Mbrëmjen e 21 prillit 1999 në Fushë Kosovë zbarkon nga treni një grup paramilitarësh të ardhur nga Serbia. Të veshur zi, të armatosur dhe të maskuar, u hyjnë shtëpive në të cilat jetojnë pjesëtarë të ndryshëm nga familja e gjerë Mirena, nga të cilat tubojnë jo më pak se gjashtëmbëdhjetë burra – vëllezër, djem axhallarësh dhe bij të tyre.
Gratë e mbetura me fëmijë terrorizohen fill mandej nga vetë fqinjët e tyre serbë, në mënyrë që të detyrohen ta lëshojnë vendin. Shtëpitë plaçkiten dhe më vonë digjen. E mbetur me katër fëmijë, Fetije Mirena, e shoqja e Nezirit të rrëmbyer atë ditë, rrëfen vuajtjet e saj të shumta gjatë dhe pas luftës.
Në vitin 2006 gjenden në Serbi mbetjet trupore të Nezirit dhe të të gjithë burrave të rrëmbyer me të. As varrosja e eshtrave nuk ia vë kapakun tragjedisë familjare.
Fetije Mirena: Rrëfimi në vetën e parë
Quhem Fetije Mirena, kam lindë në fshatin Strovc të Vushtrrisë, në nji familje shumë t’mirë. E kom pasë babën, nanën, dy vllazën, jemi konë katër motra. Shkollën fillore e kom kry n’Strovc. Të mesmen s’kom mujtë m’e vazhdu se si vajza s’na kanë lanë prindët me shku. Qashtu o konë katuneve. Kom pasë qef si krejt tjerat me shku, po qashtu i kena pasë rrethanat, s’kena mujtë. E kena pasë katunin aty të Prelluzhës me shkije. N’Vushtrri s’kemi pasë kurrfarë rruge për me udhëtu si çika. U dashke me dalë nji orë në kamë deri te treni n’Prelluzhë e krejt nji grup çikash s’na kanë lanë. Edhe vezhbën e kom krye n’Mitrovicë. Na kanë thirrë serbët në vezhbe, jom konë gjashtë javë n’Mitrovicë, na kanë çu n’Shipol e nëpër katune masandej.
Edhe pse nuk jom konë n’shkollë, ishim plot kusherina e kemi kalu shumë mirë, jemi dalë nëpër mahallë, e kena pasë familjen shumë t’shnoshë. Ishim diku shtatë-tetë çika t’nji moshe që s’na kanë lanë m’u shkollu, mirëpo mas neve tani ndërruen pak kohnat, e motrat e mia i kanë lanë. Mirë e kena pasë, kemi dalë nëpër shoqe, nëpër dasma. Na n’katunin tonë kena kalu shumë mirë.
Jam feju me Nezir Mirenën. Baba e ka njoftë familjen e tij pak. Unë hallën e kom pasë t’martume n’familjen e tyne n’Hade. Familja e burrit moti ishin konë dalë n’Fushë Kosovë. Me burrin jemi pa te halla, po kur jemi feju ai nuk o konë këtu. O konë ushtar, në Pozharevac të Sërbisë m’doket. T’fejuem kena nejtë nji vjet. Shtatë muej masi jena feju ai o kthy prej ushtrie e n’krye të tre muejve jena martu.
Te baba jem kom bo kanagjeç, me drekë e me tana. Kena thirrë burra, gra, e kemi kry shumë mirë kanagjeçin. Krushqit jonë ardhë, m’kanë marrë me kerre, me autobus, ka pasë shumë. Jonë konë familje shumë e mirë, krejt t’shkolluem. Edhe kur jom ardhë te burri, m’kanë pritë mirë. Ditë e dielle o konë kur jom ardhë, t’hanën qysh e kemi adetin, kemi pasë nji ditë e grave, jena tubu, shumë mirë kena kalu. Data kur jom martu i ka ra 28 shtator 1986. Në vitin ’87 m’ka lindë djali, me 10 shtator, pak pa e ba nji vjet te burri. Masanej m’ka lindë vajza tjetër në krye të dy vjetëve të djalit. Vajza tjetër mas gjashtë vjetësh t’kësaj vajzës, e djali tjetër mas dy vjetësh t’vajzës vogël. D.m.th i kom dy vajza e dy djem.
Na e kemi pasë kojshi nji shka, që e ka pasë nji djalë mas shtatë çikave. Unë e kom majtë nji lopë e vike ai me marrë qumështin. Më thojke: “S’po ia ndërroj qumshtin djalit, veç prej juve p’e marr gjithë”. Qëllon baba jem këtu, rahmet i pasë shpirti, kur erdh niherë ai shkau, e m’tha: “Çka lypi babës ky n’oborr?”. I thashë: “O babë, vjen e merr qumështin se e ka nji djalë”. M’tha: “Kqyre, po ta len baba nji amanet: kurrë shkaut besë mos i nxin. E rrit me bukën tande edhe ma së mrami t’vjen e t’vran si rrufeja. Maje n’men qetë fjalë që po ta thom”. Fjalët e plakut i shtina n’kry edhe pse isha e re, e s’ma kapke menja.
Po masanej kur i çojshim fëmijët te mjeku, shumë keq na pritshin nëpër Fushë Kosovë mjekët serbë me fjalë, na nënçmojshin. Jo qysh po i çoni fëmijët ngryk, jo ju s’i keni kushtet, jo kështu, jo ashtu. E shtatë ditë pa nisë lufta te Jasharët, vjehrri neve na pati dekë, e katër ditë përpara na edhe t’pamen e nalëm, se vijshin shumë njerëz, e shkijet kqyrshin pse po na shumohen kerret. E kena hekurudhën afër, e prej Beogradi vijshin shkijet ksajde, plot vagonat me njerëz tu i çu ka tre gishta, edhe e nalëm t’pamen se u tutshim.
