Pushtimi rus i Ukrainës zgjon frikë dhe rikthen kujtimet në Kosovë 

Vendimi i Presidentit Vladimir Putin për ta pushtuar Ukrainën më 24 shkurt 2022 e shtangu botën. Ajo lëvizje shkaktoi valë sizmike në të gjithë Evropën dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor, rajon ky që ka kaluar nëpër pasojat shkatërrimtare të luftës vetëm tri dekada më parë. Njerëzit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor i kuptojnë pasojat e luftës, narrativat etnocentrike dhe nacionalizmin. Në Kosovë ka shumë njerëz që po i përcjellin lajmet rreth Ukrainës me një ndjesi të frikës dhe të paranojës.

Ky rajon është përplot pasiguri dhe ende nuk e ka arritur pajtimin. Pengesat politike, prirjet autoritariane, sfidat socio-ekonomike dhe ndasitë ndëretnike janë ende të pranishme, pavarësisht shtysës për ta sjellë rajonin më pranë Bashkimit Evropian (BE). 

Dialogu Kosovë-Serbi, i fasilituar nga BE-ja, nuk ka arritur marrëveshje finale. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ende në pritje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE, pavarësisht progresit me reformat në vend. Bosnja e Hercevogina kanë kaluar nëpër kriza të rënda politike dhe shoqërore, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë kaluar në proces të ngadalësuar të anëtarësimit në BE.

Lufta në Ukrainë do të ketë ndikim afatgjatë në Evropë, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Kjo luftë ka vënë veçanërisht në pikëpyetje nëse Evropa është në gjendje të shtyjë përpara zgjidhje të konfliktit, sidomos sa i përket kontestit Kosovë-Serbi dhe nëse dhuna mbetet ende opsioni i mundshëm që vendet të arrijnë objektivat e tyre.

Kthimi i kujtimeve të freskëta në Kosovë 

Kolapsi i Bashkimit Sovjetik dhe rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 sollën erën e ndryshimeve në disa pjesë të Evropës. Mirëpo, në Ballkan, viti 1989 simbolizonte fundin e Jugosllavisë, që prodhoi një erë ferri me efekte afatgjata për shumë breza që erdhën pas.

Përplasjet ndëretnike në Jugosllavi nxitën luftën më të madhe në Evropë dhe gjenocidin më të madh (Srebrenica 1995) që nga Lufta e Dytë Botërore. Në Kosovë, plagët e luftës së viteve 1998/1999 janë ende pjesë e jetës së përditshme dhe gjendja në Ukrainë po rikthen kujtime dhe ndjenjat e asaj që ka ndodhur në atë periudhë, duke shkaktuar shqetësime se mos lufta në Ukrainë do të ketë efekte të përhapjes edhe në Kosovë, në marrëdhëniet me Serbinë dhe në të gjithë rajonin – një rajon, shoqëritë e të cilit ende mbeten të ndara përgjatë vijave etnike.

Shovinizmi rus dhe rritja e jotolerancës ndaj vendeve fqinje po i bën njerëzit të rishqyrtojnë nëse BE-ja, si projekt i paqes dhe i integrimit, është i aftë të zgjidhë problemet e veta nëpërmjet mjeteve jo të dhunshme dhe të dialogut.

Çfarë ndodhi me “Kurrë më”? 

Fraza “Kurrë më” e ka origjinën nga një poemë epike e titulluar Masada shkruar nga Jitzhak Lamdan në vitin 1928, që është përdorur si parullë nga të burgosurit e liruar nga kampi i përqendrimit në Bukenvald. Pas Luftës së Dytë Botërore, “Kurrë më” evoluoi nga një parullë çifute për mbijetesë në një ideal universalist evropian dhe global që i thoshte “jo” gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Rreth pesë dekada pas Holokaustit, organizatat ndërkombëtare e përsëritën frazën “Kurrë më” si reagim ndaj ngjarjeve të tmerrshme në ish-Jugosllavi. Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Zhak Pos, deklaroi “erdhi ora e Evropës” teksa Ballkani po zhytej në kaos dhe shkatërrim.

