Procesi i drejtësisë tranzicionale dhe i ballafaqimit me të kaluarën vazhdojnë prej mbi njëzet e gjashtë vitesh. Mirëpo, duket se informacioni i besueshëm për luftën dhe për procesin e pajtimit ndërmjet vendeve në rajon nuk është në dispozicion të të rinjve nëSerbi. Të intervistuarit e revistës Balkan Perspectives pajtohen se institucionet kanë përgjegjësi të madhe, bashkë me median, që kryesisht është e anshme dhe në krahun e narrativës mbizotëruese shtetërore kur raporton për këto tema.
Jelena Bozhiq është gazetare e re. Ballafaqimi me të kaluarën paraqitet shpesh në punën e saj. Ajo thotë se interesimi i saj profesional për procesin e drejtësisë tranzicionale filloi të rritet kur kuptoi se njerëzit që e rrethonin kishin ndjenja të zemërimit, shqetësimit, frikës e madje edhe të urrejtjes, ndjenja që ajo nuk mund t’i kuptonte.
“Ai ishte çasti kur e kuptova se nëse ne, që jemi të gjallë tani dhe që dëshirojmë të kemi bashkëjetesë paqësore nuk bëjmë gjë për të zgjidhur konfliktin dhe për t’u ballafaquar me të kaluarën, atëherë askush nuk ka për ta bërë. E kuptova se është e pamundur ta ndryshosh të kaluarën, mirëpo ne mundemi dhe duhet ta ndryshojmë të ardhmen. Që kjo të ndodhë, së pari duhet të ballafaqohemi me të kaluarën” thekson Bozhiq, duke shtuar se shkollat nuk i mësojnë fëmijët për historinë e luftës, e aq më pak për procesin e pajtimit.
Sociologu Millosh Peroviq mendon se kur është fjala për ballafaqimin me të kaluarën në Serbi, narrativa mbizotëruese është se shoqëria serbe nuk ka nevojë të ballafaqohet me të kaluarën.
“Kur është fjala për ballafaqimin me të kaluarën në Serbi (nëse me këtë nënkuptojmë ballafaqimin me krimet e luftës të kryera në emër të ‘kombit serb’ dhe ‘për të mbrojtur popullin serb’ në luftërat në ish-Jugosllavi) narrativa mbizotëruese është se ballafaqimi me të kaluarën nuk është i nevojshëm. Me përjashtim të një periudhe të shkurtër në dekadën e parë të këtij shekulli, Serbia e ka shpërfillur tërësisht çështjen e përgjegjësisë së vet për shkatërrimin gjatë luftës në ish-Jugosllavi” thotë Millosh Peroviq.
Pavarësisht arkivave të pasur të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, që përmban prova dhe fakte për luftën në ish-Jugosllavi, tekstet e historisë në Serbi dhe në vende të tjera në rajon nuk janë në përputhje me faktet e konstatuara nga Tribunali. Në të vërtetë, tekstet e historisë duket se pasqyrojnë narrativat mbizotëruese të shoqërive në rajon duke u mësuar fëmijëve dhe të rinjve të pavërteta rreth të kaluarës së vendeve të tyre.
Kryeredaktori i portalit Fejk njuz tragač (Kërkuesi i lajmeve të rreme) Stefan Janjiq mendon se informacioni rreth viteve nëntëdhjetë që gjendet në median serbe është “jashtëzakonisht emotiv dhe i anshëm, që shpërndahet pa ndonjë përpjekje për ta kuptuar më mirë të kaluarën”.
“Diskutimet përfundojnë në disa çështje të vështira, disa krime të luftës dhe kriminelë të luftës dhe madje edhe atëherë, nuk ka ndonjë dëshirë të vërtetë për të hedhur së paku dritë mbi ato fragmente, mirëpo në vend të kësaj zhvillohet procesi i interpretimit të historisë, nëse citojmë fjalët e Hrvoje Klasiqit, njësoj si në supermarket, ku përgjedhim informacionin që e përkrahim për të dëshmuar teorinë e dëshiruar” thotë Janjiqi.
Millosh Peroviqi thotë se kur është fjala për informacioin rreth ballafaqimit me të kaluarën, për të rinjtë nuk ka të dhëna të sakta, mirëpo duket se disponueshmëria e këtij informacioni nuk sjell dobi për regjimin në Serbi.
“Jam i sigurtë se nuk është në interes të regjimit aktual në Serbi që të krijojë edhe më shumë qasje në faktet e besueshme për këto ngjarje, sepse regjimi aktual përbëhet nga ata që kanë përgjegjësi për luftën, si në aspektin ideologjik, ashtu edhe në atë personal” thotë Peroviqi.