Burrat kanë punu krejt n’KEK, me kunetë e me t’mixhallarëve, burri jem e krejt. Nja katër ditë pa na i marrë burrat, nji shpie t’mixhës n’fillim të mahallës, i kanë hi kojshia shkije qi i kena pasë, i kanë shtri për toke krejt e iu kanë thanë: “Ja keni me qitë çka keni pare e dukat, ja po jau marrim Fatlumin”, djalin e hasretit. Këtu jonë konë nji vlla qi s’ka pasë fëmijë hiç, tjetri qi i ka pasë dy djem e nji çikë, edhe ky qi ia kanë kapë djalin e hastretit. Edhe këta, krejt çka kanë pasë n’dy shpitë, tri gratë me dukat e me pare ia kanë dhanë, veç me jau lëshu djalin. Unë vetë i kom pa ma vonë ata shkije kah ikin, krejt e kishin pasë kryet t’qethun si me kryqa. Po, pa maska, jonë konë civilë. Masi ndodhi ajo, iu thamë burrave: “Hajde t’dalim!” Po ku me dalë? Krejt Fusha Kosova as harxh, as nji paqetë cigare, kurrgjo s’guxojshim me dalë me ble.
U nalën edhe prej KEK-ut, s’mujshin me shku n’punë, se na e vrajtën djalin e mixhës me 24 mars ’99. Ai o konë tuj punu n’Entin Social n’Prishtinë. Unë e kisha djalin e vogël shumë smutë. Ishim tuj u kthy pi ambulante, e i thashë burrit me marrë do miell se kish nisë kriza. U afrue njifarë shkine edhe na bani burrit e mu: “Kapeni djalin; ikni, ikni, ikni!”. E burri jem qaq e ngrijti kryet, tha: “Pse me ikë? Çka ju kom ba? Unë jom hi n’shitore!” O konë njifarë shitore e madhe n’stacion të trenit, tha: “Po du me marrë do miell, pse me ikë?” Ajo i tha: “Unë po t’thom vllau jem, kapi gru e fëmijë, ik shko n’shpi”. Ai e koçiti kryet, unë i thashë: “Hajde e marrim djalin e ecim!”.
Kur erdhëm këtu, hala s’jena hi mirë, kanë kërsitë nja tri krisma. Vjen vllau i burrit, thotë: “Vallahi dikon e vranë, nuk osht puna mirë hiç.” Ai djali i mixhës ish konë ardhë me taksi. E kishin pasë vra taksistin edhe qatë kusherinin tonë. Bile osht pllakata e atij kusherinit aty, Mehdi Mirena. Qaty ia nisi edhe na s’kena ditë atë natë hiç as ku osht, se s’guxojshin as me dalë me kqyrë. Kur gruen e vet kah akshami p’e veti: “A o’ ardhë baci Mehdi?” Tha: “Jo, nuk di çka o bo, s’osht ardhë prej pune”. Atë natë s’kanë guxu me shku me kqyrë, t’nesrit jon çu para sabahit, jonë shku kanë kqyrë, trupi i tij aty edhe qai taksisti i Fushë Kosovës, të dytë nën urë i kishin gjujtë. Kerrin e kishin marrë. E kena marrë atë kusherinin, e kanë vorrosë jo te vorret tona, po n’Kryshevc e kanë çu. Prej atij na jena munu me majtë t’pame këtu, po ku t’pame? NATO-ja iu ra qatë natë qi e kanë vra, e mo nuk mujshim. Ia nisëm t’pame me çelë, ia nisën pak mahalla me ardhë, prap vishin sa mujshin shkijet me trena tu piskatë: “Serbia, Serbia, Serbia”. E ndërprejtem na.
Mas nji mueji të këtyne, hinën e na i morën burrat. 21 prill ’99 o konë data, kurrë s’e harroj. Atë ditë jom shku me mjelë lopën me gjithë burrë. E kena pasë qenin lidhë edhe tuj ardhë unë, ai met me e rahatu, se o konë n’punë, po mo nji muj ditë s’guxuen as me shku asnjoni. E kom pasë qetu n’oborr bunarin edhe e lëshova kantën masi e mjela lopën, se p’e shoh hekurudhën krejt zi u ba. Dy kamiona u nalën n’anë t’hekurudhës, e jonë zhdrypë ata, krejt tesha të zeza e me maska, ka nji shirit t’gjelbërt në krah secili. I kom piskatë burrit, thashë: “U nxi hekurudha, çka jonë ata nuk e di”. Krejt ishin shtri n’atë anë, veç kryet e çojshin përpjetë. Thashë: “Ika unë te fëmija, ti ik dikah, mos hi mrena”. Ai m’tha me kambëngulje: “Jo, unë fëminë s’muj me e lanë kurrë”. E hinëm mrena.
Kanë qitë prej hekurudhe. Kunati jem, Nazif Mirena, s’ka ndie mirë. Kurrë s’e harroj, ata ia bonën: “Nalu!”, ai hiç. Ai s’ndiu mirë edhe e gjujtën prej hekurudhës, e plagosën n’oborr. Veç kur i kanë hi shpisë t’mixhës krejt anej. I morën dy djemtë e mixhës, jonë konë tre me nji motër se prindët i shkuen n’Gjermani. Prej aty hinë e kapin kunatin e madh, Nazifin. Gruja e tij o konë tu i pastru fëmijët n’banjo. Aksham ish, 7 e gjysë n’mramje. E kapin Nazifin t’plagostë, tjetrin kunat, Hakifin, e marrin. O ardhë o hi këtu: “O Nezir o vëlla dil, dil se veç jonë ardhë me na kqyrë a jena vendas këtu a jena refugjatë”. Unë e kisha katin e dytë t’pabomë meremet, i thom: “Ik hyp nalt!” Tha: “Jo!”. Djalin e madh e kisha 11 vjeç. Tha: “Nuk guxoj se na e marrin djalin, ma mirë vetë po dal po dorëzohna”.
