Gjithë jetën time kam dëgjuar tregimet e grave që i mbijetuan luftës. Si katërvjeçare, edhe unë kam kaluar nëpër kolonën e refugjatëve. Isha dëshmitare se si nënat, bijat, tezet, gjyshet dhe miket i mbajnë mend ato çaste dhe imazhe; si ato, me aq guxim dhe sa shpesh kanë përjetuar frikë dhe vuajtje në heshtje, të braktisura për t’u bërë ballë vetë traumave të tyre.
Në sferën publike, pak është folur se si gratë i kanë vuajtur pasojat e tmerrshme të luftës. Ne dimë shumë për burrat, ata ishin shpesh nëpër fushëbeteja, sepse ashtu kishin zgjedhur ose nuk kishin patur zgjedhje tjetër. Burrat ishin edhe nëpër burgje, kampe… Mirëpo gratë ishin ato që, në heshtje, me lëmshin në fyt, jetuan nëpër atë stuhi duke u përkujdesur për më të dashurit e tyre.
Kur dy gra, të cilat në atë kohë ishin vajza të vogla, mbajtën fjalime publike rreth përvojës së tyre si refugjatë në mes të Operacionit Stuhia, ato shkaktuan potere të madhe publikisht. Njëra prej tyre ishte Anja Shimpraga, përfaqësuese parlamentare e Partisë së Pavarur Demokratike Serbe. Në vitin 2020, ajo e rrëfeu tregimin e saj para Parlamentit Kroat. E dyta ishte Sanja Vuliq, e cila mbajti një fjalim në Novi Sad vitin e kaluar, gjatë ceremonisë përkujtimore për të gjithë serbët të cilët vdiqën gjatë Stuhisë dhe për të gjithë ata që shkuan në ekzil.
Anja Shimpraga ishte tetë vjeç kur u largua nga Knini bashkë me familjen e saj gjatë Operacionit Stuhia. Në fjalimin e saj emocionues para Parlamenit, ajo përcolli përvojën e saj dhe foli për rrugën e bashkimit që do të donte ta merrnim në të ardhmen. Pas fjalimit të saj, Anja u duartrokit nga shumica e kolegëve në Parlament. Mirëpo, pati edhe nga ata që dëgjuan vetëm fjalët që ua dogjën veshët dhe e shanë që ajo foli në serbisht. Anja u rikthye në Kroaci me familjen e vet dhe vazhdoi të jetojë dhe studiojë atje. Sot, ajo është Zëvendëspresidente e Qeverisë së Republikës së Kroacisë.
Sanja Vuliq nga Dvori mbajti fjalim të ngjashëm në ceremoninë përkujtimore në Novi Sad. Ajo rrëfeu se si, si dymbëdhjetëvjeçare, kishte përjetuar pasigurinë dhe frikën teksa ishte nisur drejt së panjohurës bashkë me familjen e vet. Sanja qëndroi në Serbi, vend që ajo e konsideron të sajin tani.
Zgjodha t’i theksoj fjalimet e këtyre dy grave, sepse kur është fjala për përvojat e Operacionit Stuhia dhe të refugjatëve, gratë flasin më së paku, pasi pyeten më së paku. Zërat e tyre heshten.
Këta janë zërat e vajzave të vogla që kanë udhëtuar me ditë të tëra bashkë me prindërit, vëllezërit, motrat, gjyshërit dhe të afërmit, të cilat u përballën me kushte të tmerrshme në rrugë dhe jetuan përmes pasigurive të prindërve të tyre, pa e kuptuar se çfarë po ndodhte. Këto janë vajzat, rinia e të cilave u ndërpre, jetët, miqtë, dashuritë, librat shkollorë dhe kujtimet e të cilave mbetën pas në vendet ku ato u rritën. Gjatë atyre viteve të ndjeshme të adoleshencës, ato shkuan në mjedise të reja ku duhej të përshtateshin. Ishin mjaft të rritura për të qenë të vetëdijshme rreth vuajtjeve të nënave dhe baballarëve dhe u desh të merren me sfidat e jetës, me të gjitha ndryshimet që sjell procesi i rritjes, të përshtateshin me mjedise të reja dhe të mos u shkaktonin prindërve telashe të reja.
