Nëse jeton në Ballkan, në ato pak raste kur ke fat dhe në shumë raste kur nuk ke dhe aq fat, kupton se në këtë pjesë të botës njerëzit kanë pikëpamje shumë të çuditshme për konceptin e respektit ndaj grave. Këtë çudi e theksoj me faktin se ky koncept duket se po shkon së prapthi dhe bashkë me të, edhe ai që është menduar të jetë qëndrim faktik dhe i pandryshueshëm.
Nëse flasim në aspektin kronologjik, dikur shumica e Ballkanit ka qenë para kohës sa i përket të drejtave të grave dhe pozicionit të tyre në përgjithësi në shoqëri në krahasim me disa nga demokracitë e perëndimit, jo vetëm në atë kohë, por edhe në debatet bashkëkohore. Dokumentat e parë të shkruar që shënojnë dhe pohojnë pjesëmarrjen e grave datojnë që në periudhën e Bogomilizmit, që shfaqet si reagim ndaj shtresëzimit shoqëror që ndodhi për shkak të shfaqjes së feudalizmit dhe mbështetjes për qeverinë nga kisha e krishterë zyrtare ndërmjet shekullit të 9-të dhe 10-të. Përfshirja më serioze e grave në sferën politike regjistrohet me themelimin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ, 1919) dhe lëvizjen e parë feministe, Fronti Antifashist i Grave (FAG, 1942). Në vitin 1946, gratë e vendeve të Ballkanit, në atë kohë asistuan në Republikën Socialiste në Jugosllavi, fituan të drejtën e votës dhe u paraqitën si kandidate në zgjedhjet politike. Ato mbetën në hijet e jetës politike për dekadat e para, por me të drejta të njohura formalisht dhe ligjërisht. Përfshirja e konsiderueshme e grave në Luftën Antifashiste luajti rol kryesor në njohjen e hershme të nevojës për dhe në dhënien e të drejtave të barabarta në ish-Jugosllavi.
Për më tepër, në ish-Jugosllavi ka patur edhe qendra për fëmijët dhe të moshuarit, që u jepnin grave mundësinë të ishin më të dukshme në role të tjera jashtë roleve si nëna dhe shtëpiake. Këto qendra ofronin mbështetje të rëndësishme për nënat që punonin, të cilat mund të ishin të sigurta se për fëmijët e tyre kishte kujdes të mirë ndërkohë që ato ndiqnin karrierën e tyre. Po ashtu, gratë kishin të drejtë për pushim të lindjes, që garantonte sigurinë e vendit të punës kur të ktheheshin. Kjo mundësoi balancën punë-jetë që u dha grave mundësinë të arrinin më shumë se sa do të kishin qenë në gjendje të arrinin pa struktura të tilla të përkrahjes.
Dokumentat e shkruar sugjerojnë se kushtet në shtëpi ose spitale dhe qasja në abort u vunë në dispozicion të grave në Ballkan që në shekullin e 19-të. Që aborti ekzistonte si praktikë në spitalet e qytetit të Beogradit në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dëshmohet edhe nga faturat e spitaleve për aborte nga viti 1858, ndërsa dokumenta të tjerë të arkivuar sugjerojnë se mjekët bënin përpjekje edhe në vitin 1935 që procedura e abortit të nxirrej jashtë zonës gri dhe të dekriminalizohej. Kur hedhim sytë pas tek kjo, ndërkohë që jemi mjaft të familjarizuar me zhvillimet e sotme në këtë fushë, realiteti na godet si një përkujtim i dhimbshëm se gratë asnjëherë mund të mos e kenë mundësinë që të relaksohen dhe të supozojnë se mund të mbështeten tek disa të drejta dhe t’i marrin ato si të mirëqena.
Forma të shoqatave të grave me bazë në interesa të përbashkët datojnë edhe para vitit 1918; ka patur organizata të grave humanitare, fetare, edukative dhe profesionale në të gjitha vendet, me ndarje të qarta në bazë të fesë dhe kombësisë. Nëse disa nga këto organizata përmbanin dhe ide feministe, ato kanë mbetur në prapavijë ose janë shpërfillur tërësisht. Pavarësisht shpërfilljes së elementëve bashkëkohorë feministë në këtë lloj shoqate, ato kanë qenë të pranishme për pothuajse mbi një shekull. Megjithatë, diskursi publik në vitin 2023 shpesh tejmbushet me narrativa që shoqatat e grave të çfarëdo lloji janë produkte joorganike të ndikuara nga ideologjitë perëndimore që janë shkatërruese ndaj ideve vendase dhe vlerave të vendit(vendeve) tona.