I tubuen krejt burrat. Kur e morën burrin tem, hini deri këtu ai shkau me maskë, piskatën fëmija t’katrit n’kupë t’qiellit e burri më tha: “Veç kthejau fëmijëve shpinën knej”. Kur e panë kunatin tem të plagosun, burrit tem pak pa hi shkijet këtu i ra t’ligët, unë nga me i qitë ujë, piskat fëmija. Kur u çu n’kamë t’veta, e kapën ata dy vetë, e shtinën n’shpi mrena, pi shpisë e nxorën prap. Po vjen Hakifi. Shkau p’i thotë: “Hajde ec me dalë!” Ky thotë: “A me gru e fëmijë?” I thotë: “Jo, veç burrat jena tu i tubu”. Iu flug djali përmas tu piskatë: “Babi, babi”, edhe veç e kom kapë djalin për dore, e kom shti mrena. Edhe ai ma bojke: “Kape djalin, hiqma prej kamëve”.
Doli jashtë masanej vajza, Enkeleda, ta rroki babën e vet për kame, piskat e piskat e piskat. E ngrehën çikën shkijet me zor, ia hoqën dikur, se për kame e kish kapë e nuk e lëshojke. Unë i thojsha: “Hajde me nanën, hin mrena, se babin veç kanë me e vetë diçka e ka m’u kthy”. Ajo zhag deri jashtë n’shkallë mas babës së vet. Nuk kish kush që ia hjek çikën. Kur e kapi shkau, “nebojse”, mos u tut po i thotë çikës, tu ia lëmu flokët. Qaty i kanë marrë të gjashtëmdhetit, këtu të mahallës, i kanë renditë. Unë e mora djalin e vogël, e qita jashtë kishe me kry nevojën, veç dojsha me i kqyrë. Ata dikun nizet vetë, po s’i kuptojsha serbisht çka iu thojshin këtyne tonëve.
Djalin e kunatit, Safetin, ish 16 vjeç djali, shitke cigare, e dike serbishten, e patën renditë aty të shtatëmdhetin për me marrë. Veç kur i nisën e i qitën mas hekurudhës, baba i vet Hakifi, iu bërtiti: “Kthejeni, se ky osht fëmijë e nuk din kurrgjo”. E djali krejt serbishten tu e ditë. Për dritare e kom Safetin teposhtë tu u kthy. Po kur erdh, qaq ish hupë, e tu kajtë e tu piskatë n’kupë të qiellit, tha: “Krejt i kom ndie çka iu kanë thanë”. Ia kishin bo: “Mos e kthe kryet se qaty të korrim e të lojmë”.
Erdh djali, kurrë s’e harroj, se ma vonë e shkrujti datën kur na i kanë marrë, se luftë. Na jena tubu krejt gratë, e kaj, e piskat. “Po çka t’thanë o Safet?” Tha: “O, ju nuk e dini, po burrat s’kanë m’u kthy ma kurrë”. Na kujtuem qi veç i morën n’stacion, se nji kunatë e Kaçanikut e dike serbishten, tha: “Veç p’i marrin, p’i çojnë n’stacion, e i kthejnë”.
U bo natë mo, na tubue krejt n’shpi teme me kunatat çka janë konë ma nalt hekurudhës. Prit që po kthehen, s’ka. Kaj fëmija, piskat; na u munojshim me i mashtru. T’drejtën me thanë qatë natë, çikën teme Gentianën, prej nervoze e kom kapë e kom gjujtë për kauçi, se veç piskat e piskat. E qatë natë nuk u kthyen burrat.
Çohet nji plakë, o dekë tash, shkon me kunatën e Kaçanikut n’sabah me vetë nji shka, se ngat i kena pasë, thotë: “Aman, ju kena pasë kojshi gjithë edhe gjithë e kena kalu mirë. A e dini ku i kanë çu?”. Katër djem qasaj plake ia kanë marrë. Qatë Mehdiun e kanë vra ma herët, tre ia morën atë ditë. Kur u kthyen, iu kish thanë shkau: “Ju kapini fëmijët edhe dilni, therjani për Shqipni, se këtu s’keni kurrgjo mo, na s’dijna kush jua ka marrë burrat”. I ka thanë: “Ju si kojshi muneni me shku me kqyrë n’stacion t’policisë, bile ta dijna ku i kanë çu. A i kanë vra a ku i kanë lanë?”. Po hiç, u kthy plaka tuj kajtë.
N’orën 3, erdh nji shka, kojshi e kena pasë, me allti n’kuk, na hini tonave, tha: “Kapni fëminë, se ju mo burra s’keni! Shkoni n’Shqipni a n’Maqedoni, a kah t’doni!” Kojshi e kena pasë. Edhe u çuem na tana gratë e çikat. Çikave jau lidhëm ka nji shami nër fyt se plot stacioni i trenit o konë me njerëz. Na s’e kem’ larg stacionin; për 15-20 minuta mrrijmë në kamë. Njana pi çikave t’reja e kapi nji fëmijë temin, njona njà t’kunatave, që me mendu që jonë gra e jo çika, mos me na i da shkijet e me na i marrë. U nisëm e dolëm te stacioni i trenit. Kur dolëm, erdh nji shka civil, po me automat n’krah, edhe u afru, tha: “Çka jeni ardhë ju këtu?” Foli kunata, po i thotë: “Po dalim, na kanë qitë prej shpije, po shkojna”. I thotë: “S’keni ku me shku ju sonte. Largonu se tren nuk ka për Shkup as për kurrkun. Kapni fëmijët, mos rrini këtu se sonte ka m’i ra stacionit NATO-ja”.
Nejtëm tri orë ulë n’beton me fëmijë, prite trenin, s’ka kurrgjo. Erdh tani nji tjetër, tha: “Unë po ju njoh kush jeni. Kapini fëmijët, se sonte këtu kanë me ju gri e me ju lanë n’ven me gjithë fëmijë”. E t’i kapim fëmijët e kthehemi në shpi. Kur vijmë, s’kishim ku me hi këtu. Kojshitë shkije që i kena pasë, e magjupët, i kishin thy me dyer e me dritare, kishin marrë me televizora, me shporeta, me çka kena pasë pasuni. Për tri orë qysh e kishin çferrë krejt këtë mahallë.