Këta janë zërat e grave të rritura, me ose pa familje, të cilat gjithashtu kanë vuajtur pasojat e konkurrencës ndërmjet burrave në pushtet dhe egove të tyre. Këto gra e bartën dhimbjen brenda vetes gjatë të gjithë kohës, kryesisht në heshtje. Ato ishin krejtësisht të pafajshme e megjithatë iu desh t’i linin pas shtëpitë e tyre, të vinin në një vend të ri, të ndërtonin një jetë të re atje dhe ta gjenin veten. Qetësisht dhe pa u ankuar shumë, të vetëdijshme se gjithnjë ekzistonin ato që patën situatë më të keqe.
Këta janë zërat e nënave, të cilave iu desh të kujdesen për fëmijët e tyre pa e ditur se ku i kishin bashkëshortët dhe të afërmit e tjerë; në pritje të lajmeve nga fushëbeteja, duke patur frikë nga më e keqja. Megjithatë, ato e ruajtën qëndrimin që të mos ua bartnin fëmijëve shqetësimin që mbanin mbi supet e tyre.
Këta janë zërat e gjysheve që lanë pas shtëpitë në moshë të shtyrë, disa prej të cilave madje përjetuan luftën për herë të dytë, edhe pse kishin menduar se lufta e madhe kishte shenjuar fundin dhe kishte sjellë paqen në këtë zonë. Të sëmura në moshën e tyre të shtyrë, ato sërish mblodhën ato pak sende dhe u nisën drejt të panjohurës, duke lënë pas jetët, kafshët, tokën dhe gjithçka që kishin krijuar në vite jete në varfëri.
Kishte dhe nga ato që vendosën të rrinë pas, sepse nuk donin të iknin nga shtëpitë. Ato ishin kryesisht gra të moshuara, të cilat qëndruan në shtëpitë e tyre me bashkëshortët ose vetëm, ndërkohë që fëmijët u larguan drejt së panjohurës. Ato qëndruan atje duke menduar “epo, nuk i kemi bërë asgjë keq askujt, askush nuk do të na lëndojë, sepse nuk përbëjmë kërcënim”. Ato qëndruan pas duke u shqetësuar për më të dashurit e tyre që kishin ikur dhe as nuk mund t’u telefononin për t’i pyetur a ishin mirë, apo nëse ishin tëgjallë. Ato mbetën në pritje të dëgjonin së paku ndonjë lajm. Të moshuara dhe të dobëta, edhe ato përjetuan abuzim të rëndë në duart e ushtrisë apo grupeve paramilitare. Ato i detyruan të hidhen brenda puseve apo u vranë pranë bashkëshortëve të tyre, në pragjet e shtëpive të tyre, i lanë atje që dikush t’ua gjente trupat. Ato që përjetuan keqtrajtimin, panë se si të huajt ua morën sendet, panë t’ua digjnin shtëpitë e fqinjëve. Ato tentuan të mos provokojnë, por as kjo gjë nuk i ndihmoi disa prej tyre.
Ka tregime të panumërta që nuk janë rrëfyer kurrë publikisht. E rrethuar nga këto tregime gjatë të gjithë jetës sime, shpeshherë i kam dëgjuar. I kam hasur këto tregime edhe si gazetare. Më kujtohet një nënë nga një vend pranë vendit që sot quhet Hrvatska Kostajnica e cila kishte humbur nënën dhe djalin e saj me aftësi të kufizuara gjatë Operacionit Stuhia. Në ditën e parë të Stuhisë, ajo u largua me bashkëshortin e saj dhe me dy fëmijët e tjera, ndërsa nëna e saj nuk kishte dashur të ikte; ajo kishte dashur të qëndronte në shtëpinë e saj. Djali i saj, shumë i lidhur me gjyshen, kishte dashur të qëndronte me të. Në atë kohë, askush nuk e kishte menduar se nuk do të ktheheshin së shpejti. Megjithatë, gjërat u zhvilluan ndryshe dhe ata mbetën në Bosnje, pa e ditur se çfarë kishte ndodhur me të dashurit e tyre. Pastaj morën lajmin e tmerrshëm: një grua e moshuar dhe një fëmijë me aftësi të kufizuara i kishin vrarë. Kryesi nuk do të dihet kurrë. Tani, gruaja jeton me familjen e saj në të njëjtën qytezë, përballë shtëpisë ku ia vranë nënën dhe djalin. Më kujtohet trishtimi në sytë e saj dhe fjalët që m’i tha teksa po shkonim drejt varreve të të dashurve të saj: “Sa keq që nuk jeton pak më afër që të pinim kafe dhe të bisedonim”.
