Nuk ka me m’u hekë derisa të shkoj unë te ta

Kur djegin katundin ku Zoja jeton me burrin dhe dy vajzat e dy djemtë, e gjithë familja, mbas shumë peripecish, ia del të zhvendoset në Gjermani. Me vendimin e të shoqit, kthehen pas luftës për ta rindërtuar shtëpinë e djegur dhe jetën në Kosovë.

            Jetën e shkojnë të lumtur, deri më 10 korrik 2005, kur në shpatin e malit përballë katundit të tyre shpërthen një minë. Tre fëmijë vdesin në vend. Ndër ta, njëri djalë i Zojës. Djali tjetër i plagoset shumë rëndë. Edhe ai vdes, pak ditë më vonë në spitalin e Prishtinës, fill pasi e ëma ia jep përqafimin e fundit.

            Sot, me gjithë motet e shkuara, Zoja me të shoqin ende vuajnë traumat e humbjes së të dy bijve. Ndonëse jetës i janë kthyer, e madje janë shtuar me dy djem të tjerë, dhimbja e humbjes së pinjojve është diçka që as koha nuk po ua shëron.   

Zojë Gashi

Unë jom Zojë Gashi, Hoti e kom mbiemrin e babës. Jom bijë e Dollovës, i kom 52 vjet, jom e martume këtu në Gremnik. Jom rritë në Dollovë, me babë, me nanë. I kom katër vëllazën, tri motra. Kemi jetu edhe na, si përpara qysh kanë jetu. Baba m’ka dekë herët, na ka lanë krejt t’vocërr, jemi rritë tu u përkujdesë nana për ne. Nuk i kemi pasë kushtet shumë keq. E kur u rritën vëllaznit, do dulën n’gurbet.

            Kur i bona 20 vjet, u fejova qetu në Gremnik me Afrim Gashin. S’jena larg, as tri kilometra nuk i kemi ndërmjet. Jam njoftu me motër t’tina, jemi martu.

            Në Dollovë krejt jonë konë familje e mirë, rrethi jonë i gjanë, se jemi shumë në Dollovë. Hoti jemi shumica në Dollovë. Me do mixhallarë, me djem të tyne, jemi rritë. Para 30-40 vjetve jonë konë kushtet ma ndryshe, ama mirë kemi jetu.

            N’shkollë jom shku tetë vjet në Grabanicë. Krejt Dollova në Grabanicë jemi shkollu, se s’kemi pasë shkollë në katund. N’komë shkojshim, n’komë vishim, nja pesë kilometra i kish. Gjithë n’komë, tetë vjet. S’kemi pasë autobusa, as kerre. Tetë vjet në shkollë kom pasë shoqe t’katunit boll. Jemi shku n’shkollë bashkë, kemi kalu mirë me mësime.

            Babi o konë 40-45 vjeç kur u martu me nanën. Babën e kom pasë ma t’moçëm. Me bujqësi o marrë, me tokë. Përpara kanë mjellë duhan ma shumë. I kemi nimu babës me mjellë, me punu tokën. Na ka shkollu me mundësitë e veta. Veç na motrat jena me tetë vjet shkollë, se vëllaznit jonë të katërtit me t’mesme. Përpara o konë qashtu, çikat nuk i lejshin m’u shkollu. Veç tetëvjeçarën. Qef kom pasë, se shkolla m’ka shku. Po baba plak, e kushtet s’jonë kanë qaq të mira. Në Klinë me shku, me çka me udhëtu? Prej Dollovës ish koxha larg.

            T’isha shkollu ma shumë, sot veç për bamirësi kisha punu, me bo mirë n’këtë Kosovë. Shumë kom pasë qef me dhuru, me ba mirë. Ka nevojë Kosova për mirë. Për bamirësi kisha kry diçka. Po s’jonë konë kushtet.

            Dajët kanë pasë pasuni ma shumë. Na kanë rritë edhe dajët, nanës i kanë nimu. Dajën e kena pasë ma herët në Gjermani, ma shumë na ka rritë daja. Se nana fëmijë kallabllak, punë fushe e tanat. Veç mirë jemi rritë, s’kemi pasë kurrfarë problemi me kërrkon.

            Nanën e kom pasë shumë t’zojën, punëtore. O konë bijë e Çeskovës, me Dollovën jonë afër mes veti. Osht martu, ia ka falë Zoti fëmijët, kanë punu në fushë, dej jemi rritë na. Ma afër jemi konë me nanën, se kur m’vdiq baba, unë n’klasë t’shtatë isha. Si e vogël bojsha edhe unë mas babës ma shumë. Baba m’ka deshtë shumë, ma shumë se djemtë. Se çika e parë mbas djemve isha unë. Ma ka bo qefin shumë. I thojsha nanës, “Ah moj nanë, t’kisha ndërru me babën”. Kur vdiq i baba, u lidhëm me nanën ma shumë. Ka punu, në mundësitë e veta, na ka shkollu, s’na ka lanë me hekë për kurrgjo.

            I kom pasë dy dajë e ni teze. Tezja m’ka dekë shumë herët. Dajët i kishin punët mirë. Ni dajë e kisha në Gjermani, nji këtu. Këtynhere majshin shumë gja, e kishin shumë pasuni. Te dajët shumë kom nejtë. Qatë motër e kishin afër, jonë marrë ma shumë me tò.