Nisën fëmija kaj e piskat. Vjehrrën e kisha gjallë, e ajo mërzitu. Merr kunata me ia kthye nji trohë bukë. Djali i vogël, e kom pasë tre vjeç, nisi me kajtë, e qita n’beshik. Tu e përkundë n’djep, kur po thonë: “Erdh nji kerr”. U çu djali prej gjumi. Ia kishin marrë djalit t’mixhës kerrin, nifar Zorani me djalë t’vetin. Ai me kat tesha edhe me automat në krah, e djali i vet nji kantë t’benzinit n’dorë. Mue me katër fëmijë, kunatën teme Shemsien me tre djemtë e saj, qatë Safetin qi i pshtoi atyne të parëve, edhe dy djem tjerë, na kanë pshtetë te muri i shupës ku e kena pasë shpinë e vjetër. Edhe na tha: ‘Ju paskeni pshtu a?” Safetit iu turrën: “E ti, paske pshtu prej tyne a?” Se veç ky na met, djalë 16 vjeç. Tha: “Ju s’keni mo këtu çka rrini. Pse s’jeni dalë n’Shqipni? Ju Shqipninë p’e doni. Shkoni n’Shqipni”.
Na renditi neve krejt, mu me gjithë kunatën. Qetë Safetin po merr me na e vra. Kom piskatë unë: “Oj inxhja Shemë, kapi fëmijët ngat veti”. E i kom marrë t’katërtit t’mitë, i kom afru fëminë, thashë: “Vramë me fmi e me krejt. S’i lo unë fëmijët tonë kurrë me lujtë ju me ta; me na i hangër masanej qentë e arave”. M’tha: “Hiqi fëminë!”. I thashë: “Jo, kurrë!” Po, u ligështova përnjiherë, e u ula për mos m’u rrëzu, fëmijëve u thashë: “Rrini këtu ngat nanës!”. Piskatshin n’kupë t’qiellit. Del kunata e Kaçanikut prej korridorit të vet, që ish konë tu i dhanë vjehrrës bukë atje edhe fëmijës së vet t’vogël. E t’i kthehet atij Zoranit serbisht: “S’po ju vjen marre, kojshi jeni qetu, le e rritë bashkë me nji ven, e me ardhë me i kallë fëminë e gratë”.
U kthy, e heki automatin pi krahut, e djali i vet ma bani: “Për nji minutë m’i kapë fëmijët e çka keni, ikni shkoni kah të doni”. E kom pasë n’ahër lopën, kunata i pati pru dy lopë prej përtej hekurudhës se s’guxojke m’i majtë aty. Une kom hi mrena, kom menu që fëmija m’kanë ikë, për me vazhdu livadheve e me dalë kah Kryshevci. Qaq më hupi fiqiri, kom menu që e kom djalin lidhë n’djep. E kom kapë djepin thatë, e kur jom dalë n’oborr, m’tha shkau: “Lëshoje djepin, e hin zgidhi lopët prej ahrit, qiti jashtë”. Kur hina, ai shkau e nxori nji thikë fort të madhe edhe ma bani: “Zgidhi!”. “Po, a p’e sheh që s’po muj?” i thashë, se kcejshin gjaja sa mujshin. Tha: “Dil ti!”. Aty ma hupa, se thashë me veti: “Qetash ka me ma hekë kryet e me m’lanë qetu”.
Qeni lehke pa u nalë. E ka nxerrë automatin, e t’e ka vra qenin n’kolibë. Bile e kom rujtë atë hallkën e qenit. Fëmija nisën me piskatë, kujtojshin jau vrajti nanën. Ma bani: “Dil jashtë!”. E hin t’jau pren lopëve vorrmet me atë thikë, e të dalin lopët nëpër ara, e qit ai me automat, me i shpërnda livadheve. Ikin tana gratë, po kthehet nji re e kunatit, e i thom: “O rri me mu, se po dojnë me m’lanë mentë”. S’më lejke me shku ai mu. Thashë: “Dojnë me m’lanë mentë, du me lujtë, s’po di as kah shkuen fëmija”. Se t’hup vetëdija krejt n’aso rastesh. Veç ma ka bo: “Ecni ju!”. Mo s’kena kqyrë, kur dola ia ngjita beshikut se menojsha qi djalin e kisha n’djep. Kur dal, p’e shoh çikën teme. E vogël o konë, 8 vjet e gjysë, e kish marrë djalin n’shpinë, e më thotë: “Oj nanë hajde, se kqyr djalin ku e kom”. E lëshova djepin.
Jena dalë atë natë n’Kryshevc, kena nejtë nja pesë ditë, mezi që na kanë majtë. Thojshin: “Jo s’po guxojna me majtë refugjatë”. Jena çu e jena kthy, i kena kqyrë shpijat, tu majtë ymyt qi po na i lëshojnë burrat. Dy herë jena kthye gratë, qashtu jena hi tuj kqyrë.
Mixhën e burrit këtu e kanë pasë lanë rejat, s’kanë mujtë me e marrë, se o konë i paralizuem krejt. Kur jena ardhë t’nesrit, e kishin marrë mixhën e burrit prej shpisë së vet e kishin pru n’shpi të Mehdi Mirenës, e kishin shti n’sallon edhe e kishin deshë, me nderë me thonë, cipridon cullak plakun. E kishin kapë shkijet e magjuptë e ia kishin shti edhe qenin mrena. S’e kish pasë prekë qeni, se e kanë pasë qen t’shpisë. Kur e ka çelë çika e tij derën, i ka ra qeni n’gjoks çikës. Kur e ka pa babën e vet aty çika o tmerru, 19 vjet i ka pasë. Ka piskatë n’kupë t’qiellit, e kemi nga na. Mixhën e kishin pasë lanë qashtu me qëllim, për m’e hongër qeni, ia kishin mshelë derën, që kur s’ka çka han qeni, e han plakun kadaldal. Ai ish pasë habitë, veç bojke “Aaauuuuu!” sa mujke, se as me folë s’ka mujtë, i paralizuem, i palëvizshëm.
Ia pshtollëm nji plaf e t’e qesim, po s’gjojshim as me çka me marrë niherë. Katër veta s’mujshim, se o konë i madh e s’mujshim me plaf me kapë me qitë. Dalim, e tuj kqyrë e gjojmë nji kolicë t’plehut, e qesim aty mixhën e ngutemi me ikë masi e gjetëm gjallë, e çuem n’Kryshevc. Kryshevcin e kena ngat. Aty edhe dy ditë nejtëm. Ata: “Jo s’kem qef me majtë refugjatë, se qe po na vijnë edhe neve shkijet e Obiliqit, policia”.
