Perceptimet shqiptare mbi drejtësinë tranzitore-Anketë kombëtare 

Shqipëria, vijon të jetë një nga vendet post komuniste në Ballkanin Perëndimor, e izoluar prej debateve dhe projekteve politike që kanë në qendër drejtësinë tranzitore, si një mekanizëm shumëdimensional dhe gjithëpërfshirës në afrimin e shoqërisë me pasojat e së kaluarës dhe traumave të një regjimi diktatorial. Edhe pse një vend i lirë prej konflikteve etnike apo prej provokimeve me bazë fetare, Shqipëria nuk ka mbetur e pa prekur prej polarizimit dhe konflikteve politike që kanë cënuar në vite procesin e demokratizimit në vend. Kjo “luftë e brendshme” politike vijon të jetë po aq e rrezikshme për shoqërinë sa lufta e klasave gjatë diktaturës. Dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit vijojnë të jenë mjet shantazhi dhe celësi ende i papërdorur për të ckycur dyert e së vërtetës dhe drejtësisë. 

Në Shqipëri ka qëndrime dhe perceptime të ndryshme sa i takon ballafaqimit me të kaluarën, apo drejtësisë tranzitore, të cilat me së shumti njihen nëpërmjet ligjit për lustracionin, Komisionit Bezhani, dhe dy institutucioneve të krijuara rishtazi si Autoriteti për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në të njëjtën kohë, organizata jo-fitimprurëse në Shqipëri ( Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, Fondacioni Kujto.al) janë investuar në nxitjen e një debati publik dhe në inisiativa ligjore për të nisur një proces de-komunistizimi në Shqipëri, proces i cili ndeshet me mungesë vullneti politik prej maxhorancës në Parlament, që përbëhet nga mandatet e Partisë Socialiste. Refuzimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të miratuar projekt-Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë dhe një projekt-rezolutë të ngjashme për të dënuar të njëjtin agresor për krimet e luftës në Kosovë. Kjo përcarje e legjislativit Shqiptar nuk e vendos Shqipërinë në hartën e atyre vendeve ku shoqëritë dhe elita politike distancohen dhe ndërrmarin akte publike për të dënuar krime kundër njerëzimit, aq më tepër kur realmi politik i këtij viti nisi me sulmin në Ukrainë dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara. Këto veprime në disakord të maxhorancës parlamentare reflektojnë ende papjekurinë politike për të ndarë politikën e ditës nga akte të rëndësishme politike kur vjen fjala te krimet kundër njerëzimit dhe të drejtat e njeriut. 

Në 32 vite post-komunizëm në Shqipëri, vetëm në vitin 2017 është realizuar për herë të parë një anketë kombëtare me qëllim matjen e perceptimit publik në lidhje me trashëgiminë komuniste dhe qëndrimet e qytetarëve të anketuar mbi nostalgjinë ndaj sistemit të atëhershëm. Për herë të parë, publiku dhe të interesuarit në lidhje me temën u hasën me termin mbi drejtësinë tranzitore si një fushë studimi e cila nuk kishte gjetur artikulim të mëparshëm. Ndaj, synova të realizoj në vitin 2021 një anketë në lidhje me perceptimet e qytetarëve ndaj drejtësisë tranzitore si koncept. Kjo anketë është realizuar në kuadër të studimeve doktorale mbi “Drejtësia Tranzitore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut” dhe se gjetjet që do të prezantohen këtu nuk janë publikuar më parë. 