            E vëllaznit, ky i madhi, i ra si vdiq baba me punu shumë. E kena pasë ni traktor, shitke zall, e kemi pasë nifarë bageri, vëllaznia tjerë me traktora shitshin zall. Tregti, tjetër jo. Tani, masi e kryjti ushtrinë vëllau i dytë, shkuen në Gjermani, se edhe i madhi ish në Gjermani. U kthy edhe ai mas lufte, qeky Bajrami. Se met veç nana n’shpi mas lufte. Për shkak t’nanës vllai u kthy. Ke edhe motra, Mana, mas lufte, veç ajo me nanën, në Kosovë. Po met nana vetë, se u martu motra në Gjermani, e u kthy Bajrami për shkak t’nanës.

            E tjerët u kyçën në Gjermani, qysh para lufte patën shku. Veç Mehmeti, vllavi i vogël, pat shku mas lufte. Ky i vogli o konë feju, ka pasë m’u martu në 2005, fëmija kur m’kanë vdekë mu, e për shkak t’fëmijëve të mi nuk boni darsëm hiç, shkoi në Gjermani qashtu. Pra krejt vëllaznit tjerë jonë jashtë, edhe motra e madhe.

            Nana qe tetë vjet ka vdekë. Shumë rondë e përjetova. Jom konë shumë mas nanës e dhanme, edhe ajo mas meje. Ka vujtë shumë, i ka ra shumë me u mërzitë. Na ra hem motrës, Hanumshahit, në Klinë, asaj i shkuen dy fëmijë n’luftë, ia kena kajtë dhimtën e saj me nanën. Nana, vëllaznit e motrat e kemi kajtë qet motrën, se i shkuen fëmija n’luftë. Që m’shkojnë edhe mu dy fëmijë mas lufte, nuk e kena bo mend.

            Tana nana thojke, “Edhe ma rondë e kom përjetu, dhetë vjet ymër m’i kanë shkurtu fëmija e tu”. Ranë dytë n’mina. Edhe nana prej mërzisë m’ka kopë, se pati sulm. Thojke, “Ah, moj nanë me ma pa zemrën qysh e kom unë, pleh!” Po, qashtu e kish shkru i lumi Zot, se n’luftë tu u pedatë edhe me çikat, e shkoi edhe ajo. Tani Bajrami mbet vetë, shkoi në Pejë, qaty punon. Vëllaznit tjerë prej Gjermanisë na nimojnë neve motrave, na kqyrin, folim. Besa na marrin n’pushim. Jom konë dy-tri herë në Gjermani, edhe Hanumshahi. Kemi nejtë ka pesë-gjashtë javë. I kom pasë edhe çikat pak, ma kanë kqyrë çikën e dytë, se nashta s’kisha mujtë me shku. Po, na kanë marrë me na hekë pak mërzinë.

            Me Afrimin u patëm njoftë me mësit. Osht ardhë motra e Afrimit ma së pari, m’ka pa në Dollovë. Asaj i kom pëlqy. I ka kallxu Afrimit, tani me tà, me vllavin, me motrën, jemi dalë në Klinë. Jemi taku, jena pëlqy. Qaty e kena vazhdu jetën.

            Dita e fejesës o konë e mirë shumë. Jom feju në Dollovë. Vjehrri ka pasë ardhë me vëlla t’vetin, vëllaznit e mi ma kanë bo për hajër. N’qershor jom feju, e Afrimit i ka dekë baba n’gusht. Me u martu, jom martu zijshëm, me 17 dhetor. Jonë ardhë m’kanë marrë, s’kanë bo darsëm hiç. Erdhën m’morën me dy kerre, u martova. M’patën thanë vëllaznit, “Ki me u martu”. U mërzitshin edhe ata, edhe unë. Se iu shkoj baba i ri edhe këtyne të burrit, 41-vjeçar iu ka dekë.

            Kur erdhën me më marrë, krejt n’vaj shkova. Jom hi tu kajtë, jom zhdrypë tu kajtë. Kanë pasë qef me bo dasëm t’mirë, qysh duhet. Po nuk e ka shkru i lumi Zot.

            Sivjet n’dhjetor, i boj 31 vjet që jom martu. Përpara nuk jena endë nër veti, veç kur jena pa qatë ditë, e dej kur jena martu nuk e kom pa ma Afrimin. Ashtu o konë koha, s’na lejshin, ish marre. Po s’kom pasë kurrfarë problemi me Afrimit. E kom shok, e burrë, gjithçka. M’ka kuptu shumë, e kemi kuptu njoni-tjetrin. Ia kom ditë mërzinë, mirë e kemi kalu. O konë ma i madhi n’shpi, e ka pasë nanën, vëllaznit. Nanën besa t’re, se Afrimi ish 22 vjeçar kur u martu. Une n’dhetor jom dalë nuse, n’shkurt i bojsha  21 vjet. Domethanë dytë jemi kanë t’rij, po o konë koha atëhere qashtu me u martu.

            Çika e madhe, Merita, më ka lindë në krye të ni viti. Vallahin, gëzimi i parë o konë. Këta kishin qef me lindë djalë, puna e babës së tyne. U gëzuen, po thojshin, “Kena pasë qef me na lindë ni djalë e me ia ngjitë emnin e babës”. Po Zoti e fali çikë. Fëmija shnosh, mirë, e harruen pak atë mërzinë e babës, tu u marrë krejt shpija me çikën, tu e deshtë. Si fëmija i parë mo.