E vendosëm nji sabah m’e dalë. Vike treni prej Beogradi, hypim na n’tren këtu e drejt dalim te Bllaca. Aty kur dolëm, na zhdrypën prej trenit shkijet, ushtarë a çka ishin nuk e di. Na shtinë me ecë nëpër dofarë bërllogu me fëmijë. Nji gru aty m’i qiti dy bukë t’mdhaja e do djathë ma dha me veti, se tha: “Të desin fëmija uni”.
E t’m’u ajt dora, t’m’u bo brumë, se djalin e vogël, çikën pesë vjeç, të tjerët, njoni dhetë vjeç e gjysë, tjetra çikë tetë e gjysë. E zor me katër fëmijë, se kush pa ndihmue, gjithkush kqyrke me ikë për veti. Do tesha u duhke me jau majtë se katër fëmijë. Tue ecë nëpër bërllog, djalit t’madh t’mi hin nji xham n’kamë nëpër këpucë. Djali: “Oj kuku nanë!” e unë: “Ec mos bo za! Ecni mos boni za!”. Mas gjashtë muejve atë xham ia kom nxjerrë djalit prej kame n’Prishtinë kur jom kthy, e atje s’e kom ditë mo, se djali s’e përmendke.
E dalim, na qesin qashtu sikur gjanë tu na çu, kena pritë e na kanë qitë n’Stankovec. Kqyr që po marrim vesh diçka për burra s’ka. Vijshin do prej burgjeve që i lëshojshin vetë, po për ta kurrkush kurrgjo. N’Stankovec nejtëm dy muej, deri n’qershor. N’Australi m’lutën me dalë me fëmijë, po krejt fëmijët e vogjël, e u tutsha atëherë. O konë koha që na gratë nuk ishim fort t’civilizume, se kujt ia përmendsha, m’thojshin: “Australia larg Evropës osht, shkon e hup me gjithë fëmijë”. Tanë fëmijët të vogjël. Kur e ki nji mashkull osht ndryshe. Do kunata u shpërndanë n’Gjermani te djemtë, na metëm kurrqysh hiç. Refuzova se s’guxova me dalë n’Australi edhe m’u desht m’u kthy.
Kur jena kthy, s’ke pasë çka me ardhë. Shpinë e pata gjetë shkret. Deri edhe çeshmet të prishta, krejt shpia e kalltë. Dy vjet kish qi kishim hi n’tà, po ish konë shkrum krejt. Edhe shpia tjetër e kalltë anej, e kena rrëzu masanej atë shpi. N’oborr rrafsh dy metra bari ish rritë e s’kisha as ku m’i shti fëmijët kur na kthyn me autobus prej Stankovecit.
S’kisha ku me shku, na thanë: “Po ju çojmë, jonë dofarë vene kah Gërmia”. E kom kunatin n’Dardani, thashë: “Çomni qaty”, se s’disha as kah me shkue. Shkova te kunati, ai familjen e vet, unë, dy kunata tjera me fëmijë që ishin kthy para meje. Kur shkova, nejta nja 2-3 ditë aty edhe i thashë kunatit, se veç qai kunat na ka pshtu: “Bac, po du me shku me kqyrë shpinë”. Thotë: “S’ki bre çka me shku”. Thashë: “Vallahi, du me shku”. Edhe djali i madh m’u tek. Kur vimë s’kishe ku me hi, sa shkret o konë, kalltë, shkrum, çeshmet u derdhshin, e kish pasë marrë uji shpinë n’tana anët, s’kishe çka me pa këtu.
Shkova te nji kusheri, u hoqëm prej kunatit e na lëshuen nji banesë, e shkaut ish konë. U bonëm tri kunatat me nji banesë, aty me tre palë fëmijë veç me u tranu: katër t’mitë, katër të Sherifes, tre të Shemsisë, në nji banesë me dy dhoma. Edhe metëm na, njimëdhetë fëmijë e tri gra n’atë banesë. Ma shtyn djali i kunatës djalin e vogël e t’i bjen termoja ish konë aty, e t’ia çan kryet. Jena konë bash te ndihma e shpejtë. S’kishe çka me pa mas termos së tyne, diku nja 7-8 automata ishin konë, po i kena hekë prej shpije, jau ka dorëzu kunata KFOR-it. E çoj une në ndihmë t’shpejtë djalin. Më thonë: “Menjirend për spital”. E çun me kerr të tyne, e kepën djalin, ai piskatke: “O babi, o babi”. Nji mjek ish konë i Bellaqevcit, i tha: “A ma shumë e don babin a mamin?”. I thashë: “O, babin s’e din hiç ku e ka. Na i kanë marrë n’luftë e s’po dijna kah e kanë çu”. Tha: “Qysh bre motër s’po dini?” Thotë: “Unë jom i Bellaqevcit, e burrat e juj i kanë vra të gjashtëmdhetit n’Pomozotin”. Thashë: “Jo mor!”. Thotë: “Po vallahi, qysh s’e dini?”. Thashë: “Vallahi nuk e dijna, nashta e din kunati jem, po neve si gra s’na kanë kallxu”.
E marr djalin unë tu kajtë, e shkoj n’Breg t’Diellit, te daja i burrit, i thom: “O daja Kamer, a e din a na i kanë vra burrat, a jonë gjallë?”. I kallxova çka m’tha doktori qi ia kepi djalit kryet. Tha: “O dajës, vallahi o gjetë nji leje e punës e Elmisë. Nja 16-17 vorre ishin çelë n’Pomozotin. Do sheja jonë gjetë, po nuk po dojna me ju kallxu niherë se s’po mujna me ditë saktë e s’po dojna me ju idhnu”. Tha: “Kjo luftë osht dajës, nuk i dihet, noshta edhe jonë gjallë”. E si e re, i besova, 30-vjeçare jom konë. I besova.
