S’ka atdhe për të moshuarit

Katërmbëdhjetë vjet pas miratimit të Ligjit për Rehabilitim të vitit 2006, është ende e vështirë të gjesh gjykata kompetente në Serbi që nuk kanë nxjerrë vendime sipas këtij Ligji.[1] Mirëpo fokusi i veçantë i këtij artikulli është tek puna e Gjykatës së Qarkut në Shabac. Para së gjithash, Gjykata e Qarkut në Shabac ishte një nga më të zellshmet për të miratuar kërkesat për rehabilitim, së paku në vitet e para pas miratimit të ligjit. Gjykata e Qarkut në Shabac, në fakt, panelet e kryesuara në shumicën e rasteve nga Gjyqtari Gojko Llazarev, së paku në vitet e para pas miratimit të Ligjit për Rehabilitim të vitit 2006, janë veçanërisht interesante. Vetëm dy vjet pas miratimit të këtij Ligji, Gjyqtari Llazarev, bashkë me gazetarin Miroljub Mijushkoviq, botuan një libër të titulluar Nën çekanin e ideologjisë, një burim ky i vlefshëm për hulumtuesit e interesuar për praktikën gjyqësore. Ky libër jep informata të hollësishme për vendimet e marra në vitet 2006 dhe 2007 dhe se si autorët e tij e kanë kuptuar kontekstin historik në të cilin jepeshin dënime kundër personave për të cilët tani kërkohej rehabilitimi. Autorët e librit Llazarev dhe Mijushkoviq vëzhgojnë se: “teoria ligjore gjithashtu të çon tek Rezoluta 1096 për masat e shthurrjes së trashëgimisë së ish-sistemeve komuniste totalitare, e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 27 qershor 1996”. Ata theksojnë më tej se: “sipas kësaj Rezolute, procesi i shthurrjes do të mbështetet mbi parimet e demilitarizimit, decentralizimit, privatizimit dhe deburokratizimit” për të “ndërtuar shoqëri, institucione dhe individë të përgjegjshëm” “kryesisht përmes ligjit”. Llazarevi dhe Mijushkoviqi e kuptojnë se dispozita si këto ia kanë hapur derën miratimit të legjislacionit rehabilitues, jo vetëm në Serbi, por edhe në vende të tjera ku socializmi dhe regjimet komuniste kolapsuan vetëm pak më herët. Kjo Rezolutë dhe dokumenta të ngjashëm, të miratuar kryesisht nga institucionet evropiane, kanë shërbyer jo vetëm si bazë për delegjitimizimin e ‘ish-regjimeve’, por edhe për kriminalizimin shumë të pamatur dhe madje të rrezikshëm të regjimeve komuniste.

Më 7 dhjetor 2006, paneli i Gjykatës së Qarkut në Shabac, i kryesuar nga Gjyqtari Lazarev, miratoi vendimin që e miratonte kërkesën për rehabilitimin e “të ndjerit Pavle Kurtoviq, ish nga Shabaci, Rruga Karagjorgje 39,[2] lindur më 1887 nga babai Kosta Kurtoviq dhe nëna Danica, e lindur Piroshki.”[3] Ky vendim përcaktonte se “i ndjeri Pavle Kurtoviq u vra në Shabac më 27 tetor 1944, nga pjesëtarë të lëvizjes partizane, pa ndonjë vendim gjyqësor apo gjykim, për arsye ideologjike dhe politike, si viktimë e persekutimit dhe dhunës, dhe në këtë mënyrë e drejta e tij për jetë u shkel”. Duke lexuar vendimin për rehabilitimin e Pavle Kurtoviqit dhe arsyetimin në të, mund të arrihet në përfundimin se paneli i Gjyqtarit Lazarev pothuajse nuk kishte asnjë informatë të thelluar për rrjedhën e ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë pjesë të territorit të Serbisë së sotme dhe që ishte nën pushtim gjerman dhe përfshinte edhe Shabacin. Duke i privuar nga konteksti vitet e luftës: nga pushtimi, kolaboracionizmi, terrori në masë kundër popullsisë civile, rezistenca antifashiste, anëtarët e panelit që rehabilitoi Pavle Kurtoviqin zgjodhën interpretimin problematik të historisë së Serbisë dhe Shabacit gjatë Luftës së Dytë Botërore, më së paku. Një interpretim i tillë e sheh ardhjen e komunistëve në pushtet në vjeshtën e vitit 1944 ekskluzivisht përmes prizmit të atij që quhej ‘revolucion’ gjatë kohës së Jugosllavisë socialiste, ndërsa sot quhet ‘luftë civile’.

