Nën hijen e luftës në Ukrainë: kujtime dhe vizioni i së ardhmes në Kosovë

Kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës nga fundi i shkurtit 2022, sytë dhe mendjet e të gjithë botës u drejtuan nga përshkallëzimi i papritur i asaj që, për pothuajse një dekadë, ka qenë konflikt në letargji për sa i përket medias botërore dhe për sa ishte në dijeni audienca globale. Mirëpo, kur ka luftëra, pjesa më e madhe e rrëfimit regjistrohet jashtë dokumentave zyrtare. Ai rrëfim shkruhet me ngjyrë të padukshme dhe të pashlyeshme në mendjet dhe zemrat e të mbijetuarve, ku ato kujtime lënë gjurmë gërryese pasi shpeshherë janë të mbuluara në faj, turp dhe ndjesi të pafuqisë. Në këtë kontekst, QKRMT-ja u themelua në vjeshtën e vitit 1999, teksa pluhuri i luftës së Kosovës po zinte vend. Deri më sot, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, ne kujdesemi për plagët e pashëruara që bartin me vete të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në fakt, ato janë trauma të koduara, që nëse lihen pa u trajtuar, priren të kapërcejnë nga një i traumatizuar në komunitet tek tjetri, duke krijuar dinamika komplekse dhe të pashëndetshme që kalojnë nga brezi në brez. Kjo pritet të ndodhë kur ne, si kolektiv, duam ta anashkalojmë procesin e ngadaltë dhe të vështirë të shërimit duke e pranuar traumën dhe në vend të tij, të kërcejmë tek fshirja, harresa dhe “ecja përpara”. Çdo rrugë e shkurtër ka çmimin e vet.

Kur lufta në Kosovë përfundoi, nuk pati pothuajse asnjë lloj vetëdijësimi për nevojat e shëndetit mendor të të mbijetuarve të luftës, pasi nuk kishte shumë dëm “të vërtetë” të dukshëm, konkret, që kishte nevojë për përkujdes.

Mirëpo, me kapacitetet tona të kufizuara, QKRMT-ja ofroi një hapësirë të sigurtë për t’u përkujdesur për plagët e padukshme, por të thella, të traumës psikologjike dhe për të hedhur dritë mbi viktimat më të stigmatizuara të luftës në Kosovë. Edhe 23 vjet pas shërbimit të pandërprerë, shumica e 20.000 të mbijetuarave të dhunës seksuale vazhduan të vuajnë në heshtje, të varrosur nën shtresa të turpit dhe (vetë)fajësimit. Muret e këtij izolimi u ndërtuan edhe nga kryesit gjatë luftës, edhe nga normat patriarkale të shoqërisë kosovare. Për shumë vite, çështja e dhunës seksuale të kohës së luftës ishte tabuja e fundit, një dhimbje e mbyllur brenda secilit të mbijetuar.

Gjatë 23 viteve të fundit kemi parë progres edhe sa i përket mbështetjes institucionale për të mbijetuarit, edhe tek perceptimi publik. Vite të tëra përpjekjesh të vazhdueshme nga QKRMT-ja dhe organizatat partnere për të rritur vetëdijësimin dhe për të mobilizuar shtresa të ndryshme të shoqërisë që të avokojnë për përkrahje institucionale për të mbijetuarit. Megjithatë, pavarësisht këtyre ndryshimeve dhe pavarësisht një shkalle të kapacitetit për t’u shëruar që e ofron koha vetë, jeta për të mbijetuarit ka mbetur e vështirë. Çdo vit, sidomos në pranverë, kur u zhvilluan disa nga sulmet më brutale të dhunimeve masive sistematike nga policia dhe forcat (para)ushtarake serbe, të mbijetuarit kalojnë privatisht nëpër përkujtime të dhimbshme. Për mijëra të mbijetuar që jetojnë me kujtimet e brutalitetit më të paimagjinueshëm që u ndërsye kundër trupave dhe mendjeve të tyre, prilli është vërtetë muaji më mizor. Ajo errësirë, që ata ia kanë dalë ta ndajnë pjesë-pjesë sa kanë mundur që jeta të vazhdojë, ngre krye nga thellësitë e shpirtrave të tyre. Kur ata ngacmohen, të mbijetuarit shpesh raportojnë se u duket sikur përthithen brenda një tuneli të kohës dhe hapësirës dhe kthehen pas tek përvoja më e keqe e jetëve të tyre.

Gjithçka që ndërlidhet me luftën ose që krijon ndjesinë e panikut kolektiv dhe pasigurisë së ngjashme me atë që përjetohet gjatë luftës, mund t’i ngacmojë të mbijetuarit dhe të gërryejë një zgavër surreale psikologjike në mendjet e tyre: ditët përkujtimore kombëtare të masakrave, datat e tmerrit të përjetuar, vetë tema e luftës, thjesht mendimi për ndonjë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare apo ndjesia e përgjithshme e paparashikueshmërisë i bën ata të përjetojnë rishfaqjen e traumës fillestare. E kemi parë këtë rishfaqje të simptomave kur dy vjet më parë në Kosovë arriti pandemia e COVID-19 dhe e pamë sërish në shkurt 2022 kur lajmet për pushtimin rus të Ukrainës rrëmbyen vëmendjen e të gjithë botës.