            Në krye të motmotit e tre mujve, m’lindi tjetra, Dafina.

            Tani shkuem në Gjermani. Ish vëllau i dytë i Afrimit në Gjermani, tha, “Hajt merre gruen e hajde edhe ti naj vit dil”. Nejtëm atje dy vjet e gjysë, jo krejt tre vjet. Ma fali Zoti nji djalë në Gjermani. Ia ngjitëm emnin Adem, të babës së Afrimit.

            Kemi nejtë mirë atje në Gjermani, s’ka punu qaq shumë burri. Se ish ndihma sociale shumë e mirë. E kemi pasë banesën tonë. Po, iu vdiq baba, u bonë dy vjet, Afrimi si vëllai i madh, dojke m’u kthy. U kthyem. Tani erdha, meta edhe këtu shtatzanë, e bana Arditin. Në ‘96 lindi Arditi. Fëmijë i shnoshë, i mirë. Jemi konë familje shumë e lumtur, s’kom pasë kurrfarë problemi n’jetë. I kom pasë kushtet e mira, nusja e parë jom konë n’atë shpi.

            U banë dy djem e dy çika, familje e lumtur. Ma mirë, nuk ka pasë qysh. U rritën fëmija, t’katërtit i kom pasë n’shkollë në Gremnik. Kanë mësu shumë mirë, krejt pesëshe i kanë pasë, fëmijë ma t’mençëm s’ka pasë. Shumë jonë konë t’edukuem. Ademi dilke në të shtatën, i dyti në t’katërtën.

            Ata s’kanë ditë ni mësim me majtë n’men n’shkollë, po i kanë mësu ka tre-katër mësime para vaktit. Jonë konë t’zgjutë, u çuditshin mësusat, thojshin, “Këta fëmijë intelegjenta fort”. Jonë konë fëmija e parë në familjen e burrit e shumë jemi marrë me ta. I kemi dashtë, i kemi afru, i kem mësu, tanë mas tyne.Ka pasë programe që i kanë udhëheqë vetë çikat e mia n’shkollë. Djemtë kanë dalë me recitu.

            Masi lindi Arditi në ’96-ën, ma s’kemi pasë fëmijë tjerë. Nisi lufta, qashtu u rritën fëmija. N’luftë kemi hekë boll. E nijtëm që u kall në Prekaz, u kall edhe katuni ku kom jetu si çikë, Dollova. Jemi dalë në shpat nalt, tu kqyrë na që e kishim afër gjininë, e shifshim tu u kallë krejt shpijat. Tani e kanë kapërcy Drinin e m’kanë ardhë nana, motra, qeky vllai i vogël, Mehmeti, që o konë ushtar në UÇK në Këpuz. Jonë ardhë këtu në Gremnik, se s’kanë pasë çka me shku ma në Dollovë. I kallën, me lopë, me shpija, me çka kemi pasë gjallë, krejt rrafsh jau bonë.

            Nana jeme herë në Klinë, herë në Pejë, nëpër sebepa. Na ikëm, ia nisi lufta. Patëm jetu nja ni muej e kusur tu e shty, tu u mshefë, n’katun qetu. Ia nisën m’u gjujtë ndërmjet veti UÇK-ja me shkije. I kemi pasë afër, n’kthesë të Gjakovës nifar shpati, na shifshin n’pllamë t’dorës këtu n’katun. Ia nisën me bo luftë, na thanë, “Për ni orë, dy, që nuk e lëshoni katunin, krejt rrafsh keni m’u bo”.

            Jemi dalë prej shpijave me djepa n’dorë e me tesha t’fëmive në 4:30 t’mëngjesit, si ka nisë m’u zdritë, Me kunetë, me vjehërr, me burrin, sa kena mujtë diçka kena marrë. Qashtu trup malit e fushave me shku në Sfërkë.

            Në Sfërkë kemi nejtë nja ni javë a dhetë ditë. Shkojshin këta tonët kajhere natën me marrë do miell, do tesha t’fëmive, se u pat kallë kati i dytë n’luftë. Po s’kena mujtë mo me ardhë, se e bonën shkrum, me dy shpijat, me garazha, me çka kemi pasë.

            Në Sfërkë i kishim kusheritë, te ata rrishim. Tani edhe aty ia nisën me gjujtë, prej Gremniku, i nijshim granatat. Edhe prej atyshit u dasht me ikë. Në Panovc jemi shku, kemi flejtë dy ditë me fëmijë. Qaty kemi hangër, kemi pi. Vëllaznit e kunati në Gjermani na thojshin, “O dilni, se i morët n’qafë fëmitë, mos rrini”.

            Prej Panovcit kemi shku ka Drenovci, komuna e Malishevës. Kemi nejtë gati ni javë a dhetë ditë. Prej Drenovcit e kemi gjetë rrugën për Prishtinë, e në Komoran. O konë atëherë e nxanme prej policisë t’shkijeve, po jena dalë në nifarë katuni, Negovc thirret. Natën, trup asfaltit kemi kalu kadale. Prej Prishtine nëpër rrugë jemi shku në Shqipni. Kemi kalu qashtu kerr mas kerri. Jemi dalë me katër fëmijë, jemi shku në Vlorë, kemi nejtë ni javë ditë. Jena dalë prej Vlorës, kemi rreziku me shku në Itali, me katër fëmijë n’mbramje kemi hypë 60 vetë n’motoskaf. Tanë natën kemi udhëtu, kemi mbërri në Itali në 6 a 7 t’mëngjesit.