Erdh nana e resë së dajës t’burrit, i thashë: “Kqyrni a ka naj banesë bile dej ta boj pak shpinë, se s’po kom as ku shkoj me fëmijë”. E më thotë: “Veç a je e zoja, se veç o dalë shkau, që je e zoja me ardhë me e nxanë nji banesë, hajde”. I thom: “Qysh me shku me nxanë oj grue vetë?”. E vijnë tani dy t’UÇK-së, ata ma bonën. Ishin konë dy dyer t’banesës, edhe e thyen atë tjetrën derë e m’shtinën me fëmijë mu.
E i marr fëmijët i shti aty, po i kallxojnë kojshia shkaut n’Beograd. E t’çohet shkina t’nesrit vjen, kur vjen thotë: “Çka lyp ti këtu? Unë korrkon as s’e kom vra, as…” Thashë: “E di që ti s’ma ke vra burrin, po s’kom ku rri, jom metë rrugëve”. E shkina me KFOR kish ardhë veç me më qitë. “Dil!”, më tha. Thashë: “S’kom ku shkoj, po unë s’po t’preki ty, as ti mos më prek mu. S’kom ku i qes unë katër fëmijë, veç me flejtë rrugëve”. Thashë: “Unë s’po ta nxo për krejt, as s’po ta marr, po dej të m’bohet nji zgjidhje n’shpi. Ti qetu e ki banesën, ki me ardhë me marrë, unë s’po ta nxo për gjithë. E kom sa me shti kryet me qeta fëmijë se s’po di ku e kom burrin”.
Qatë natë shkina nejti nji dhomë tjetër. Nuk flejti kurrë as ajo, e as unë prej marakut. Plot kuzhina thika, thojsha po çohet natën e po m’i ther fëmijët. E kojshia e kishin pasë lajmëru, jo pse kjo e paska burrin jashtë, veç qëllimin e kishin pasë shqiptarët me e marrë atë banesë vetë. Nejti shkina qatë natë, t’nesrit erdh’ nji shkinë tjetër, ish konë e martume për shqiptar, e e dike shqipen shumë mirë, e m’përkthejke. I thashë: “As s’e kom nijet me ble, as s’e kom nijet me nejtë gjithë, se sendi i huj i jemi kurrë s’bahet”. I thashë qi e kom shpinë, e kom tokën, po s’kom ku me shku se shkrum i kom krejt. Burrin nuk e kom, i thashë, e s’kom ndihmë prej kurrkuj. Vllaznit të dy nëpër Shqipni, asnjanin s’i pata këtu. S’më ka pshtu kurrkush, i thashë, për me m’nimue. Ia bona: “Kur të vijë shansa me shitë, shite banesën se edhe unë noshta e ndreqi shpinë e boj diçka. Na nimon dikush”. Kjo tjetra, kojshikja, i tha: “Le këtë gru, se unë jom qetu edhe e shoh ça bon kjo”. Edhe masi erdh me KFOR-in, ata i thanë të nesrit t’çojna nji vend ku i çojshin gratë e fëmijët. E kur vijnë KFOR-i t’nestrit, dul shkina tha: “Jo, unë po shkoj për Beograd, pe lo këtë gruen, veç banesën mos guxo me ma shitë”. I thashë: “Besën po ta jap që veç po rri me qeta fëmijë deri t’ia boj vetit nji zgjidhje n’shpi teme”.
Shkoi shkina, kur erdh apet mas nji jave me gjithë shkaun. E kish marrë nji kamion e i hoq krejt senet, me tepiha me hiç kurrgjo nuk la. Kur duel prej atyhit krejt, e nji vlla i jemi i nimoi me i zhdjergë krejt senet, thashë: “Nashtë le t’i hekë, n’syngjera flej me fëmijë, veç me pasë m’u strehu dikun”. As s’kisha shporet, as nji resho, as kurrgjo bre fëmijëve nji haje me jau bo, hiç. KFOR-i nejti deri i hoqën ata krejt senet. Më thanë KFOR-i na kena me t’i pru krejt senet, rri këtu ti. Unë e nënshkruva me KFOR që banesën as s’kom me ia nxanë, veç po strehohna me fëmijë.
E shkina ia kish pasë lanë çelësin nji kojshisë t’vet, qi kishin pasë punu bashkë n’Graçanicë. Shkuen shkitë, erdh masanej KFOR-i m’i prunën me syngjera, me dofar si jorgana, enë, lugë, piruna, thika, do ushqim ma prunën. KFOR-i vishin non-stop, ia prunë fëmijëve nji thes me lodra.
T’nesrit, ish gjysa e ditës, i qes dy fëmijë me flejtë, qershor ish, dy burra p’i mëshojnë derës. Veç sa e kisha qitë djalin n’gjysë dite me flejtë, kur ata, shqiptarë ishin konë, tha: ‘Zojë, për çka je hi n’këtë banesë?’ Thashë: “Se s’kom ku me nejtë, jom metë me fëmijë rrugëve, vetë shkina me marrëveshje me KFOR ma ka lonë”. Më thotë: “A e din që kjo banesë osht e jona?”. Tashë: “Jo vallahi”. Tha: “Kqyre çelësin!”. E shtini çelësin n’derë, më tha: “Kqyr ku o’ çelësi. Kjo banesë osht e jona”. Unë e kisha djalin flejtë, tre të mëdhajtë dolën me lujtë para banese. E ia shti duert derës që ata me dalë jashtë. Ai: “Hiqi motër duert se t’i kputëm”. Thashë: “Këputmi se unë nuk dal. Djalin e kom mrena flejtë”. M’tha: “Ta japim na djalin”. I thashë: “Qetash KFOR-in kom me thirrë se ma kanë lanë numrin”. Tha: “Kjo banesë osht e jona, je hi n’banesë t’huj”. Thashë: “Unë e di qi jom hi në t’hujën”. Ma shtyjtën derën dy burrat. Iu thashë: “Zoti ju marroftë. Nji gru me katër fëmijë, n’ven se me m’nimu, po ma bani kështu”.