Shpesh nuk jemi në dijeni se sa nevojë për përkrahje kanë gratë që u kanë mbijetuar tmerreve të tilla, edhe ato që nuk kanë humbur të afërm në luftë; apo se në ç’masë kjo shoqëri nuk ka menduar për to dhe ka dështuar me ofrimin e ndihmës për to, me përjashtim të disa aktivisteve. Shumica e grave as nuk kanë marrë ndihmë psikologjike apo mirëkuptim. Shumë prej tyre as që i kanë pyetur se si u ka ndikuar trauma e jetës.
Unë jam rritur në një mjedis të tillë, në mesin e grave të tilla trimëresha, të cilat i kanë varrosur ato trauma brenda vetes ose kanë vazhduar t’i luftojnë ato. Kam kaluar kohë me gra dhe vajza që i kanë mbijetuar të qenit refugjate dhe krejt asaj që sjell kjo gjendje. I kam dëgjuar të më tregojnë se si kur arritën në Serbi nuk kishin para të blinin asgjë për vete. Se si nuk kanë shkuar në ekskursione të shkollës, nuk kanë veshur rrobat që u pëlqenin dhe që shoqëria bashkëmoshatare i diskriminonte, sepse vishnin rroba të dhuruara. Kam dëgjuar shumë edhe për atë kolonë të mjeruar të refugjatëve. Dhe çdo person që njoh ka tregimin e vet, në dukje të njëjtë, por unik gjithsesi. Çdo person i mban mend ato çaste ose i kujton përmes tregimeve të më të moshuarve.
Këto tregime na shpalosin se sa i shpërfillur është këndvështrimi femëror. Ato shpalosin se si traumat kryesisht mbeten të pashëruara dhe të varrosura diku thellë brenda tyre dhe për disa prej tyre, këto trauma kanë ndikuar në shëndetin e tyre dhe kanë lënë pasoja afatgjata.
Pjesa tjetër e jona që jetuan nëpër atë kohë mund të ketë përvoja dhe mendime të ndryshme nga Anja dhe Sanja, të cilat i kanë thënë tregimet e tyre me zë të lartë. Mund të kemi ndjenja të ndryshme tani dhe ta shohim luftën me sy tjetër. Mirëpo, për sa kohë që Stuhia shihet ekskluzivisht nga këndvështrimi mashkullor dhe nga perspektiva e atyre që janë në pushtet, nga perspektiva e pak “perandorëve që luajtën luftash”, ne kurrë nuk do të arrijmë tek traumat dhe dhimbjet më të thella që kanë përjetuar njerëzit. Dhe vuajtja njerëzore do të mbetet dytësore në këto debate – kush e nisi i pari dhe kush është agresori dhe kush është viktima. Ne të gjithë ishim viktima, gra, burra,fëmijë dhe të moshuar të pafajshëm dhe ndoshta ka ardhur koha që ta shohim luftën me ata sy. Ndoshta është koha ta shohim vuajtjen e grave në tregime si ato të Anjës dhe Sanjës dhe të dëgjojmë për shumë gra të tjera që më së paku kishin faj për luftërat. Vetëm që ato nuk ishin në fushëbeteja nuk do të thotë se nuk u plagosën.
Masha Samarxhija është studente e gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb. Viteve të fundit ajo ka bashkëpunuar intensivisht me sektorin civil dhe është marrë me çështje të minoriteteve në Kroaci. Ajo ka punuar për shoqatën serbe të biznesit Privrednik në Zagreb në projekte të ndryshme që promovojnë të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e komunitetit serb. Aktualisht, është ushtronin profesionin e lirë si gazetare dhe punon me disa organe mediatike në Kroaci.