Për çka ma kanë marrë babën?

Saga e vërtetë e familjes Kpuzi nis fill mbas lufte, kur ua rrëmbejnë babën që më nuk e gjejnë kurrë. Babai i kësaj familjeje ishte njeri me aftësi të kufizuara, meqë mezi pakëz arrinte të belbëzonte ndonjë gjë. Punonte para Hotel Pashtrikut në Gjakovë si lustraxhi këpucësh.

            I biri, Homezi, me pak plotësime prej të vëllait, rrëfen për ditën e zhdukjes së të atit pak ditë pas shalljes së mbarimit të luftës, për nënën po ashtu memece, jetën e mundimshme të varfërisë. Pak kohë më pas, në kërkim të babait, ai vetë bie peng i një grupi njerëzish që duan ta vrasin.

Homëz Kpuzi

Unë jom Homëz Kpuzi. Jemi tre vllazën e dy motra. Kena pasë shumë munim si fëmijë. Baba osht qujtë Ismet Kpuzi. Fill mas çlirimit e kena marrë vesh se o zhdukë. E bojsha me mend, “Për çka ma kanë marrë babën? Baba s’dijke as me folë”. Me pi, e ka pi alkoolin, po kërrkujna sen t’keq nuk i ka bo. Ma kanë marrë fill mas çlirimit. S’e kom pa mo.

            Nana m’ka dekë në 2004. Për babën s’kena marrë vesh kurrgjo hala sot e kësja dite. Për neve o kujdesë axha, faleminderit edhe prej tij. Edhe djemtë e tij. Shumë na ka kqyrë, edhe ai e ka lypë babën, s’e kena gjetë, s’dijmë as ku osht, as çka osht puna e tij.

            Qitash jom me fëmijë, me katër fëmijë jetima. Motrat janë të martume në Pejë. Asnjona nuk folin, as baba s’ka folë. Baba pak po, po belbojke. E me motrat duhet me folë me gishta. Edhe nanën e kom pasë që s’mujke me folë.

            Unë jam Xhemajli Kpuzi. Na jemi prej Gjakove edhe këtu banojmë. N’vakt të luftës na ka hupë baba. S’kena pasë mundësi me gjetë, jemi konë fëmijë të vogjël. Mamën e kemi pasë prej Mitrovicës. Baba o konë i gjatë.

            Në shkollë unë shkojsha, por s’u interesojsha shumë. Se jom konë edhe smutë. Ky Azyl Kpuzi m’pat dhonë gjak e s’jom konë mirë, rrisha si i tëhollum, kqyrsha që nuk jom mirë, i kallxojsha familjes. Familja ma bojke, “Ma mirë me shku me msu”. Unë iu kallxojsha, ata ma bojshin, “Ani rri, na folim me mësusen që je smutë”, e unë s’mujsha me shku m’ka hupë krejt shkolla.

            Unë jom konë i regjitruem në shkollë, jom shku në klasën e parë po s’më ka ecë shkolla, nuk shkojsha, iksha, s’ma ka dashtë diçka hiç. Tash edhe fëmijët i kom, tri çika e nji djalë. Çika e madhe Sagita, ka shku deri në klasën e tetë gati. I shkojke shkolla mirë, por jom duhtë m’i hekë, puna e qetyne tre fëmive se s’ka pasë kush me u kujdesë për ta. Se na nëpër puna. Emra Kpuzi e ka i dyti. Emra i ka tre bineq, masanej osht e treta, Elmedina, çika ma e vogël. Fëmijët jonë jetima, se jom nda prej shoqes, s’i kom pasë raportet mirë me tò. Çikën e vogël e kom pasë gati tri vjeçe, tash gati tetë osht tu i bo. Katër fëmijët i kom majtë vetë, i kom rritë. Faleminderit edhe prej mahallës, m’ndihmojshin edhe ata pak e m’bijshin sa me hangër, me pi, hatri i fëmive. M’u veshë, patika, çorapa, papuçe, ndihmojshin. Shumica e mahallës m’ndihmojshin. Se na kanë pa kushtet e këqija, dobët. Fëmijëve me veshë, kur të dalin n’shkollë. Më duhet mu çu n’mëngjes, m’i veshë fminë, mi la, mi bo, mi çu n’shkollë. Fëmitë i kom rritë vetë.  Këtë të voglën e kom rritë me gastare, e qitsha me ujë ia bojsha omël kajherë. Kur kom pasë pare, kom pasë tomël, i jepsha me pi. I ka shku jeta qeshtu qe. Jetim. Po, tash shkojnë në shkollë, fëmija s’kanë dallime. Pata bo kërkesë edhe msusja iu jepke detyra njësoj. Apet qato detyra i jepke. Jom shku, jom anku, sen! Tash po majmë ymyt.