Megjithatë, Evropa ishte e pafuqishme për të ndikuar mbi ngjarjet në terren. Srebrenica u bë turpi i Evropës dhe simboli i dështimit kolektiv për ta ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin. Popujt e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë harruar këto luftëra dhe janë të vetëdijshëm se nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet apo nëse fiton Rusia, edhe ata janë në pozitë të cenueshme.

Frika është e vlefshme 

Para pushtimit rus të Ukrainës, Republika Srpska (një nga dy entitetet federale të Bosnje e Hercegovinës) kërcënoi me ndarje. Dy vite më parë, një ligj fetar në Malin e Zi lidhur me të drejtat pronësore të Kishës Ortodokse Serbe u përshkallëzua në tension ndërmjet malazezëve dhe serbëve. 

Vitin e kaluar, njësitë e policisë speciale të Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it u pozicionuan në kufirin Kosovë-Serbi ndërkohë që avionë luftarakë serbë fluturonin pranë kufirit me Kosovën, për shkak të mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës lidhur me targat e makinave, një lëvizje kjo që nuk ishte parë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Tensioni ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po rritet teksa udhëheqësit në të dyja anët vazhdojnë të mos pajtohen kur është fjala për dialogun. 

Më rishtazi, Qeveria e Kosovës refuzoi një kërkesë të Serbisë për të organizuar zgjedhjet serbe në vend. Kjo ishte hera e parë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 që Kosova refuzoi zhvillimin e zgjedhjeve serbe në territorin e saj, edhe pse aleatët kryesorë perëndimorë të Kosovës e kritikuan qasjen e Qeverisë për të refuzuar një zgjidhje.

Përtej kësaj gjendjeje ekzistuese, lufta në Ukrainë po i përkeqëson ndasitë dhe sfidat ekzistuese. Një nivel kaq i lartë mosbesimi krijon rrugë të vështirë për paqen dhe prosperitetin në rajon.

Një tjetër çështje me rëndësi që ka të bëjë me rajonin është se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po rreshtohen me reagimin dhe politikat e Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë. Me përjashtim të Bjellorusisë, Serbia është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Për më tepër, duke qenë dhe shembull i rrallë, serbët në Serbi dhe Mal të Zi janë tubuar në mbështetje të Rusisë. Edhe pse aktivistët e shoqërisë civile kanë organizuar një marsh në përkrahje të Ukrainës, ngjarje të tilla në Serbi ilustrojnë se sa i ndarë është vendi.

Njerëzit në Ballkanin Perëndimor, e sidomos në Kosovë, i shohin me shqetësim të thellë këto zhvillime. Qytetarët e Kosovës nuk mund të mos e mendojnë skenarin ku një Serbi miqësore me Rusinë krijon tension në veri të Kosovës, ku jeton një shumicë dërrmuese e serbëve etnikë. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës e sheh veten në presion për rezultate në procesin e komb-ndërtimit dhe të qëndrojë e fortë gjatë diskutimeve politike, sidomos në kontekst të dialogut Kosovë-Serbi.

Zhvendosja e fokusit drejt sigurisë dhe ushtrisë 

Lufta në Evropë ka krijuar pasoja masive për të gjithë kontinentin. Vendimi i Rusisë për të pushtuar Ukrainën i dha fund qasjes “moraliste dhe të parëndësishme” të politikës së jashtme të Gjermanisë; i dha fund politikës së neutralitetit dhe mosrreshtimit të Zvicrës, Austrisë, Finlandës dhe Suedisë; rigjallëroi rëndësinë e NATO-s dhe i shtyu vendet evropiane të rrisnin buxhetet e tyre për mbrojtje.

Një kontinent i tërë po rikalibron fokusin tek mbrojtja dhe shpenzimet për ushtrinë. Kjo do të thotë më pak para për arsimin, kujdesin shëndetësor dhe prosperitetin ekonomik; përfshirë edhe për nismat për paqe dhe dialog. E gjitha kjo po ndodh teksa bota po e merr veten ngadalë nga pasojat e pandemisë së COVID-19 dhe inflacioni që e pasoi.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë dërguar trupa në Baltik në kuadër të NATO-s. Serbia ka marrë armë dhe armatime nga Kina, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova kanë kërkuar anëtarësimin në NATO. Madje Kosova ka krijuar edhe një fond qeveritar për ta rritur forcën e sigurisë. 

