Intervistë me Joana Hansonin dhe Shkelzen Gashin:
Pas prezantimit të projektit “Mësimdhënia shumëperspektivëshe e historisë në Kosovë” në gusht 2017 nga OJQ-ja New Perspektiva, ne iu drejtuam disa pyetje Joanas dhe Shkelzenit, pasi donim të dinim më shumë rreth hulumtimit dhe gjetjeve të tyre.
B.P: Joana dhe Shkelzen, në projektin tuaj ju keni analizuar se si ngjarje të ndryshme në historinë e Kosovës dhe Serbisë janë paraqitur krejt ndryshe në librat shkollorë të të dy vendeve. Më pas, ju i keni krahasuar këto dy narrativa të ndryshme me pikëpamjet e historianëve të tjerë ndërkombëtarë. Cilat ishin gjetjet tuaja më të rëndësishme?
Joana: Si bazë për diskutimet tona, ne shqyrtuam ngjarje të ndryshme në historinë e Kosovës. Gjetëm se qasja njëperspektivëshe është e pranishme në librat shkollorë të Kosovës dhe të Serbisë. Kjo qasje përkeqësohet nga fakte historike të pambështetura apo nga gjuha anakronike dhe e pasaktë. Mësimdhënësit na treguan se ata nuk pajtohen gjithnjë me librat shkollorë, mirëpo politikanët e kanë bllokuar mundësinë e tyre për të ndryshuar apo modifikuar mënyrën e mësimdhënies. Këto mangësi bazë duhet të adresohen me përkushtim.
Shkelzeni: Qasja e librave shkollorë të historisë në Serbi dhe Kosovë ndaj ngjarjeve në territorin e Kosovës shpalos shumë dallime të qarta. Këto dallime mund të grupohen si vijon: aspirata për të zotëruar territorin e Kosovës; paraqitjen vetëm të krimeve të kryera nga pala tjetër, paraqitjen e vetes si viktimë dhe të tjetrit si agresor dhe heshtja për bashkëpunimin shqiptaro-serb. Kjo tregon se vendet nuk po i mbjellin farat e pajtimit për brezin e ri.
B.P: Shkelzen, ju keni investuar mjaft kohë në mbledhjen e të dhënave. A mund të na jepni ndonjë shembull të narrativës kryesore që mund të gjendet në këto libra shkollorë?
Shkelzeni: Elementët më të rëndësishëm të historisë së Kosovës janë krimet e kryera nga serbët, të organizuar në ushtri dhe polici të rregullt, kundër shqiptarëve; si dhe krimet e shqiptarëve, kryesisht të paorganizuara, kundër serbëve.
Librat shkollorë të Kosovës paraqesin vetëm krimet e serbëve kundër shqiptarëve në vitet 1912, 1918-1919 dhe gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, në vitin 1945 dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Rrallëherë ndodh që këto libra shkollorë të sjellin informacion që të tregojnë në numra krimet serbe dhe edhe në ato raste kur kjo ndodh, ekzagjerohet.
Librat shkollorë serbë paraqesin vetëm krimet e shqiptarëve kundër serbëve në vitet 1915, 1941-1943, 1999-2000, duke i përshkruar ato si ‘sulme të bandave lokale të shqiptarëve’ ose ‘terrori shqiptar kundër serbëve’. Në përgjithësi, këto libra shkollorë nuk japin të dhëna për këto krime.
B.P: Uebfaqja juaj http://www.new-perspektiva.com/multiperspektiva promovon qasjen shumëperspektivëshe ndaj historisë. A mund të na tregoni se çfarë nënkuptoni me të?
Joana: Nuk ka ndonjë përkufizim të qartë të qasjes shumëperspektivëshe, por ne mendojmë se ky përkufizim është i mirë: ajo është një “strategji e të kuptuarit”, ku marrim parasysh perspektivën (këndvështrimin) e tjetrit apo edhe perspektivat e të tjerëve dhe jo vetëm një. Nënkupton se jemi në gjendje dhe të gatshëm të marrim parasysh dhe ta kuptojmë një situatë nga perspektiva të ndryshme.