Puna me mësu. Me mësu fmija sa mujnë me vazhdu shkollën. Kom qef me vazhdu edhe fëmija, jo me ecë sikur unë. Tash unë pa shkollë, edhe fminë me lonë pa shkollë? Për ata m’dhimet çika e madhe, o konë në shkollë shumë mirë tu ecë, ja kom nalë puna e fëmive.

            Baba o konë shumë i mirë. Punojke te Hotel ‘Pashtriku’, fshijke këpuca. Fill qatëherë mas çlirimit, edhe baba u gëzu që jena çliru. Kur o dalë prej shpisë, o konë me shokët, ka nejtë, ka pi. Ai e pike alkoolin. O nisë knej, kur na ka ardhë lajmi, “Baba nuk osht kërrkah”. Kena dalë me lypë, axha, edhe na dy vllaznit, s’kena mujtë me gjetë. Kena lypë në spital, nëpër shtabat ku janë konë kur jemi çliru. Shtabat e komandantëve, atëherë s’u konë policia.

            Kena lajmru te komandanti, Besim Vokshi o konë, se ata u vetshin për Gjakovë. Shkuem aty m’i taku, ata na e njofshin babën se shkojshin i lyjshin këpucat te ai, ia jepshin naj pare, i ndihmojshin diçka. Thanë, “Jo, te na nuk osht. Na i kemi njerëzit që e gjejnë. Ai o njeri i mirë”, tu na e lavdu babën.

            Baba patë dalë, e pat marrë edhe sandykin. I mur fërçat e sendet e veta, kolicën. O dalë me fshi këpuca te hoteli. Prej aty, ka ardhë te rruga, te furra e Halil Hodës. Një gjysë të rrugës ia morën ata rraqet, ia kanë gjujtë në kolicë të kamionit, ma kanë futë edhe babën aty, e kanë ikë. E ka pa nji shok i babës, e ka ardhë fill me na kallxu. Baba o konë i pitë, po o konë i zhvilluem me trup.

            Baba o gzu për s’tepërmi se jena çliru, se patëm hekë shumë prej shkijeve. Unë e di kur jom konë i vogël, i ka pasë ra babës shkau shuplakë, e m’pat djegë. O shku, i ka pa shokët, edhe kajke prej gëzimit qysh na kallxojnë shokët e vet. Baba ka punu pastrues te WC-jat, rrike me ata të hotelit, të moçëm jonë konë.

            Kur ka dalë baba, na jena konë në shpi tu banu. Atë mëngjes jena konë veç unë, mama edhe babi. Unë jom konë i çuet. Mami o konë tu i përgatitë babës kafe. Ai e pijti kafen, i pijti dy cigare, i muer sendet edhe shkoi. I thashë, “Ku je kah shkon?”. Tha, “Po dal me punu. Kur t’vij, t’fali pare a t’blej najsen”.

