani, njonin e kom këtu, ma t’madhin, edhe motrën e madhe e kom në Kosovë.
Në shkollë, në Grabanicë, prej klasës s’tretë dekterna t’tetën jena shku dy katune bashkë, djem e vajza. Qaq mirë që jena kanë, kurrë s’jena shku njani pa tjetrin, dy mahallat. Shkojshim gjithë bashkë, na kanë pasë edhe lakmi qysh e kemi kry shkollën pa u nda kurrë. Tetë vjet bashkë, jena kanë nja dhetë-dymdhetë veta. Bashkë jena shku, bashkë jena kthy. Kurrë s’jena da.
Si me t’moçëm, si me t’ri, i kom pasë raportet shumë mirë. Tash qe sa vjet bile thojnë, “Qysh i ra kjo mërzi ksajna, se kjo na ka pasë majtë neve tanëve”. Se jena kanë bija qasisoji. Sot hala kem dashni me çika t’mixhallarëve. Edhe respekt. Na respektojnë si me na pasë motra. Hala vijnë, me mixhallarë, me çika t’mixhës. E kena pasë edhe mësimin prej nanës që çdo sen mirë duhet me kanë. “Edhe keq me pa”, na ka thanë, “s’duhet me m’kallzu!” Edhe hala sot e kom qashtu. Nuk du me rritë diçka t’keqe, me bo keq.
Vëllaznit jonë shku edhe në shkollë të mesme, t’katërtit. Na motrat jo. Unë as t’tetën nuk e kom kry. Veç tre muj pata shku se, jom martu 16 vjeçare. E boll kom pasë qef ma shumë vjet me pritë pa u martu, mos me lanë shkollën. Kur i shifsha shokët e shoqet tu shku n’shkollë, e unë nuse, diqysh m’vike marre. Tani dikur u mësova, s’kisha çka me bo.
Po, u martova me sebep. Gruja e mixhës i ka pasë dajë t’babës këta të burrit. Kom nejtë tre-katër muej e fejume, edhe jom shku. Se n’familje t’burrit, ai ish ma i madhi, edhe kanë pasë qef qashtu m’u bo.
Nuk e kom taku burrin hiç, vetëm kur jom shku. Kur jom feju, 15 vjet e gjysë i kom pasë; viti o kanë 1988. Jena ndërru me familjen e tyne. Ata e kanë dhanë për vëlla temin çikën, unë jom martu për djalë t’tyne.
Jena shku dy motrat për ni ditë. Dimën o kanë, borë, dy javë para vitit t’ri. Une jom shku ma larg anena n’katunin Murg. Motrën e kom pasë ma ngat. Jom çu n’mëngjes, se u dufke me u rregullu dy motrat për nihere, e ktynehere s’kena pasë frizerka. N’shpi na ka rregullu ni gru e mixhës. Dej e ka rregullu motrën, unë i kom ndreqë vendat për me ardhë krushqit. Tamon o ndreqë motra, m’kanë thirrë edhe mu.
Kur erdhën me më marrë, ka pasë shumë kerre. Kur jom shku, t’nesrit m’u ka dokë sikur ku jom ardhë, a jom hupë a… Po, mirë e kena kalu. S’jena kanë familje kallabllak. Kom jetu veç me vjehri, e me fëmijë t’vjehrës. I kanë pasë katër djem e tri çika.
Pra, p’i bjen 16 vjet n’familje teme kom nejtë. Te t’burrit 19 vjet martesë tash, e qe 12 vjet ai m’ka vdekë.
Mas ni viti martesë na pat lindë Ardiani në Drenas. Domethanë 17 vjeçare kom lindë. Mas Ardianit ka lindë Ardiana mas dy vjete. Tani m’ka le Gentiana, edhe për to jom gëzu. Gëzimin ma t’madh e kisha kur m’lejshin çikat sesa djemtë. E mas Gentianës, ‘98-tën po i bjen, n’luftë, masi o kallë Prekazi, tri javë ma vonë m’ka le Armendi. Tetëmujsh e kom pasë kur jena dalë n’mal. Mas luftës tani ka lindë Ardiani, domethanë ia kom përtri emrin e djalit t’madh.
