Profili “shumëfytyrësh” i drejtësisë tranzitore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut 

Drejtësia tranzitore vijon ende të jetë një nga çështjet më delikate në shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konsideruar faktin se në asnjë moment lidershipi politik nuk i është përgjigjur nevojës demokratike për të realizuar një proçes të tillë. Jo më kot, drejtësia tranzitore në viset tona është vlerësuar si një mekanizëm “gjueti shtrigash” apo edhe varësie ndaj interesave që vijnë me ndërhyrjet ndërkombëtare, duke i ruajtur larg opinionit publik skeletet e së shkuarës në sirtaret e regjimeve hibride dhe tranzitore. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria është një nga vendet më pak të hulumtuara për të shkuarën e saj komuniste, duke e vendosur drejtësinë tranzitore si një fushë specifikisht të adresuar në rajon drejt vendeve në konflikt apo me sfida të problemit shtet-formues. Ndaj, qëllimi i projektit tim të doktoraturës është fokusuar në krahasimin mes tri vendeve si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me synim identifikimin e dallimit dhe dimensioneve që mund të marr drejtësia tranzitore si një shport mekanizmash në shtete me karakter të ndryshëm formues; sesi shoqëritë e këtij rajoni, pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe rënies së komunizmit e vështrojnë ndryshe të kaluarën dhe e përcaktojnë ndryshe drejtësinë tranzitore. Këto dallime në të njëjtën fushë studimi, më kanë dhënë baza cilësore të kuptoj sesi shoqëritë tona , edhe pse me perspektivën e palëkundur Evropiane, tentojnë të ndërtojnë shtetin e se drejtës me sfidën e përbashkët të kujtesës kolektive për të bërë diferencimin e qartë se komunizmi ka lënë trashëgiminë e vet dhe se demokracia duhet të jetë këtu për ta transformuar pushtetin e asaj trashëgimie në forcën e llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.
Ky disertacion doktorature shtjellon shtyllat dhe konceptet kyçe mbi drejtësinë tranzitore në këto vende duke krijuar bazën e përbashkët të të kuptuarit të perceptimit të drejtësisë; fushat e zbatimit të tij si instrument shtetformues dhe elementet e kundërta që rezultojnë nga analiza cilësore e të dhënave të intervistave elitare të kryera në të tre vendet në studim.

Teza fokusohet kryesisht në evolucionin teorik të drejtësisë tranzicionale si normë ndërkombëtare dhe zhvillimin e saj drejt përpjekjeve transformuese në arritjen e qëllimeve të drejtësisë. Kjo tezë synon të shpjegojë paradigmën e tranzicionit në mënyrë specifike në shoqëritë shumë të ndara dhe vendet postkomuniste që mbulojnë të tre studimet e rastit. Duke qenë se ka pak studime dhe hulumtime në dispozicion për këtë çështje, pak studiues e kanë trajtuar problemin e drejtësisë dhe pajtimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj mbetet thelbësore të prezantohet në një nivel multidisiplinar paradigma e drejtësisë tranzicionale dhe marrëdhënia e së vërtetës kundrejt drejtësisë/demokracisë ndaj dilemave te drejtësisë në kontekstin rajonal.

Shqipëria postkomuniste dhe post-totalitare është një rast studimor interesant në kuadrin e modelimit të Drejtësisë Tranzitore (TJ), për shkak të ‘amnezisë’ kapluese që nga fillimi i ndryshimit të regjimit në vitet 1990. Harrimi dhe mbulimi i asaj që ndodhi gjatë diktaturës totalitare të viteve 1944-1990 nën diktatorin komunist Enver Hoxha ka lënë hijet e veta politike deri në ditët e sotme. Mungesa e zbatimit të masave të TJ mund të lidhet me faktin se Shqipëria ka një nivel të lartë korrupsioni politik dhe rezultate të dobëta në indekset ndërkombëtare .

Masat që kanë të bëjnë me sundimin e Ligjit dhe Drejtësinë Tranzitore (DT) nuk janë formula kopjuese që çdo shoqëri duhet të ndjekë për të arritur një nivel zhvillimi të caktuar. Shtrirja në kohë e ngjarjeve dhe vendimeve politike të marra gjatë 32 viteve të tranzicionit në Shqipëri pasqyrojnë qasjen se cdo masë i përputhet kujtdo në krijimin e institucioneve në të cilat drejtësia tranzitore mund të kontribuojë në drejtim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe për rrjedhojë gjithashtu ndaj shtetit të së drejtës.