B.P: Joana, ju i referoheni qasjes tuaj shumëperspektivëshe si një metodologji. Deri në ç’shkallë kjo qasje është më shumë se sa thjesht mbledhje e literaturës dytësore?
Joana: Metodologjia shumëperspektivëshe e mësimdhënies dhe shkruarjes së historisë është një diskurs kompleks. Librat shkollorë duhet të përmbajnë një sërë ilustrimesh dhe shembujsh nga burime të tjera, p.sh. dokumenta, histori orale, artikuj nga gazetat, që të bëhen më të lexueshëm dhe udhëzues për studentët.
Metodologjia shumëperspektivëshe e mësimdhënies përmban një sërë shkathtësish të mësimdhënies përveç librave shkollorë. Ajo e largon praktikën e mësimdhënies së historisë si një lëndë që vetëm mësohet përmendësh, sepse nuk i mundëson nxënësit të kundërshtojnë informacionin apo të interpretojë faktet dhe të gjejnë burime të ndryshme. Të mësuarit përmendësh nuk i nxit studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik. Kështu, mësimdhënësit dhe librat shkollorë duhet t’u paraqesin studentëve burime dhe këndvështrime të ndryshme që kanë të bëjnë me historinë që ata mësojnë. Nëse p.sh. mësimdhënësit flasin për atë që ndodhi kur Kristofor Kolombi arriti në Inditë Perëndimore, ata duhet t’i pyesin studentët që jo vetëm të kuptojnë si dhe përse ai shkoi ai, por edhe se si pjesëtarët e ekuipazhit të tij mund ta kenë konsideruar atë udhëtim, ç’kuptim pati ajo që ndodhi për popujt indigjenë të ishujve. Kjo mund të bëhet duke përdorur librat shkollorë, por edhe materiale të tjera nga ilustrimet apo dokumente online apo duke vizituar një muze.
Kjo mund të jetë një detyrë e vështirë për mësimdhënësit dhe ata duhet të kenë koncept të qartë se përse japin lëndën e historisë. Mësimdhënësit në Kosovë po fillojnë të kenë mundësi të mësojnë rreth përdorimit të qasjes shumëperspektivëshe, ndaj ka shpresë se mësimdhënia do të bëhet më e hapur dhe do të përfshijë perspektiva të ndryshme. Mësimdhënësit kanë nevojë për trajnim të fokusuar që t’iu ndihmojë me zhvillimin e këtyre shkathtësive.
B.P: Shkelzen, ju përmendët më parë “heshtjen për bashkëpunimin shqiptaro-serb” si një tipar i ballafaqimit me historinë në librat shkollorë. Çfarë nënkuptoni me këtë? A mund të na jepni ndonjë shembull të këtyre bashkëpunimeve?
Shkelzeni: Në asnjë prej librave shkollorë nga Kosova dhe Serbia nuk përmenden takimet, marrëveshjet dhe bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve politikë dhe ushtarakë të palëve shqiptare dhe serbe. Për shembull, nuk përmenden askund:
– bashkëpunimi ndërmjet disa prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjes shqiptare (1912) me përfaqësuesit serbë në Prishtinë, prej të cilëve ata morën armët që të luftojnë kundër Perandorisë Osmane;
– takimi ndërmjet kreut të lëvizjes kaçake të shqiptarëve që mbetën nën Jugosllavi (pas Luftës së Parë Botërore) me autoritetet lokale serbe për të jetuar të pashqetësuar, me kusht që lëvizja e tij të shtrihej vetëm në tre fshatra; dhe më vonë një tjetër takim me zyrtarë të lartë serbë ku ai kërkoi që Kosova të kishte të drejtën për vetëqeverisje;
– bashkëpunimi ndërmjet Shoqërisë Ligjore për Mbrojtjen e Islamit (pas Luftës së Parë Botërore), që përfaqësonte shqiptarët në parlamentin serb dhe dy partive politike më të mëdha serbe në Jugosllavi deri në atë shkallë sa ndonjëherë këto parti politike ndanin të njëjtën listë zgjedhore;
– bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet komunistëve shqiptarë të Kosovës (gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore) me komunistët serbë/jugosllavë;
– marrëveshja e udhëheqësve të rezistencës paqësore ndërmjet shqiptarëve të Kosovës (1996) me presidentin e Serbisë për të hapur shkollat dhe ndërtesën e universitetit për shqiptarët në Kosovë dhe më vonë, edhe takimet ndërmjet tyre për të gjetur një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës (1998).