            Axha o konë ai që e ka pa, me çka m’kujtohet mu. Ai ka ndrru jetë, o konë i moçëm. E ka pa, e ka thirrë me ia marrë kolicën prej dorës te furra e Halil Hodës. Ka thonë, “Jo kolicën, se s’ia jap kërrkujna”. S’ka pasë qef me ia marrë sendin. As neve, kur shkojshim për shembull, nuk na e jepke për me pru në shpi, e ka pasë shumë iri. Kur erdh axha, na tregoi, “Shko merreni babën”, tha, “se osht pi shumë te furra e Halil Holës”. Jena shku aty, s’kena pa as babën as kond. P’i vesim aty ata të furrës, thanë, “Baba muer bukë, e qiti në kolicë, edhe u nis për shpi”. Qysh na kanë tregu ata, e kanë marrë e kanë futë në kerr, e s’na kallxojshin mirë. Në kamion. Kerr, kamion, s’na kallxojshin mirë.

            Kena ardhë në shpi, i kena kallxu djalit të axhës. I kena thonë, “Baba nuk osht kërrkah”. “Qysh more nuk osht kërrkah?”. Duel djali i axhës me kqyrë, me hallakatë. O shku gjithkah, s’e kena gjetë. S’o ardhë tanë natën në shpi. Ka dalë axha e ka hallakatë, e ka kqyrë anej e nëpër spital e nëpër shtaba që jonë konë. S’kena mujtë me gjetë kërrkah hiç edhe plus edhe te KFOR-i patëm bo kërkesë. Te KFOR-i jonë konë kamerat. Jonë konë italianë te stacioni atëherë. E patëm bo edhe ni kërkesë te gjermanët në Prizren. Kanë kqyrë edhe ata, kanë hallakatë. Hazyri pat shku te KFOR-i te italianët, unë tani në Prizren te gjermanët. O konë aty përkthyesi, kah kallxojsha, ai gjermani vetëm shkrujke.

            Vllavin e kom pasë përkthyes. Erminin. Po, e kom pasë qitu, o konë i pamartuem. Ai e dike italishen, msojke me ta edhe masanej fill mas çlirimit kanë kqyrë me ma marrë vllavin. Iki vllavi, duel anej, tash për tash osht në Itali. Ka shku, se o tutë p’e vrajnë a najsen p’i bojnë, e jena tutë edhe për vllavin. Se, e kanë kallë edhe shpinë e axhës e vllavi me punë me italianë, tue kallxu kush e ka kallë shpinë, se me kast na e kanë kallë qatë shpi. Sa e pat bo axha, e kanë kallë. Vllau u përktheu italianëve: qiky, qiky, qiky na kanë kallë shpinë për inati edhe krejt senet mrenda çka ka pasë axha, berbat ia kanë bo. Për qatë punë, e patë largu vllaun, “Vlla ik, se mos po t’mysin. Babën na e kanë marrë, tash edhe ty edhe mu edhe ktà, çka kena me bo me këtë punë, kurrsend”. Kah viti 2000 qatëherë m’doket shkoi, ose 2001. E patëm largu, iki, duel andej.

            Jena konë të ri kur osht zhdukë baba, unë 13, vllau 15 vjeç. Kena metë me nanën. Nana masanej u zijke n’veti, u pat sëmu, e patëm çu nëpër doktora, s’ka pasë pshtim. Dikur u lodh shumë edhe nona. Masanej edhe nona vdiq, kena met qeshtu, na kqyrke axha. Masanej kur vdiq edhe axha, djali i axhës na merrke me hangër, me pi, m’u veshë, m’u la, krejt. Ai na ka kqyrë. Djali i axhës Haziri, na majti, na rriti, krejt me hangër, me pi, m’u la. S’na ka lonë rrugave.

            Edhe kur o konë nana gjallë, krejtve na ka majtë, me banu aty me tò, me flejtë në shpi, krejt familjarë, krejt qaty hajshim, pijshim, rrijshim. E djali i axhës na ka maru këtë shpi. I kena dy dhoma, nji bajë dhe korridorin. Nuk m’ka lonë mu rrugave, e edhe ai i ka kushtet shumë keq. Po kryesorja na ka majtë. Kurrë s’na ka lonë keq.

            Tash jena mirë, faleminderit prej tij shumë. Probleme s’kom me djemtë e axhallarëve hiç, veç sa po munohen me m’ndihmu diçka puna e qityne fëmive jetima. Na prujnë ndihmat kur o naj Ramazan, naj Bajram a naj festë.

