Darko Dimitrijeviqi po ndjek një kurs të gjuhës shqipe, por thotë se ende nuk mund të komunikojë lirshëm. Ai ka lindur në Gorazhdec, një fshat me shumicë serbe në komunën Pejës. Që nga lufta e viteve 1998-99 ai është ndër fshatrat e pakta me serbë në këtë pjesë të Kosovës.
Atje, trashëgimia e së kaluarës ndjehet jo vetëm në përbërjen demografike, por edhe në përdorimin zyrtar të dy gjuhëve, shqip dhe serbisht. Dimitrijeviqi është gazetar dhe për dallim nga ai, shumë të tjerë të gjeneratës së tij nuk e flasin gjuhën e njëri – tjetrit.
Ai thotë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është vetëm një në serinë e ligjeve që nuk respektohen në Kosovë. “Informacionet dhe njoftimet e institucioneve publike i marrim vetëm në shqip”, thotë Dimitrijeviqi. “Shkelja e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve çon në shkeljen e ligjeve të tjera dhe të të drejtave të njeriut”.
“Lingua franca”
Shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe roli i politikës ndaj gjuhës shqipe patën një hise të madhe në nxitjen e konfliktit ndëretnik.Deri në vitin 1999, gjuha serbo-kroate ishte gjuha e parë zyrtare, duke u shndërruar në një “lingua franca”, që konsiderohet si urë gjuhësore mes folësve, gjuhët amtare të të cilëve janë të ndryshme.
Vitet e regjimit jugosllav dhe lufta e viteve 1998-99 e përmbysën këtë realitet, duke lënë pas një trashëgimi ndarjesh në formësimin e përdorimit të shumëgjuhësisë në Kosovë.Nga viti 2001, gjuhë zyrtare janë shqipja dhe serbishtja, ndërsa turqishtja dhe të tjerat në komunat me popullsi dominuese të komuniteteve të tjera.
Ndarjet gjuhësore në Ballkan vazhdojnë të jenë endemike dhe prej kohësh janë simptomë e armiqësisë ndëretnike, e ndonjëherë, edhe shkak për rindezjen e këtyre armiqësive.
Lindita Rugova, ligjëruese dhe dekane e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se e kaluara po ndikon fuqishëm dhe do të kalojë kohë e gjatë derisa tensionet të bien.
“Kemi kaluar nëpër disa sisteme dhe për shumë njerëz që kanë vuajtur gjatë luftës, do ta kenë të vështirë të studiojnë gjuhën e tjetrit. Mirëpo këto vija ndarëse po zbehen dalëngadalë”, thotë Rugova.
Daniel Duncan, ligjërues në Degën e Sociolinguistikës në Universitetin e Newcastle në Britaninë e Madhe, i cili ka hulumtuar gjithashtu politikat gjuhësore dhe natyrën e përdorimit të shumëgjuhësisë dhe marrëdhënien mes gjuhës dhe identitetit në ish-Jugosllavi, thotë se në këtë hapësirë, e kaluara peshon shumë mbi përdorimin e shumëgjuhësisë.
“Nga një perspektivë më e gjerë, politikat gjuhësore dhe përdorimi i gjuhëve zyrtare ndërlidhen me kohezionin social, kulturor dhe politik. Gjuhët në Kosovë nënkuptojnë gjithashtu këto periudha, ngritjet dhe rrëshqitjen në konflikt”, thotë Duncan.
“Këto ndryshime kishin të bënin me atë se cili grup ishte dominues në Kosovë në atë kohë. Kur Serbia e konsolidoi kontrollin mbi Kosovën në fund të viteve 1980, për shembull, shqipja u hoq nga institucionet”, shton ai.
Statusi i shqipes dhe serbishtes dhe se si ato ndërlidhen me njëra-tjetrën ndër vite ka ndryshuar shumë. Rugova thotë se kur dy apo tri komunitete jetojnë brenda një hapësire, atyre domosdoshmërisht u duhet të komunikojnë dhe ta njohin gjuhën e tjetrit.
“Përtej bashkëjetesës, si mund ta studiosh mirë një gjuhë të Ballkanit nëse nuk i njeh gjuhët tjera përreth”. shton ajo.
Sfidat sociolinguistike
Gjuha është një nga mjetet që në Ballkan është përdorur për t’u ndarë në grupe, ngase përkatësia etnike dhe kombet kryesisht lidhen me gjuhët.
Sejdi Gashi, studiues i Albanologjisë, shpjegon se në Kosovë, ku praktika gjuhësore ka njohur dekada ku folësve të shqipes u është mohuar e drejta për përdorim të lirshëm të gjuhës amtare dhe shqipja kishte status joafirmativ, do të nevojitet më shumë kohë për të riparuar dëmet.
“Rrjedha e formësimit të identiteteve politike e kulturore të popujve të Ballkanit është e karakterizuar me konflikte për projekte që synonin të sajonin shtete, kufijtë e të cilëve do të përputheshin me popullsi dhe një identitet homogjen kombëtar”, thotë ai.
Arta Pllana, Koordinatore për Komunikim në Zyrën e Komisionerit për Gjuhët në Qeverinë e Kosovës, thotë se përdorimi i dygjuhësisë në nivel zyrtar vazhdon të përballet me sfida. “Rrethanat historike e politike, lufta dhe ndryshimet që kanë ndodhur me gjeneratat e reja që e flasin më pak serbishten ka krijuar krizë për përkthyes”, thotë Pllana.
“Megjithatë, aq sa ligji na e mundëson, ne po përhiqemi t’i zbusim problemet dhe ta shtyjmë përpara përmbushjen e obligimeve ligjore”, shton ajo.
Ballkanistika është një program i ri që do të hapet për herë të parë në kuadër të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës nëprmjet të cilit, Zyra e Komisionerit për Gjuhët po shpreson ta zvogëlojë hendekun e nevojave për përkthyes profesionistë.
Dekania Rugova thotë se përtej përkthimit, ky program ku do të ligjërohen paralelisht shqipja dhe serbishtja, do të krijojë një urë të re komunikimi mes etniteteve.Sa i përket pedagogjisë gjuhësore, Rugova thotë se shumëgjuhësia e vendit mund të konsiderohet si një model për shumëgjuhësinë, por jo krejtësisht për bashkëjetesën.
Duncan i sheh politikat që promovojnë të drejtat pozitive të gjuhës dhe theksojnë dygjuhësinë si mjet që shmang tensionet.“Kjo zvogëlon ndjenjën e përjashtimit të një grupi etnik dhe shkallën deri ku përkatësia e një grupi shihet e rëndësishme për identitetin e tij”, thotë ai.
Për më shumë se tri dekada nuk ka pasur shumë përpjekje për të tejkaluar hierarkitë mes grupeve gjuhësore dhe krijuar marrëdhënie më të barabarta, përderisa në Kosovë vazhdon të mbahen dy sisteme paralele edukimi që vazhdojnë ta ushqejnë ndarjen. “Dygjuhësia e balancuar gjithashtu dërgon mesazhin se një shtet si Kosova, që ligjërisht është multikulturor, synon të jetë vërtetë i tillë në praktikë”.