Gjykata paraqiti disa prova për të dëshmuar se Kurtoviqi nuk kishte dalë para gjyqit. Në mesin e provave të refuzuara nga Gjykata ishte komunikimi i Dhomës së Qarkut të Gjykatës Ushtarake të Trupave të Zonës Ushtarake të Serbisë Perëndimore, botuar në gazetën lokale Glas Podrinja, ku tregohej se Dhoma e kishte nxjerrë Kurtoviqin para gjyqit dhe e kishte dënuar me vdekje me pushkatim, me “humbje të përhershme të të drejtave të nderuara dhe me konfiskim të të gjithë pronës së armikut të popullit, Pavle Kurtoviq… sepse në vitin 1941, me nënshkrimin e tij të plotë, ai kishte raportuar tetë qytetarë të Shabacit në Gestapo, duke i cilësuar si komunistë”. Arsyeja që kjo provë nuk u mor parasysh është sepse Gjykata arriti në përfundimin se burri i cili ishte pushkatuar më 27 tetor 1944 nuk mund të kishte qenë i dënuar nga një gjykatë që ishte bërë funksionale dy muaj më vonë.

Dosja policore për Llazar Petroviqin, që ruhet në Fondin e Policisë Speciale të Qytetit të Beogradit pranë Arkivit Historik të Beogradit,[4] që nuk ishte marrë parasysh gjatë vendimit për rehabilitim, tregon një rol krejtësisht të ndryshëm të Pavle Kurtoviqit gjatë Luftës së Dytë Botërore. I pari nga dy grupe të dokumentave përmban dy dokumenta të klasifikuar në dosje, me titullin “Kurtoviq Paul, 14-22.8.1958”. Që të dy dokumentat janë krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, në gusht 1958. I pari është një letër nga Departamenti i Sigurisë Shtetërore të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kontesë së Shabacit që mban datën 14 gusht 1958. Në këtë letër, Departamenti i Sigurisë së Kontesë së Shabacit kërkon të dijë nga Sekretariati i Punëve të Brendshme Shtetërore të Republikës Popullore të Serbisë “nëse Kurtoviq Paul, farmacist, me adresën në Shabac, Rruga e Beogradit 39 gjatë luftës, [nuk ka të dhëna të tjera për të], ishte gjallë, ku ishte dhe çfarë bënte”. Ky dokument tregon më tej se kërkesa për informacion i është përcjellë instancës më të lartë sepse ndërkohë, Departamenti i Shabacit i Agjencisë së Sigurimit Shtetëror (DB) arriti të sigurojë, sikurse deklaron, “material kompromentues nga koha e pushtimit”. Shtatë ditë më vonë, Sekretariati i Shtetit u përgjigj se “personi i kërkuar Kurtoviq Pavle Pavel, farmacist nga Shabac, u pushkatua nga ne në vitin 1944 me rastin e çlirimit të Shabacit”. Materiali kompromentues nga koha e pushtimit që përmendet në letrën e Departamentit të Sigurisë së Shabacit është në fakt pjesë e grupit të dytë të dokumenteve që gjenden në dosjen e Dr. Llaza Petroviqit, që Policia Kolaboracioniste e Millan Nediqit ‘regjistroi’ në evidencë me komentin se ai “dyshohej si komunist nga Shabaci me rrethinë”, bashkë me gjashtë burra të tjerë: Gjura Ostojiqin, Ilija Rankoviqin, Rista Ukropinën, Petar Saviqin, Selimir Jevtiqin dhe Zhika Popoviqin. Dokumentat në dosjen e Dr. Llaza Petroviqit tregojnë se Policisë Speciale të Qytetit të Beogradit i ishte dërguar raporti nga agjenti i Gestapos me datën 16 shtator 1941, në bazë të komunikimit me informatorin e tij pak ditë më parë. Emri i informatorit ishte Paul Kurtoviq, në shtëpinë e të cilit “ai kishte qëndruar për disa javë” dhe i cili “lutej që emri i tij të trajtohej në mënyrë konfidenciale”. Është e qartë nga ky burim historik se në shtator 1941, informatori i policisë Pavle Paul Kurtoviqi kishte denoncuar gjatë bisedës së tij me agjentin policor gjerman emrat e plotë të tetë bashkëqytetarëve të tij: Dr. Llazar Petroviqin, Dr. Gjura Ostojiqin, Ilija Rankoviqin, Rista Ukropinën, Petar Saviqin, Selimir Jevtiqin, Zhika Popoviqin dhe Jovan Bllagojeviqin. Përveç tyre, ai kishte përmendur në deklaratën e tij edhe vajzën e Jovan Bllagojeviqit, Vera Bllagojeviqin.

