“Muzika klasike qetëson tensionet dhe mosmarrëveshjet politike”, thotë Sihana Badiviku, një violiniste. Jeta e saj profesionale dhe personale rrjedh ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Me koncertet e saj, ajo thyen kufijtë ballkanikë duke performuar kudo në Evropë.
Që nga viti 1999, si Themeluese dhe Drejtuese Artistike e “Kosova Kamerfest”, puna e saj ka bërë bashkë për të performuar artistë nga vende pas konflikteve.
“Festivali ka bërë bashkë artistë nga Ukraina dhe Rusia, Armenia dhe Turqia. Kemi patur edhe artistë nga Kosova dhe Serbia që kanë performuar në të njëjtin koncert bashkë”, thotë ajo.
Badivuku tregon se ka patur bashkëpunim të mirë ndërmjet komuniteteve në Kosovë në vitet 80-të. Ajo shton se ka patur përkrahje edhe nga vetë qeveria. Kjo përkrahje synonte ta nxiste bashkëpunimin në atë kohë, jo vetëm në arte, por edhe në sfera të tjera të jetës së përditshme.
Sipas dramaturgut Jeton Neziraj, bashkëpunimi ndërmjet artistëve shqiptarë dhe serbë në vitet 90-të ka qenë joekzistent.
“Para luftës, gjatë viteve 90-të, bashkëpunimi ka qenë joekzistent. Apo, le të themi, i reduktuar në disa nisma dhe aktivitete të vogla, më shumë simbolike. Në fakt, në ish-Jugosllavinë Socialiste, periudha e viteve 90-të shenjon periudhën kur bashkëpunimi u ndërpre dhe ndasitë ndëretnike u thelluan dhe bashkë me këtë, edhe bashkëpunimi kulturor”, thotë ai.
Neziraj thotë se deri në vitin 2008, bashkëpunime të tilla kanë qenë të rralla. Sipas tij, nismat dhe pjesëmarrësit nisën të shtohen pas vitit 2008.
“Ky bashkëpunim kryesisht orientohet ndërmjet artistëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës. Në radhët e këtyre nismave artistike është projekti “Zërat” (2006), një ndërmarrje e fuqishme e Qendrës Multimedia që adresonte çështjen e personave të zhdukur në Kosovë. Dy kompani teatrore, një serbe dhe një tjetër shqiptare kanë krijuar mbi 20 sesione teatrore me familjet e të zhdukurve”, vazhdon ai.
“Pas vitit 2008 e tutje, nismat e bashkëpunimit dhe pjesëmarrësit janë shtuar dhe janë strukturuar më mirë. Në fillim, ka patur vetëm disa artistë të përfshirë (me siguri jo më shumë se 10), tani ka shumë më tepër”, shton Jeton Neziraj.
Neziraj përmend se aktorët e kompanisë serbe ishin nga Kosova dhe Serbia. Ai thotë se ata studionin në Mitrovicën e Veriut.
“Besoj se ata janë një shembull shumë i mirë se si teatri është mjet i shkëlqyer për të adresuar çështje të ndryshme politike dhe shoqërore në shoqëritë e pasluftës”, konkludon ai.
Artisti Sami Mustafa thotë se bashkëpunimet me artistët serbë lokalë në Kosovë tanimë janë të rralla. Ai thekson se artistët e rinj preferojnë ta nisin karrierën në Serbi.
“Bashkëpunimi me artistët serbë në Kosovë është pothuajse joekzistent. Kjo për shkak se ka më pak artistë serbë në Kosovë”, thotë Mustafa.
Ai shton “ata pak që janë në Kosovë po ikin të jetojnë në Serbi”. “Përfitimet që këta artistë të rinj kanë kur jetojnë në Serbi janë më të mëdha se sa të jetojnë në Kosovë”, vijon ai.
