Shkupi 2014: memorializimi etnocentrik dhe kleptokracia

Natalija Popovska dhe Ana Chupeska

Projekti i ashtuquajtur Shkup 2014 (SK2014) është produkt i partive politike në koalicion VMRO-DPMNE dhe DUI, i realizuar kryesisht gjatë periudhës sa ishin në pushtet. Ai është projekti më i shtrenjtë pseudo-kulturor në historinë e Maqedonisë së Veriut të pavarur. Për ta kuptuar këtë projekt është me rëndësi që ai të analizohet përmes një qasjeje më të gjerë ndërdisiplinore, përkatësisht, përmes një prizmi historik, kulturor, sociologjik, psikologjik dhe financiar. Deri më tani, si ekspertët, ashtu edhe publiku i gjerë i kanë kontribuar një analize të tillë përmes aspekteve të lartpërmendura dhe këtu dëshirojmë të theksojmë se sapo u promovua, përkatësisht në fazën e vet fillestare, ai ngjalli interesim të madh tek publiku, sepse kishte kundërvariante në vetvete. Me kalimin e kohës, kemi siguruar një “oqean” të materialeve të shkruara, dokumentave, videove, dhe materialeve shkencore dhe të tjera dhe i jemi kundërvënë SK2014 me vetë kundërshtitë që ai ka. Sidoqoftë, ka ende shumë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje, sa i përket autorëve, platformave projektuese, transaksioneve financiare, mekanizmave vendimmarrës dhe zbatimit të tij.

Në përpjekje për të adresuar disa nga aspektet e lartpërmendura, për aq sa lejon ky artikull, të projektit SK2014, mund të themi se ishte manovër politike populiste për të ndërtuar subjektivitetin e ri pas-socialist maqedonas. Procesi është zhvilluar në nivele të ndryshme politike, shoqërore, estetike, urbane dhe të sistemeve të vlerave dhe është përcjellë nga kundërshti financiare. Një nga qëllimet e projektit ishte që të shfarosej rrënjësisht e kaluara socialiste maqedonase dhe të mishërohej një subjektivitet i ri politik popullor josocialist, që aspiron të përballet me subjekte të tjera më të rëndësishme. Qëllimi ka qenë edhe që të bëhen thyerje dhe të kundërshtohet rendi simbolik dhe normativ pas-socialist, përmes pozicioneve specifike politike dhe sidomos duke përdorur fabrikime historike. Kjo është mishëruar në ndërtimin e shpejtë dhe masiv të kishave të reja, skulpturave të mëdha, muzeve dhe me rindërtimin e fasadës së lagjeve të tëra. 

Figura qendrore është Aleksandri i Madh, identiteti i të cilit mbulohet nga emërtimi zyrtar “Luftëtari mbi kalë”. Me fjalë të tjera, projekti është personifikim i konceptit të të ashtuquajturit proces i “antikizimit”. Sipas këtij koncepti, qëllimi ka qenë që mitet të përkujtohen duke zbatuar referenca kulturore pseudo-historike dhe të tjetërsuara, ndërkohë që zbatohet zhvendosja kundërthënëse e identitetit kombëtar maqedonas nga thelbi i vet [në aspekt gjuhësor: si sllav dhe shtetësia si praktikë: socialiste] deri në kohërat e largëta të antikitetit… Për momentin, kontestet dhe shkeljet kanë ndodhur në nivel simbolik, që nënkupton hapësirën/sferën e vlerësimit të subjektivitetit të ri pas-socialist maqedonas që është mobilizuar përmes VMRO DPMNE-së. E gjitha kjo ka çuar në konfuzion emocional dhe mospërputhje konjitive për njerëzit, sepse ishte çështje e projektimit të nxitur të identitetit.

Sigurisht, ky obsesion me ndërtimin masiv dhe ndryshimin e dukjes së objekteve ekzistuese nxitet nga motive të paarsyeshme dhe mund të shpjegohet përmes metodave të psikoanalizës, sidoqoftë, projekti nuk është kontravers vetëm në terma të kostos së vet, por edhe qëndron si skandal financiar me dimensione të mëdha.