Vjen vllau jem. Ata i bonën yrysh vllaut. I thashë: “Ti largohu. Vetë merrna vesh me ta”. U zhdorgjën shkallëve, thanë: “Gjallë na s’kena me t’lanë n’këtë banesë”. Tybe mo nuk erdhën kurrë. Aty kojshia e kish pasë ba atë farë dallaveri.
E meta n’qatë banesë deri na e ndreqi shpinë njifarë shoqate. Dy vjet m’ra me nejtë. Në vitin 2001 kom nejtë deri n’qershor që m’u lshuen fëmija prej shkolle, se i regjistrova n’shkollën ‘Ismail Qemajli’. Dajën e kisha n’Breg t’Diellit, me marrëveshje e blejti prej shkinës. Daja më tha: “Rri sa të duesh”. Po e bana shpinë n’qetë kat meremet, fëmija kishin qef me u kthy këtu. Edhe unë dashta me ardhë n’vend temin, që ma ka lanë burri, ku m’i ka lanë fëminë, se seni i huej i jemi s’bahet kurrë. Jom kthy, kena hjekë me skamje, fëmijët të tanë t’vogjël, shkollën e kishin larg. Në kamë kanë shku nëpër borë e të ftohtë. Masanej, në 2003 kom hi në punë. Rrogat jonë konë t’vogla boll, po hajrin ia kom pa se i kom shkollu fminë, dorën s’ia kom zgjatë kurrkujt. Pensionin e burrave – n’fillim na i kanë dhanë ka 300 marka, deri i gjetëm e i vorrosëm. Kur i gjetëm, na e banë qetë pension.
Idrizin ma së pari e patën gjetë. Krejt me nji ven grup ishin konë n’Batajnicë, n’Sërbi. Prej Pomozotini i kishin tërhjekë. Na i kena pa aty 17 vorre, se edhe nji mysafir e kena pasë këtu, dajën e qetyne djemve. E ka lanë nji grue edhe nji çikë. Jonë gjetë të tanë përnjiherë. Krejt i kena vorrosë.
Po nuk ishin vorrosë krejt trupat komplet. Neve s’na patën kallxu qi u mungon… Burrit tem në 2017-ën i ka ardhë njoni krah. Veç kunatit edhe djalit të tij i kanë kallxu. Neve si gra kurrkush s’na ka kallxu. S’po thom që o dashtë edhe fëmijëve. Pata ardhë prej pune, e p’e zateti njifarë Sokoli mysafir, i kish ardhë edhe atij nji pjesë. Kur m’thanë, m’u duk qi krejt Kosova më ra përmi, qaq rondë m’erdh. Thashë: “Çka jeni more tuj thanë?”. M’thanë: “Vallahi, ke Ahmet Graiçevci, i ka ardhë nji pjesë e trupit të Nezirit. Thashë: “More, po na e kena vorrosë”. Se e kena ditë që e kena vorrosë. Jom hi n’dhomë tuj kajtë, e t’më shkoi tensioni, e p’i kallxoj nuses e çikës. Tha çika: “Po oj nanë, erdh n’oborr Ahmet Graiçevci”. S’u kish thanë fëmijëve, po kunatit tem qi o konë n’bashçe, ardhë prej Prishtine.
Vjen djali i madh prej pune n’aksham, po unë i pata thanë nuses: “Mos gaboni me folë deri t’han bukë!”. Djali ish konë lodhë; i thashë: “Kushtrim, djali jem, babit tond i paskan mungu do pjesë të trupit”. Nëpër sallon nja nizet herë osht endë, tu thonë: “S’osht e vërtetë, s’osht e vertetë”. I kallxoj qi Ahmet Graiçevci ish ardhë n’oborr. “Ti je fajtore! Ti s’më ke lanë mu me pa kufomën!”. Neve mezi na patën lanë m’e kqyrë kufomën, se s’kishe çka me kqyrë, eshtna. E djalin s’e lanë, i ka pasë 19 vjet atëherë. Thojke: “O metë shpia n’gra. S’keni ditë ju, se ai s’koka trupi i babit hiç qi e kena shti n’dhe”. E piskat, e kaj: “Ku jom shku unë, kujna iu kom përkulë, s’koka konë vorri i babës tem hiç”. I thom: “O djalë, qitash e thirri Ahmet Graiçevcin se mentë m’i qite. Kur o ardhë sandëku i babës tand, teshat i kom njoftë krejt”. Ashtin s’e kom njoftë, po teshat komplet të tijat përpara sandëkut jonë konë. E mrena ishin konë eshnat. Krejt teshat e burrit i kom njoftë.
Burri jem me shtatë pluma osht i vramë, qysh shkruen n’dokumenta. Nja n’kokë, nja n’krah e n’zemër që e kanë rrokë. Xhemperi ish konë i birum në s’di sa vene, e poshtë jo, trenerkat edhe fermerkat që i ka pasë. I ka pasë si gati se rrishim ka akshami hazër, se u tutshim, e teshat n’torbë i lejshim për me ikë, edhe i ka pasë nji palë trenerka; përfundi e kanë pasë nji patent, i majke 100 marka për me i qillu. Ia kishin pasë kthy atë xhepin, ia kishin gjetë.
Trupi osht gjetë n’2006-ën, e n’dhjetor 2017 ka ardhë pjesa e krahut. E na nuk e kena ditë edhe e kom thirrë menjirend kunatin n’telefon. Tha “Po bacit, krejt nuk jonë.”. Thashë: “O dashtë me na kallxu neve si gra qi me i pregatitë na fëminë”. Se unë tash djalin e kom 31 vjeç. E si t’i kish ba për shemull 20-22 vjet, ish dashtë me i kallxu se unë sot jom, e nesër noshta s’jom. E pse fëmija e mi m’u çuditë e me thanë: “Nana s’na ka kallxu”. E thirra djalin e kunatit n’telefon, tha: “Vetonit veç sa i ka ardhë qe gjashtë muj, po une se kom ba t’madhe, edhe Kryqi i Kuq e kanë lëshu aty”. I thashë: “Duhet me e ba t’madhe, se nji gisht me t’mungu osht i yti. Pse me ia lanë Serbisë? Du me ia pru pjesën, me ia bo trupin komplet”. Djali m’u pat tranu, me këmbngulje: “Po shkoj me nxjerrë kufomën, vetë ia boj thojke edhe njiherë analizën”. Gjakun për analiza e ka dhanë djali dy herë, çika e ka dhanë, vjehrra, bijat.