Për ironi, lëvizjet kundër barazisë gjinore në Ballkan sot e refuzojnë idenë e balancës punë-jetë dhe në vend të saj promovojnë rolet gjinore tradicionale. Ato argumentojnë se gratë duhet t’u japin përparësi detyrave të tyre si bashkëshorte dhe nëna kundrejt karrierës dhe qëllimeve personale. Këto lëvizje shpesh përdorin fenë dhe nacionalizmin si bazën për argumente dhe kritikojnë të gjitha përpjekjet për të promovuar barazinë gjinore si kundër vlerave tradicionale. Ky kundërshtim ndaj barazisë gjinore ka çuar drejt rritjes së diskriminimit dhe dhunës ndaj grave në disa pjesë të Ballkanit.
Pavarësisht progresit të bërë në të kaluarën, lëvizjet bashkëkohore kundër barazisë gjinore po kërcënojnë me zhbërjen e arritjeve të të drejtave të grave në Ballkan. Këto lëvizje argumentojnë se barazia gjinore dhe të drejtat e LGBTQ+ janë koncepte të huaja që dëmtojnë vlerat familjare tradicionale dhe janë pjesë e komplotit të perëndimit për të rrënuar kulturën dhe identitetin e rajonit.
Sfida kryesore për të mbetur i palëkundur ndaj hapave prapa që kanë shkaktuar lëvizjet e lartpërmendura është që të ndërtohet mbi themelet e hapura nga brezat e mëparshëm dhe të vazhdojnë përpjekjet për barazi gjinore. Kjo përfshin edhe marrjen e masave që gratë të kenë qasje në arsim dhe trajnim që u mundëson të marrin role udhëheqëse dhe që të krijohen politika të cilat promovojnë balancën punë-jetë, përfshirë dhe kujdes të përballueshëm dhe të qasshëm për fëmijët dhe të moshuarit.
Po ashtu, duhet të luftohet retorika dominuese kundër barazisë gjinore nëpërmjet arsimimit dhe fushatave për vetëdijësim. Kjo gjë mund të përfshijë edhe nxjerrjen në pah të arritjeve të grave në të kaluarën, si dhe të theksohen ndikimet pozitive që barazia gjinore dhe të drejtat e LGBTQ+ kanë në shoqëri.
Kur hedhim sytë pas dhe para, ajo çka duket si fuqi shkatërruese është e panjohura e madje më keq, guximi për të qëndruar i pafamiljarizuar me ngjarjet e së kaluarës, duke pretenduar se e tashmja është realitet artificial i instaluar nga dikush që dëshiron të shkatërrojë shoqërinë. Edhe pse realiteti është se ato shoqëri që ne njohim – shoqëritë ku ndjehemi më së shumti si në shtëpi, janë formësuar nga gratë dhe rezistenca e tyre sa herë që një fuqi më e madhe ka tentuar ta tkurrë hapësirën që u është lejuar. Barazia, apo kjo gjëja sa më pranë realitetit që ne kemi, në këtë pjesë të botës, është arritur nga përpjekjet e barabarta të grave për t’i kontribuar ndërtimit të botës ku ato dëshirojnë të jetojnë.
Detyra kryesore për të ardhmen do të jetë që të mundësohet fuqizimi i strukturave të brishta dhe të shpërndara të rrjetit dhe të hidhen themele të forta për një lëvizje me mekanizmat e duhur institucionalë në nivel vendor dhe rajonal, të mbështetur mbi themelet e shtruar më parë dhe ne të vazhdojmë të ndërtojmë mbi to, me ide të reja dhe me kapacitete që nuk kanë qenë në dispozicion të brezave para nesh. Kjo mundësi kushtëzohet nga infrastruktura e shoqërisë civile dhe komunitetet e donatorëve që veprojnë nëpër rajon.
Pasi kemi thënë këtë, do të përpiqesha të kapja thelbin duke thënë se perspektiva është e kaluara. Ta shohësh, ta mësosh, ta ujdisësh, ta përshtasësh në kontekstin aktual dhe ta rizbatosh, duke vazhduar së ndërtuari aleanca mbi bazën e vlerave të përbashkëta, pavarësisht se sa të pazakontë mund të të duken aleatët.
Mban gradën MSc në Media të Reja dhe Rrjete Sociale nga Instituti për Hulumtime Sociologjike, Politike dhe Juridike – Shkup dhe gradën BA në Shkenca Politike. Angazhimi i saj me BCSDN ka filluar në prill 2021 kur ajo iu bashkëngjit ekipit si praktikante në azhurnimin e hulumtimeve të CIVICUS Monitor dhe më pas e vazhdoi angazhimin si Zyrtare për Komunikim dhe Informim pranë Zyrës Ekzekutive nga shtatori 2021. Ajo është angazhuar profesionalisht dhe në mënyrë vullnetare në OSHC të shumta në vend, si Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup, Eurothink dhe Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë. Ajo ka përvojë të gjerë në menaxhim të projekteve dhe eventeve, hulumtim dhe komunikim. Interesat e saj përfshijnë sferat e komunikimit, komunikimit të ndërlidhur me hulumtimin, çështjet rinore dhe lëvizjet qytetare.