Autori ynë Dardan Hoti u takua me një grua shumë të fortë, e cila e ka shndërruar shtëpinë e saj në një muze për të luftuar kundër harresës.
Dardan Hoti është gazetar dhe redaktor i cili ka punuar për një sërë organesh mediale në Kosovë për më shumë se shtatë vite. Ai ka fituar Çmimin e Gazetarisë për Varfëri nga United Nations Kosovo Team në vitin 2013.
Nuk ka zëra që dëgjohen në shtëpinë e saj, pos atij të vetë zonjës së shtëpisë, Ferdonije Qerkezi, e cila tash po luan edhe rolin e ciceronit. Ajo nuk e ka këtë profesion dhe shpesh, zëri e tradhton në shtëpinë që tashmë zyrtarisht e ka shpallur edhe muze. Shtëpia është e qetë dhe e zbrazur nga njerëzit, por e mbushur me kujtime dhe dhimbje që vetëm ajo di t’i rrëfejë. Ky është muzeu që ndoshta ajo nuk do të donte të ekzistonte kurrë, por nga i cili ajo po edukon e po ushqen brezat e ndryshëm në Kosovë. Me emocionin e fuqishëm dhe të vërtetën vizuale, ajo po del të jetë mësuesja më e trishtuar e Kosovës.
Rrëfen për lodrat, pajisjet e punës, fotografitë dhe rrobat që tashmë i mban si eksponate. Dikur ato përdoreshin nga pesë anëtarët e tjerë të familjes që tashmë nuk i ka. Ajo i kujton të pestë që nga marsi i vitit ‘99. Në datën 27 të atij muaji, asaj ia morën nga dora një grup policësh me maska. Bashkë me pesë burrat e familjes së saj, këto maska morën edhe 6 burra të tjerë, 11 gjithsej.
Katër djemtë e saj: Edmondin, Artanin, Ardianin dhe Armendin dhe bashkëshortin e saj Halimin. E më pastaj edhe nipin Vegimin, fqinjët Skender Dylhasin dhe djalin e tij Myrtezain. Bashkë me ta e morën edhe mikun e tyre të shtëpisë Shpejtim Ymeraga dhe dy djemtë e tjerë të familjes Jetishi që kishin rastisur të jenë në këtë shtëpi, Shpendi e Fatosi.
Ajo ende nuk di gjë për tre familjarë të saj, pos eshtrave të dy djemve që i ka varrosur në vitin 2005. E vazhdon të kërkojë një shenjë për të tjerët.
Kështu, e mërzitur, ajo ka vendosur t’i tregojë botës se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e saj edhe pse lotët mezi i ndal.
Ferdonija nuk është dorëzuar asnjëherë. Që nga dita e parë e çlirimit të Kosovës e deri më tash ka marrë pjesë në disa dhjetëra protesta e takime duke kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ekzistenca e saj është shndërruar në dëshmi të gjallë të asaj që ndodhi para 17 vitesh në Kosovë. Kështu vazhdon edhe sot duke u treguar historinë qindra e mijëra vizitorëve që i shkojnë gjatë një viti, tash në muzeun e saj.
“Unë tash me të tregu të drejtën e mos me të rrejtë. Secili mësohet me një zanat. Po edhe në këtë që po rrëfej mu ka bërë si zanat. Që 18 vjet sa njeri ka hy e ka dalë nuk muj me ta shpjegu. Është shumë e vështirë, se sa herë ta tregoj këtë histori po më duket se gjithmonë është duke ndodhur. Qysh i kanë marrë, qysh i kanë largu”, thotë ajo.
Po praktikat si kjo e nënës Ferdonije po zhvendosin aktin e përkujtimit nga gjendja mendore në aktivitet. Tashmë e bën shumë mirë këtë duke u rrëfyer mysafirëve mirë e në detaje çdo ndodhi duke mos harruar as gjatësinë e fanellave që kishin pasur djemtë dhe burri i saj.
Rrëfen për secilën fotografi që ka vendosur në korniza dhe mbishkrimet në to që i ka shkruar me një font të thjeshtë në kompjuter, me ndihmën e shoqatës “Thirrjet e Nënave”. Të gjitha kanë një tregim, dhe i ka rëndisur secilën njërën pas tjetrës.