            Na ka nalë policia italiane, jau kem kallxu letërnjoftimat, s’na kanë nxjerrë problem. Thanë, “Hajt, kaloni”. E kanë ditë që jemi t’luftës, iu kallxuem qysh kemi hekë. Na çuen vëllau i Afrimit e këta pak pare, sa m’u gjindë pak. Prej Italisë gjetëm lidhjen me tren e deri në Francë. I kom pasë do tezakë në Francë, e na qitën në Gjermani.

            Kemi nejtë ni vit e diçka në Gjermani. I kom pasë unë tre vëllaznit në Gjermani, ngat Francës. Bash n’kufi të Francës i kom tezakët, ngat Gjermanisë. Tezakët m’kanë çu drejt e te vëllaznia. Kemi flejtë te ata, tani jena lajmëru për azil. Na kanë çu në qatë vend ku jena konë herën e parë, para luftës, në Ravensburg, n’kufi me Konstanz, Zvicër. Se na gjetën n’kompjuter, thanë, “Ju keni konë herën e parë, qatje duhet me shku”. Kemi nejtë atje me katër fëmijë. S’kemi hekë keq, na ka nimu shteti gjerman boll, me gjithçka.

            Po ke fati, burri u kthy në Kosovë. U kthejshin qatëherë mas lufte kush kish dëshirë. Burri thojke, “Ma i madhi jom, duhet me shku, këta t’rij, s’vijnë”. Burri erdh tre muej përpara këtu, se tha, “T’shkoj t’ndreqi diçka”, masi krejt i kallun o konë ky vend. Prej lugës, që thojnë, ia kemi nisë prapë, sen s’kemi pasë t’gjallë.

            Vjehrra ka nejtë nëpër oborr, në shator, deri ka ardhë burri. Burri e ndreqi katin e parë, e pat mblu me nifarë llastiku sa mos me hi bora. Se mas tre mujsh unë erdha në t’ftoftë, n’dimër. Po, na jepshin ndihna mas lufte. Katastrofë vallahin o konë qai viti i parë. Tu punu djemtë e burri, shkojshin tu e bo meremet ni dhomë, e ni dhomë tjetër, tu e ndreqë.

            Folsha me motrën e dytë, Hanumshahin, që i shkuen dy fëmija, i mytën me granatë në Obri. E zateta motrën te nana në Dollovë, ajo erdh prej Obrisë në Klinë. Kaj e mërzit na atje krejt. Gjendja e motreës o konë tmerr. S’kemi mujtë ni orë a dy me folë, tu kajtë, qaq ishim mërzitë për njana-tjetrën. Ajo mërzitshëm, i shkuen dy fëmijë, nana dertin e saj, besa isha edhe unë në Gjermani. Kjo e mërzitme boll, po çka me ba? Po u dashka me vazhdu jetën, se ma vështirë nuk kish. Ajo tani mori shpi afër. Tani u endshim nër veti, shkojsha, folshim, bojshim llaf. E kajsha gjithë motrën.

            Fëmija mi menihere ia kanë nisë shkollën në Gremnik qetu. Jonë shku mirë fëmija, e kryjtën çikat klasën e tetë. U regjistruen n’gjimnaz në Klinë. Djemtë këtu në Gremnik, e kanë pasë shkollën ngat, mirë jonë shkollu.

            Mas lufte vishin KFOR-i, kishe me kontrollu oborrin, me kqyrë, thojshin “Hini pa vesvese n’shkollë”. Se shkollën nuk e kanë pas kallë në Gremnik. O konë shkollë e vjetër, po mas lufte e maruen shkollën e re. Tani u shkolluen fëmija qaty. 

            Afrimi menihere mas luftës e ka ble ni autobus. E ka punu përpara në Klinë, në Sfërkë, veç me ni autobus, kemi metë gjallë. Punojshin edhe vëllaznit ka pak, u merrshin me bashçe. Përpara vishnje mbjellshim, u merrshim me boston, shitshim nëpër qytete, n’katun, në Malishevë, në Klinë, në Pejë i çojshim m’i shitë. Nuk i kemi pasë kushtet fort keq për fëmijë, nuk kemi hekë fort.

            E kemi pasë ni fushë afër shpisë, pak si shpat. I lëshojshin fëmija për çdo ditë loptë. Në 2005-nji ditë n’mëngjes herët erdh djali i mixhës t’burrit. Ai o konë 14 vjeç. I ka thirrë dy djemtë e mi. O hi, dytë i ka çu prej jorganit. Kurrë nuk e harroj atë ditë. Dolën pej dhomës të dytë, bile nuk jonë hi mrena hiç, po drejt n’oborr. I kanë ly sytë, jonë veshë, i kanë hangër ka dy vo t’zime. “Hajde ma shpejt”, i thojke ai djali i mixhës, “se unë i kom lëshu loptë! Hajde shkojna me lujtë nalt bashkë!”.