Me pak fjalë, lufta në Ukrainë ka prodhuar një zhvendosje të paradigmës në Evropë, duke e bërë sigurinë dhe mbrojtjen sërish prioritet. Po zhvillohen diskutime nëse ka ende gjasa për konflikt në Ballkanin Perëndimor dhe nëse përllogaritjet e gabuara në kufirin Kosovë-Serbi apo gjatë procesit të dialogut mund të prodhojnë tensione në shkallë të gjerë.

Reagimi i BE-së ndikon direkt mbi Ballkanin Perëndimor

Evropa është bashkuar në reagimin e vet kundër pushtimit nga Rusia dhe kurrë nuk duhet ta bëjë njërin sy të verbër ndaj luftës dhe dhunës. “Kurrë më” është më shumë se sa thjesht retorikë dhe do të ishte e pakuptimtë pa masa konkrete. 

Mënyra se si BE-ja reagon ndaj krizës në vazhdimësi në Ukrainë ndikon direkt tek ngjarjet në terren në Ballkanin Perëndimor. Teksa lufta në Ukrainë vazhdon, armiqësitë politike dhe shoqërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të theksohen edhe më shumë. Këto ndarje do të ndikojnë negativisht mbi çdo përpjekje për një zgjidhje përfundimtare ndërmjet të dy vendeve.

Është e domosdoshme të kujtojmë se Ballkani Perëndimor nuk është rajon i pajtuar. Parakushti për të zbatuar një qasje “Kurrë më” është që çfarëdo shkrepje potenciale e tensionit të merret parasysh seriozisht dhe të ketë angazhim serioz me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tre senatorë të SHBA-ve, Kris Mërfi, Zhan Shahin dhe Tom Tillis kanë vizituar Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Kancelari gjerman Olaf Sholc e ka ftuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe Presidentin serb Aleksandar Vuçiqin për një vizitë zyrtare në Gjermani. Pothuajse menjëherë pas kësaj, Ministrja gjermane e MbrojtjesKristin Lambreht, vizitoi Kosovën.

Mirëpo, është bërë e zakonshme për politikanët nga SHBA-të dhe BE-ja që të angazhohen me rajonin në kohë krizash. Këtë herë, angazhimi i tyre duhet të jetë konsistent. Përndryshe, vetëm sa do të shpërfaqë mungesë të përkushtimit për t’u angazhuar si duhet me rajonin dhe vetëm sa do t’i shërbejë argumentit të pesimizmit mbizotërues dhe do ta zgjerojë edhe më hendekun ndërmjet rajonit dhe BE-së, duke i lënë hapësirë mllefit anti-BE në radhët e popullsisë. 

Në rastin më të keq, mungesa e angazhimit të duhur dhe konsistent do t’i fuqizojë këndvështrimet nacionaliste, duke e bërë kështu gjithnjë e më të vështirë arritjen e zgjidhjes dhe progresin e mëtejmë.


Visar Xhambazi është angazhuar si hulumtues, konsulent dhe menaxher i projektit për organizata jofitimprurëse të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Aktualisht, ai punon si menaxher i projektit në Sbunker, një blog për aktualitetin në Kosovë që mbulon politikën, shoqërinë dhe ekonominë. Ai shërben si këshilltar profesionist i ri pranë United Europe dhe është anëtar i M100 Sanssouci Colloquium. Puna e tij fokusohet tek integrimi euro-atlantik, politika e jashtme e SHBA-ve në Evropën Juglindore, ndikimet autoritariane në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal dhe dialogun Kosovë-Serbi. Z. Xhambazi ka master në Studime Ndërkombëtare nga Universiteti Old Dominion, me specializim në politikën e jashtme të SHBA-ve dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.