PRIZRENI, QYTET I TOLERANCËS NDËRETNIKE DHE NDËRFETARE

Për Prizrenin, zakonisht thuhet se është “qytet-muze” ose qytet i burimeve dhe i bukurive. Prizreni është qyteti më i pasur me monumente të kulturës në Kosovë. Më shumë se 65 objekte të ndryshme janë nën mbrojtjen e shtetit. Në qytet jetojnë nacionalitete të ndryshme, të cilët me punën e tyre ndërtojnë një mjedis të fqinjësisë së mirë, të respektit të ndërsjellë dhe të një të ardhmeje premtuese. Në pjesën e vjetër të qytetit gjendet një numër i madh i objekteve fetare të ndërtuara afër njëri-tjetrit, gjë që e bën edhe më tërheqës qytetin me pamje piktoreske.

Prizreni ka një traditë të vjetër të tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare, tolerancë kjo e cila vërehet nga distanca e vogël ndërmjet objekteve qindravjeçare fetare, si: kisha katolike, kisha ortodokse, xhami dhe teqe. Qyteti ka disa kisha shumë të bukura, të cilat u takojnë periudhave të ndryshme historike. Një pjesë të rëndësishme të qytetit e përbëjnë dhe kishat ortodokse. Brenda këtyre kishave vizita është e mundur vetëm me leje të veçantë e cila sigurohet paraprakisht nga kishat e tjera ortodokse serbe në Graçanicë.

Kisha e Shën Gjorgjit – Rumoviq gjendet në pjesën e vjetër të qytetit, në sheshin “Shatërvan”, respektivisht në oborrin e Kishës Sinodale të Shën Gjergjit. Në shikim të parë, vëren se kjo është pikërisht lloji i kishës familjare të mesjetës. Me të hyrë brenda vëren që janë të vendosura afreskot që datojnë nga shekulli XVll. Kisha mirëpret vizitorë të shumtë e fluksi më i madh vërehet gjatë fundjavës, kur edhe mbahen ritet fetare. Ritet fetare këtu zhvillohen rregullisht. Atyre u prin Jovan Radiqi, kleriku fetar. Në qytet, ai njihet si njeri i paqes dhe i dashur me të gjithë. Në bisedë me të rinjtë serbë të cilët ishin pjesë e meshës, kupton se secili ndihet i lirë të jetojë e të veprojë në Prizren.

Jovan Radiq:

“Këtu kemi një jetë normale. Jetojmë jetë të rregullt me lutjet tona e me aktivitete të ndryshme, çdo gjë që e bëjmë, e bëjmë pa na penguar askush.

Kisha mund të vizitohet nga secili pa dallim. Këtu të gjithë e respektojnë këtë vend, sepse shumica nga qytetarët e këtushëm janë rritur këtu dhe të gjithë e dinë që nuk janë armiq me njëri-tjetrin”.

Gabriel Jovanoviq:

“Jemi kundër dhunës për zgjidhjen e konfliktit në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Secili nga ne shpresojmë në zgjidhjen paqësore e kjo do t’i ndihmonte njerëzit të jetojnë bashkë në paqe, edhe pse duket qartë që tashmë këtu secili jeton i lirë e së bashku edhe zhvillojnë tregtinë, e jetesa e përbashkët që ne e  bëjmë është treguesi më i mirë i tolerancës ndëretnike e fetare”.

Vllada Petkoviq:

“Natyrisht, ne nuk mund t’i mohojmë problemet që i kemi, sidomos me zonat e mbrojtura me mbrojtje të veçantë, por unë besoj shumë që këto do të diskutohen me të dy palët, jemi fqinjë dhe nuk duhet të na ndëshkojë politika ose e kaluara”.

Për komunitetin serb nuk është vetëm kisha pjesa që ata e vizitojnë. Qyteti gjithmonë i mirëpret, miqësia e krijuar me qytetarët i bën ata të kuptojnë se tashmë, qyteti ka një realitet, pavarësisht situatës politike. Vizitorët thonë se toleranca dhe afërsia e banorëve këtu bëjnë që trashëgimia kulturore e Prizrenit të reflektojë historinë e mrekullueshme të qytetit me një kulturë të shtresuar ndër shekuj deri në ditët e sotme.

Me vizita të tilla, me bashkëpunime të ndryshme kulturore e tregtare, pjesëtarët e komunitetit serb thonë se po i thyejnë barrierat me të cilat politika po ua krijon. Qëndrimi i tyre disaditor në kishë i lumturon ata sa herë që vijnë këtu për ritet fetare dhe jo vetëm. 

Gjatë viteve 2005-210, brenda në kishë janë bërë disa renovime në objekt dhe në oborr, duke përfshirë ndërrimin e pllakave të plumbit, suvatimin e brendshëm, instalimin elektrik, përforcimin dhe konservimin e pikturave murale, si dhe shtrimin e oborrit me pllaka mermeri.

Autore: Nora Gjuzi

Redaktor: Xhemajl Rexha

Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.