Foto: Arsim Gerxhaliu
Arsim Gerxhaliu
Në vitin 1994 vendosa të studioj për mjekësi ligjore në Prishtinë, pa e ditur asokohe se do të përjetoja luftën. Që nga viti 1989, Kosova vuante nga masat e dhunshme të Serbisë dhe të gjithë shqiptarët ishin të përjashtuar nga institucionet publike, përfshirë shkollat dhe universitetet. Nxënësit mësonin në sistem paralel, nëpër shtëpi private, me shënime. Kjo vazhdoi deri në vitin 1999.
Bombardimet e NATO-s nisën më 24 mars 1999. Për 79 ditë, u mbyllëm nëpër banesat tona.
Në qershor 1999 hodha sytë jashtë dhe pashë trupat ushtarake që po afroheshin në këmbë. Ishin KFOR-i, gurkat dhe Ushtria Britanike. Dolëm jashtë për t’i përshëndetur. Unë iu dhashë ujë: kishin ardhur në këmbë nga Maqedonia. Atë natë, ata fjetën jashtë banesës tonë, mbi tokë, brenda thasëve të gjumit.
Ditën tjetër ata u larguan nga Prishtina. Unë iu shkova pas, ndërsa ata lëviznin në drejtim të fshatit Llukar dhe vijës së parë të frontit.
Ndërsa ecnim, në anën e djathtë të rrugës pamë trupa. Të dekompozuar. Pamë varre të cekëta, të hapura shpejt e shpejt, pjesë trupi dilnin jashtë disave prej tyre.
Në anën e majtë të rrugës hasëm në një garazh. Me sa dukej, ishte përdorur nga policia serbe. Brenda tij ishte një sharrë dhe gjak gjithandej. Vetëm mund ta merrnim me mend se ç’kishte ndodhur aty brenda. Më kujtohet se në vendngjarje ishte dhe një ekip i një televizioni çek, të cilët u përpoqën të na intervistojnë. Unë i shmanga.
…
Pasi u kthyen në Prishtinë, më në fund mund t’ia nisnim punës në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Nisën të vijnë shumë njerëz. Çdo ditë vinin familje, pesë deri në dhjetë anëtarë përnjëherë, për të pyetur çdo ditë për të reja lidhur me familjarët e tyre. Ky ishte fillimi i një marrëdhënieje emocionale me familjet, sidomos me ata që nuk donin ta besonin se të afërmit e tyre kishin vdekur, edhe nëse ata ishin identifikuar tashmë.
Në IML kishim kufoma në bodrum. Sapo media të përmendte ndonjë varrezë të sapozbuluar, me qindra njerëz paraqiteshin ditën tjetër.
Një familje më kërkoi të shkoj me ta në Serbi, pas zbulimit të varreve në Batajnicë, Petrovo Sello dhe Liqenin Peruqac. Ishte e vështirë t’u thoja jo, por ishte edhe më e vështirë të merrja rrugën për në Serbi duke e ditur se 40 pjesëtarë të familjes time ishin vrarë në masakrën e fshatit Studime. Më 2 maj 1999, brenda vetëm një ore, në Studime u vranë dhunshëm 117 civilë: fëmijë, gra, burra dhe të moshuar.
Në 20 vitet e fundit kam qenë në Serbi 255 herë për të vlerësuar zona të dyshuara, për të zbuluar varre dhe për t’u takuar me grupin punues për të pagjeturit. Kam bërë 22 transferime të kufomave nga Batajnica dhe Petrovo Sello, duke sjellë mbi 1,000 thasë me mbetje mortore në Kosovë.
Në vitin 2006, Serbia konfirmoi zyrtarisht se atje nuk kishte mbetur më asnjë i pagjetur nga Kosova.
Disa familje refuzuan ta besojnë. Ata nuk jepnin mostra gjaku për përputhje të ADN-së. Komunikimi me ta ishte i vështirë. Ata besonin se të afërmit e tyre ishin të gjallë në burgjet sekrete të Serbisë. Këtë besim e ushqejnë disa sekserë të vuajtjes që u japin familjeve shpresa të rreme duke iu sjellë “mesazhe” nga të afërmit e pagjetur.
Tani, shumica e anëtarëve të familjeve po fillojnë ta besojnë se të afërmit e tyre nuk janë më gjallë. Ata “gëzohen” me kthimin e mbetjeve të tyre mortore. Kanë pritur për 20 vjet. Janë të lodhur. Ata “gëzohen”, sepse shumë të tjerë ende janë në pritje, me frikën se do të vdesin pa arritur t’i varrosin djemtë, vëllezërit, etërit, nënat, motrat, bijat, kushërinjtë apo gjyshërit e tyre…
Në këto 20 vite kam vizituar 22 shoqata të familjeve dhe anëtarë të tyre.
Jemi marrë me 8,000 familje.
T’u tregosh familjeve se kemi gjetur të afërmit e tyre, të cilët nuk janë më të gjallë, është pjesa më e vështirë. Pas pritjes, pas pritshmërive, shpresës, pas gjithë këtyre emocioneve të mbledhura për mbi 20 vite, ata shpërthejnë. Si lajmëtarë, ne përballemi me reagimin. Ne dëgjojmë. Pas 20 minutash, na puthin.
…
Të kërkosh të pagjeturit është e ndërlikuar. Bashkë me IML-në, në procesin e gjetjes dhe identifikimit të të pagjeturve janë përfshirë edhe shumë organizata ndërkombëtare, përfshirë Zyrën e Personave të Pagjetur dhe Mjekësisë Ligjore (OMPF), Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK), Komisioni Ndërkombëtar për të Pagjeturit (ICMP) dhe EULEX, ndër të tjerë.
Menjëherë pas luftës, nuk ka patur sistem të centralizuar.
Duke e penguar dhe më tej procesin, disa të ashtuquajtura “OJQ” kanë shkuar nga fshati në fshat, duke mbledhur informacion, foto dhe sende nga familje e të pagjeturve. Ne shkuam më vonë për të njëjtën gjë dhe na thanë “ua kemi dhënë atyre”. Kujt? Edhe sot e kësaj dite, ende nuk e dimë kush kanë qenë këto “OJQ” apo ku janë sendet e mbledhura.
…
Tani po përballemi me “përfundimin” e procesit.
Ekipet e Tribunalit kanë përmbyllur mbi 4,000 raste duke përdorur “modelin klasik” që nuk mbështetet tek analiza e ADN-së. Pjesëtarët e familjeve i kanë identifikuar trupat vetëm me sy. Rreth 300 tashmë janë varrosur. Ndoshta janë identifikuar gabim.
Kemi ende më shumë se 300 mbetje mortore në morg, ADN-ja e të cilëve nuk përputhet me mostrat e gjakut që kanë dhënë familjet e të pagjeturve.
Për ta bërë si duhet, na duhet t’ia nisim nga e para.
Na pret një punë e madhe.
Dr. Arsim Gerxhaliu është drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë. Karriera e tij shtrihet mbi 20 vite dhe ka nisur para luftës më të fundit në Kosovë.
__________________________
The article is published in the regional magazine Balkan.Perspectives number 12. The magazine can be found on the link: https://dwp-balkan.org/staging/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2