Media sociale është një mjet i fuqishëm i shekullit 21. Edhe pse aspektet e saj pozitive janë të pamata, shpeshherë me të abuzohet dhe ajo shfrytëzohet për propagandë dhe manipulim. Një pjesë e madhe e gënjeshtrave, disinformacionit dhe insinuatave arrijnë tek një numër i madh i njerëzve përmes rrjeteve të medias sociale. Kjo ndodh sidomos me Twitter-in dhe Facebook-un, ku afirmohen interpretime problematike të së kaluarës, posaçërisht lidhur me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore (LDB), por edhe me ato të luftës së fundit në Bosnje e Hercegovinë. Kjo shërben vetëm për t’i dhënë më shumë fuqi narrativave mbizotëruese të tri palëve ndërluftuese, ku secila përpiqet të dehumanizojë palën tjetër duke e shpallur veten si hero absolut.
Ia vlen të përmenden posaçërisht portalet online dhe, në Bosnje e Hercegovinë (BeH), numri i tyre i saktë nuk dihet, pasi nuk ka ndonjë regjistër të përbashkët të medias. Kushdo mund të krijojë një portal mediatik, të shkruajë dhe të promovojë çka dëshiron. Një tjetër problem në BeH është se platformat e mediave sociale, që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, gjuhë fyese dhe provokime nuk përkufizohen si hapësirë publike. Gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet që bëhen në këtë hapësirë virtuale nuk trajtohen në gjykatë ashtu si ato që shprehen në hapësirë publike. Pa dyshim, Republika Srpska e ka një Ligj për Rendin dhe Qetësinë Publike, të shkruar në vitin 2015, që e përkufizon internetin si hapësirë publike. Mirëpo, pavarësisht ligjit që imponon sanksione ndaj kujtdo që e shkel këtë ligj, duket sikur gjendja me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet e shprehura online nuk ka ndryshuar.
Në vitet e fundit, rajonin e ka kapluar një valë e revizionizmit, që kërkon të rishkruajë narrativat e LDB-së. Jemi dëshmitarë të glorifikimit të lëvizjes së çetnikëve, që tani krahasohen me Përpjekjen për Çlirimin e Popullit dhe të përshkrimeve pozitive të Shtetit të Pavarur të Kroacisë (SHPK), një shtet-marionetë gjatë LDB-së, i mbështetur nga Gjermania naziste dhe nga Italia. Po shfaqen rrëfime afirmuese edhe për udhëheqësit përkatës, pjesëmarrësit dhe simpatizantët e këtyre lëvizjeve dhe kuazi-shteteve.
Ndasitë etno-kombëtare në popullsinë e Bosnje e Hercegovinës sigurisht që i kanë kontribuar kësaj dukurie. Politika në tekstet shkollore, që prezantohet gjatë shkollës fillore, u mëson fëmijëve nga mosha e hershme që të përftojnë mendimin mbizotërues të kombit të cilit i përkasin. Ne kemi libra shkollorë krejt të ndryshëm për të ashtuquajturat grupe të subjekteve dhe ndonjëherë, mësimet e historisë nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të grupeve të tjera kombëtare.
Në Facebook ekzistojnë një sërë faqesh dhe grupesh vetëm me qëllimin për të promovuar përmbajtje nacionaliste dhe në to mbizotëron gjuha e urrejtjes kundër kombësive të tjera. Ato drejtohen nga grupe dhe individë anonimë, detyrë e të cilëve është të bëjnë çdo ditë postime dhe të shpërndajnë përmbajtje të pavërtetuar, që paraqitet si informacion i verifikuar. Duke gjykuar nga numri i komenteve, shpërndarjeve dhe pëlqimeve, disa njerëz besojnë se kjo përmbajtje është e vërteta e pamohueshme. Për shembull, këto faqe glorifikojnë SHPK-në, avokojnë për rikrijimin e Herceg-Bosnias, bëjnë postime afirmuese për lëvizjen çetnike dhe udhëheqësin e saj, Drazhi Mihajlloviqin, ose mbështesin kriminelët e luftës së fundit.