Projekti “Profesionistët Digjitalë Luftojnë Narrativat e Rrezikshme në Rajon” i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës dhe i Shoqatës së Fëmijëve të Harruar të Luftës synonte të inkurajonte shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve të rinj nga Serbia dhe aktivistëve të rinj nga Bosnja e Hercegovina, të cilët punuan së bashku për të krijuar përmbajtje mediatike rreth ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimit në rajon.
Një nga koordinatoret e projektit, Natasha Ivanezha, thotë se ka shpresë për brezin e ri që janë rritur duke përdorur internetin dhe janë shumë më të gatshëm të hulumtojnë për fakte dhe t’i vënë në pikëpyetje faktet e paraqitura, pavarësisht indoktrinimit.
“Ajo që mendoj se është shumë e mirë dhe optimiste është se edhe nëse janë të indoktrinuar në ndonjë mënyrë nga disa narrativa të caktuara, ata janë të gatshëm ta dëgjojnë palën tjetër; ata janë të gatshëm t’i vënë në pikëpyetje besimet dhe opinionet e tyre të rrënjosura thellë. Sigurisht, flas nga përvoja ime e punës me disa grupe të të rinjve, ndaj pyetja është se si është situata me të rinjtë që nuk kanë mundësi ta dëgjojnë palën tjetër dhe burimet e informacionit të të cilëve janë shkolla fillore dhe media e popullarizuar” shpjegon Ivanezha.
Jelena Bozhiq thotë se gazetarët e rinj që merren me këto tema ndajnë të gjithë të njëjtën dëshirë për ndryshime shoqërore dhe kanë empati. Megjithatë, sipas saj, gazetarët e rinj shpeshherë heqin dorë nga këto tema, sepse ato shpesh shoqërohen nga rreziku për sigurinë e tyre.
Thjesht sa për përkujtim, nga fundi i vitit 2020 në ndërtesën ku jeton gazetari Dinko Gruhonjiq u shfaqën grafiti me gjuhë të urrejtjes. Një pjesë të madhe të karrierës së tij si gazetar ai ia ka kushtuar drejtësisë tranzicionale dhe kundërshtimit të narrativave nacioaliste. Prandaj, kjo ishte një shenjë e qartë se ata, puna e të cilëve i kushtohet ballafaqimit me të kaluarën e kohës së luftës në vitet 90-të, nuk ishin të mirëpritur në ligjërimin publik të shoqërisë serbe.
“Mendoj se problemi është se puna me këto tema gjithnjë bart rrezik. Gjithnjë është dikush që thotë se je me njërën palë apo me tjetrën, se je tradhëtar dhe ne kemi qenë dëshmitarë të shumë sulmeve kundër gazetarëve të cilët janë marrë me këto çështje, prandaj gazetarët e rinj shpesh e shmangin temën e ballafaqimit me të kaluarën. Jam e sigurtë se nëse do të kishin ekzistuar sisteme që vërtet shqetësohen për sigurinë e gazetarëve dhe nëse kësaj teme do t’i jepet më shumë rëndësi gjatë shkollimit, më shumë gazetarë të rinj do të ishin të interesuar. Thënë thjesht, nëse nuk u duhet të vrasin mendjen se mos i rrahin ap i tërheqin zvarrë në ndonjë qosh të errët, sepse kanë shkruar që Ratko Mlladiq është kriminel, jo hero, për shembull” thotë Jelena Bozhiq.
Natasha Ivanezha thekson se është e rëndësishme që të rinjve t’u mundësohet të vizitojnë vende që janë me rëndësi kyçe për të kuptuar historinë e popujve tanë, mirëpo edhe t’u jepet përkrahja e duhur për ta procesuar më lehtë atë që mësojnë.
“Ajo që doli të ishte me rëndësi për ne ishte të zhvillonim sesione terapie me pjesëmarrësit tanë të rinj pasi vizituan Qendrën Memoriale. Atyre ua krijuam një hapësirë të sigurtë për t’i shprehur ndjenjat dhe mendimet rreth asaj që kishin përjetuar atje, gjë që pati shumë rëndësi për ata personalisht dhe për të gjithë grupin, sepse i lidhi ndërmjet tyre në një nivel më të thellë” thotë Ivanezha duke shtuar se shumë prej tyre vazhduan të merren me temën e ballafaqimit me të kaluarën, qoftë përmes punës së tyre si gazetarë, apo përmes ndonjë angazhimi tjetër social.