Kur pati nisë lufta, jom kanë shtatzanë shtatëmujsh me Armendin, t’katërtin prej fëmive që i kom pasë para lufte. Edhe u endshin familja jeme, thojshin, jo shtatzanat po i mysin, jo ku m’e lindë, jo çka me bo? Këta m’thojshin po bohët këtu ma rrezik, ma mirë shko n’familje tane. O ardhë m’ka marrë nana, n’familje t’nanës jom shku, me m’rujtë.
Erdha, nejta nja dy-tri net, po ndjeva nifarë tute, se i kena pasë shkijet ngat shumë. Veç udha çka na ka da. Po çohna n’sabah, po i thom nanës, “Vallahin, ma përpara keni m’u kallë ju se na atje ku jem në Murg”. “Pse po thu”? Thashë, “Ma mirë po du me shku n’shpi teme”. “Jo, s’bon, anena ma rrezik në Drenicë”. Thashë, “Jo, jo, ma mirë, bohët çka t’bohët me familje t’burrit, me fëmijë atje”.
Edhe u pajtu, e m’çoi atje. Nuk u bonë tri javë, e ma përpara u kall te t’familjës teme, katuni Dollovë. E para mas Prekazit o kallë Dollova. Unë bash qaty jom kanë. Jom ikë prej atyshit se i pashë që shpurdhshin shkijet, u dike, u folke. Në familjen teme atje veç çka i kanë kallë, po t’humbun a t’vdekun s’kanë asnjo.
Tani kanë ardhë në Murg, në katun të burrit, e si kanë nisë me i kallë shpijat, jena ikë komplet familja. Na u përgaditëm përpara se me na hi, e i morëm senet, i ngarkuem e dolëm n’mal, tesha, miell. Edhe qysh jonë konë ata tu ardhë, unë jom kanë tu e pastru Armendin n’koritë, n’mëngjes. Taman i kena pa ata, s’ka pasë s’di sa metra, dej i kom tubu fëminë për me ikë n’mal, shpejt e shpejt, e met qashtu korita me ujë, bukët t’shtreme. Për pak me na nxanë mrena, e me na pre për s’gjalli. Kjo osht qatëherë që na i kanë kallë shpijat ma s’pari. Kena dalë n’mal, kena nejtë ni javë, tani jena kthy n’shpi. Shpijat e kallta krejt.
Tani kena nejtë veç n’podruma. S’kena pasë ku me fjetë, as ujë, as rrymë, se u kall. Qashtu kena jetu gjashtë muej. Si ka gjujtë t’parën natë NATO, na t’nesrit n’mëngjes prap n’mal jena kanë. Kena nejtë ni muej n’mal. Aty kena hangër, kena pi, kena gatu, krejt aty.
N’mal na kanë gjujtë me minahedhës. Dy çikat edhe djali i madh jonë kanë tu lujtë n’rekë. Iu ka ra me minahedhës. Une veç sa e kisha kthy shpinën me shku te Armendi. Ish n’djep, se ish tetëmujsh. Sikur me parandjenjë e kom ditë që diçka ka me ndodhë. Ata gjujshin prej t’katër anëve. E ra drejt e n’rekë ku ishin fëmija. Tanë jonë kanë aty, krejt populli, po ku ra bash n’qat ven ku jonë kanë ata tu lujtë të mitë. Edhe ni bijë o kanë me gjithë çikë, n’prehën e ka pasë. Çika ka pshtu n’prehën, nuk e ka prekë, po nanën ia ka mytë. Edhe djalin, po edhe çikat i kom pasë t’plagune.
Në qatë sekondë që u ra, kërkush s’ka ditë as ku me shku, as çka ka bo. Unë e parandjeva, thashë, “O, fëmija e mi jonë ra”. Ajo kur po u bojka, po t’u terrojka, mo s’po shihshe kurrgjo. Kom nga i kom kapë, ma s’pari djalin e madh, n’klasë t’tretë e kom pasë. E kom kapë, ia kom çu vjehrrës.