            Jemi konë aty, unë, Afrimi edhe vjehrra. Çikat jonë konë n’gjumë të dyja. Na ishim n’tavolinë jashtë qaty n’oborr. Ata mu, “Ngutu nanë, t’i lshojna loptë se dojna me shku me lujtë me fëmijë”. Ai djali i dyti, Arditi, ma shumë nuk o shku, sesa që o shku me lopë. Gjithë o shku i madhi. Po e çoi Zoti atë ditë edhe këtà. Afrimi ish tu e ndreqë autobusin, dojke me shku, se përpara bajshin udhëtarë me shku në Shqipëri. Po, atë ditë nuk shkoi, Zoti zahere e çoi, shkoi vllavi i tina. Afrimi tha, “Unë po rri, se nuk e kom autobusin mirë”.

            Edhe m’ka përqafë djali i vogël qat ditë, n’dy faqet. “Ani”, tha, “Bone bukën. Si t’a bojsh bukën”, tha, “Une ta boj me dorë prej atjeshit, edhe e marr Ademin”. Thashë, “Bini loptë se zheg, kah 11-12 ora, ju i bini e dej qatëhere e bon mami bukën”.

            Shkuen fëmija me lujtë, unë me punë të grave si çdo mëngjes. Jonë shku nalt, s’kom ditë gja, veç kur ka kërsitë qaq fort, sa jonë dridhë xhamat e krejt katunit. Ka shku tymi i zi nalt, e krejt katuni jonë tmerru. Piskatën, “Çka u ba?”.

            Kur e pashë tymin tu dalë, dola n’oborr, po i shoh mixhallarët e krejt katuni ishin tu ngajtë tenalt. Dola tanë tu ngajtë. Thanë, “Kanë ra fëmija n’mina bre”. Thanë, “Krejt fëmija jonë dekë”.

“Ku-ku për ne, çka na paska gjetë!” thashë. Yrysh e përpjetë unë tu u ngjitë shpatit, me shku te fëmija nalt. M’kanë dalë kunetët, mixhallarët përpara, “Jo, s’ki me i pa!”

“Oh”, thashë, “Du me i pa, du me i pa vetë fëminë e mi! Mos m’nalni!”. Kur jom shku, djalin e madh e kom pa veç gjaku që i kish pasë dalë. I dyti ish konë i ramë përmbys ngat tij. Kom piskatë, qaty tani m’ka hupë vetëdija, ma s’kom ditë gjo. Edhe burri qashtu, s’ka ditë kurrgjo për veti. Jonë marrë mahalla, e kunetët, e krejt katuni me fëmijë, na ma s’kemi ditë kurrgjo për veti.

            E kanë thirrë helikopterin, jonë ardhë KFOR-i, krejt këta të Klinës, kush ka mujtë, se pesë fëmijë ranë. Qaj djali i mixhës t’Afrimit, e ka emrin Shqipdon. Ai e ka gjetë qat lodrën, si lloj kimiku o konë. Janë kanë tu hangër manaferra, tu lujtë me top, e ka gjetë ai, ka thanë, “Gjeta diçka!”. Jonë shku fëmija me kqyrë çka ka gjetë. Ai e ka hekë prej venit, ka eksplodu meniherë, i ka kapë të tanë.

            Qet djalin që e ka gjetë, e kanë kapë copat e minës veç n’ftyrë. E dy t’mitë, edhe qai tjetri i djalit t’mixhës t’Afrimit që ka dekë, ata jonë kanë tretë bashkë. Ata i ka rrëxu për tokë. Qat djalin e mixhës tjetër, 14 vjeç, edhe atà e ka mytë n’ven. E këtij që i ka ra n’sy, i kish pasë hi krejt mrena, shkatërru krejt.

            Erdh i mori helikopteri i KFOR-it krejt kta, ushtri, polici, s’disha çka po bahet. Erdhën mjekët me dhanë ineksione këtu n’shpi. Thashë, “O bre, unë po du me pa! Pse po doni me ma hupë vetëdijën?” Apet m’ka hupë vetëdija, m’kanë dhanë gjilpana. Jom shku tani përpjetë me ni gru t’mixhës, e me ni djalë t’mixhës, thashë, “Du me shku ku i kom fëmitë, me ditë çka u ba me ta”.

            Këtu m’thojshin, “Nuk jonë dekë fëmija, veç jonë plagosë”. Une e disha, se më treguen, që Ademi ka dekë n’ven. Afrimi po m’thotë, “Oj gru, Ademi ka dekë n’ven. Arditi”, tha, “osht gjallë, po e çojnë për Prishtinë”. “Thashë, “Burrë, na e paska shkru i lumi Zot. Në luftë ikëm, po koka shkru me ardhë më dhanë shpirtin të dy djemtë qetu”.

            Me të 11-tin e vorrosëm Ademin. E pame e madhe, kiamet i madh boll. Veç mendtë që s’po t’dilkan prej t’keqti. Me 10 korrik ka ndodhë ngjarja, të nesërmen u vorrosën Ademi edhe djali i mixhës t’Ademit përniherë qat ditë. Krejt Kosova erdhën, e panë këtë ven, s’disha as kush po hin, as kush po del, as nuk disha sen për veti.