AnchorNë mesin e gjërave të tjera, SK2014 ka ushtruar një lloj presioni tek maqedonasit që të zgjedhin ndërmjet identifikimit si sllavë apo si pasardhës të maqedonasve të lashtë, duke sjellë një ndarje në popullsi ndërmjet atyre që mbështesin këtë paradigëm diakronike dhe atyre që nuk e mbështesin. Ngjashëm, Sheshi Skëndërbe, po ashtu pjesë e projektit SK2014 dhe i ndërtuar në anën tjetër të lumit Vardar, është përplot tipare etnike të kombit shqiptar. Ikonografia e muralit është etno-nacionaliste dhe supozohet se si e tillë nënkupton një “reagim” ndaj projektit etno-nacionalist nga ana “tjetër” në Sheshin Maqedonia. Mozaiku i muralit rrëfen historinë e idesë shqiptare për pavarësi dhe procesin e komb-ndërtimit. Duke treguar Nënë Terezën, partizanët shqiptarë, betejën për çlirimin e Kosovës, kryengritësit shqiptarë dhe Lidhjen e Lezhës. Figura qendrore në këtë shesh është Skënderbeu. Monumenti i tij është zhvendosur në një piedestal shumë më të madh se më parë. Me pak fjalë, etnocentrizmat maqedonase dhe shqiptare janë në garë me njëri-tjetrin brenda SK2014 dhe për llogari të kësaj konkurrence, komunitetet e tjera etnike që jetojnë brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut janë margjinalizuar. Kjo pasqyrohet në procesin e vendimmarrjes si dhe në zbatimin dhe sigurisht, në përfaqësimin e të tjerëve brenda kornizës së projektit. Natyra problematike e këtij projekti nxit konflikt ndëretnik dhe brendaetnik në nivel simbolik. Do të vazhdojë ta bëjë këtë për një kohë të gjatë, duke patur parasysh se piedestalet dhe monumentet do të qëndrojnë aty për dekada të tjera. I ashtuquajturi projekti “Shkup 2014″ ka prapavijën e vet megallomane dhe kleptokratike. Nga 80 milionë eurot e para, ai ka arritur në shifrën 640 milionë, ku nuk përfshihet propaganda (dokumentarë, reklama, subvencione për teatrin e kështu me radhë). Sot, si rezultat i keqmenaxhimit të theksuar financiar, qytetarët maqedonas kanë borxh 280 milionë euro. Ngaqë projekti u financua me para publike, sot ai është nën hetim nga Prokuroria Speciale. Monumentet e shtrenjta për SK2014 do të shërbejnë jo vetëm si shembull i abuzimit populist të formës së monumentit në krijimin e kujtesës kulturore, por edhe si makineri e “shpërlarjes së parave”. Për më tepër, në nivel të vlerave – i gjithë procesi për antikizimin që u vu në jetë nga SK2014 kishte për qëllim të fshinte kujtesën kulturore socialiste duke krijuar një kujtesë kulturore të re të rreme të lidhur me Antikitetin. Është e qartë për të gjithë ne: monumentet, reklamat dhe propaganda të paguara me paratë publike kanë krijuar një histori të rreme dhe kanë provokuar emocione armiqësore në radhët e qytetarëve maqedonas.

Rrjedhimisht, SK2014 përfaqëson një glorifikim etnocentrik të të dy etnive, me mungesë të komunikimit kulturor dhe politik dhe nga pikëpamja estetike, është manifestim i kiçit, obsesion me mitet, promovim i modeleve konservatore fisnore etnike, mungesë e vetëdijësimit dhe komunikimit me kontekstin socio-politik të shekullit të 21-të dhe sigurisht, e gjitha kjo është mbulesë për keqmenaxhim të financave. Kështu, projekti nuk arrin të shndërrohet në nxitës të kujtesës kolektive, por përkundrazi, gjeneron memorializim etnocentrik, konservatizëm dhe kleptokraci.

_________________________

Autore: Kristina Lozanovska, “Luftëtari mbi kalë” – monumenti më i lartë i SK2014 është drejtpërsëdrejti i lidhur me trashëgiminë e Aleksandrit të Madh – ai e ka polarizuar komunitetin për shkak të narratives së vet etnocentrike.