Në një qosh të dhomës mban të mbyllura në një xham ca rroba të grisura, por ato ishin veshur nga dy djemtë e saj në ditën që i kishin kapur. Tashmë po qëndrojnë në muzeun e saj si kujtesë duke iu referuar dëshirës për të ruajtur sende të prekshme.
Këto kujtime tashmë kanë ndërtuar atë marrëdhënien me të kaluarën dhe të japin perceptime për të.
I tillë është edhe një djep midis njërës prej dhomave të kësaj shtëpie muze. Në djepin që dikur nëna Ferdonije kishte përkundur që të katër djemtë dhe ju kishte kënduar ninulla nga më të bukurat si di një nënë t’u këndojë bijve të saj. Ai djep tashmë është i boshatisur, por ajo besonte e shpresonte se do ta përdorte edhe për nipat dhe mbesat e saj.
“Kurrgjë nuk kam ndërruar e as kam hedhur. Gjithçka kam këtu dhe kujdesem për to. Edhe daret më të thjeshta e me të vogla i kam. Pajisjet që kanë punu në qebaptore, lodrat e gjithçka tjetër”, shprehet nëna Ferdonije.
Në sirtare mban disa litra raki që me shumë qejf ishin prodhuar nga djemtë dhe burri i saj. Vegla pune të restorantit “Orex” që ishte biznes familjar i familjes Qerkezi. Syze, orë dore dhe orendi të tjera po ashtu ka në këtë dollap. E mbi të janë të vendosur disa palë këpucë.
Për të gjitha këto gjësende ka një rrëfim i cili të përball me të kaluarën. Një të kaluar që ishte e kobshme për nënën Ferdonije. Por ajo ka marrë forcë që muzeun e saj ta kthejë në një arkiv të kujtimeve të ruajtura. Arkiva që tashmë po rrëfehen dhe po bëhen pjesë e një kujtese kolektive.
“Shyqyr që jemi të lirë për me i tregu këto rrëfime. Duke i fshehur ne nuk bëjmë kurrgjë. Neve na kanë mbyllë gojën gjithë, e shyqyr tashmë jemi të lirë dhe pe dimë që ekzistojmë dhe kemi çka me rrëfye”, thotë ajo.
Edhe pse trupi i tronditet nga secila fjalë që nxjerr nga goja, nëna Ferdonije thotë se ka forcë ende. ‘Nëse s’do të ishte kështu edhe kjo shtëpi nuk do të ekzistonte’.
Por dhe këtu po gjen vështirësi, pasi ende s’ka një dorë profesioniste dhe nga shteti për t’u kujdesur për kujtimet e saj.
Shteti nuk ka caktuar ende një person që do të punonte aty. Deri më tani e vetmja ndihmë që ka marrë nga institucionet është pllaka e vendosur në derën e shtëpisë nga Instituti për Mbrojtje të Monumenteve në Gjakovë.
“Nuk kam askënd të kujdeset. Sipas vendimit aty thuhet që duhet me ardhë një punëtore me u kujdes dhe po ashtu edhe ciceroni. Por është bërë një vit që nuk po vjen askush, e as nuk ka kurrgjë në këtë drejtim. Por më kanë thënë që nuk kanë buxhet. Po ashtu duhet të ma rregullojnë edhe kulmin. Kjo është e para që duhet me u rregullu. Ma kanë premtuar edhe tash po pres. Pastaj edhe një dhomë tjetër e cila do të jetë si dhomë pune. E po ashtu edhe ngrohjen e shtëpisë”, vazhdon Ferdonija.
“Edhe teshat kanë me i shti në vakum për mos me u prish, por kur i bien këta një zot i di. Mi kanë pru kur u gjet djali i madh dhe mi kanë pru pa i larë. Unë vet i kam larë teshat dhe i kam qit aty”, vazhdon rrëfimin ajo.
Rrëfimet e saj po i ndihmojnë një procesi me të gjerë të shoqërisë për t’u pajtuar me të kaluarën. Projektet si ky i muzeut të nënës Ferdonije, nuk mund t’i ndajnë qëllimet e drejtësisë tranzicionale, por mund të ofrojnë përkrahje. Ato kanë potencial për të krijuar hapësira për angazhim demokratik dhe për të nxitur një angazhim për të drejtat e njeriut te brezat e rinj.
Ato mund ta paraqesin të kaluarën si diçka që nuk duhet t’i lihet fushave të historisë, por si diçka, që nëse nuk trajtohet me ndjeshmëri, mund të shfaqet përsëri.