“Në kohë të errëta, u këndohet kohëve të errëta”

L A B I A

Është viti 1991. Unë nuk jam e lindur. Prindërit e mi ende nuk janë të martuar. Kosova po kalon në një thyerje të madhe historike e shoqërore. Shqiptarët e Kosovës janë përjashtuar nga jeta publike. Shëndetësia, arsimi e kultura janë zhvendosur në hapësira private. Tash, shqiptarët e Kosovës duhet të rimendojnë edhe pikëtakimet e tyre të dashurisë, gëzimit e festës, hidhërimit e mortit. Përvojat thellësisht njerëzore të shkëmbimeve rëndom të mirëqena, tash duhet të peshohen e përtypen gjatë. Po vendosen themelet e një shoqërie, së cilës do t’i duhet kohë të mësojë ta çmojë përsëri hapësirën publike. Autonomia është suprimuar. Segregimi është i qartë. Prindërit e mi kanë qenë gjallë dhe të vetëdijshëm për disa nga këto thyerje të mëdha shoqërore. Kësaj here do të ketë luftë.

Nga ky kënd i vështrimit, e kam të vështirë të besoj që njeriu i rëndomtë përgatitet për luftë. Njeriu i rëndomtë asnjëherë nuk e beson se lufta do të ndodh – as kur nga qielli biejnë bombat (sipas Slavenka Drakulić). “Shpirti është i ëmbël” –– këtë frazë e kam dëgjuar më së shumti duke u rritur. Në momentume të këtilla historike, ku përjashtimi shoqëror i një grupi ndodh kaq haptazi nga një armik i jashtëm, njerëzit, që përjashtohen e shtypen, provojnë të gjejnë hapësira të ndërmjetme të lirisë. Jeta vazhdon të ndodh, edhe nën tmerrin e frikës. Njerëzit dashurohen, gëzohen, njerëz linden dhe vdesin edhe nën tmerrin e frikës.

Beteja për mbijetesë nuk është e njëtrajtshme –– ajo ka formë edhe të vajit, edhe të gëzimit, edhe të valles e edhe të shkëmbimit të albumeve muzikore. Sepse në ditë të atilla, çdo ditë, mbijetojnë të gjithë, edhe ata që nuk janë të vetëdijshëm deri në ç’masë ka potencial të përshkallëzojë situata politike. Njerëzit gjinden. Në mënyrën e vet. 

Në vitin 1991, Shkumbin Kryeziu ishte student i Fakultetit Juridik dhe performues i ri i muzikës argëtuese. Me përjashtimin e shqiptarëve nga jeta publike, gjithçka u desh të rimendohej. Dikur këngëtar i shpërblyer në festivalet e kohës, tash edhe ai dhe familja e tij duhet të gjenin mënyrën e vet të mbijetesës. “Labia” ishte trajta e mbijetesës së Shkumbinit dhe familjes së tij. “Labia” e cila u bë ikonike në jetët e njerëzve në Kosovë në vitet e ‘90-ta si dhe në jetët e atyre që u rritën menjëherë pas luftës së vitit ‘99 në Kosovë. Ikonike në kuptimin që prodhimet muzikore, filmike e festive të produksionit “Labia” u bënë prej të paktave shkëmbime “normale” të asaj kohe tejet jo normale dhe si të tilla,vendosën një pikë reference të patejkalueshme në të sotmen, tek tentojmë të krijojmë një pikturë të produksionit televiziv dhe industrisë e argëtimit në vend. “Labia” është kompani produksioni e themeluar në Kosovë në vitin 1991, përgjatë gjithë viteve të errëta të ’90-ta, “Labia” prodhoi dhe distribuoi muzikë me shumëllojshmëri zhanresh, film e edicione festive të vitit të ri me muzikë dhe skeçe humoristike. “Labia” kishte tre dyqane shitjeje në Prishtinë si dhe një rrjet të distributorëve brenda Kosovës dhe jashtë saj.

ERROR – TAPE GLITCH

Ka diçka, si një “shkëputje filmi”, që më mundon teksa shikoj sot në retrospektivë videot e “Labia”. të prodhuara viteve të ‘90-ta. Duket sikur ajo kujtesë s’është e imja, sikur një rrëfim në të cilin nuk përkas. Por unë isha pjesë e tij. Dhe e di që edhe shumë të rinj të këtij vendi kanë qenë pjesë e tij, “Hajde me Shuplakë” e La Fazanit është prodhim i bazuar kryekëput në materialet që atë kohë i kemi parë përmes prodhimeve të “Labias”. “Hajde me shuplakë” nuk është për mua diçka e re, ajo hapë një kuti në kujtesën time, të cilën e njoh. Prandaj nuk mund ta shoh ndryshe, përpos si nevojë e një grupi të të rinjve për ta zotëruar edhe atë pjesë të tregimit të vet. Për ta vendosur veten në atë rrëfim në të cilin na duket sikur nuk përkasim.  

