Edhe pse kinematografia bashkëkohore rajonale ka krijuar një sferë tematike dhe zhanresh pothuajse të ndarë për t’u përballur me të kaluarën e luftërave të përgjakshme si pjesë e vazhdueshme e historisë së Ballkanit, teatri ende hyn me drojë dhe në mënyrë të pavetëdijshme në këtë hapësirë katarsisi. Edhe pse me punët e tyre, si filmi, ashtu edhe teatri, me veçoritë e tyre specifike dhe mënyrat e dhimbshme përballen me të kaluarën e luftërave të përgjakshme si pjesë e vazhdueshme e historisë së Ballkanit, duke ftuar haptazi në dialog dhe thirrje për shëlbim, pajtim dhe katarsis, mund të vëzhgohet se ato rrallëherë e bëjnë këtë nga këndvështrimi i krimeve të veta apo nga këndvështrimi i krimeve të kryera në emrin e tyre. Sigurisht, konkluzioni më goditës që mund të nxirret kur është fjala për ballafaqimin me të kaluarën në Ballkan është se brezat më të vjetër të autorëve, ata që janë prekur direkt nga lufta e kaluar, janë ata që i kanë hyrë kësaj rruge të pasigurtë. Në filmat dhe në pjesët e tyre personazhët kryesorë përpiqen të spastrohen nga barra e rëndë e së kaluarës: burra, ish-ushtarë, fshijnë lotët e së tashmes, ndërsa fëmijët kryesisht mbeten vetëm dhe të frikësuar në errësirën e së ardhmes. Mirëpo, brezat e rinj që po vijnë nuk hedhin shikimin pas ose nuk duan të marrin përgjegjësi për të, mirëpo në vend të saj kërkojnë dritën brenda vetes, duke u ballafaquar vetëm me temat që kanë të bëjnë me të tashmen e tyre.
Me trupat në kamion
Filmi që jo vetëm hodhi hapin më të madh në ballafaqimin me të kaluarën, por edhe tregoi në vitin 2018 se filmbërësit e rinj kishin fuqinë të merrnin në dorë pishtarin e së vërtetës nëse paraardhësit e tyre artistikë nuk mundeshin ose nuk donin, është “Ngarkesa” (Teret në serbisht), me regjisor Ognjen Gllavoniqin. Ky film merret me krimin e tmerrshëm që është mbajtur i heshtur në Serbi për mbi 20 vjet. Ai tregon me trimëri, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me ndershmëri dhe me emocion se si një individ në Ballkan përballet me barrën e trashëgimisë së politikave kriminale dhe mentalitetin e pranimit. “Ngarkesa” rrëfen tregimin e një shoferi kamioni të quajtur Vlada (rolin e luan Leon Luçev), të cilit gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999 i ngarkohet detyra për të transportuar një ngarkesë misterioze nga Kosova në Beograd, që në njëfarë mënyrë lidhet me atë nga dokumentari i Gllavoniqi “Thellësia dy” (2016). Nga ana tjetër, dokumentari nis me zbulimin e një ngrirësi plot me trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, në fund të Gjerdapit dhe më vonë bëhet e ditur se ishin më shumë se 700 civilë, përfshirë 75 fëmijë, të vrarë nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe. Në atë udhëtim Vladës i bashkohet edhe një adoleshent, Paja (rolin e të cilit e luan Pavle Çemerikiq), i cili shihet qartë se po përpiqet t’i ikë luftës në Kosovë. Marrëdhënia e tyre e përcakton “Ngarkesën” si film breznor rreth “ngarkesës” që brezi më i vjetër i ka lënë më të riut. Në këtë film, rrethi i ngarkesës së jetës në ish-Jugosllavi, shenjuar nga gërmimet e grupave dhe varrimi i trupave fillon me simbolet e Luftës Çlirimtare Popullore, si për shembull çakmaku me dedikim për Betejën e Sutjeskës, që Vlada e mban si dhuratë nga babai i tij veteran dhe përfundon me një “dhuratë” që ai do t’ia lërë birit të tij. Gjatë udhëtimit të Vladës dhe Pajës nëpër Serbi me një kamion të mbushur me trupa, ata ndalen nëpër vende që, nga njëra anë tregojnë një lloj shoqërie në rrënim në perëndimin e sundimit të Sllobodan Millosheviqit: rrugë të braktisura dhe rrënoja të harruara, si dhe taverna lokale me këngë nga Svetllana Razhnatoviq Ceca. Nga ana tjetër, filmi tregon një mohim të plotë të kujtesës për betejën antifashiste dhe fshirje të kuptimit të mbishkrimit “Kur të nevojitet, më përsërit” që gjendet në monumentin e harruar të Betejës së Popinës. Në fund, pyetja që mbetet është se çfarë do t’i japë Vlada birit të tij: a do të jetë një ngrirës përplot trupa, ngarkuar nga të njëjtat duar fashiste kundër të cilave kishte luftuar babai i tij, apo pranimin e përgjegjësisë personale për krimet e kryera nga shteti ku ai jeton sot?