Stefan Janjiq mendon se audiencat reagojnë më mirë ndaj dëshmive se sa ndaj përmbledhjeve të fakteve, ndaj krijimi i kësaj përmbajtjeje mund të jetë më tërheqës për publikun.
“Nëse për shembull fokusi i përmbajtjes është tek një numër i përllogaritur i grave të dhunuara gjatë luftës, shumë njerëz do të shprehin dyshime për saktësinë e asaj të dhëne, ose do të reagojnë me emoji cinike ose mund të shkruajnë komente fyese. Mirëpo, nëse kanë para syve dëshminë e një gruaje e cila i ka mbijetuar dhunës, këndvështrimi ndryshon: nuk po sheh më statistika, por dhimbjen e vërtetë të dikujt” shpjegon Janjiq duke shtuar se “një qasje e tillë kërkon shumë trimëri nga ana e të mbijetuarave që të shfaqen publikisht dhe ta rrëfejnë historinë e tyre, duke e ditur se do të ketë shumë komente joempatike dhe mizore nën atë video ose artikull”.
Jelena Bozhiq thotë se mungon përmbajtja që do t’u shpjegonte të rinjve se përse kjo temë ka të bëjë edhe me ata. Ajo thekson se “përshtatja e përmbajtjes për një audiencë të re nuk nënkupton që të krijosh përmbajtje më banale, por temën t’ia përshtasësh kontekstit ku të rinjtë aktualisht jetojnë”.
“Është e rëndësishme që të rinjve t’u shpjegohet se si e kaluara ndikon në momentin ku jemi tani. Është e rëndësishme që kjo të shprehet në mënyrë të tillë që të jetë e kuptueshme për të rinjtë, duke përdorur formatet të cilat të rinjtë i përcjellin. Është gjithnjë gjë e mirë që kur duam të arrijmë tek një audiencë e re, t’i përfshijmë ata, t’i inkurajojmë të mendojnë dhe t’i rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre, por është po aq e rëndësishme që të mos i nënvlerësojmë” përfundon Bozhiq duke folur për Balkan Perspectives.
Media, shoqëria civile, institucionet dhe hijet e të gjithë atyre që nuk ia dolën të kenë sukses me përpjekjet për pajtim, tani pa ngurrim ia lënë të rinjve barrën e së kaluarës, sepse “të rinjtë janë e ardhmja”. Pra, mund të jetë koha për të gjithë ata që vrasin mendjen për, që vlerësojnë dhe analizojnë të kaluarën të bëjnë pyetjen: çfarë duhet të bëjmë për t’i dhënë fund? A është koha t’i pyesim të rinjtë: si të dalim nga ky qark ku kemi ngecur prej pothuajse tridhjetë vjetësh?
Ndoshta po t’i pyesnim një herë të rinjtë, në vend se t’u japim përgjigjet e duhura dhe të pritshme, do ta gjenim përgjigjen e kësaj pyetjeje se cili është vizioni i tyre për të ardhmen e paqes. Të rinjtë duan të dëgjojnë historinë e Sarajevës, të qytetit, bulevardet e të cilit u bombarduan dhe qytetarët e të cilit kanë buzëqeshjet më të ngrohta. Ata duan të dëgjojnë për Srebrenicën dhe Prijedorin, qytetet e heshtura që ende janë dëshmitarë të pandershmërisë njerëzore. Ata duan të dinë për të kaluarën e vendeve që dikur ishin të bashkuara. Një ditë, këta të rinj do të thonë me krenari se jetojnë në paqe, një paqe që ne e kemi përfytyruar për dekada të tëra. Pra, le t’i lëmë të marrin pjesë në procesin e pajtimit që tani Ju e drejtoni, sepse ata do ta trashëgojnë. Pyetini të rinjtë se si duan të dëgjojnë për të kaluarën, sepse ata do të vazhdojnë të ballafaqohen me të.
Aktualisht, Divna Prusac po studion në programin e masterit rajonal evropian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Evropën Juglindore. Ajo aspiron që më pas të zhvillojë karrierën në ndërtimin e paqes, pasi beson fuqimisht se pajtimi dhe ballafaqimi me të kaluarën janë me rëndësi të jashtëzakonshme për procesin e demokratizimit në rajon. Përveç gradës BA në Mësimdhënie Parashkollore, ajo ka BA edhe në gazetari dhe ka punuar si gazetare për tre vjet. Puna e saj si gazetare kryesisht është përqendruar në tema që kanë të bëjnë me drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën në rajonin e Ballkanit Perëndimor me theks të posaçëm tek raportimi për të drejtat e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftërave në Jugosllavi.