Kom nga tani, i kom kapë dy çikat. E madhja, edhe ajo ish e plagosne koxha shumë. Po e vogla ma s’shumti. Jau kom dhanë fëminë këtyne të vjehrrës, n’dorë ia kom lëshu. Në atë moment ma s’kom ditë ku jom. Domethanë m’ka dhanë Zoti forcë veç me shku me i tubu e me jau lanë n’dorë. Po qaq që jom pi, nuk kom ditë ku jom, as çka osht kah bahet ma. Fëminë n’dorë i kisha, po s’disha që janë fëmija e mi.
Qashtu ni natë i kena majtë, se vishin policia tu na kontrollu, tu na gjujtë, tu na thanë gjithçka, tu na sha, tu na maltretu, çka s’na kanë bo. Edhe qat natë kena nejtë n’mal apet, qashtu i kom lanë fëminë. Veç do djem t’mixhës thanë, “T’i rujmë”. Djali edhe çika e vogël m’diq, e i kem marrë me veti n’mal, n’duer tu i majtë qashtu, me varra e me krejt. Jonë ardhë apet shkijet, na kanë hekë prej atyshit, krejt na veç gra jena kanë, mashqi asnjo.
I kanë marrë, i kanë vorrosë dikun n’mal dy fëminë e mi, edhe qatë bijën. T’nesërmën fill n’mëngjes na kanë hekë prej atyhit e na kanë çu në Shtrubullovë në kamë; kena ecë gjithë ditën e gatë. Dathë jom shku, as s’kom ditë as a kom t’mathne. Çikën e kisha t’plagume, vjehrrës ia lashë n’grykë, e jom kthy. Se lypshin edhe dukat, e me pshtu shpirtin, se thashë po m’i mysin qeta çka m’metën, t’i pshtoj bile qita dy. E kom qitë çikën me vjehrrën n’traktor, ni femën i ka grahë. Ata shkijet piskatën, shaj e rreh atë femnën, i thojshin, “Grahi traktorit!” Ajo s’mujke me i grahë se femën, pa ditë kurrë, po ajo veç tha, “Qita t’plagunit t’i qes pi qitu, t’i çojmë bile diqysh”.
Ata paramilitarët, qasi kena pasë na ku jena kanë n’mal, qaq kena pasë presion prej tyne, çka kena pasë dukat e sene na i merrshin, edhe veshtë i nukshin, qaq që na kanë bo presion. Na shajshin e çka s’na thojshin. Kush guxojke me ba za? Unë e pata hekë dukatin, ia pata dhanë vjehrës, thashë mos po ma mytin edhe qet çikë, bila ia jep qatë dukat e pshton.
E n’qat flakë jom kthy, se s’kisha as qysh me ia pshtjellë varrët, s’kom pasë kurrgjo, as me pastru çikën e madhe, qatà që meti gjallë. Këta m’piskatshin të tanë, “O, mos u kthe se po t’mytin!”. Thashë, “O, edhe n’më mytshin, pa u kthy me i marrë çikës diçka me pi nuk e la”. Jom kthy, i kom marrë ujë e tamël e pelena, me ia pshtjellë varrat, se gjaku s’iu nalke hiç kamës, pulpën e ka pasë t’hekun, e gjak n’kry, n’ftyrë, e n’duer.
E na kanë çu në Shtrubullovë me nifarë kazerme. Aty thanë, “Rrini këtu, pale çka po na thotë Milloshi, a me ju mytë, a me ju pre”. Nejtëm aty, na lanë ni gjysë dite, pa ujë, pa kurrgjo. S’disha as ku jom, mentë veç te fëmija. Çka dishim na çka po dojnë me na bo. Na kanë çu, na kanë lanë ni muej në Shtrubullovë.
Kena nejtë ni natë aty n’oborr te ni familje, veç sa me bo natën. Dolën ni plak me ni plakë, Zoti i ruejtë ata, thanë, “Hajde ti me gjithë çikë, mos e le n’oborr”. Se ish shi e borë, ftoftë.