Imazhet e luftës në Ukrainë kanë ngacmuar rishfaqjen e kujtimeve të të mbijetuarve nga vetë përvoja e tyre traumatike. Kjo gjë e rriti kërkesën për shërbimet e QKMRT-së për mbështetje psikosociale. Funksionimi i përditshëm i të mbijetuarve u ndikua nga kujtimet e përvojave të tyre traumatike, nga ndjenjat e rritura të ankthit, nga shqetësimet për sigurinë e familjeve të tyre e sidomos të fëmijëve: çrregullime të gjumit, simptoma psikosomatike dhe ndjenja të pafuqisë dhe mungesës së shpresës. Këto i kontribuan pakësimit të aftësisë për vetërregullim dhe cilësisë përgjithësisht më të ulët të shëndetit mendor që ka nxjerrë nevojën për përshtatje të shërbimeve të QKRMT-së në bazë të këtyre nevojave.

Mirëpo, nuk janë thjesht rikujtimet e luftës së kaluar që i kanë shqetësuar kosovarët, por edhe fakti që këta ngacmues ndodhin mbi sfondin e çështjeve të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që i kanë mbajtur vendet tona peng prej më shumë se dy dekadash. Ky realitet, i të qenit politikisht dhe psikologjikisht të lidhur me Serbinë, mbahet nga mungesa e vullnetit politik për t’u përfshirë me të vërtetë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën pa retorikë apo anshmëri nacionaliste. Është shumë e qartë se kemi ende rrugë për të bërë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Pa zotim të mirëfilltë, nga të dyja anët e kufirit, ndaj hapave të nevojshëm për një proces të ndershëm të drejtësisë tranzicionale që duhet të përfshijë edhe përkushtimin ndaj së vërtetës, kujtesës dhe drejtësisë, elemente këto që kërkojnë reformë të thellë dhe serioze institucionale, nuk do të ketë rrugë drejt paqes së qëndrueshme dhe bashkëekzistencës ndërmjet vendeve tona dhe në rajon.

Sikurse kemi mësuar nga puna jonë me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe me viktimat e tjera të luftës, koncepti i ndërtimit të paqes dhe bashkëekzistencës është i paimagjinueshëm për njerëzit që ende vuajnë nga dhimbjet e luftës. Si plagët fizike, ashtu edhe ato psikologjike, mbesin pothuajse të papranuara dhe të patrajtuara. Reagimi më i zakonshëm i përfituesve tanë, kur i pyesim për nevojat e tyre dhe shpresat që kanë në rrugëtimin drejt shërimit, është nevoja e tyre për njohje, drejtësi dhe rikthim të dinjitetit të tyre. Tensionet e ndezura politike krijojnë polarizim në shoqëri dhe nuk i kontribuojnë gjendjes më pozitive dhe të qenit të hapur për falje. Në një kontekst të tillë të trashëgimisë së dhimbshme dhe mohimit sfidues të përgjegjësisë, gjendja në Kosovë mbetet ajo e dyshimit, pasigurisë dhe frustrimit.

Mirëpo, pavarësisht mungesës së vullnetit politik për të marrë përgjegjësi për dhe për t’u pajtuar me trashëgiminë e së kaluarës në rajonin tonë, deri tani ajo që i ka kontribuar procesit të ballafaqimit me të kaluarën, transformimit të perceptimeve në shoqëritë tona të pasluftës dhe ndërtimit të urave të mirëkuptimit është puna që po bën QKMRT-ja dhe organizata të ngjashme në rajon dhe bashkëpunimi ndërmjet nesh. Që nga përfundimi i luftërave, shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor ka luajtur rol udhëheqës në krijimin e hapësirës për dialogun dhe në formësimin e ligjërimit publik nëpërmjet dokumentimit dhe shpalosjes së të vërtetës, duke avokuar për dhënien fund të mosndëshkimit të krimeve dhe duke fuqizuar shërimin brenda komuniteteve.

Neve na udhëheq shpresa se ajo që po mbjellim dhe po kultivojmë do të japë frytet e paqes në rajonin tonë në të ardhmen e afërt.


Dr. Feride Rushiti është themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Përgjatë pothuajse dy dekadave të punës hulumtuese dhe avokimit, Dr. Rushiti ka siguruar qasje në kujdes shëndetësor dhe drejtësi për viktimat civile në luftën e Kosovës 1998/99. Puna e saj avokuese ka rezultuar që në vitin 2014 të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të njihen në mesin e viktimave të tjera civile të luftës. Në vitin 2017, vendimi emblematik i Qeverisë për të financuar pensionet për viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë krijoi precedent për angazhim qeveritar në përpjekjet për ballafaqimin me të kaluarën e luftës në Kosovë.

DNA methylation in blood cells is associated with cortisol levels in offspring of mothers who had prenatal posttraumatic stress disorder”, Stress and Health, shkurt 2022 http://dx.doi.org/10.1002/smi.3131

Hynes, P. dhe Lopes Cardozo, B. (2000) “Sexual Violence Against Women in Refugee Settings”, Journal of Women’s Health & Gender-based Medicine 9(8), 819-823. https://doi.org/10.1089/152460900750020847