Pavarësisht nga një sërë reformash ligjore dhe kushtetuese por dhe përpjekjeve për të nisur masat e drejtësisë tranzitore, Shqipëria ka rezultate të ulëta në sundimin e ligjit dhe performancën demokratike. Për hir të integrimit evropian dhe përputhshmërisë me standardet e OSBE-së, vendi synon të përmbushë kërkesat e bëra nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Kjo pajtueshmëri nuk e bën Shqipërinë të ndryshme nga shtetet e tjera postkomuniste në rajon, por Shqipëria është e ndryshme dhe unike kur vjen puna për të diskutuar realizimin e ndonjë mekanizmi të drejtësisë tranzitore – për të cilin ka ende ngurrim të dukshëm. Propaganda e vazhdueshme politike për sundimin e ligjit nuk e kompenson mungesën e përgjegjësisë politike dhe vullnetit për të trajtuar shkeljet masive të të drejtave të njeriut në të kaluarën.
Përpjekjet për të hartuar një program të kontekstualizuar të drejtësisë tranzicionale janë minuar dhe fushëveprimi i tij është kufizuar për shkak të mungesës së interesit nga shoqëria civile për të avancuar diskursin e drejtësisë tranzitore në axhendën politike dhe mungesës së një strategjie kombëtare mbi mënyrat se si kombi mund të pajtohet me të kaluarën e tij komuniste.

Drejtësia është një koncept politik dhe kërkon vullnet, ndërgjegje kombëtare dhe njohje të së vërtetës për ta vendosur atë në krye të agjendave politike. Nëse i jepet prioritet, drejtësia padiskutim mund të kontribuojë dhe të orientojë në zhvillimin e një shoqërie dhe demokratizimin e një vendi të caktuar. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme për vendet postkomuniste dhe ato pas konfliktit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ku shërimi i plagëve të shoqërive kërkon vullnet të fortë për të dhënë drejtësinë shumë të nevojshme, por në të njëjtën kohë për të mbajtur të paprekur dhe të fortë kohezionin social dhe bashkëjetesën. Drejtësia tranzitore është një qasje kyçe për të adresuar këto sfida në shoqëritë dhe vendet që ndryshojnë me shpejtësi si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.


Ines Stasa ka lindur dhe është rritur në Shqipëri, ku ka përfunduar studimet universitare për shkenca politike në Universitetin e Tiranës. Inesi ka përfunduar studimet për M.A në Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Leeds Beckett University në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht, ajo është në përfundim e sipër të tezës së doktoraturës për drejtësinë tranzicionale në analizë krahasimore ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Teza e saj është kombinim i metodave kualitative dhe kuantitative në dy teoritë kryesore të pajtueshmërisë dhe ndryshimit dhe konsolidimit të regjimit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka prezantuar artikuj hulumtues në shumë konferenca ndërkombëtare dhe ka publikuar në revista ndërkombëtare kryesisht për drejtësinë tranzicionale, përgjegjësinë për të mbrojtur rendin liberal ndërkombëtar dhe politikat e drejtësisë gjinore. Inesi ka marrë pjesë edhe në shkollën e OSBE/ODIHR-it për Partitë Politike dhe Demokracinë; ka ndjekur shkollën verore “Inovacionet e demokracisë në BE dhe në Evropë” të mbajtur nga Universiteti i Saint –Louis në Bruksel; ka qenë pjesëmarrëse e Shkollës Verore “Drejtësia për mizorive masive” organizuar nga Qendra për Studime Krahasimore të Konflikteve, Universiteti i Beogradit dhe pjesëmarrëse e Shkollës Verore “Ligji i BE-së dhe Qeverisja Evropiane në kohëra populiste”, UClan Qipro, Shkolla e Juridikut. Së fundmi, ajo ka ndjekur një program trajnimi intensiv në Akademinë e Lidershipit për Zhvillim të udhëhequr nga Prof.Frensis Fukujama dhe me pjesëtarë të fakultetit të Universitetit Stanford. Interesat hulumtues të Inesit janë tek proceset e demokratizimit në Ballkanin Perëndimor, pajtimi dhe drejtësia tranzicionale.