Anketa është realizuar me 18 pyetje, prej Shtatorit deri në Tetor 2021, ku të anketuar numërohen 1021 persona nga e gjithë Shqipëria. 66 përqind e të anketuarve janë femra dhe 34 përqind janë meshkuj, pjesa më e madhe e tyre i perkasin grup moshës 25-36 vjec dhe janë rezident në Qarkun e Tiranës në zonë urbane. Kjo vjen si pasojë e faktit se anketa është realizuar online dhe se aksesin ndaj teknologjisë e kanë kryesisht këto variabla. Kur të anketuarit u pyetën “A keni dëgjuar ndonjëherë për drejtësinë tranzitore”, 60 përqind e tyre u përgjigjën pozitivisht dhe 40 përqind raportuan se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë. 22 përqind prej atyre që e kishin dëgjuar më herët drejtësinë tranzitore raportuan se e kishin ndjekur në mass media dhe media sociale (18%). Një përqindje e ulët prej vetëm 6.8 përqind raportuan se e kishin dëgjuar në ambjente familjare. Duke qenë se qëllimi i anketës ishte të njihja më tepër se sa e kuptueshme ishte drejtesia tranzitore si mekanizëm dhe proces për shoqërinë shqiptare, një nga pyetjet ndaj te anketuarve ishte “Si do ta përcaktonit ju drejtësinë tranzitore” dhe dy nga alternativat me përqindjen më të lartë ishin të lidhura me drejtësinë tranzitore si një fushë studimore e cila merret me studimin e krimeve të komunizmit (18.6%) dhe si një mekanizëm për të rikthyer pronën private të konfiskuar gjatë regjimit komunist (16.4%). Vetëm 4.7 përqind të të anketuarve e shihnin drejtësinë tranzitore si një mekanizëm për të krijuar komisione të së vërtetës me qëllim ekspozimin publik të versioneve të së shkuarës. Në opinionin tim, kjo përqindje është shumë e ulët duke patur parasysh synimin që ka në vetvete dhe së pari drejtësia tranzitore në vende ku regjimi komunist krijoi trauma sociale dhe ndarje tektonike politike të mëdha.

Shqipëria, një vend ku propaganda komuniste ishte mendimi i vetëm politik,verdikti i fundit i drejtësisë në një vend ku Ministria e Drejtësisë kishte rënë dhe besimi i vetëm fetar ku të gjitha objektet e kultit ishin shkatërruar dhe ndaluar me ligj; do duhej që në perceptimet e këtyre 32 viteve pas rënies së regjimit të ishte ngjizur më shumë kërkesë për drejtësi dhe versione të së vërtetës. Por nga ana tjeter, kjo përqindje e mërsipërme reflekton dështimin në vite të shoqërisë në tërësi duke përfshirë edhe elitën politike dhe akademike për të studjuar dhe zbardhur krimet e komunizmit si dhe për të rikthyer pronën private. Ndaj, perceptimet e qytetarëve ndaj drejtësisë tranzitore vijnë si kërkesa të brendshme të një shoqërie që ka ende punë të papërfunduara me pronën private, zbardhjen e krimeve, hapjen e dosjeve dhe delegjitimimit të narrativës komuniste. Një gjetje tjetër interesante gjendet në përgjigjet e të anketuarve kur ata u pyetën se “ Nëse do të apikohej një mekanizëm i drejtësisë tranzitore në Shqipëri, cili do të ishte produkti më imediat ”, dy alternativat më të përzgjedhura janë se në një rast të tillë, do të vendosej një standard i ri mbi llogaridhënien dhe pandëshkueshmërinë ndaj elitës politike (17.2%) dhe do të vendoste besimin në institucione (15.4%). Të dyja këto alternativa të zgjedhura prej qytetarëve janë një rezonancë e realitetit politik dhe mënyrës së shtet-ndërtimit në Shqipëri e cila ka të bëjë me besimin në institucione dhe vendosjen para drejtësisë të zyrtarëve që cënojnë interesin publik. 

Në përfundim ja vlen të mendojmë se Shqipëria përvecse një nga vendet më të izoluara në rajon vijon të jetë një nga vendet më pak të studjuara në lidhje me të shkuarën, ndaj dhe qëllimi i vendosjes së të kaluarës së shoqërisë shqiptare me atë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të nxis rrjetet akademike dhe palët e interesuara për ta parë kontekstin shqiptar jo të shkëputur nga ngjarjet dhe dinamikat e brendshme të rajonit por as nga e kaluara historike dhe politike e ish Federatës Jugosllave.