Raportimi në Serbi për tema që kanë të bëjnë me të kaluarën e kohës së luftës së Serbisë është ulur viteve të fundit, përfshirë edhe mbulimin që i bëhet gjykimeve për krime lufte dhe për viktimat e krimeve të luftës dhe familjet e tyre. Që nga përfundimi i mandatit të Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (TPNJ) dhe me dobësimin e presionit ndërkombëtar, çështje serioze që kanë të bëjnë me të kaluarën e kohës së luftës së Serbiës janë margjinalizuar dukshëm në shtyp dhe për to raportohet shumë rrallë vetëm në mediat e pavarura. Nga ana tjetër, ballafaqimi me të kaluarën qëllimisht është tabloidizuar nga disa media kryesore, me qëllimin për të krijuar edhe më shumë konfuzion tek publiku.
Nuk ka patur vullnet politik për të hapur temën e përgjegjësisë së Serbisë për krime të luftës të kryera në ish-Jugosllavi, as edhe nën qeverinë e kaluar/aktuale pro-evropiane të Serbisë të udhëhequr nga Partia Demokratike. Presioni ndërkombëtar mbi Serbinë për të bashkëpunuar dhe për të përkrahur ndjekjen penale të krimeve të luftës është paraqitur si shantazh nga Fuqitë e Mëdha Perëndimore, apo edhe më keq, si një lloj “tregtie”: ‘ju na jepni kriminelët, ne ju japin fonde (të BE-së)’. Është logjikë e thjeshtë se ata politikanë serbë të cilët kanë shërbyer si bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës direktë në përpjekjet kriminale të Millosheviqit dhe që kanë mbetur në pushtet që nga ajo kohë do të bëjnë gjithçka që munden për ta mbuluar temën e krimeve të luftës, por do ta manipulojnë publikun deri aty sa ekzekutuesit të paraqiten si viktima dhe e kundërta.
Zërat e pak gazetarëve profesionistë që ende këmbëngulin të shkruajnë për “temat e luftës” thjesht nuk dëgjohen nga zhurma shurdhuese e propagandës që prodhojnë tabloidët e rreshtuar në krah të regjimit. Media si Informer, Alo, Kurir, Srpski telegraf dhe Večernje novosti, ndër të tjera, konkurrojnë për të ofenduar kroatët, boshnjakët, shqiptarët, malazezët dhe këdo tjetër që ata mund ta shpallin armik të kombit serb. Qasja është “propagandaë totale” dhe haptazi e paturpshme. Në një kuptim simbolik, kjo propagandë është vijimësia e natyrshme e komandës së Mlladiqit gjatë bombardimit shumëvjeçar të Sarajevës: “Tërbohuni!”.
Shembuj kur media “tërbohet” janë sidomos mbizotërues, kur përkujtohen përvjetorët e ngjarjeve madhore të kohës së luftës, si “Operacioni Stuhia” në Kroaci (Oluja), fillimi i bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, apo gjenocidi në Srebrenicë. “Ustashët festojnë masakrimin e serbëve, BE-ja sheh dhe nuk thotë gjë”; “Kroatët nuk kanë asnjë mundësi”; “Serbia ka vuajtur ndërkohë që ustashët bënin orgji”; “NATO po vret vajza të reja në Serbi”; “Perëndimi po gatuan kaos në Ballkan”; “Duhet të bëhemi gati për luftë të re”; “Bakiri do të vrasë sërish”; “Krimi i Hagës: Karaxhiqi dënohet me burgim të përjetshëm”. Të shënosh të gjithë titujt luftënxitës nga tabloidët e Serbisë kërkon shumë kohë dhe do të mbusheshin vëllime të tëra.
Sigurisht, të gjithë këta tituj pasohen nga artikuj krejtësisht të zbrazur nga informacioni në prapavijë apo nga konteksti. Madje, ka edhe artikuj që janë shkruar për këtë dukuri të “largimit të prapavijës”. Ç’do të thotë kjo? Thënë haptazi, në raportimet e tabloidëve dhe, për fat të keq, edhe në mediat më ‘serioze’ të Serbisë, narrativat e kohës së luftës priten të jenë njëdimensionale dhe të njëanshme. Për shembull, mbulimi mediatik i përvjetorit të “Operacionit Stuhia” (Oluja), ku me qëllim larguan informacionin se çfarë ndodhi në Kroaci nga pranvera e vitit 1991 deri në gusht 1995. Ky lloj raportimi, i kombinuar me një sistem arsimor, ku luftërat e viteve 1990 ose nuk përmenden, ose paraqiten në mënyrë shumë të njëanshme, prodhon breza të rinj të qytetarëve serbë që me shumë gjasë janë të bindur se Serbia rregullisht dhe gabimisht fajësohet për këtë dhe kështu, është viktima e vazhdueshme (dhe e vetme).
