Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të hënën se personat e zhdukur mbeten një nga plagët më të rënda që ka shkaktuar lufta në Kosovë.
Zgjidhja e fatit të të zhdukurve është një nga detyrat më urgjente me të cilat përballet vendi, tha Thaçi në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve e cila shënohet më 30 gusht të çdo viti.
“Lufta ka lënë pas shumë plagë, por plaga e personave të zhdukur është një nga më të rëndat,” tha ai në një deklaratë.
Kjo çështje “rëndon në familjet e personave të zhdukur, por gjithashtu në të gjithë shoqërinë, marrëdhëniet midis komuniteteve dhe mundësitë për njjë të ardhme më të mirë”.
Thaçi tha se zyrtarët e Kosovës dh publiku i gjerë kujtohej çdo ditë për të zhdukurit.
“Ata na shikojnë nga fotografitë që janë varur në gardhin e Kuvendit të Kosovës. Familjet e tyre na telefonojnë. Ata na kujtohen nga memorialët që shohim në rrugët e Kosovës. Dhe, në ditë si 30 gushti, ne zotohemi se gjithmonë, pa pushim, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim të zbulojmë fatin e çdo qytetari të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, që familjet e të zhdukurve të gjejnë paqe,” shpjegoi ai.
Ndërkohë aktivistët e të drejtave të njeriut në Kosovë thanë se institucionet qeveritare dhe ato shtetërore duhet të bëjnë më shumë për të zgjidhur fatin e atyre që janë ende të zhdukur, si shqiptarë ashtu edhe serbë.
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Prishtinë, YIHR, i dërgoi një kuti me këpucë, që simbolizon të zhdukurit në Kosovë, kryeministrit Isa Mustafa ditën e hënë, së bashku me një letër që thoshte se ishin “të shqetësuar për neglizhencën zyrtare kundrejt personave të zhdukur”.
“Edhe pse kanë kaluar 17 vjet që nga lufta në Kosovë dhe tetë vjet që nga shpallja e pavarësisë, vendi ynë nuk e ka vendosur këtë si prioritet, duke i lënë familjet e personave të zhdukur të enden nëpër vendndodhje të ndryshme varresh, me shpresën se do të marrin lajme për të dashurit e tyre,” tha YIHR në letrën e saj.
YIHR tha gjithashtu se çështja e personave të zhdukur duhej të përfshihej në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë dhe se tekstet shkollore duhet të kenë informacione më të rëndësishme dhe më të sakta në lidhje me atë që ndodhi gjatë luftës.
“Tekstet shkollore të miratuara nga qeveria e Kosovës kanë shumë pak informacione mbi këto ngjarje, ndërkohë që rrëfimet janë përjashtuese dhe nuk ofrojnë një imazh të plotë të ngjarjeve nga e kaluara,” tha YIHR.
“Ne nuk mësojmë për shokët tanë – shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë – të cilët janë ende të listuar si të zhdukur,” shtoi ajo.