Edhe veteranët e luftës qajnë
Pas ballafaqimit me të kaluarën, mbetet përballja me të tashmen dhe pranimi i asaj që mbetet në fytyrë pasi fshihen lotët. Pikërisht me këtë merret filmi “Burrat nuk qajnë” (2017) me regjisor Alen Drljeviqin – e pranishmja e zhytur thellë në luftën e kaluar. Protagonistët kryesorë të filmit të Drljeviqit janë veteranë të luftës dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Bosnje e Hercegovinës, Këshillit të Mbrojtjes Kroat dhe Ushtrisë së Republika Sprskas, të cilët, në luftën e fundit në territoret e ish-Jugosllavisë luftuan në anë të kundërta në vijën e frontit dhe tani luftojnë me pasojat e atij konflikti. Ata bëhen të ftuar të një hoteli të izoluar në mal si pjesëmarrës në një punëtori që kishte për qëllim ballafaqimin me të kaluarën, por rruga drejt pajtimit dhe shëlbimit është e shtruar me shpirtra ogurzinj që hapin plagë të vjetra dhe trazojnë konflikte të reja. “Edhe pse lufta përfundoi 20 vjet më parë, ende vazhdon në kokat tuaja”, u thotë ndërmjetësuesi Ivan nga Sllovenia (Sebastian Cavaca) “pacientëve” të tij në fillim të punëtorisë për paqe. Teksa rrëfimi shpaloset, personazhet hapen para armiqve të dikurshëm dhe ritregojnë luftën nga këndvështrimet e tyre, që kanë qenë të fshehura në dhomat më të errëta të psikës së tyre për vite me radhë. Pas udhëzimeve të psikoterapistit se “mënyra më e mirë për t’u përballur me SSPT është takimi direkt me armiqtë e dikurshëm”, ish-ushtarët jo vetëm që ritregojnë traumat e tyre nga lufta, por edhe i riaktrojnë ato në stilin e Sistemit të Konstantin Stanisllavskit, ku aktorët përdorin të ashtuquajturën kujtesë emocionale ose kërkojnë për ndonjë moment nga jetët e tyre kur kanë ndjerë emocionin e dëshiruar në mënyrë që ta ripërjetojnë në skenë. Dhe sigurisht, duke u përballur me armiqtë e tyre fizikë, ata në fakt mundin armiqtë e fshehur brenda vetes prej vitesh e që nuk i kanë lejuar të vijojnë me jetët e tyre.