Kur media përmend viktimat, ata janë vetëm viktimat “tona” (serbë etnikë). Historitë dhe narrativat për këta viktima manipulohen; sajohen shifra, ngjarjet fabrikohen dhe historia falsifikohet. Dhe pastaj, pasi kalon përvjetori në fjalë, edhe viktimat “tona” harrohen, lihen të merren vetë me vuajtjen dhe traumën e tyre në kornizat e shoqërisë.
Është e qartë se taktika e medias për t’u “tërbuar” dhe për të shtyrë qëllimisht në rrugë të gabuar dhe për t’i konfuzuar qytetarët serbë vjen direkt nga kreu i udhëheqjes së qeverisë. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, me ministrin famëkeq Aleksander Vulin në krye udhëheq këtë spektakël. Ministri është përgjegjës për të rrënuar në mënyrë të përhershme marrëdhëniet me shtetet fqinje, duke iu drejtuar atyre me një fjalor që në mënyrë të parezistueshme të sjell ndër mend kohën e Millosheviqit. Sigurisht, Vulin është vetëm një nga politikanët aktualë, të cilët kanë qenë në pushtet kur u kryen krimet e luftës, me përkrahjen e udhëheqjes serbe, “Beogradit zyrtar”. Kjo është arsyeja pse është e natyrshme të luajë rolin e “dordolecit” apo ushqyesit të frikës në rajon, për të botuar libra nga kriminelë lufte të dënuar, për të organizuar promovimin e librave të tyre, për t’i ngritur ata si heronj lufte dhe për t’u dhënë mundësië të mbajnë ligjërata në Akademinë Ushtarake. Ka patur shumë shembuj të tillë. Veselina Shljivançanin, Vladimir Lazareviq dhe Nebojsha Pavkoviq, që të gjithë kriminelë lufte të dënuar, janë dekoruar nga breroja e neo-heroizmit të Vulinit. Ministri e arsyeton këtë duke thënë: “Serbia nuk ka pse të ketë turp nga ata që e kanë mbrojtur”. Ose: “Koha e turpit ka kaluar; tani është koha e krenarisë në heshtje”.
Kjo lloj retorike, që shprehet nga kukullat ventriloke të Vuçiqit, përsëritet në pjesën më të madhe të medias, pa ndonjë shkëputje kritike apo hulumtim të thjeshtë gazetarie. Kush ishin këta “heronj” që kanë mbrojtur dhe pse paska qenë një “kohë për turp” në radhë të parë? Ky lloj raportimi në media nuk mundet në asnjë mënyrë t’i kontribuojë krijimit të opinionit kritik publik lidhur me shkallën e tmerreve që janë bërë në të gjithë Ballkanin në emër të qytetarëve serbë. Një raportim i tillë nga media, si dhe refuzimi i mëparshëm i politikanëve pro-evropianë që të gërrmojnë poshtë sipërfaqes të së kaluarës tonë të luftës, edhe pas vitit 2001, me “zbulimin” e varrezave masive në Batajnicë pranë Beogradit, në periferi të një kryeqyteti evropian, ka çuar në rikthimin e këtij lloji të retorikës. Sjellja e tyre u ka sjellë pushtet atyre që do të bënin çdo gjë për të shmangur marrjen e përgjegjësisë për planifikimin, zbatimin apo miratimin e spastrimit etnik, gjenocidit, dhunimeve masive dhe krimeve të tjera masive në ish-Jugosllavi. Të gjithë ata që janë në pushtet, bashkë me profiterët e luftës dhe strukturat e “shtetit të thellë” kanë kafshuar një copë të madhe nga paratë dhe privilegjet e blera me gjak, që tani të shndërrohen me vullnet në ndonjë lloj të “paqebërësve”. Kjo është çka shumë patën besuar se do ta bënte “i riu” dhe “pro-perëndimori” Aleksandar Vuçiq.
E njëjta vlen për gazetarinë: asnjë nga propaganduesit në media të luftës së Millosheviqit nuk u mbajtën ndonjëherë përgjegjës për luftënxitje në vitet 1990. Një krim i padënuar gjithnjë do të krijojë hapësirë për krime të reja. Luftënxitja që bëjnë sot tabloidët nuk është asgjë më tepër sesa vazhdimësia e asaj të viteve 1990. Sot ka një dallim të rëndësishëm: urrejtja ka ardhur në shtëpi dhe po shënjestron qytetarët e vet.
Dinko Gruhonjiq është docent pranë Departamentit për Studime të Medias në Fakultetin e Filozofisë, Universiteti i Novi Sadit, drejtor i programit të Shoqërisë së Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës, gazetar dhe aktivist civil.
Foto: Dinko Gruhonjiq në një protestë (arkivi personal)