E përjetova ngazëllimin e shkëmbimit të video-kasetave që i kishim trashëguar prej para luftës dhe ishin bërë pjesë e koleksioneve familjare në vitet e para të pasluftës. I kam krejt të kthjellëta luftat që i bënim si fëmijë me të rriturit, për të mos dëgjuar këngët, por për të parë skeçet humoristike. Dhe e mbaj në mend fort mirë gëzimin kur njëri nga kushërinjtë e kishte pjesën e dytë apo të parën apo të tretën të ndonjë kasete. “E kam 1-shin, a e ke 2-shin” nuk ishte thjesht shkëmbim, ishte përvojë e tërë e pajtimit për ta huazuar, e shkuarjes për ta marrë “pjesën e munguar” tek shtëpitë e njëri-tjetrit dhe e kthimit të entuziazmuar në shtëpi e mbledhjes rreth televizorit për ta shikuar pjesën e munguar. Me situatën e rënduar ekonomike e shoqërore të pasluftës së menjëhershme, ma thotë mendja se do të ishte tepër të prisje që një familje mesatare e asaj kohe do të ishte gati të shpenzonte aq për argëtim sa t’i blinte të tri pjesët e video-kasetave të atëhershme.

Diçka nga magjia e fëmijërisë time humbet, kur Shkumbini më tregon sot se ndarja në dy apo tri pjesë e kasetave të edicioneve festive të “Labias”, ishte vendim pragmatik e ekonomik, sepse thjesht në vend se të shitej një video-kasetë me çmimin e tregut, do të shiteshin tri sosh dhe prodhimi i kasetave, i cili atëbotë ishte i rrallë dhe duhej bërë nëpër fabrika në Serbi e Kroaci, ishte më i thjeshtë kur filmi ishte më i shkurtër. Megjithatë, e njoh mirë ndjenjën e çmagjepësjes.

Jam rritur në një vend ku historia mësohet përmes ekstremesh dhe gjithçka ndërmjet, hapësirat ku në fakt qëndron ndjeshmëria dhe përvoja njerëzore, duhet të kapërcejnë nëpër filtra të validimit për të dalë në sipërfaqe.

Nuk dua të them se është tragjike të mos flasim apo njohim kontributin e një kompanie produksioni e cila megjithatë, thelbësisht kishte karakter biznesor, por është tragjike që nuk kemi arritur të krijojmë një ambient miqësor për të njohur dhe përqafuar përvojat njerëzore të cilat janë aty, u kanë ndodhur njerëzve, përtej kutive të validuara të historive. Dhe mbi të gjitha, duhet t’i shfrytëzojmë si tregues të pikërisht kësaj – përvojës dhe ndjeshmërisë thellësisht njerëzore – e cila këtu është dokumentuar kaq vobekët.

“Labia” prodhoi diçka nga gjithçka në një kohë kur mundësitë e njerëzve për t’u ekspozuar ndaj figurave me të cilat do të identifikoheshin kulturalisht e artistikisht, ishin të kufizuara dhe në një kohë kur zhvillimi i shijeve u cungua, sepse mundësitë për shkëmbim e ekspozim, të cilat edhe ashtu kishin qenë të vogla, tashmë u mohuan plotësisht. Por njerëzve jeta vazhdonte t’iu ndodhte, ata vazhdonin të kishin preferenca për të dëgjuar muzikë folklorike, pop, rap, rock n’ roll, për të organizuar ndeja e mbledhi, për të parë filma që komunikonin me përvojat e tyre dhe mbi të gjitha, njerëzit vazhdonin të kishin nevojë të qeshnin, ndoshta më shumë se kurrë. Dhe njerëzit kanë qeshur! Kanë qeshur shumë dhe vazhdojnë të qeshin edhe sot me edicionet festive të prodhuara nga “Labia” viteve të ‘90-ta. Sa herë, në tryezat tona thuhet ndonjë fjalë që është thënë në skeçet e “Labia”. Sa herë, këndohet ndonjë këngë e asaj kohe që prapëseprapë nuk është e largët. Në fakt, për të pasur qasje në kujtesën e asaj kohe, në përjetimet e asaj kohe, shqyrtimi edhe i “Labia” është i pashmangshëm.

FAST FORWARD – 2023

Është viti 2023. Jam ulur para kompjuterit tim të prodhuar në vitin 2020, në standardet e sotme të konsumit dhe prodhimit teknologjik, ky është një produkt “i vjetëruar”. Kam kaluar tepër shpejt nga shkëmbimi i video-kasetave, tek DVD-të e CD-të deri tek inteligjenca artificiale. Kam jetuar më shkurt në periudhën e ngazëllimit për shkëmbim të video-kasetave dhe më gjatë në periudhën kur për qasje në informacion, nuk duhet kaluar mure.