Le të rikujtojmë kohën kur bëheshin njoftimet për dënime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për Ratko Mlladiqin dhe Radovan Karaxhiqin. Media sociale u shndërrua në fushëbetejë, ku përdoruesit e saj pështynin fyerje dhe sharje. Gazetarët nga Republika Srpska i kontribuan kësaj gjendjeje edhe më tej duke shpërfillur provat e vërtetuara nga gjykata dhe seksione të tëra të vendimeve të gjykatës, duke marrë përsipër rolin e përkrahësve të karakterit dhe të veprimeve të këtyre dy kriminelëve të luftës. Në rrjetin online u rishfaq atmosfera e kaosit, ku theksohej se udhëheqësit dhe autoritetet vetëm të njërës palë apo komb po thirreshin në gjyq për krime lufte, pavarësisht se të dy aktgjykimet (në fillim për Mlladiqin dhe pastaj për Karaxhiqin) mbështeteshin nga dëshmi të palëkundura. Madje, disa përdorues të Facebook-ut ndryshuan fotografitë e tyre të profilit, duke vendosur fotot e Karaxhiqit apo Mlladiqit në shenjë mbështetjeje, duke i quajtur ata heronjtë e popullit serb.
Nga kjo, është e qartë se shumica e popullsisë në BeH dhe në rajon nuk i kontrollojnë faktet e informacionit që marrin apo nuk i lexojnë provat nga aktgjykimet. Në vend të kësaj, ata përcjellin mentalitetin e turmës, duke e parë çdo gjë si konspiracion kundër popullit të tyre apo si kinse kërcënim apo shtypje të traditës dhe historisë së tyre.
Me pak fjalë, mund të argumentojmë se kultura e kujtesës së një kombi përqendrohet ekskluzivisht tek ngjarjet ku njerëzit e vet kujtohen vetëm si viktima ose si çlirimtarë. Pastaj, praktikat e ndryshme përkujtimore dhe monumentet kulturore përdoren për ta tejçuar atë kujtesë edhe tek brezat e ardhshëm. Ngjarjet përkujtimore, qofshin për të përkujtuar viktimat civile të luftës apo për të mohuar ngjarjet dhe për të përhapur gënjeshtra dhe fyerje janë shpeshherë shfajësimi i përdoruesve të medias sociale që të bëjnë thirrje për shpagim dhe zgjim kombëtar. Fyerjet dhe argumentet që pasojnë paraqesin një shkallë të mosrespektit ndaj viktimave të të dyjave palëve.
Në anën e kundërt të spektrit ekziston kultura e harresës apo “të harruarit”, që do të thotë “kamuflim” selektiv i disa veprimeve të caktuara të pandershme në të cilat është përfshirë pala “jonë” në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.
Në librin e saj Format e harresës (2018), Alaida Asman përmend disa mënyra të të “harruarit”. Aty hyjnë fshirja, mbulimi, fshehja, heshtja, ndërrimi i funksioneve, shpërfillja, neutralizimi, mohimi dhe humbja. Edhe pse media sociale ka potencial të jashtëzakonshëm si terren stërvitjeje për dialog konstruktiv dhe ballafaqim me të kaluarën, ndodh që aty ku bëhet fjalë për këto tema, ajo shfrytëzohet ekskluzivisht për çlirimin e lloj-lloj frustrimeve; për të shpërfaqur vulgaritet dhe primitivizëm dhe për të refuzuar çdo lloj konfrontimi të mbështetur mbi fakte me ngjarjet e shekullit 20, sidomos me ato që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës.
Përkujtimet e viktimave civile të luftës janë ndër shembujt më të gjallë se si grupet nuk pajtohen për të kaluarën e përbashkët. Teksa njerëzit e njërës palë janë në zi, të tjerët ose e shpërfillin situatën ose e mohojnë krejtësisht atë që ka ndodhur. Kultura e kujtesës mbështetet kryesisht mbi emocione dhe në fshirje kolektive të të gjitha ngjarjeve që mund të vënë në pikëpyetje udhëheqësit dhe ushtrinë e një kombi. Në të kundërt, palët ndërluftuese do të barazoheshin dhe të gjithë duan të jenë viktima, jo kryesi.
Belma Buljubashiq është profesore e asociuar pranë Departamentit për Gazetari dhe Komunikologji të Universitetit të Sarajevës, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Politike. Ajo është bashkëredaktore e një antologjie dhe bashkautore e një studimi dhe një libri. Ajo është autore dhe bashkautore e mbi 20 punimeve shkencore dhe ekspertizave dhe ka shkruar për publikime vendore dhe rajonale, si dhe për disa OJQ vendore.
Aktualisht po ndjek vitin e dytë të studimeve të doktoraturës pranë Departamentit të Etnologjisë dhe Antropologjisë të Universitetit të Beogradit në kuadër të Fakultetit të Filozofisë. Fushat e saj të interesit janë media dhe filmi nga vendet socialiste, kultura e kujtesës në shoqëritë (pas)konfliktit, konstruktet mediatike të së kaluarës dhe propaganda.