Prej harresës publike: kujtesa private

Photo credit: YIHR

Cili është dallimi i saktë ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes? Ndoshta shumë prej nesh do të argumentonin se përgjigja e kësaj pyetjeje është e qartë – koha para çastit ku jetojmë, qoftë ajo kohë një sekondë apo mijëra vjet më parë, është e kaluara; ky çast, është e tashmja; dhe çkado që vjen pas këtij çasti është e ardhmja. Mirëpo kur përfundon e kaluara dhe kur fillon e ardhmja? Nëse ky çast në të cilin jetojmë është aq i shkurtër dhe ne lëvizim në kohë më shpejt se sa marrim frymë, si mund ta kapim “të tashmen”? Si e ndërtojmë një të “tashme” dhe si jetojmë në një të “tashme” që mund të jetë disi e shkëputur, nëse jo nga e kaluara, atëherë nga e ardhmja? Nëse e tashmja është aq e turbullt, ashtu si mund të thonë disa dhe ne nuk e dimë nëse vërtet mund ta kontrollojmë, atëherë së paku mund të kemi kontroll mbi ngjarjet e ardhshme, pasi nuk mund të ndryshojmë atë që ka ndodhur në të kaluarën.

Sidoqoftë, kur përballemi me ngjarje traumatike nga e kaluara, ato ngjarje priren t’i japin formë të tashmes dhe kështu, edhe të ardhmes tonë. Tani, parafytyroni një jetë ku nuk jeni në gjendje ta gjejmë atë çast kur mund të shkëputemi nga kujtimet e dhimbshme të së kaluarës. Parafytyroni të jetoni një jetë që është veçse pasqyrim i ngjarjeve të dhimbshme mbi të cilat nuk keni kontroll, një jetë e pritjes së pafund, një jetë në nevojë për të gjetur paqen. Për disa, koha ngriu në njërin prej atyre çasteve të dhimbshme në të kaluarën dhe ata janë ende aty, duke pritur.

Ky është kuptimi i kohës për familjet e personave të pagjetur në Kosovë. Për ta, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ekzistojnë në të njëjtën kohë dhe bashkërisht, janë udhëtim i dhimbshëm i pritjes së pafund për përgjigje se ku gjenden më të dashurit e tyre. Ferdonije Qerkezi, është një grua, burri dhe katër djemtë e së cilës janë në radhët e personave të pagjetur në Kosovë. Teksa kujton ndodhitë e asaj dite fatale, ajo tregon se çka do të ishte një orë pritjeje për të dashurit e saj të kthehen nga e njëjta derë prej nga dolën është shndërruar në vite të tëra pritjeje, ajo është ende në pritje. “Ajo orë e kriminelëve të pashpirt ka zgjatur 17 vjet tashmë” thotë Ferdonija. Ora e saj e pritjes nuk ka fund kurrë, ajo jeton në atë orë.

Dy dekada më parë, në Kosovë humbën 6,057 persona si pasojë e luftës së vitit 1998-1999 (ai që konsiderohet konflikt i armatosur në nivel ndërkombëtar, nga vendasit konsiderohet luftë). Prej tyre 1,600, ende nuk dihet se ku janë, që do të thotë se familjet e 1,600 personave të pagjetur jetojnë në pasiguri se çfarë u ka ndodhur të dashurve të tyre. Të gjesh përgjigje nuk është përgjegjësi e tyre individuale, edhe pse tashmë është shndërruar në barrë personale për t’i rezistuar harresës së publikut ku janë lënë personat e pagjetur në Kosovë. Sipas ligjit humanitar, dhënia e përgjigjeve për këto pyetje është përgjegjësi e ish-palëve të përfshira në konflikt, edhe pse procesi i gjetjes së përgjigjeve duket se nuk ka qenë prioritet për ta.

