Kosova ka hartuar një strategji kombëtare për drejtësi tranzicionale për herë të parë në më shumë se dy dekada pas luftës, në përpjekje që të adresojë trashëgiminë e pazgjidhur të konfliktit në fund të viteve 90-të.
Edhe pse strategjia do të jetë gati për debat publik në shtator, mbeten ende pikëpyetje të mëdha se a do të mund të jenë efikasë shumica e mekanizmave që ka përfshirë ky dokument.
Kryeministri Albin Kurti e sheh këtë iniciativë si momentin e fundit për t’u përballur siç duhet me barrën e së kaluarës. “Është koha e fundit për të adresuar atë që ka ndodhur, për të drejtën për të vërtetën për viktimat dhe të mbijetuarit”.
Në zemër të kësaj strategjie është hulumtimi e dokumentimi, një gjë që krijon themelet e së drejtës “për të ditur”, si një nga shtyllat fundamentale të drejtësisë tranzicionale. “Ne duam ta mbledhim të gjithë informacionin që ka të bëjë me luftën, ta kthejmë në informacion zyrtar shtetëror dhe të krijojmë një narrativë për luftën”, thotë Baki Svirca, kreu i Divizionit të Drejtësisë Tranzicionale në Ministrinë e Drejtësisë, i cili ka drejtuar grupin e punës për hartimin e kësaj strategjie.
Me fushat që i ka përfshirë, strategjia në dukje është gjithëpërfshirëse, një dokument që përcakton objektivat strategjike. Ndërsa plani i veprimit, që ka përfshirë masat institucionale e ligjore për të adresuar elementet bazë të drejtësisë tranzicionale, duket goxha ambicioz.
Duke theksuar të drejtën për drejtësi, strategjia nënvizon se shteti i Kosovës e ka për detyrë ligjore t’i hetojë dhe t’i ndëshkojë autorët e krimeve, duke përfshirë krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe gjenocidin. Por nuk është përmendur ndonjë hap për të cilën ka pasur zotime se do ta padisin Serbinë për gjenocid.
“Në kuptimin e ngushtë të ndikimit, kjo strategji të paktën ofron shpresë për konsolidim dhe bashkërendim më të mirë ndërinstitucional në ballafaqimin me të kaluarën”, thotë Gëzim Visoka, profesor i asociuar i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Dublin City University në Irlandë.
Ai thotë se rezultati i kësaj strategjie do të varet nga “përmbushja e kërkesave të grupeve të prekura dhe mekanizmat zbatues të planit të veprimit”.
Nismat e mëparshme të drejtësisë tranzicionale, si Instituti për Krimet e Luftës, që u shfuqizua nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, një prej figurave të luftës guerile të Kosovës, dhe iniciativa për Komisionin për Vërtetën dhe Pajtimin e ish-Presidentit Hashim Thaçi, ishin me plot të meta.
Tani, strategjia ka përfshirë edhe rithemelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, që ka një rol qenësor në dëmshpërblimet për atë që kanë pësuar viktimat.
“Njohja e vuajtjes dhe përkrahja për viktimat, të cilësdo kohë dhe etnie qofshin, është qenësore për të provuar nëse ky proces do të jetë efikas”, thotë Marigona Shabiu, drejtoreshë e Youth Initiative for Human Rights.
Në gjurmët e një trashëgimie të fragmentuar e të ngjyrosur me personalizim politik, një strategji që i bie të zbatohet në dekadën e tretë pas luftës e ka zor t’i arrijë objektivat, në kohën kur gjenerata e të mbijetuarve po shkon duke u shuar.
“Për të pasur rezultat duhet të ketë shumë mobilizim institucional”, thotë Visoka.
Një tjetër aspekt i kësaj strategjie është lustracioni i zyrtarëve publikë. “Çështja e lustracionit nuk është e definuar mirë dhe mund të bëhet shkas i përçarjeve politike dhe të keqpërdoret për interesa partiake”, thotë Visoka.
Strategjia ka përfshirë në letër disa nga çështjet esenciale për një proces të drejtësisë tranzionale, por disa prej tyre do të mund të jenë ndërtime pa themel për shkak të dëmeve të pariparueshme të krijuara nga koha që ka kaluar.
Kosova nuk ka arkiva zyrtare të luftës, as dokumente, as gjëra që u përkasin viktimave. Shumica janë në duar të organizatave të shoqërisë civile dhe individëve.
Në një atmosferë të polarizuar politike rreth së kaluarës dhe me një narrativë që dominon diskursin e “heronjve dhe abstenuesve”, sinjalet duken të dobëta për ndonjë konsensus të mjaftueshëm politik që shmang një nismë pothuajse monoetnike.
Serbët e Kosovës ka gjasa t’i refuzojnë mekanizmat e kësaj strategjie ose nuk do të pajtohen për periudhën kohore, viktimat dhe aspektin historik të saj. Shumë nga ata e dinë se duhet të pajtohen me përmasat e mizorive të kryera “në emër të tyre”.
“Kjo strategji nuk duhet të shndërrohet një fushëbetejë e përkeqësimit të raporteve etnike”, thotë Visoka.
Në Kosovë, ku shumica shqiptare dhe pakica serbe kanë narrativa krejtësisht të ndryshme për atë që ndodhur gjatë luftës dhe tensionet nuk janë asnjëherë larg sipërfaqes, pajtimi ndëretnik është ende i largët.
Në aspektin penal, rastet e krimeve të luftës janë gjykuar nga gjykata e OKB-së në Hagë, nga misionet e OKB-së dhe BE-së në Kosovë dhe nga gjykatat vendase. Por ato nuk arritën ta ndihmojnë aq pajtimin.
Gjasat ende duken të pakta nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës, gjykata hibride, në Hagë do të arrijnë më shumë.
Më e vështira do të jetë që kjo strategji të sigurojë që mekanizmat e saj të mos bien ndesh me misionin e Tribunalit Penal për Ish-Jugosllavinë dhe Gjykatën Speciale të vendosur në Hagë.
Efektiviteti i saj varet se sa do të reflektojë mbi një mekanizëm pajtimi që e plotëson punën e gjykatave dhe kontribuon në rindërtimin e besimit, pa të cilin një paqe e qëndrueshme është pothuajse e pamundur.