Prandaj, shpresoj se librat shkollorë në të ardhmen në Kosovë dhe në Serbi do t’i përmendin këto takime, marrëveshje dhe bashkëpunimin ndërmjet përfaqësuesve politikë dhe ushtarakë të shqiptarëve me homologët e tyre serbë.
B.P: Përgjithësisht, historianëve nuk u pëlqen shumë të bëjnë parashikime, mirëpo a mund të bëni një përjashtim: a do të përmbajnë në të ardhmen librat shkollorë në Kosovë dhe Serbi më shumë perspektiva për ngjarjet në historinë Kosovë-Serbi në krahasim me librat aktualë?
Joana: Ne na shqetëson narrativa historike njëperspektivëshe në Kosovë dhe në Serbi që nuk u mundëson studentëve ta interpretojnë apo të ngrenë pyetje. Megjithatë, ka presion në rritje, vendor dhe ndërkombëtar, që sistemi arsimor ta ndryshojë këtë qasje.
Gjatë takimeve tona me grupe të ndryshme të mësimdhënësve, është bërë e qartë se ekziston gatishmëri nga ana e pjesëmarrësve që ta diskutojnë çështjen e qasjes shumëperspektivëshe të mësimit të historisë. Mësimdhënësit e shohin ndikimin nga rreziqet e qasjes njëperspektivëshe, mirëpo ndjejnë se roli i tyre kufizohet nga politikanët.
Ministria e Arsimit ka sjellë trajnimin Euroclio për mësimdhënësit dhe po sjell ndryshime në kurrikulum. Këtu përfshihet mësimdhënia shumëperspektivëshe për klasat 6 dhe 7. Prandaj, jam optimiste, sepse këto janë procese të mësimit të historisë nëpër të cilat kanë kaluar të gjitha vendet evropiane që nga vitet 1970. Gjithashtu besoj se media sociale ofron një sërë burimesh të tjera historike, të mira dhe të këqija, duke krijuar kështu presion për ndryshime.
B.P: Gjatë projektit tuaj ju keni organizuar edhe diskutime me një pjesëtar të Komisionit Polako-Gjerman për Libra Shkollorë, që u mirëpritën me interesim të lartë. Çfarë mendoni, a është sadopak realiste të mendojmë që një ditë të kemi një libër shkollor të përbashkët Kosovë-Serbi?
Joana: Do të ishte e shkëlqyeshme që në të ardhmen të kemi një libër shkollor të përbashkët Kosovë-Serbi, ashtu si ka edhe libra shkollorë të përbashkët polako-gjerman, mirëpo do të duhet kohë. Sidoqoftë, për momentin, të dyja anët duhet të fokusohen që t’u japin nxënësve dhe studentëve narrativa të paanshme dhe shumëperspektivëshe nga burime të shumta si dhe qasje në burime nga dëshmitarë dhe pjesëmarrës të tjerë në historinë e tyre të përbashkët.
Ju falenderoj të dyve shumë për informacionin mbi projektin!
Joana (Joanna) Hanson është historiane dhe drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së New Perspektiva në Kosovë.
Shkelzen Gashi punon si hulumtues i pavarur për OJQ të ndryshme. Ai ka kryer studimet në MA për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në kuadër të një programi të përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe Sarajevës. Ai monitoron vazhdimisht paraqitjen e historisë së Kosovës në librat shkollorë në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni dhe i ka publikuar në tri gjuhë rezultatet e hulumtimit të tij në vitin 2016. Shkelzeni ka kaluar një kohë pranë Institutit Georg Eckert në Braunschweig, Gjermani, ku ka bërë hulumtime dhe ka mësuar shkathtësi që lidhen me ballafaqimin me historinë në situata paskonflikti.