            Tani u merrshin kishe me djalin tjetër, këta kunetët e burri shkojshin në Prishtinë. Kur shkova edhe unë në Prishtinë, çka me pa? I shtrem, krejt i lidhun. Mjeku tha, “Fol me to se ky edhe pse s’munët me folë, ta ndien zanin ty”. Kom folë, i kom thanë, “Erdh mami, fol me mamin. T’paskan blloku n’tona anët bir. A je tu e pa mamin?” Kom folë sa kom mujtë. N’atë mërzinë teme, gjithçka kom folë me to.

            Ai nuk reagojke hiç, hiç, hiç. O konë krejt i lidhun n’kry, e n’sy, s’ia kom pa ftyrën, veç trupin poshtë. Ia kom prekë kamët, duert, qafën. Krejt o kanë i verdhë, se i plagosun, krejt me aparata. Kom nejtë nja gjysë ore, kom folë me to, kom kajtë, derisa mjeku m’ka thanë, “A i the qato çka pate nijet me ia thanë?” Jom shku ni herë dej te dera, jom kthy edhe ni herë, e kom përqafë djalin.

            Si jom dalë unë prej derës t’spitalit, m’ka lajmëru mjeku që Arditi dha shpirt. Mjeku tha, “E paska pasë sa me ardhë me ia marrë hallallin djalit”. Vdiq edhe ai n’spital, me 15 korrik.

            Shumë o konë i dhanun Arditi mas meje. Kurrë n’shkollë nuk ka shku pa e përcjellë unë deri te dera. As me ia lidhë t’mathnet, pa m’përqafë nuk ka shku n’shkollë. Ky i madhi, po, m’ka deshtë fort, po o konë i dhanun ma shumë mas babës. E Arditi s’ka mujtë as ni ditë me nejtë pa mu.  

            Me datë 16 e kemi vorrosë edhe Arditin. Unë nuk di as qysh e kena përjetu, vetë isha e mërzitne, knej u munojsha m’i dhanë gajret burrit, se ai ish ma keq se unë. Ish pa vetëdije, s’mujke as me nejtë në t’pame, o konë me mjekë e me aparata, shumë keq. Mu m’jepshin ineksione, hupsha, kajhere s’disha ku jom, kajsha.

            E qashtu shkuen ditët, me mërzi. Dy vjet nëpër mjekë, me u munu m’u shnoshë, me barna e me mërzi. Katastrofë. U mërzitshin te dy çikat, ishin t’mdhaja. Kur na shifshin neve, u mërzitshin edhe ma fort, gjithë me vaj e me mërzi. U nisshin n’shkollë gjithë tu kajtë, tu kajtë vishin. Çika e dytë, Dafina, e pat hupë ni vit qe jena konë në Gjermani. Kur u kthyem, ra me ni klasë me Ademin. Kurrë çikat nuk jonë shku t’gëzume n’shkollë, prej neve. As s’kemi bo zijafet, as kurrgjo ma s’kemi ba pa mërzi.

            Po, jeta po u dashka me vazhdu, hatri i fëmijëve. Se burri thojke, “Qysh me jetu? Ta mys vetën, m’shkuen dy djemtë”. Po, me zemër t’plastë i folsha edhe burrit. “Burrë, qashtu e ka shkru Zoti, çka kena me ba? Na shkuem në Gjermani m’u munu me i pshtu. Qe, erdhëm këtu, i mytëm”. Thashë, “Jonë zhdukë tjerë me familje krejt, edhe na, çka me ba, t’shkrume e kena pasë qeshtu”.

            Depresion kena pasë gati ni vit, të dytë jemi konë shumë keq. Burri nuk mujke me punu, ma shumë i punojshin vëllaznit. Bile burri shkoi te nifarë Agron Zajmi i Gjakovës, i ka pasë ba kontrollat për krye. Vjehrra na jepke besa kurajo fort, edhe vëllaznit e rrethi. Vjehrra thojke, “Duhet me jetu, jeni t’ri, boni apet fëmijë. E ka shkru Zoti me shku qita që kanë shku, luftë o konë”. Thojke, “Duhet me jetu, bohen fëmija tjerë n’dakik”. Na jepshin qeshtu vullnet për jetë. Krejt familja e burrit besa na kanë nimu fort. Vjehrra, nana jeme, vëllaznit, rrethi, tu folë te tanë, e vishin për çdo natë, e për çdo ditë. Shkojshim edhe nëpër mjekë.

            Meta besa shtatzanë, n’krye të dy vjetve ma fali Zoti Ademin, që ja kom përtri emrin Ademit të parë. Sa jemi gëzu, qaq kemi kajtë, atë ditë që ka lindë. Me vëllazni t’mi, e t’Afrimit, krejt familjarët, rrethi i ngushtë çka jonë kanë në Gjakovë atë ditë kur m’ka lindë Ademi, shumë jemi gëzu, po shumë kemi kajtë. U gëzuen çikat, u gëzuem krejt familja.

            Ma fali Zoti, tani mbas ni motmot e tre muejsh edhe Arditin, që ia përtriva prap emnin Arditit të parë. Falënderoj edhe mjekët e Gjakovës, se e kanë ditë qysh e kemi pasë punën, që na kanë shku fëmija, na kanë nimu shumë. Kurrë nuk jau harroj. Me ndihmën e tyne mbeta shtatzanë, se kom pasë problem mas dhetë vjetve pauzë, po ma fali Zoti Ademin.

