“Përse të shkruajmë për këtë, nuk ka asgjë të re aty… në krahasim me të tjerët. Mali i Zi thuajse nuk ka marrë pjesë në luftë”, më tha rishtazi një koleg, një gazetar me përvojë i cili punon për një gazetë ditore me qarkullim të lartë, ndërsa i jepte përgjigje pyetjes se përse krimet e luftës në rastin e të cilave kurrë nuk është hedhur dritë mjaftueshëm dhe që kurrë nuk janë trajtuar plotësisht, nuk janë temë për median vendore në Mal të Zi. Kjo bisedë ndodhi në maj, një ditë pasi disa OJQ vendore shënuan 26 vjetorin e krimit të luftës të kryer në territorin e Malit të Zi, që njihet si rasti Deportimi.
Kthim prapa në vitin 1992. Të paktën 66 boshnjakë etnikë dhe disa serbë të Bosnjes u arrestuan dhe u dërguan në stacionin policor të Herceg Novit dhe më pas, u deportuan drejt territorit të kontrolluar nga serbët e Bosnjes. Shumica e tyre u vranë dhe mbetjet e tyre nuk janë gjetur ende sot e kësaj dite. Pas një gjykimi që zgjati me vite të tëra dhe ku u përfshinë instancat më ulëta dhe më të larta në Mal të Zi, konkluzioni doli se nuk ishte faji i askujt. Informacioni për ngjarjen përkujtimore në maj dhe kërkesat për të gjetur dhe për të dënuar kryesit e krimit u mbuluan nga pak media, si lajme të shkurtra me pak paragrafë. Nëse kjo nuk është temë me interes për median e pavarur, që kryesisht janë shumë kritikë kur është fjala për autoritetet, përse duhet të jetë temë për të tjerët? Dhe vërtet që nuk është temë, ne hiqemi sikur kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë. Ne, gazetarët e Malit të Zi, shkruajmë një apo dy rreshta (e ndonjëherë nuk shkruajmë) për përvjetorët dhe krimet e tjera të pahetuara që janë bërë gjatë luftës në viteve 1990. Të njëjtat fjalë, të njëjtat fraza të pakuptimta nga persona kompetentë dhe thirrje identike që i bën sektori civil. Pothuajse po shkruajmë të njëjtat tekste nga njëri përvjetor tek tjetri. Vrasjet dhe rrëmbimet në Shtërpci, Kallugjerski Llaz, Bukovicë, bombardimi i Dubrovnikut apo rastet e torturës në kampin e përqendrimit në Morinje nuk janë temë interesante për askënd në Mal të Zi prej kohësh. As për opozitën, as për median, as për shumicën udhëheqëse. Dhe aq më pak për prokurorinë. Edhe pse në fillim të vitit 2015 u shpalos strategjia e re për hetimin e krimeve të luftës, u njoftua për themelimin e prokurorisë speciale për krime të luftës, për hapjen e rasteve të reja dhe rihapjen e rasteve të vjetra, tre vite më vonë pothuajse asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Fjali sporadike për nevojën që Mali i Zi të ballafaqohet me të kaluarën shfaqen në ndonjë raport vjetor apo gjatë vizitave të delegacioneve ndërkombëtare, mirëpo janë më shumë pjesë e protokollit dhe nuk thuhen sepse dikush vërtet ka për qëllim ta bëjë. Sikur kjo të mos mjaftonte, raportet vjetore të progresit të BE-së për Malin e Zi në përgjithësi janë thjesht lajme të përsëritura. Mali i Zi kritikohet në disa paragrafë se nuk ka bërë mjaft dhe ftohet të gjejë dhe të dënojë kryesit e krimeve të luftës, përfshirë edhe ata që janë në pozita më të larta. Lajmi se nga fundi i vitit të kaluar Mali i Zi ka paguar rreth 1.5 milionë euro si kompensime për viktimat e krimeve të luftës në territorin e vet erdhi pothuajse si befasi. Shumica e kompensimit iu dha familjeve të personave të zhdukur dhe të vrarë në rastin Deportimi. Pati komente ironike dhe pyetje se si viktimat kanë të drejtë për kompensim, kur sipas aktgjykimit përfundimtar të gjykatës këto krime nuk kanë ndodhur kurrë. Disa përfaqësues të shoqërisë civile që pretendojnë se Mali i Zi ishte “agresor gjatë luftës së viteve 1990” dhe se gjërat e errëta nga kjo periudhë duhen thirrur me emrin e tyre të vërtetë, njëjtë nuk e pëlqejnë qeverinë dhe pjesën më të madhe të opozitës. Ata nuk pëlqejnë as disa OJQ që avokojnë me programet e tyre dhe projektet për sundimin e ligjit për marrëdhënie më të mira ndërmjet vendeve të rajonit. Është fakt se procesi i ballafaqimit me të kaluarën në Mal të Zi ende nuk ka filluar dhe arsyeja mund të qëndrojë në vetë faktin se të njëjtët akterë të viteve 1990 janë ende aktivë në skenën publike dhe politike të vendit, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, mirëpo edhe në sektorin e shoqërisë civile. Sa për t’ia nisur, mjafton të pranohet se Mali i Zi ka qenë aktivisht i përfshirë në luftën e viteve 1990, edhe pse kolegu im deklaron krejtësisht të kundërtën.
Në përkrahje të një tjetër përvjetori
Më 5 qershor të këtij viti u organizua një pritje solemne në rezidencën qeveritare në Cetinje, ku zyrtarët vendorë, disa përfaqësues të opozitës, por dhe shumë të ftuar nga komuniteti ndërkombëtar festuan përvjetorin e parë të anëtarësisë në NATO. Sigurisht, askush nuk e përmendi Murinon. Ky vend i vogël në verilindje të Malit të Zi është skenë e një tjetër krimi, që zyrtarisht nuk ka ndodhur. Gjatë bombardimeve të NATO-s në prill 1999, në Murino u vranë gjashtë civilë, prej të cilëve tre ishin fëmijë. Kjo është një tjetër ngjarje që ne pretendojmë se nuk ka ndodhur kurrë. As për pjesën më të madhe të publikut, as për organet gjyqësore. Ishte posaçërisht e padëshirueshme që kjo “hollësi e pakëndëshme” të përmendej gjatë fushatës shumëvjeçare të autoriteteve të Malit të Zi që synonte t’u shpjegonte qytetarëve se anëtarësia në NATO ishte gjëja më e mirë që mund t’u ndodhte. Aktivistët anti-NATO dhe një pjesë e opozitës, që ndonjëherë ishin më të zëshëm se sa përfaqësuesit e qeverisë, investuan më shumë në argumentin se “çfarë do të ndodhë nëse Rusia zemërohet”. Në kornizën e fushatës nuk pati shumë hapësirë për rezultatin e gjykimit jashtëzakonisht problematik në Mal të Zi që zgjati për më shumë se një dhjetëvjeçar, ku familjet e viktimave të vrara nga bombat e NATO-s morën të parët kompensime dhe më pas, me vendim përfundimtar, prej tyre u kërkua që t’i kthejnë ato para. Ura mbi lumin Lim në Murino, ku u vranë këta fëmijë dhe të moshuar mund të ketë qenë shënjestër legjitime për aleatët e NATO-s. Për shoqërinë malazeze ishte dukshëm një tjetër “krim perfekt”, njësoj si deportimet apo bombardimi i Dubrovnikut, ku ka viktima, por kur është fjala për kryesit, ne do t’i diskutojmë ata në një tjetër rast. Ndoshta.
Dushica Tomoviq, Rrjeti i Raportimit Investigativ të Ballkanit, BIRN