Kujtesa e kombit tonë, që në e quajmë “kujtesa kolektive”, në pjesën më të madhe të saj është krijuar mbi ngjarje të tilla traumatike të së kaluarës. Megjithatë, narrativat hegjemone të luftës dhe nacionalizmit priren të ndërtojnë dhe interpretojnë një kujtesë kolektive që kujton disa, por harron të tjerë. E kaluara në Kosovë, sikurse argumenton Assmann (2010) interpretohet dhe përdoret për të ndërtuar një identitet të ri kombëtar. Gjatë ndërtimit të këtj identiteti kombëtar të pasluftës, ka vetëm disa kategori që ia dalin të jenë pjesë e diskursit publik për rezistencën dhe sakrificën. Ekziston prirja që personat e pagjetur të konsiderohen si viktima pasive dhe kështu, janë të prirura të harrohen nga institucionet publike, pasi këto institucione janë ato që krijojnë mënyrën se si ndërtojmë dhe paraqesim kujtesën kolektive. Edhe pse këto institucione nuk e mohojnë tragjedinë e personave të pagjetur, ato ndërtojnë një rrëfim të dyzuar të kujtesës kolektive që sillet rreth rezistencës së armatosur dhe vetëflijimit, heronjve dhe viktimave dhe të një asgjëje ndërmjet, pra çdo kategori tjetër që nuk përputhet në këtë rrëfim, shpeshherë shpërfillet.

Barra e mosharresës dhe rezistencës për të kujtuar personat e pagjetur që të mos bien në harresë publike i mbetet tërësisht familjeve. Ato po e shndërrojnë dhimbjen në rezistencë, duke ndarë kujtesën e tyre si dëshmi a asaj që ka ndodhur dhe duke përdorur zërin e tyre për t’i bërë të dëgjohen historitë që kanë. Historitë e tyre janë prova se personat e pagjetur nuk janë çështje e së kaluarës. Për sa kohë që nuk u jepen përgjigje për fatin e të dashurve të tyre, familjet do të vazhdojnë t’ua rikujtojnë institucioneve publike përgjegjësinë që kanë për të gjetur përgjigje për këto pyetje. Ata që nuk heqin dorë janë individët, edhe kur duket se institucionet publike tashmë e kanë bërë.

Ndërkohë që nga njëra anë, familjet e personave të pagjetur vazhdojnë të presin, madje të shpresojnë se një ditë, ndoshta papritmas, dikush do të kthehet i gjallë, nga ana tjetër Qeveria miraton ligje që personat e pagjetur i konsideron të “zhdukur”, apo së paku kështu i paraqesin fjalët e përdorura në gjuhën shqipe. Ky diskurs u krijua në ligjin e vitit 2001 për personat e pagjetur dhe u kundërshtua fuqishëm nga familjet e personave të pagjetur. Ai sugjeron se meqë të pagjeturit konsiderohen të zhdukur, ka fare pak, për të mos thënë aspak, shpresë se institucionet mund të konsiderohen përgjegjëse për gjetjen e përgjigjeve.

Ndërsa “të pagjeturit” vazhdojnë të konsiderohen si numër dhe jo si njerëz me histori individuale dhe ndërsa institucionet publike vazhdojnë ta paraqesin tragjedinë e tyre si “statistikë”, familjet e të pagjeturve po bëjnë çmos që ta dekonstruktojnë dhe ta humanizojnë këtë qasje. Çdo “i pagjetur” ka emër dhe fytyrë dhe po të mos ishte për përpjekjet e familjeve të tyre që të na e përkujtojnë këtë, ne, publiku, me siguri që do ta harronim këtë fakt të thjeshtë. Për të mos na lënë të harrojmë fytyrat e personave të pagjetur dhe për ta përkujtuar Kuvendin për detyrën që ka ndaj këtyre personave, familjet e tyre i kanë vendosur fotografitë e të pagjeturve përballë ndërtesës së Kuvendit. Këto fotografi janë ende aty, mbi një baner, ku qëndrojnë si kujtesë e së kaluarës që ende është aq e tanishme. Këto fotografi kanë krijuar një vend konkret për kujtesën dhe vajtimin e familjeve, ashtu si Muri i Kujtesës në Gjakovë, ashtu si varret e zbrazëta në Krushën e Madhe. Këto të gjitha janë vende ku mungon kujtesa publike dhe përfaqësojnë nevojën që kanë familjet për të gjetur përgjigje se ku gjenden trupat e të dashurve të tyre, me shpresën që së paku të jenë në gjendje t’i varrosin, një ritual ky shumë i rëndësishëm për traditën tonë.