Ndërmjet realitetit, teatrit dhe filmit
Pasi regjisori Oliver Frljiq drejtoi një pjesë teatrore për një vajzë të quajtur Aleksandra Zec, e cila u vra në dhjetor 1991 nga pjesëtarët e njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, regjisori Nebojsha Slijepçeviq, teksa filmonte provat për produksionin teatror, krijoi një film dokumentar me titullin Srbenka (2018). Ky dokumentar është i thjeshtë, por edhe specifik, pasi përveç referencave të nevojshme të krimit të lartpërmendur, për të cilat askush nuk u akuzua, edhe pse pati rrëfim, merret me pyetjet e përjetshme dhe relevante në këto zona: çfarë do të thotë të jesh i një kombësie tjetër dhe të jetosh në një qytet “të huaj”? Ose, si është të jesh serbe apo “srbenka,” sikurse e quan veten dymbëdhjetë vjeçarja Nina në dokumentar, në Kroaci? Ndërsa pjesa e Frljiqit merret me rastin konkret dhe aktin e vrasjes së Aleksandra Zecit dhe familjes së saj dhe kështu, bën thirrje për ballafaqim shoqëror me të kaluarën, ky dokumentar merret me të tashmen kroate, ku krimi i lartpërmendur ende shpërfillet. Srbenka nuk merret me qëndrimin e Kroacisë ndaj vrasjes së Aleksandra Zecit, por me vajzën dymbëdhjetë vjeçare të nacionalitetit serb nga Rijeka, me Ninën, e cila në Kroacinë e ditëve të sotme, kaq shumë vite pas luftës, ende ka turp dhe frikë që është serbe. Duke shkrirë Aleksandrën që e vranë fizikisht me Ninën, që shoqëria po e vret psikologjikisht dhe shpirtërisht dhe me ndihmën e provave teatrore si një lloj psikoterapie, regjisori në fakt dëshmon se lufta në këto zona nuk ka marrë ende fund, as për brezat e lindur pas ndërprerjes së të shtënave, bombardimeve dhe vrasjeve në kuptimin e plotë të fjalës.
“Ulu dhe shkruaj, Darko!”
Që nga botimi i romanit “Ashensori i Shindlerit” nga Darko Cvijetiq në vitin 2018, ai ka qenë në fokus të publikut rajonal, si për strukturën e tij të pazakontë, për ndërthurjen e zhanreve dhe shkathtësitë e rrëfimtatisë, por edhe për rolin e vet antiluftë dhe fuqinë e shërimit kolektiv që nxit pas përballjes me traumën personale. Mbi të gjitha, “Ashensori i Shindlerit” është vepër e stilizuar artistikisht për të vërtetën, por edhe tribut personal për fqinjët e vrarë në Prijedor: boshnjakë dhe kroatë, me të cilët autori Darko Cvijetiq ka ndarë jetesën në një komunitet shumëkatësh – rrokaqielli i Kuq – që u shndërrua në geto të vdekjes dhe në varrezë masive metaforike kur nisi lufta. Ashensori i firmës Shindler, dikur “provë e urbanizmit” dhe hapësirë për lojën dhe lirinë e fëmijëve u shndërrua në vrasësin e një vajze të quajtur Stojanka Stoja Kobas. “Meqë prej disa ditësh nuk kishte patur energji elektrike, për pothuajse një muaj ai ishte shndërruar në vendin e saj të preferuar për të luajtur. Ajo futi kokën në vrimën e krijuar nga xhami i thyer në derën e ashensorit. Ajo thirri dikë, ndoshta ndonjë shoqe, një tjetër gjashtëvjeçare nga kati i pestë, duke e përgjysmuar peshën e saj. Papritmas, energjia elektrike u kthye dhe dikush e thirri ashensorin (Schindler)”, shkruan Cvijetiq, duke shpalosur më vonë se ashensorin që kishte vrarë vogëlushen e kishte thirrur babai i saj. Në “leximin” që i bën romanit të Cvijetiqit, regjisori Kokan Mlladenoviq e hap pjesën me largimin e tij, pra