Eldin Shiroki është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili ishte pjesë e “NU Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj”. Ai përmend se që nga viti ’99, ky teatër ka performuar në shqip, maqedonisht dhe në gjuhën rome.
“Nga viti ’99 ka patur shumë projekte shumëkulturore dhe një prej tyre ishte projekti ‘Elin’. Shfaqja u performua në maqedonisht dhe shqip. Pastaj, ‘Lagjja jonë’ u performua në gjuhën rome, shqip dhe maqedonisht”, thotë Shiroki.
Për Sami Mustafën, bashkëpunimi ndërmjet komunitetit rom dhe atij shqiptar në Kosovë nuk është në nivelin e pritshëm. Ka punë, por që përqendrohet rreth të njëjtave zona dhe njerëz.
“Sigurisht që ka bashkëpunim, por jo në volumin e duhur. Ka pak njerëz që në fakt bashkëpunojnë; artistët romë bashkëpunojnë me artistët shqiptarë. Në fund të ditës, është Kosovë, pra në letër gjithçka sillet rreth bashkëpunimit, pavarësisht se sa real është ai”, thotë Mustafa.
“Sigurisht që mund të thuhet se ka bashkëpunim profesional. Por kjo vlen për të gjitha komunitetet, është institucional. Ka, por jo shumë, ose është shumë, por jo mjaftueshëm cilësor”, shton Sami Mustafa.
Artistët e rinj duan një shoqëri që i afron të gjithë
Amar Kaçar (Ammar Kachar) është një ilustrues dhe dizajner i ri për çanta dhe veshje nga materiale të ricikluara. Si boshnjak që jeton në Shkup, ai thotë se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë duan shoqëri pa kufizime dhe pa paragjykime.
“Me shoqëri pa kufizime nënkuptoj një shoqëri që nuk dënon, por na afron”, shpjegon ai teksa shton se artistët në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin.
Për Kaçarin, është e rëndësishme që të tejkalohen barrierat e nacionalizmit të trashëguara nga brezat e mëparshëm, pasi ato po na lënë pas.
“Brezat që kanë qenë pjesë e Jugosllavisë dhe e tranzicionit pas shpërbërjes së saj, (pra, prindërit tanë), përgjatë jetës apo ndryshimeve të sistemit politik dhe luftërave të Ballkanit, i shtrëngojnë ato lidhje të nacionalizmit që ende barten tek brezat e rinj. Prandaj, ne duhet t’i tejkalojmë përsëritjet e paarsyeshme të dënimeve si në vendin tonë, ashtu dhe në anën tjetër të kufirit dhe me këtë, të përpiqemi për një jetë dhe rreth shoqëror më të mirë dhe më të shëndetshëm”, beson Kaçari.
Ndërsa Simon Kurti, Koordinator i Komunikimit pranë Galerisë së Ministrisë së Kulturës të Kosovës pohon se ka bashkëpunim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe artistëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ajo çka shoh në skenën e artit është shkëmbimi ndërmjet institucioneve për ekspozita solo të artistëve”, thotë ai.
Kurti thotë se ekziston një “shkëmbim kulturor” ndërmjet DJ-ëve në të dy vendet.
“Besoj se me kohë, ky lloj shkëmbimi do të vazhdojë dhe do të rritet edhe në forma të tjera, me institucione të reja dhe me fillimin e programeve të reja”, shton ai.
Lidhur me pyetjen se si arti dhe kultura ndihmojnë në thyerjen e barrierave, Neziraj thotë se ato tregojnë një anë të panjohur.
“Arti dhe kultura na ndihmojnë të shohim një tjetër anë të shoqërive tona – anën që zakonisht është e fshehur ose e shfytyruar nga media dhe politika. Arti dhe kultura janë lajmëtarë të normalitetit në shoqëritë e traumatizuara dhe të zemëruara”, thotë ai.
Autore: Suada Qorraj dhe Teodora Sokolovska
Redaktor: Xhemajl Rexha
Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.