Për shkak të nevojës që të ndajnë kujtimet e dhimbshme dhe për të gjetur prehje, si dhe për të intensifikuar thirrjet për përgjigje, familjet e personave të pagjetur janë organizuar në grupe si “Thirrja e Nënave” në Gjakovë dhe “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë. Këto grupe janë angazhuar në shumë protesta në Prishtinë dhe Gjakovë dhe kanë përdorur çdo mjet për të mos qëndruar të qetë përballë heshtjes së publikut. Veprimet e tyre flasim më shumë se sa obelisku i bardhë i thjeshtë që Qeveria ka vendosur në qendër të Prishtinës, që u dedikohet personave të pagjetur, një obelisk që nuk ka asnjë mbishkrim të tregojë se çfarë përfaqëson. Ndoshta vetëm ata që e kanë vendosur aty e dinë se ç’kuptim ka.


Kur qeveria dështon të ndërtojë një vend apo kujtim publik për të pagjeturit e madje i konsideron ata si tragjedi e së shkuarës pasi nuk ka përgjigje se ku ndodhen, të pagjeturit konsiderohen si të harruar. Mirëpo familjet e tyre nuk e kanë lënë këtë tragjedi pas në të kaluarën dhe ende sot e kësaj dite jetojnë me dhimbjen që nuk kanë asnjë përgjigje. Ata na përkujtojnë se e kaluara është shumë e tashme. Edhe nëse nuk do të kuptonim asgjë për personat e pagjetur nga ai obelisk në Prishtinë dhe nëse nuk do ta kuptonim se çfarë ndjenje është të jetosh në të kalurën, këtë do ta bënim po të vizitonim ndonjëherë shtëpinë-muze të Ferdonije Qerkezit në Gjakovë. Ajo humbi burrin dhe katër djemtë në pasditen e datës 27 mars 1999. Ende sot e kësaj dite ajo nuk mund të shkëputet nga ajo pasdite. Ajo jeton atje, në orën 6 pasdite, që ka zgjatur kaq shumë vite. Ajo sjell ndër mend një sërë ngjarjesh të asaj pasditeje a thua se kanë ndodhur një ditë më parë. Kur ritregon rrëfimin e saj, duke e thënë e rithënë, ajo rikujton se si ushtarët serbë i kishin thënë se familjen e saj do ta mbanin vetëm një orë dhe pastaj do t’i lëshonin. Mirëpo ajo nuk e dinte se pikërisht në atë çast do të fillonte pritja e saj e pafund. Sikur vetëm ta dinte se për të, koha do të ndalej pikërisht në atë çast. Ajo sjell ndër mend hollësi që nuk i has në ndonjë media publike tjetër: djali i saj më i vogël, Edmondi vetëm 14-vjeçar, kishte qenë duke fjetur pas shpinës së saj kur erdhën ta marrin. Ajo kujton rrobat e djemve dhe burrit të saj, çfarë pëlqenin, ëndrrat e tyre, shpresat e tyre. Ferdonija ka vendosur ta përdorë dhimbjen dhe ekzistencën e saj për të qëndruar si dëshmi e gjallë e asaj që ka ndodhur, të “jetojë për të treguar” si thotë ajo. Përveç përpjekjeve të saj për ta mbajtur gjallë kujtesën e familjes, asaj i është dashur të përballet me realitetin e ashpër e të qenit grua në një shoqëri patriarkale, ku i është dashur të luftojë edhe për të mbajtur të drejtën pronësore mbi shtëpinë ku ajo ngriti familjen e saj dhe ku mban të gjitha kujtimet e tyre. Krejt çka do Ferdonija është të mund ta mbajë shtëpinë e saj dhe ta ruajë si në ditën kur familja e saj u largua për të fundit herë, ta mbajë që të ndjehet se ende jeton me ta dhe që të tjerët të shohin dhe ta ndjejnë më pranë kujtimin e tyre. Aktualisht, shtëpia e saj është i vetmi muze i personave të humbur në Kosovë. Tani shtëpia dhe zëri i saj kanë kaluar përtej betejës individuale të Ferdonijes dhe rrugëtimi i saj individual ka arritur në nivele vendore dhe ndërkombëtare. Shtëpia dhe zëri i saj janë shndërruar në lidhje me të kaluarën që na rikujtojnë se sa e pranishme është dhimbja e Ferdonijes dhe e të gjitha familjeve të personave të pagjetur. Ajo e sjell të “kaluarën” në të tashmen tonë dhe nuk na lejon të harrojmë. Ajo çka institucionet publike nuk e kanë bërë, një grua e mbytur në dhimbje po e ndërmerr me forcat e veta.

Author: Mirishahe Syla