            Hazyri shumë edhe ka hekë me ne, si me ne, si ma nanën kur e kom pasë gjallë. Qiky Hazyri ka hecë ma nonës nëpër spitala, nëpër doktora, bon gjilpona, bon send, çmos ka bo, me shpirt ka bo, edhe e ka dashtë nonën shumë. S’na ka nda prej fëmive t’vet e edhe ai i ka shtatë fëmijë, plus na jena konë pesë veta. Na majke krejt qaty. Ai ka punu në Qabrat, në bërllog. Na majke, na bijke me hangër, me pi. Faleminderës prej tij për s’tepërmi.

            Masanej unë u pata martu. Jom konë i ri, jom konë i ngutshëm, dola prej tyne. Kom nejtë në shpia me qira, i kom pasë kushtet shumë keq. Me qira, dove s’ju pagujsha qiranë, më qitshin prej shpiave, shko  në tjetër, shko në tjetër, e qeshtu nëpër qira. Tash djali i axhës na martoi veç sa mos me nejtë. Tash nuk e di çka po bohet, derisa të forcohemi, ndoshta na çel Zoti naj rrugë, me bo edhe shpinë tonë, diçka me bo.

            Nana kur m’ka vdekë, vallahi shumë keq m’u ka dokë. Infarkt në zemër. Unë katër, pesë herë ia hijsha mos me vdekë, me ia kthy shpirtin. Kajsha, po badihava. U çu djali i axhës Hazyri shkoi me vllaun, e çuen në spital, aty e lshoi zemra. Mos kaj o vlla, se bohet mirë. E ka kapë infarkti qaty në spital. Unë me grunë e Hazyrit jom konë, Valbona e ka emnin. Mu s’më kanë kallxu kurrgjo, veç kur m’kanë ardhë doktorat ngat. Ma bonën nji gjilponë në krah me m’qetësu. Masanej, dikur p’e shoh nuk osht Hazyri mirë, po del jashtë tue kajtë. “Çka ki?”, thashë. “A osht ma mirë nana”? Tha, “Po more ma mirë o”, e nana kish ndërru jetë. Kajke shumë në spital. Ja nisa edhe unë me kajtë.

            Hajt vllau jem mos u mërzit. Bohet mirë, na mban Allahi, s’kemi çka bojmë. Çka vjen prej Zoti mirë se vjen.

            Unë s’e pata pa hiç babën, se dilke herët. Qysh ka dalë prej shpisë s’e kom pa.

Masanej kur jena dalë me lypë babën, m’patën kapë edhe mu, do tonët, këtu të Gjakovës. Jonë konë anej ka Qabrati, si sot e maj n’men. M’kanë çu me nji shpi të madhe, po s’e maj n’mend qitash ku o konë. M’patën mshelë. M’kanë majtë 24 orë. M’thojshin, “Kallxoni çka keni bo në luftë. A e keni mytë najkon?” Iu thojsha, “S’di more unë. Unë i ri jom, o djalë”. M’i patën qitë përpara do pendreka, alltia, kallasha.

            S’i kom njohtë kush ishin. As sot m’i pa nuk i njoh. M’kanë rrehë shumë. Jom konë i thyem krejt. M’kanë qethë, ma mshojshin shkelma, boksa. Dikur m’i zgjidhën duert. Kom lyp ndihmë te Allahi, i kofshim falë, ma ka dhonë nji fuqi të madhe edhe kom ikë, prej katit të tretë kom kcy. O konë shpi e vjetër. Si sot e maj n’mend, tu ikë prej Qabratit, m’ka dalë nji plak, s’ia di emnin. Ma ka pa gjakin, e unë jom rrxu për toke, s’kom mujtë mo. M’ka kapë plaki, m’ka shti mrenda, m’ka dhanë ujë, m’ka kqyr, m’vetke, e s’dijsha çka me folë. E kom pasë nji tutë t’madhe. Masanej, dilke edhe Hazyri me m’kqyrë ku jom. Masanej thashë, “Po du me shku n’shpi”. S’dijsha as m’i kallxu plakut ku e kom shpinë, qaq shumë jom konë i rrehun, e jom ardhë këtu në shpi. M’kanë pa krejt gjak.