            Edhe Arditi kur lindi boll mërzitshëm jemi konë. Boll gëzim, veç edhe mërzi. Gëzim kemi pasë kur na ka le Ademi i parë, po tani për këta edhe ma fort që jau përtritëm emnat. Na thojshin të tanë, “Nuk bon me jau përtri emnat fëmijëve”. Po une kambëngulsha, e burri tha, “Përveç n’emën t’tyne, nuk kanë m’u thirrë me emën tjetër. Nuk i harroj unë ata kurrë”. Edhe pse këta nuk i kanë nxanë vendet e atyne dyve që m’kanë shku, boll që jau thirri emnat e atyne përditë.

            Tash edhe fëmija e dinë qysh ka qenë puna,  jau kemi tregu rastin. Iu kemi tregu vjet, në 2019. I kemi çu fëminë në shkollë, e atje iu thojshin, “Ju i keni pasë edhe dy vllazën, i kanë pasë emnat Adem e Ardit”. Vishin prej shkolle, “Mam, bab, do nxanësa n’shkollë po thojnë që o konë ni Adem, i ka pasë 12 vjet, edhe ni Ardit, jonë ra n’mina që i kanë qitë shkijet këtu”. Tha burri, “Vallahi gru ma mirë t’ju tregojmë fëmive”. I kena pru fëminë n’sallon, i kena kallxu qysh ka ndodhë.

            E i kena pasë çu fëminë me kerr te vorret. Atje, te vorret, veç na kqyrshin te dytë. “Hë mam, pse po kan ti? Qe ku m’ki mu” thojke Arditi. Ademi thojke, “Qe mam, na keni neve tash. Edhe na rritëmi. Bojshin hajgare, “E mos me pasë shku këta, a na kishit ba ju neve?”. Na ngucshin aty te vorret kur shkuem. Veç edhe ata u mërzitën, kajtën me neve bashkë qaty te vorret, të dytë. E na përqafshin të dytë, herë ky i madhi e përqafke babën e vet, ky i dyti mu. Po i ka falë Perenia, atij i kofshim falë, thu se jonë gjallë edhe ni here. I kanë ftyrat e njejta, qysh o konë i pari, qysh o konë i dyti. Njejtë qashtu m’i ka falë Zoti.

            Ish rondë n’këtë dynje boll, ma rondë s’di. Shumë e kena përjetu rondë, shumë. Po, nuk di, të çojka Zoti forcë e gajret. Rrethi i ngushtë, shoqnia, t’dashnit ngat na kanë ba me jetu, se e kemi pasë vështirë boll.

            E për minën, atëherë thojshin që kanë vnu shkijet, se na patëm lajmëru përpara, pytshim, “A e keni kontrollu qet zonë?”. KFOR-i thojshin, “Po, e kena kontrollu”. Se kanë nejtë ushtrija e shkive në Gremnicë, bash n’qat shpat. Ka pasë shumë istikame aty nalt. Thojshin që o konë e shkive.

            Ky djali që e ka gjetë, kur e kemi vetë, na thojke, “Une e kom gjetë, o konë sikur kimik. Kur e kom çelë, ka kërsitë aty”. Jonë ardhë ata të minave me kqyrë, po s’kanë mujtë me gjetë mo kurrgjo. O konë e montume qaty, edhe qaty ka kërsitë. Po, qaq shumë ka kërsitë që krejt katuni jena çu n’kamë, xhamat jonë thy t’shpijave. Krejt thanë, “Çka u ba tonë kjo kërsimë?”.

            Jonë konë ardhë këtu me fotografue, me inçizu, thojshin, “Po pasojat e luftës jonë qito. Këtu e kanë lanë shkijet. Kjo osht pjesë e luftës. Qeshtu e kanë pasë taksirat fëmija. Krejt Kosova osht qeshtu me mina”. Thojshin, “Jonë konë t’mshefne se i kanë vnu shkijet. Na kontroll kena ba krejt në këtë ven. S’kemi lanë kun pa kontrollu”.

            Nashta ka hala ndoj minë, ku me ditë, se nuk jem edhe qaq fort t’lirshëm m’u endë na këtu, shumë ka pasë shkije këndej. Krejt luftën aty jonë konë pozicionet e shkijeve, n’qat shpatin qaty. Aty ma s’shumti kanë nejtë, se krejt qiky rrafsh, krejt kjo luginë, me Klinë e çka ka pasë, prej qatij shpati janë pa.

            Mas lufte, vishin edhe n’shkollë, spjegojshin këta t’huejt, me përkthim e sene. Folshim edhe na me burrin, ose kunetët tanë, iu thojshim, “Si t’gjoni diçka, mos prekni se jonë mina, e bini n’to. Si t’shihni diçka, me ardhë me lajmëru, me na tregu. Na e lajmërojmë policinë, a KFOR-in, me ardhë me hekë”. Edhe vetë fëmija jonë tutë prej tyne, gjithmonë. Se n’shkollë shumë iu kanë spjegu për qito mina.

            Po, qaty ka kërsitë te fëmija, edhe shkuen të dytë. Mërzia e tyne s’po u hekka kurrë. Tash i kemi bo besa do vjet, e po e përjetoj edhe ma rondë. Se po jau shoh shokët, po martohen, kanë fëmijë, e mu po m’vjen rondë. Për nanë koka ma vështirë shumë. Baba prap po del pak, po për nanën ish vështirë.

