Regjisori kosovar fokuson kamerën te trauma e pasluftës

http://www.balkaninsight.com/

Natalia Zaba BIRN Beograd

Kur regjisori Gazmend Bajri takoi subjektin e dokumentarit të tij të fundit, ai zbuloi një mënyrë për të shprehur ndjenjat e tij për ato që ai vetë vuajti gjatë luftës në Kosovë dhe si e përballoi traumën pas të gjithë asaj që ndodhi. 

Gazmend Bajri mund të përdorë eksperiencat e njerëzve të tjerë në filmat e tij, por të kuptuarit e tij se çfarë ata mendojnë dhe si ndihen bazohet në vetë eksperiencën e tij.

Regjisori nga Kosova dhe kameramani i dokumentarit më të fundit “Ferdonija” tregon historinë e Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila humbi të gjithë familjen e saj gjatë luftës me forcat serbe në fund të viteve 1990.

Në mars të vitit 1999, zona Gjakovës ishte skena e disa prej krimeve më të përgjakshme të luftës. Bashkëshorti i Qerkezit dhe katër djemtë e saj u vranë të gjithë.

Njësoj si shumë gra të tjerë në zonë, Qerkezi është anëtare e një shoqate grash që kanë humbur anëtarët e familjeve të tyre, e quajtur “Thirrjet e nënave” – por ajo është e vetmja prej tyre që jeton krejtësisht e vetme.

Qerkezi hapi një muze në shtëpinë e saj për të përkujtuar njerëzit e saj të dashur, dhe Bajri vendosi ta dokumentonte historinë e saj, duke u fokusuar në realitetin e pas luftës së Kosovës përmes eksperiencave të atyre që humbën familjet e tyre dhe të vazhdojnë të jetojnë me trauma.

Ai dëgjoi për “Thirrjet e nënave” rastësisht në vitin 2014 dhe vendosi t’u bënte atyre një vizitë.

“Gratë në Gjakovë takohen shpesh dhe të flasin për atë që ndodhi gjatë luftës. Kur i takova, ato filluan të më tregonin historitë e tyre. Nuk ishte e nevojshme të bëja pyetje. Ato ishin shumë të gatshme për të më tregonin se çfarë u kishte ndodhur,” tha Bajri për BIRN.

Disa nga gratë e këshilluan atë të takonte Qerkezin dhe të vizitonte muzeun e saj të përkujtimit.

“Kur shkova ta takoja, ajo ishte shumë e hapur. Ajo më foli dhe qau shumë. Me kalimin e kohës, marrëdhëniet tona u bënë më afërta edhe miqësore,” kujton ai.

“Punova për dy vjet për këtë dokumentar, por nuk doja të përqendrohesha tek ajo që i kishte ndodhur djemve dhe burrit të Ferdonijes. Ata njerëz u vranë dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë,” shpjegoi ai.

Unë doja të zbuloja se si dikush mund të vazhdojë të jetojë pas një tragjedie të tillë dhe se si Qerkezi po ia del të kapërcejë atë që i ndodhi familjes së saj.

Bajri tha se edhe ai, si shumica e shqiptarëve të Kosovës që e kujtojnë kohën e luftës, po përballet gjithashtu me traumën pas konfliktit.

“Kjo është arsyeja pse për mua personalisht, takimi me Ferdonijes ishte i vështirë, intensiv, plot me ndjenja të ndryshme. Shtëpia e saj, dhoma që i kujtonin asaj të shoqin, fëmijët e saj, këpucët e tyre dhe rrobat e tyre me gjak… Ajo mban të gjitha gjërat e tyre. Kjo eksperiencë është vërtet shumë e fuqishme,” tha ai.

“Çdo luftë sjell trauma. Unë doja të zbuloja si mund të përballemi me të. Ne si njerëz, ne si shoqëri,” shpjegoi ai.