Në intervistën e tij për të përditshmen Blic më 7 korrik 2016, po atë ditë që për vite me radhë festohet si Dita e Kryengritjes Serbe në Luftën e Dytë Botërore, Gjyqtari Llazarev, që gjithashtu ka rehabilituar edhe dy xhandarë të Policisë Kolaboracioniste Serbe të vrarë nga Zhikica Jovanoviq Shpanac më 7 korrik 1941, e njëjta polici që hapi dosjen për Dr. Llaza Petroviqin mbi bazën e informatës nga Pavle Kurtoviqi, tha: “Një hero i luftës më tha se ishte e turpshme që jam gjyqtar. Nuk reagova, sepse duhet kohë për ta pranuar të vërtetën”.[5] Ky hero i luftës, edhe pse i deklaruar si i tillë pas vdekjes, me rastin e Ditës së Kryengritjes Serbe më 7 korrik 1953, nuk ishte Vera Bllagojeviqi. Sot, Vera Bllagojeviqi, bashkë me aktet e saj heroike, është në të njëjtin vend ku rron ndërgjegja e shoqërisë serbe – në margjina të realitetit tonë shoqëror dhe politik. Më larg nga këto margjina janë vetëm institucionet e sistemit ligjor. Vras mendjen – deri kur?

Dr. Sanja Petroviq Todosijeviq

Bashkëpunëtore Hulumtuese pranë Institutit për Historinë e Vonshme të Serbisë, Beograd 

The full text could be found on the link.


[1] Pesë vjet pas miratimit të Ligjit për Rehabilitim, në vitin 2011 u miratua një ligj i plotësuar dhe i amenduar me të njëjtin emër.

[2] Gjatë LDB-së quhej Rruga e Beogradit.

[3] Teksti i vendimit dhe arsyetimit të vendimit që rehabiliton Pavle Kurtoviqin u botua në librin ‘Nën çekanin e ideologjisë’: Gojko Lazarev, Miroljub Mijushkoviq, Pod maljem ideologije, Shabac: Grafika Šabac, 2008, 24, 38–42.

[4] Istorijski arhiv Beograda, Uprava Grada Beograda, Specijalna policija IV-46/9-3, k. 286/4 Dosije Petrović Lazara

[5] https://ëëë.blic.rs/vesti/drustvo/kontroverze-sudija-koji-je-rehabilitovao-zandarme-iz-bele-crkve-zikica-spanac-7-jula/31ëz97l (accessed on 13 November 2020)