            I kom martu çikat, të dyjat. Dyjat jonë konë t’mërzitme shumë, Merita e Dafina. Tash i kanë dy vëllazën, e nuk ka kund motra n’dynje qe kujdesën ma shumë, sikur ato për këta. Vetë i kanë rritë, unë veç se i kom lindë këta dy djem, po ato vetë i kanë veshë, vetë i kanë ndërru, vetë iu kanë dhanë me hangër. Për s’tepërmi i kanë kqyrë çikat këta dy vëllazën.

            Çika e madhe vjet m’ka shku në Belgjikë. Ajo m’i ka rritë, se ka punu këtu mësuse, pedagaogjinë e ka t’kryme, me master, me krejt. Ajo 30 vjet i bon tash me 10 tetor. Edhe çikat t’mërzitme jonë konë shumë. Kur vijnë, m’kqyrin fort, m’dojnë fort. Gjithë m’shohin që jom e mërzitme, munohën me ma hekë, me m’disponu, me m’qitë besa, m’shëtisin, m’çojnë gjithkah, veç me m’pa t’knaqne, mu e babën e vet. Po, s’po u hekka mërzia.

            Boll m’ka metë marak që nuk i kom pa për ftyre asnjonit hiç, se s’kom pasë as çka me pa n’ta. Ky i madhi, si e pashë pak, ma nuk më lanë me pa hiç atë ditë që u vorros. As t’dytin, ai o konë lidhë me zavoja. S’kom pasë çka me pa n’ta hiç. Me qatë mëngjes që i kom përcjellë, ma s’kom pa kurrgjo. Shkuen të dytë.

            Në andërr shumë shpesh më vijnë, i shoh. Ma së shumti i shoh që vijnë e m’përqafin. Kur kom deshtë me ba Ademin e dytë, më ka pas ardhë Ademi, m’ka përqafë, “Mam, qe une erdha. Prap kom me ardhë n’këtë dynje, e ti po mërzitësh, shumë po kan. Pse po kan ti? Qe, prap po t’vjen Ademi”.

            Bile t’dytin e shoh ma shpesh n’andërr. E çdo natë që e shoh, shkoj të nesrit te vorret. Shkoj shpesh, shkoj edhe këto ditë se i kanë ditëlindjet. Kur e kanë përvjetorin që kanë ra n’minë, me 10 korrik, shkoj n’shpat atje, kaj atje nalt.

            Dej vonë burri s’ka mujtë kurrë me ardhë te vorret e fëmijve. Kurrë. Unë jom shku gjithë me vjehrrën. U rritën manej edhe çikat, jemi shku me çika, me vjehrrën, po burri kurrë s’ka mujtë me shku.

            Burri nuk m’len as foto t’tyne me qitë n’dhomë, as n’sallon. Unë kom qef me i pa fotot e tyne, po ai osht shumë i ligsht prej zemre, menihere e hup vetëdijën, tani mbetet veç tu kajtë, tu kajtë. “Nuk po muj”, thotë, “me i pa fotografitë e tyne”. E qitash ka nisë me shku te vorret, se nuk ka pasë ardhë deri vonë. Kur osht vorrosë najkush i katunit, kurrë s’ka marrë pjesë nëpër vorrime. E kanë ditë krejt katuni qysh e ka gjendjen. Shkojke mas dy-tri dite në t’pame, me jau shnoshë kryet, po në vorrime kurrë. As kur ka pasë deka t’rana, që na kanë prekë n’familje, s’ka shkue në vorrime, se s’munet me përballu.

            Sot, mirë që na i ka falë Zoti këta dy djem. Zemrën t’thyme, t’plagume gjithmonë e për jetë e kemi. Me u harru ata s’harrohen, dej t’shkojmë edhe na atje. Mërzia s’po u hekke, veç çka po u shtojke. Po na e hekin tash fëmija, jemi t’knaqun, na dojnë, i dojmë. I shohim tu shku n’shkollë të dytë, i përcjellim. Msojnë, jemi t’knaqun. Po, me zemër t’thyme jemi. Veç na i fali Zoti, pak na ai ka zbutë zemrat të dyve, e krejt familjës.

            Jom gëzu edhe për çika besa, edhe atyne pak me iu hekë dhimta. Se motrat e kanë dhimtën për vëllazni gati si nana. Veç mirë tash, fëmija tu u rritë. Djali i madh i ka bo 13 vjet n’prill. Ky i dyti me 19 gusht i ka bo 12. Mirë jonë tu u rritë, mirë po kalojmë me ta n’shpi.

            Veç vështirë ish për nana, për familje, për prindër, nuk kish gja ma të vëshirë n’këtë dynja se me i shti dy evladë n’tokë. Qikjo osht për mu ma e ronda n’këtë dynja, që s’më heket kurrë, dej të shkoj te ta.

            Po jeta po u dashka me vazhdu, s’paske çare. Hatri i burrit, hatri i çikave, i rrethit e krejt, jeta po u dashka me vazhdu edhe pse rondë ish tepër. Ma rondë nuk di çka me t’thanë. Po na i fali Zoti, na pa Perenia, atij i kofshim falë, po kapërcejmë.


Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022