            N’spital nuk shkova, po thojshin hajde t’çojmë. M’patën çu në shtab. Nuk dijsha mirë me tregu kush ishin ata edhe s’mujsha me i majtë n’mend shpijat ku m’kanë çu. Thojshin, “A i njeh gjinjën?”, thojsha, “Nuk i njoh”. Thojke, “Jo, je ka i njeh, por je ka tutesh”. Thashë, “Pse me t’rrejtë? Nji plak m’ka marrë e m’ka shti n’shpi t’vet, kur kom ikë prej tynve”. E di në Qabrat m’patën çu.

            Sot nuk e di atë vend. S’e di, se jom konë pa vetëdije, jom konë shumë keq. U munojsha me pshtu veten për me ikë prej tyne mos me m’vraE s’kom majtë n’mend kurrgjo hiç, se kom ngajtë edhe o konë ka Qabrati qanej. Nuk m’kujtohet as plaki. M’pat thanë nji emën, po krejt jom konë i rrehun: ftyrës, trupit. M’rrehshin me pendreka, kah s’më gjujshin, m’bijshin, m’prejshin. M’patën rrehë shumë keq, së tepërmi. Isha pa vetëdije. Plus, m’i patën pre flokët, ma hijshin shkelma, më pshurshin. Çkamos m’patën ba, me kallxu të drejtën.

            Nja tri orë m’ka majtë plaki qaty në shpi të vet, e veç lypsha me ikë. Mu dukke se edhe plaki o kah don me m’vra a najsen, prej tutes. Ka pasë të familjes së vet, kur vijshin pak me ma fshi gjakin. Unë u tutsha prej tynve. Thojsha, “Veç me m’lonë me shku n’shpi”. Ma patën dhanë nji kapuç edhe nji bluzë edhe thanë “Hajde t’çojmë n’shpi”. Nuk e dijsha ku e kom shpinë, edhe i ika plakit.

Kom ikë, jom ardhë vrap n’shpi. O konë Hazyri n’shpi, tha, “Çka t’gjet?”. Po ia kallxoj punën. Dita e hane o konë kur m’kanë marrë. E m’ka marrë Hazyri, m’ka çu n’shtab. Po iu kallxon ai, por unë s’e dijsha vendin, s’e kisha majtë n’mend.

            Nja dhetë deri pesëmdhetë ditë, menxi u shnosh. Jom shumë shumë keq. Deri e kena shnoshë, krejt duert, trupin, komët, ftyrën zi e ka pasë prej dajakave. Menxi e kena pru n’veti.

            Më patën mshelë në nji dhomë shumë të vogël, s’o konë as dy metra me tri. Aty s’ka pasë kurrgjo, veç jom konë i lidhun me duer. Mi patën lidh durt me pranga të policive përmrapa edhe dy kamët m’i patën lidhë. Kush vijke nuk e shihsha se edhe terr, dritat e ndalne, po e nijsha kur t’vijshin mrenda, veç m’kqyrshin.

            Me pasë konë gjallë baba, kish ardhë. Ai gjithqysh na kish lajmëru, kish bo diçka me ardhë. Mu ma merr menja që e kanë mytë, s’po di vallahi. Se atëherë o konë rrezik. Fill mas çlirimit, hala tollovi e madhe. S’o konë liri tamon. Tash dalim, hecim, punojmë, gjallnojmë, atëherë s’o konë kështu.

            Unë ju falenderoj shumë që keni ardhë këtu. Pak a shumë na keni dhanë nji send t’mirë. Kom pasë qef veç me gjetë babën, ja të gjallë ja të dekun. Bile eshnat me ja gjetë e di se osht’ i dekën. Veç eshnat, me i pasë e me ia maru vorrin. Ashtu e di se e kom gjetë, e kom nji shej të tina.


Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Nndërkombëtare të Zzhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet  forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022