Kur ia gjetën krahun, m’thirrën mu, shkova e nënshkrova edhe fola me nji Teuta, punon n’UNMIK. Ajo më tha: “Folju fëmijëve, se munet mas shtatëdhetë vjetsh me iu gjetë pjesa e trupit edhe munesh me pru djalin te na”. Unë djalit i kom thanë: “Shko n’Kryq t’Kuq”. O shku e u ka thanë: “Po du krejt me i ditë”. I kanë thanë që qato jonë eshtnat e babës tond se me analiza o vërtetu, po jonë pasë përzi eshtnat. E djali tani u qetësu nji trohë. Tash i mungon krejt komplet shputa prej zogut t’kamës e poshtë, edhe dy kapakët e gjujve. Krahun ia kemi vorrosë me eshtnat e tjera, pat ardhë Kryqi i Kuq, i kishin ato mjetet e veta, e lëshun poshtë. Unë pata nënshkru n’Komunë. E dy kapakë t’gjujve na kanë thanë Kryqi i Kuq mujnë mos m’u gjetë. E për pjesën e kamës i kom thonë djalit, normal se e ki babë edhe unë e kom burrë, e du me ditë.
Burrin e kom pasë njeri shumë të sjellshëm, tepër i urtë, i dashun për familje, për fëmijë, për gru, për rreth t’ngushtë t’vetin o konë. Njiherë, e kom pasë vajzën e dytë n’Beograd për nji infeksion n’zorrë, kur o konë bebe. Kur e kena nxjerrë prej Beogradi, gëzim i madh qi jena ardhë në shpi, e qi na tha mjeku osht shumë mirë çika, veç kish pasë gufë. Kur patëm ardhë, kunatat na kishin pasë ba darkën. Jena konë komplet nji familje e burrit t’lumtun, unë kunetët si vllazën i kom pasë, jonë konë tepër t’mirë, jonë konë njerëz t’shkollum, jonë konë t’kulturum, s’ke mujtë as s’të kanë randu kurrë me nji fjalë.
Momentet e fundit bashkë, s’më heket prej mendsh, e kom pasë nji pite me spanaq – e hiç s’kom marak mo me qitë kurrë – e pata qitë për drekë, hongrëm, po apet tha: “O Zot, fort jom untu”. Thashë veç p’e mjelim lopën, e po hina po hamë darkë. Qet’ muhabet të fundit e kena bo n’oborr me tà. Kur jena hi mrena, mo aty nuk m’kujtohen fjalët e ti.
E nuk mujti me hangër bukë ma qatë natë. Kurrë nuk muj prej asaj dite, veç i qes për hatër t’fëmijëve pitet me spanaq se m’ka metë zhig që nuk e ka hangër ata bukë t’fundit n’shpi t’vet.
Kanjiherë e shoh n’andërr, po gjithë veç ma kthen shpinën e më thotë: “Rri, se mirë je!”. Veç qito fjalë m’i thotë. Kur bisedoj me kolege ose me gratë, thojnë: “D.m.th. rri se je mirë, rriti fminë”. Po nuk muj me ditë. Nji natë pa na i marrë burrat, djali i madh e kish pa andërr, kur u çu n’mëngjes tha: “Kom pa andërr, na masakrojshin si te Adem Jashari”. Po i kallxoj burrit, më tha: “Osht mirë me u hjekë diqysh prej ktuhit”. Metëm na, veç qekjo lagjja palidhje metëm këtu. Kur shkova te qeky kunati jem, i thashë: “Agë, e kish pa Kushtrimi nji andërr”. Më tha: “Ec more, se s’din ai, fëmijë osht”. Fëmija çka po shihka andërr ish e vertetë, n’aksham erdhën na i morën krejt burrat.
Porosia jem osht për m’i gjetë qeta njerëz çka i kanë vra, edhe kurrë mos me ia falë Serbisë për pa i gjetë, se i din Serbia krejt kush na i ka vra. Me konë gjashtëmdhetë kompira me t’u prishë, jet pa e ba drekën e t’dhimen, e jo ma gjashtëmdhetë mashqi.
Taksa osht shumë e mirë, na jemi shumë t’pajtimit me Ramushin. Le ta pranojnë edhe Serbia kush i ka vra njà ka njà, se i dinë krejt, le t’i qet njerëzit përpara edhe kur ta marrin dënimin, edhe na jemi t’pajtimit qi t’bahet mirë për fëmijët tonë, për nipat tonë kena qef m’u ba mirë. Ama niherë për niherë kurrë s’kemi qef, as s’ka nevojë as Hashimi, as Ramushi, as Fatmir Lima, as kurrkush me ia dhanë tokën tonë Serbisë. Serbia mo ka marrë boll prej Kosovës, s’di çka po lyp ma shumë. Na ka lanë gra me fëmijë të vogjël me hjekë, fëmija s’po mujnë me përparu kurrë.
Se fëmija jonë tanë me trauma. Hashimi s’e ka qitë nji fjalë, as kurrë s’na ka ardhë naj përvjetor. E dijna Jasharëve krejt çka u ka ndodhë, mo s’ka ma keq ku me shku, veç kurrë as s’jonë kujtu për këta fëmijë jetima, as s’kanë pasë përparësi n’shkolla, as n’fakulteta, as n’puna.
Krejt burrat jonë konë n’KEK tuj punu. Asnji fëmijë s’na e ka marrë KEK-u n’vend të baballarëve t’vet, me thanë ta shtina bile najnjonin me na e hjekë gajlen, me punu n’punë t’shtetit. Kjo ashtë dëshira jeme, që ta dijnë edhe politikanët tonë çka jonë kah bojnë, le ta çojnë amanetin e qetyne qi kanë derdhë gjithë këtë gjak për qetë liri qi sot këta p’e gzojnë n’tana anët, e fëmija jonë po hjekin.
(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)