Jena hi aty, na kanë majtë ni muej ditë. Po, me ni kulaç t’bukës krejt, domethanë sa jemi kanë me familje, une me vjehër e me kunatë, e me çikë, anëtarë pesë, ni kulaç t’bukës, ma shumë s’kena pasë. Domethanë as kallamoq s’mujshim me gjetë, as grunë, as kurrgjo. Kanë jetu ni muej qashtu.
Tani i njoftova ni familje qaty ngat, ish kanë ni çikë, kish pas kry mjekësinë. Tha, “Po more, vi ta pastroj çikën sa t’ketë nevojë”. Po s’kishim as jod, ku me gjetë? “Hajt”, tha, “se kom me ta gjetë do, veç mos me t’u krymë çika”. E m’ka nimu m’e pastru çikën krejt muejin, se u krymshin gjinja prej plagëve.
Për çdo mëngjes vishin na kontrollojshin policia. Pa ardhë ata, u dufke me mshefë jodin, mos me ma gjetë. Edhe çdo mëngjes na thojshin, “Dilni në lëndinë krejt komplet”. E na e patën shkru nifarë kartoni, kush jonë kanë n’listë për me u pre. Na jena kanë n’qatë listë, kartonin e kena pasë. E na thojshin gjoja që osht kartoni me u shkru veç sa anëtarë jemi.
Nana e asaj bijës që vdiq qatëherë me fminë e mi, ma ka pshtu çikën, ni muej ditë veç tamël i ka pru, qajo plaka. S’kom pasë çka m’i dhanë. E ka marrë lopën me veti, e veç me tamël t’sajna e majsha. Ni muej ditë ia ka pru tomël t’vlumë. Thojke, “Le t’pin çika, le t’pshton”.
E qashtu, jena kthy mas ni mueji, si jonë hekë ata. Jena nisë n’kamë apet, prej Drenasit e në Murg. Tuj ardhë, tuj kajtë, dikush vike i gëzuem, dikush i idhnuem. Po masi më metën dy, apet u pajtova. Tani mas ni mueji i kena zhvarrosë fëminë aty n’mal, ku jonë kanë t’varrosun, e i kena pru n’katun, n’vorre tona. Sot jonë atje.
Mas lufte fill jena ikë, kunati na ka pru knej, se s’mujsha as me nejtë atje, masi vorret i kena pasë shumë afër, kisha shumë presion. Mas lufte kom hekë shumë, dhimtë t’kresë shumë kom pasë që m’shkuen dy fëmijë. E isha n’mbikqyrje t’ktyne, mirë m’kanë kqyrë tanë, faleminerës pi tyne, se kom pasë dikah përkrahje, se me pasë metë vetë, o kanë shumë keq.
Krejt atë kohë burrat n’mal jonë kanë dalë. Burri jem natën vike, masi u terrojke. Ai boll më merrke me t’mirë, e m’pajtojke. Tani, ish kanë ni mjeke aty, ma pat dhanë ni ineksion, si qetësues, se nuk disha m’u qetësu. Burri i thojke, “O jo, mirë jom une, po vetëm kqyre gruen se kjo nuk osht”.
Tani mas lufte ngaj me çu Ardianën nëpër mjekë, se i pat metë nifarë cope n’kamë. E kena çu n’operacione, ia kena hekë. E kena çu përmes ni shoqate në Austri, se ia pengojke nervin. Ia kena hekë edhe atë copë t’granatës. Ma kanë pasë gjujtë fëmija, se e rujsha atë copë t’granatës. Krejt me thepa, hekër hesapi.
Tash Ardiana jeton mirë, osht e martume këtu në Klinë, ka djalë tash, ia ka dy vjet. E qeshtu, ma shumë kom hekë me t’gjallin, se për ata tjerët e kom ditë që jonë shku.
Për herë të parë që jom shku te vorret e fëmive n’vizitë, jom konë me krejt këta t’familjës t’burrit. Vjet për vjet shkojmë, ia ndërroj flamurin, e qes të ri.