Sot, as gazetë të shtypur në Kosovë nuk ka. Prandaj, besoj mirëkuptohem kur më duket gati e pabesueshme teksa Shkumbini më tregon që marketingu më i madh për prodhimet e “Labias” viteve të ‘90-ta bëhej në hapësirat e vogla për marketing në gazetat e shtypura të kohës, të cilat nuk kushtonin lirë! Jam rritur aq shpejt nëpër gjithë këto përparime teknologjike, sa më duket se nuk mund t’i gëlltis përnjëherë të gjitha.

Tash, në përpjekjen time të vazhdueshme për të ‘lidhur filmin e këputur’ para kompjuterit tim dëgjoj me një vëmendje tjetër këngët e Armend Rexhepagiqit, Adelina Ismailit, Violeta Rexhepagiqit e shumë të tjera që janë bërë pjesë e përditshmërisë tonë të sotme. “Betohem në këngë” (1998) e Armend Rexhepagiqit më bën që krejt njerëzisht të dua të jem në vend të dikujt që dikush, në Kosovën e vitit 1998, kur liria është kaq e ëndërruar, të më këndojë “Më duhesh si liria”.

Mbase shoqëria e atëhershme nuk ishte e gatshme të ballafaqohej me tekste si “Mos ma ndal” të Adelina Ismailit apo krejt albumin “Viviene” të Violeta Rexhepagiqit. Por shoqëritë kështu gatiten, nganjëherë rrufeshëm, sepse jeta ndonjëherë ndodh në vendet më të papërshtatshme, sipas shkrimtarit James Baldwin.

Sot këto këngë na flasin ndryshe edhe për të atëhershmen, edhe për të tashmen. Sot këto këngë i festojmë jo vetëm si dokument i së kaluarës, por edhe si dicka që na “e lidhë filmin” sidomos neve brezave që nuk jemi as të asaj e as të kësaj kohe. Pra, na ndihmon t’i plotësojmë boshllëqet e krijuara nga polarizimi i historisë që i ka lënë nën radar historitë “e vogla” dhe na ka bërë që shpeshherë të ndihemi sikur rrëfimet tona të “zonës së përhimtë” nuk janë të denja për t’u zotëruar, sepse jemi ndierë sikur ato duhet të garojnë me polet ekstreme të historisë së heronjve e tradhtarëve, në të cilat jo domosdoshmërisht përkasim të gjithë.

Produksionin “Labia” e njoha përmes edicioneve festive të vitit të ri të cilat janë pjesë e pashkëputshme e kujtimeve familjare dhe e rizbulova kur më vonë figurat e këngët që i kisha njohur përmes “Labias” u bënë ikona të rezistencave të kohëve të sotme, si Adelina Ismaili këngët e së cilës i dëgjoj në pothuajse secilën paradë të krenarisë në Kosovën e sotme. Dhe për këtë, mbase themelet estetike që mund t’i ketë vendosur “Labia” do të mund t’i diskutonim e rivlerësonim, por karakterin dokumentues dhe gjithëpërfshirës të punës së bërë në atë kohë të errësirës së madhe, nuk mund ta tejkalojmë.

Në fund të bisedës, Shkumbini më thotë se lufta është bërë në dy fronte, në mbajtje shpirtit dhe përmes luftës së forcave të armatosura. Dhe shyqyr që njerëzit kanë mbijetuar edhe duke kënduar. Dhe shyqyr që kishte këngë e humor. “A këndohet në kohë të errëta, po, u këndohet kohëve të errëta”, thoshte Bertolt Brecht.

A na duhet sot një produksion e industri e argëtimit që e bën mision mbajtjen e shpirtit dhe jo pasurimin e tij. A na duhet që konsumin e prodhimeve artistike ta validojmë vetëm nëse na bën të qeshim? Këto janë çështje të hapura për diskutim e mendim. Unë them po, le të konsumojmë art për t’u ndjerë mirë e për të qeshur, por të sigurohemi që edhe ta njohim të vërtetën e madhe ndër ne se proceset shoqërore nëpër të cilat përballen shoqëritë tash, kërkojnë prodhim artistik që i shkëputë qarqet vicioze të rehatisë, ballafaqon dhe nxit reagim, organizim e ngritje të vetëdijes për shoqëri më pranuese, më gjithëpërfshirëse, më të hapura.

*Ky artikull fillimisht është shkruar në gjuhën shqipe.


Aurela Kadriu është sociologe dhe hulumtuese. Ka kryer hulumtime të cilat lidhen me kujtesën dhe historinë bashkëkohore të Kosovës dhe vendeve të ish Jugosllavisë. Studimet e saj për kulturën, kujtesën, hapësirën publike, gjininë, socio-urbanizmin, janë publikuar në arkiva digjitale si dhe në formë të librave, artikujve, filmave e ekspozitave. Aktualisht punon në Qendra Multimedia – organizatë e pavarur kulturore me përqendrim në teatër dhe letërsi bashkëkohore.