Tingujt e  një trashëgimie të humbur

Nexhmija Selca mbyll sytë përmallshëm dhe përpiqet të gjejë fjalët për të treguar se shumica e historisë së operës dhe baletit të Kosovës është vetëm zë. Tri dekadat e para të krejt repertoarit të trupës së operës dhe baletit kosovar janë djegur dhe Selca, që është njëra nga tri balerinat e para të Kosovës, thotë se krejt çka ka mbetur të tregohet  janë disa tinguj dhe rrëfimet gojore të atyre që kanë mbetur gjallë.

Selca kujton vitin 1968, sa ishte fëmijë, kur në shtëpinë e saj me një kopsht të bukur në qytetin e Pejës po vazhdonte prej vitesh të vallëzonte nëpër oborr.

Ajo tregon se nuk luante lojëra tjera vajzash, por bënte lëvizje jo të një vallëzimi tipik, diçka që askush nuk po mund ta përcaktonte. “Unë lëvizja me erën. Dëgjoja tinguj dhe bëja lëvizje në ajër. Nuk e dija në atë kohë çka është baleti”, tregon ajo për DwP.

Gati një vit më vonë ajo kishte dëgjuar për një shkollë vallëzimi në Shkup por pa e kuptuar çfarë lloj vallëzimi mësohej aty. Prindërit nuk pajtoheshin që vajza e tyre, në atë kohë 14 vjeçare, të largohej nga shtëpia. “Kisha vendosur të shkoja te daja i nënës sime që në atë kohë jetonte në Shkup dhe halla më ndihmoi duke ma blerë biletën”, tregon ajo.

Derisa po ecte korridorit me një nga mësimdhënësit, ajo pa ushtrimet e balerinave. “U ktheva dhe i thashë asaj. Kjo është ajo çka dua. A mund ta provoj? Ajo më shikoi habitur dhe më tha: po”, tregon ajo.

Tri vjet më vonë, në vitin 1972, Selca u bë gjenerata e parë e balerinëve të  Kosovës. Por ishin vetëm tri gra dhe  nuk kishte numër të mjaftueshëm balerinash për trupën prandaj u duhej merrnin balerina në punë sezonale nga Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Britania e deri në Filipine.

Në tingujt e kujtesës së saj janë ende zhgënjimet e para të reagimit të një publiku që nuk ishte mësuar të shihte shfaqje baleti. “Kishte fishkëllima burrash, reagime aspak të këndshme por e dinim se do të mësohen”, tregon ajo.

Shfaqja e parë e trupës së  baletit quhej “Halili dhe Hajria” e kompozitorit Tish Daia.

Ajo thotë se ende e rrëqethin ata tinguj kurdo që i dëgjon. “Krejt historia e gjeneratës tonë është tinguj, tinguj në harresë, tinguj të mbetur brenda nesh”, thotë ajo.

Trupa e operës dhe baletit të Kosovës që deri në vitin 1990 ishte në kudër të Teatrit të Kosovës ndali punën sapo autonomia e vendit u suprimua dhe për një dekadë askush nuk pa shfaqje opere e baleti në Kosovë.

Më shumë se pesë dekada pas asnjë nga shfaqjet e trupës së operës dhe baletit të dy dekadave  të para nuk ekzistojnë më, pasi arkiva u baletit ishte marrë më herët dhe një pjesë tjetër  humbi së bashku me një pjesë të arkivit të ish Radio Televizionit të Prishtinës.  “Kjo pothuajse përbënte vdekjen e asaj periudhe për ne”, thotë Selca.

Derisa nuk ka arkiva për të gërmuar, brezi i parë i balerinëve të Kosovës, përmes historive të tyre gojore, shfaqin mbetje zanore që të kombinuara me atë çfarë kanë për të dhënë krijojnë pika të fuqishme të qasjes në një përvojë të kaluar.

Rrustem Bajrami, njëri nga balerinët e parë të trupës së operës dhe baletit në Kosovë, thotë se tingujt e përshkruar janë të vetmet dokumente jo arkivore që mund të japin një perceptim të skenave të prodhimit të parë të baletit kosovar.

Duke theksuar elementet se si opera iu përgjigj zërave zyrtarë të së kaluarës dhe aspekteve specifike të kulturës vendase, Bajrami thotë se shfaqjet e viteve 1970-ta, dhe gjithçka pas janë pjesë ku lëvizja e njerëzve është e ngrirë.

Duke ecur përpara në modernizmin më shumë se katër dekada pas, asgjë nuk mund të përdoret nga regjistrimi i balerinëve, skenat dhe sfondet e mekanikës së baletit.

Bajrami thotë se baleti në Kosovë duhet të ketë një vend në dokumentimin e lëvizjeve dhe tingujve të asaj kohe kur ata kishin luajtur shfaqjet e para të baletit.

Krejt çka mund të dëgjojë ai, është tingulli që i krijon një mundësi emocionuese për të ndërhyrë në kaluarën. “Kjo më sjell një mall dhe krijon një dialog mes të dy kornizave të mia kohore, të asaj që kam punuar me pasion dhe viteve të dëshpërimit”, thotë Bajrami.

Për balerinët si ai kur një gjë humbet padrejtësisht, e kaluara e saj mund të tingëllojë në mënyra trazuese. “Në kufijtë kohorë humbja e arkivave të baletit është një pjesë e heshtur e procesit  të ecjeje  kolektive që ka lënë boshllëqe të dukshme”, thotë Bajrami.

Kujtimi i balerinëve për humbjen e gjurmëve dhe heshtjen shfaqet në kryesisht në përshkrimet e tyre për të kaluarën, si një mungesë metaforike, një zë kundër harresës ose thjesht e vetmja përgjigje e përshtatshme.

Elez Nikqi, një nga solistët e parë të trupës së baletit në Kosovë thotë se është fatkeqësi që nuk mbeti asgjë  për t’u kujtuar nga dekadat e para të punës së kësaj trupe. “ Baleti  në Kosovë ka nisur tejet vonë krahasuar me vendet e tjera dhe për fatin e keq edhe ato dekada humbën”, thotë ai për DwP të Forum ZFD.

Nikqi  thotë se jo vetëm shfaqet, pamjet skenike dhe muzike por asgjë tjetër të gati tri dekadave nuk ka mbijetuar. “ Nuk ka asnjë dokumentacion përveç kujtimeve dhe zërave tanë që tregon se në vitet 70 ka pasur  operë dhe balet në Kosovë”.

Përtej një versioni dëgjimor të fshirjes dhe hapësirës për reflektim, Nikqi argumenton se këto hapësira të heshtura të asaj kohe duhet të dëgjohen si pjesë e mjedisit të tyre zanor.

“Kjo humbje duhet të kalojë kufirin e heshtjes përmes një kujtimi  të rolit të saj në peizazhet zanore përkujtimore të asaj kohe”, thotë ai.

Nostalgjia e tyre përcjell një linjë të shkëputur për gati dy dekada dhe ofron përgjigje për debatet kolektive rreth përkujtimit të pasluftës. Nikqi thotë se nuk ka aq për të zbuluar historinë e këtij brezi, por për të thyer përshkrimin e tyre në një mur të vënë nga vitet e shkuara. “Në këtë mënyrë lihet një hapësirë e re për t’u mbushur nga njerëz që ende mund të flasin vetë”, thotë ai.


Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese dhe redaktore e lajmeve në Prishtinë, Kosovë, e cila e ka fokusin tek korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe krimet e luftës. Aktualisht ajo është redatore pranë Radio Televizionit të Kosovës dhe gazetare e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).