duke e “thirrur” personazhin e Darko Cvijetiqit (Admir Gllamoçak), i cili vjen në skenë me një roman të lidhur, një edicion shtesë që përmban edhe një kapitull tjetër – Yshtja. Pra, kjo është një ngjarje e vërtetë, e formësuar në gjuhë letrare dhe në formën e rrëfimeve të tjera në roman, ku Darko Cvijetiqi përshkruan takimin e tij me nënën e vajzës së vdekur Stojanka Kobas, pranë varrit të saj, një vit pas botimit të “Ashensori i Shindlerit”. Regjisori e rikthen në jetë këtë takim në një formë sureale, në një atmosferë qartësisht simbolike, ku nëna e Stojankës (Tatjana Shojiq) e tërheq pllakën e varrit të bijës së saj me një litër, një figurë betoni “me katër qoshe pa plloçë” dhe e lë në skenë, përballë personazhit të Darkos. Pastaj, mbi atë varr, personazhet/aktorët ndërtojnë një rrokaqiell shumëngjyrës me kuba Lego, duke kënduar këngë të aksioneve të punës dhe duke murosur një pjesë të vetes në shtëpinë e ardhshme, duke treguar se themelet e rrokaqiellit ishin ngritur mbi vdekjen, ndërkohë që edhe varrit të vajzës i vihet monumenti i vet, që në realitet nuk e ka. Monumentet për ata që janë vrarë janë, nga ana e tyre personale, ballafaqimi më i drejtpërdrejtë i mundshëm me të kaluarën kolektive. Cvijetiqi ka vazhduar të mbështetet mbi këtë edhe në romanin e tij të radhës, “Të flesh mbi dysheme” që po ashtu Kokan Mlladenoviq e ka shndërruar në një dramë, këtë herë duke shkrirë realitetin dhe teatrin e Darko Dëshmitarit, Darko Shkrimtarit dhe Darko Aktorit. “Ulu dhe shkruaj, Darko! Bota nuk do të ndërtohet vetë”, i thoshte në realitet Darkos nëna e tij. Ai do ta shkruante atë fjali në roman dhe më pas aktorja do ta shqiptonte në skenë. Ky është pikërisht shembulli më i mirë i peshës së procesit artistik të ballafaqimit me të kaluarën, që nuk përfundon me një rresht të shqiptuar, por me një të kuptuar të plotë nga ana e audiencës, sytë e të cilëve refuzojnë të shohin dhe veshët e të cilëve refuzojnë të dëgjojnë kur ballafaqohen me të kaluarën.
Mirza Skenderagiq ka lindur në Sarajevë në vitin 1986. Ai ka diplomë në gazetari nga Fakulteti i Shkencave Politike në Sarajevë në vitin 2009. Në vitin 2018, ai mori diplomë universitare në dramaturgji nga Akademia e Arteve Performuese, po ashtu në Sarajevë. Ai ka fituar bursën e Fondacionit Karim Zaimović për vitin 2014. Filmi i tij dokumentar “Unë mund të flas” filloi Mollën e Artë në Festivalin e 13-të të Filmit Bosnje-Hercegovinas në Nju Jork, Çmimin e Parë në Festivalin e Risisë në Slavonski Brod dhe mirënjohje në Festivalin e Filmikt Pravo Ljudski në vitin 2016.
Për dramën “Më zgjoni kur të përfundojë” në vitin 2016, ai fitoi Çmimin e Parë Heartefact tesktikn dramatik me angazhim social më të mirë rajonal bashkëkohor. Me dramën “Dhe ne ëndërruam për pemët” në vitin 2020, ai u përzgjodh si finalist. Drama “Më zgjoni kur të përfundojë” u përfshi në antologjinë me të njëjtin titull të dramës boshnjake në polonisht. Ai është një nga fituesit e garës rajonale “Rrëfime nga ballkoni, rrëfime nga Ballkani”. Ai ka botuar shumë tekste origjinale, studime, ese, kritika për filma, letërsi dhe teatër, si dhe tregime të shkurtra. Aktualisht është anëtar i bordit redaktues të programit për drama dhe dokumentarë në Radio BiH.