Të dy qaq t’aftë i kom pasë, edhe këta familja m’i kanë mësu shumë. Ai i madhi, që m’ka dekë n’luftë, n’klasë t’tretë, i çmendun o kanë për me mësu. Kurrë asni notë katër nuk e ka pasë dej n’klasë t’tretë, qaq i aftë që o konë. Pa i kry detyrat nuk dilke as me lujtë. Si vike prej shkollës, pa e lëshu çantën, veç m’thirrke te dyert, “Mami, kom detyra, kom vjershë”. Niherë me ia mësu une, me i nimu, me i kry detyrat, tani ai me dalë me lujtë.
Çika, o konë katër vjeçe, po si me i pasë dhetë. Qaq e pjekun, qaq e zoja. I kom pasë fëminë t’zotë, ma kanë pasë lakmi tanë. Tash edhe këta më mësojnë shumë, se e kanë qashtu vetë.
Djali i vogël më lindi pak kohë mas lufte, në vitin 2001. Shtatzania o kanë presion, qaq idhnim kisha, sa ma ka mujtë. Shumë problem kom pasë prej idhnimit.
Ia përtërimë emnin e Ardianit. Unë kisha qef. Se, i përtrijshin atëhere. Po, hala n’emër nuk e thirrim mirë. Lum ia kena lanë, na ka metë, se s’kena mujtë. Veç ia kena përtri emnin e djalit, po me thirrë s’kena mujtë. Bile nana n’atë kohë, kur e kom pasë gjallë, m’pat thanë, “Nanë, me ia ngjitë po ia ngjet, veç s’ki me mujtë me thirrë”. M’thojke ajo, “Ngjitja emnin Lum”, para se me m’le, se thojke, “Ngjitja, se s’munësh me thirrë n’emën t’djalit”.
E shokët e thërrasin Ardian. Veç na n’familje e thirrim Lum, përveç vjehri që e ka thirrë gjithë Ardian. Po kur të lind fëmija, ki tani vullnet, t’man qajo që e din që ki fëmijë, man ymyt n’diçka.
Jetuem me vjehri atje në Murg mas lufte ni vit, masanej jena ardhë këtu në Klinë. Vjehri o dekë qe dy-tri vjet. Tash veç vjehrën e kom. Këtu tash jemi n’shpi t’kunatit. Atje s’kena mujtë ma me nejtë, qaq që s’mujke kurrkush me i përjetu ato dhimtë.
Tani në vitin 2008 edhe burri vdiq n’aksident. Kajhere njeri kur i çon mentë, se prindit i shkon menja veç te fëmija, me i rujtë Zoti, me i pa tu ecë. Çka me bo? Vujtjet jonë, po duhet me i kapërcy hatri i fëmive. S’kom qef kurrë me folë nër sy t’fëmive, se mërzitën, jonë t’ri, e kanë jetën përpara. Nuk kom qef me i ngarku.
Armendi osht tu kry shkollë për zanat, po munohet, Ardiani osht tash kah e kryen t’mesmën. Tash osht kah don me regjistru edhe ky në Prishtinë qatje, po s’po din çka. Osht i aftë për çdo sen, osht shumë i kuptueshëm.
Këta të dy që më kanë dekë, nuk i kam pa as në andërr, se kur mërzitësh shumë, nuk i sheh. Ni herë, n’fillim qatëherë mas lufte të dytë i kom pa, midis livadhi. Qaq dritë, e m’kanë ardhë veç ni herë n’jetë prej se kanë ndërru jetë. Edhe jonë ardhë tu keshë, knej prej meje, midis livadhi, diqysh lule plot, dritë, e m’thanë, “Oj mam, na nuk kena dekë, a po na sheh midis luleve sa mirë jena”. Dritë, dritë, dritë, lule, livadhe, qaq tu keshë ata, tu nga.
Kur më doli gjumi, diqysh m’u dok sikur kom nejtë me ta, si me i pasë afër, thojsha kokan mirë. Qaty ni here i kom pa, ma kurrë.
Sot mirë jetojmë. Jetë normale. Kom ndihma ka pak, jo vëllaznit, jo kunetët. Tash secili i ka ato dhimtë e veta ndryshe-ndryshe. Unë i kom t’mijat. Po secili e ka dhimtën e vet.
Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Nndërkombëtare të Zzhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022