Ferdonija Qerkezi, Foto: Gazmend Bajri

I rrahur në bodrum

Bajri ndenji në Kosovë gjatë luftës dhe u burgos në një bodrum nga forcat serbe së bashku me dy nga fqinjët e tij, njëri mbi 70 vjeç dhe të tjetra një grua 50-vjeçare.

“Ata kishin uniforma të zeza pa emblema dhe na rrihnin me orë të tëra. Nuk ndiej asnjë urrejtje, por do të doja t’i takoja sot ata dhe t’i pyesja se përse po e bënin këtë,” tha Bajri.

Ai rikujton se si grupi i serbëve një herë e rrahu për rreth shtatë orë, duke e goditur më shumë në kokë.

“Është interesante se si truri reagon në një situatë të tillë. Po risillja në mendje situatat më interesante dhe të bukura që më kishin ndodhur. Kujtoja njerëzit që dua, ata me të cilët kaloja kohë,” tha ai.

Bajri më pas kaloi një muaj duke u fshehur dhe pasi serbët u larguan, ai u shpërngul në një tjetër vend ku mori ndihmë nga një doktor vendas, i cili po fshihej gjithashtu.

Pasi gjithçka mbaroi, ai tha se e pati shumë të vështirë të ndante eksperiencat e tij të luftës, edhe pse filloi të fliste për këtë me familjen e tij.

“Vitet e para pas luftës ishin shumë euforike. Ne nuk mendonim për traumat. Kishte shumë gjëra për të bërë menjëherë, koha po kalonte shumë shpejt,” rikujton ai.

Më pas, rreth vitit 2007, ai vuri re se po fillonte të ndihej gjithnjë e më shumë në depresion. Gjërat që ai kishte harruar filluar t’i riktheheshin në mendje.

Vëllai i tij këmbënguli që ai të fliste për atë që ndodhi, por ndjenjat e ankthit e përndoqën derisa ai filloi të realizonte dokumentarin “Ferdonija”.

“Në vitin 2014, kur fillova të punoja për dokumentarin mbi Ferdonije Qerkezin, ndihesha vërtet shumë në ankth. Momentet e para, vizitat e para në Gjakovë ishin shumë të vështira për mua. Ato ishin plot një ndjeshmëri të sikletshme. Gjithsesi, sot është shumë më e lehtë për mua, fakti që po flasim haptazi për këtë tani, tregon se është bërë një progres i madh,” tha ai.

Ai beson se sot në Kosovë ka shumë njerëz që jetojnë me traumën e pas luftës, por vazhdojnë të heshtin për të. Pavarësisht faktit se problemi dihet gjerësisht, askush në Kosovë nuk është përballur me të në një mënyrë sistematike,” tha ai.

“Mendoj se shumica e njerëzve nuk kanë pasur mundësinë të flasin me dikë për atë që ndodhi. Ata e mbajnë për vete. Vazhdojnë të jetojnë me një traumë që nuk është shëruar dhe ky është një problem i madh,” shpjegoi ai.

Ai tha se në Kosovë ka gjithashtu statistika apo pjesë serioze hulumtimesh mbi traumën e pas luftës dhe se nuk ka asnjë që trajton traumën e grave si anëtaret e “Thirrjet e nënave”.

“Shoqëria kosovare nuk arriti ta menaxhonte problemin e traumës. Nuk kemi asnjë sistem dhe prandaj ndoshta terapia nëpërmjet artit ia vlen të konsiderohet,” sugjeroi ai.

I pyetur nëse ka ndryshuar diçka që nga luftërat në ish-Jugosllavi, Bajri përgjigjet se nuk është i sigurt. Por ai thotë se edhe njerëzit që ai njeh në Serbi nuk mund ta kuptojnë atë që kaluan njerëzit si ai.

“Kolegët e mi serbë tronditen gjithmonë kur u tregoj atë që po ndodhte në Kosovë. Njerëzit nuk janë të mirë informuar. Dhe shumë energji po investohet në nacionalizëm,” tha ai.